ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

Rreth Nesh

Kush jemi ne?

Ne jemi Aleanca KuqeZi, një lëvizje qytetare mbarëkombetare që ka mbledhur rreth saj akademikë, arsimtarë, juristë, profesionistë të fushave të ndryshme dhe mijëra studentë.

Kur lindi Aleanca KuqeZi?

Mars 2011 në Vlorë një grup qytetarësh u bashkuan për të kundërshtuar veprimet antikombëtare të politikës shqiptare.

Pse quhemi Aleanca KuqeZi?

Sepse prej dekadash shqiptarët u ndanë në ngjyrat e flamujve të partive politike të kuqe si huazim sllavo-rus deri në bardheblu si pasojë e ndikimit helen. Shqiptarëve u kishte munguar një lëvizje e unifikuar qytetare që në thelbin e saj ka çështjen kombëtare, mbrojtjen e identitetit dhe vlerave kombëtare si dhe parimeve kushtetuese.

Ku ndryshon Aleanca KuqeZi nga të tjerët?

Çdo prioritet është thellësisht ndryshe nga subjektet e tjera. AK nuk bën pazar me çështjen kombëtare ashtu si ka bërë qeveria dhe opozita ndër vite. Ndryshe nga çdo subjekt tjetër politik AK operon në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Malin e Zi, Çamëri dhe kudo tjetër ku jetojnë shqiptarë.

Sa e madhe është Aleanca KuqeZi?

Në të gjithë territorin e Shqipërisë, trevat shqiptare dhe mbarë Diasporën. AK është e para lëvizje në historinë shqiptare që kalon kufijtë e Shqipërisë.

Çfarë synon Aleanca KuqeZi?

Zbatimin e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë ku është përcaktuar realizimi “i aspiratës shekullore të popullit shqiptar për identitet dhe bashkim kombëtar”. Ne synojmë të mbrojmë të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton brenda dhe jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë si në: Kosovë, Maqedoni, Malin e Zi, Çamëri dhe Luginën e Preshevës.

Kush qëndron pas Aleancës KuqeZi?

Ngjyrat e flamurit kuqezi duke përjashtuar çdo funksionar apo ish-zyrtar  të politikës shqiptare që në këto 21 vjet vendosën flamurin e partive mbi çështjen shqiptare.

Aleanca KuqeZi, majtas apo djathtas?

Jemi mbi partitë politike dhe pranojmë personat që e duan Shqipërinë më shumë se partinë, sepse për ne Kombi qëndron mbi partitë.

Me kë do të bëjë koalicion Aleanca KuqeZi?

Aleanca Kuqezi do të bëjë koalicion me shqiptarët dhe qytetarët e Shqipërisë të cilët ndajnë të njëjtat parime dhe vizion për rrugën pakthim drejt integrimit në familjen Evropiane.

Pse duhet të bëhesh anëtar i Aleancës KuqeZi?

Aleanca KuqeZi është e vetmja lëvizje popullore patriotike që vendos kombin mbi interesat partiake dhe personale, duke qëndruar pas çdo shqiptari dhe duke mbështetur çdo synim që mbron dhe lartëson vlerat kombëtare të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Adresa: Kutia postare 1517. Rruga e Durrësit, kryqëzimi tek Ministria e Arsimit dhe rruga e “Fortuzit”, pranë Pastiçeri Internacional.

Telefon: +355 (0) 692099915; +355 (0) 694041230