ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

AK : PARTIA E SHTETASIT BERISHA PO ORKESTRON VJEDHJEN E ZGJEDHJEVE NË QERSHOR

Tiranë – Aleanca Kuq e Zi ka reaguar menjëherë ndaj vendimit të djeshëm të Kolegjit Zgjedhor për shtimin e Zonave të Administrimit Zgjedhor në zgjedhjet e ardhshme. Në një deklaratë për shtyp të dhënë  ditën e sotme pranë zyrave të AK, Sekretari  i Marrëdhënieve me Publikun, Rezar Balla ka deklaruar se konsensusi PD-PS për Kodin Zgjedhor ishte fatal dhe do të ketë impakt negativ në zgjedhjet e 23 Qershorit.

“Dje u bëmë dëshmitarë të etjes së pashembullt të partisë-shtet, e cila tregoi se është e gatshmë për të bërë gjithçka që të mbajë pushtetin me çdo kusht dhe metodë. Ditën e djeshme ra këmbana e parë e alarmit se zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 23 Qershorit janë në rrezik dhe larg standardeve të kërkuara nga Bruskeli dhe insitucionet ndërkombëtare” .

“Partia shtet nisi ditën e djeshme një lojë të pistë duke vënë nën presionin politik gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor, për të zbuluar se cilët janë ata gjyqtarë që do të zbatojnë ligjin dhe ata që do të zbatojnë ligjin e partisë-shtet të etur për pushtet. Kolegji Zgjedhor  mori ditën e enjte një vendim mbi shtimin e zonave të administrimit zgjedhor”. 

 “Kodi Zgjedhor e përcakton qartë që Kolegji Zgjedhor nuk merr asnjë vendim të prerë për çështje që lidhen me administrimin e zgjedhjeve përpara mbajtjes së tyre, e përcaktuar kjo në nenin 24 të Kodit Zgjedhor. Dje partia-shtet vuri në provë dhe presion të jashtzakonshëm anëtarët e Kolegjit Zgjedhor duke çelur kështu lojën e presionit politik mbi çdo institucion që flet, gjykon dhe administron proceset zgjedhore”. – u shpreh z.Balla.

“Aleanca Kuq e Zi i bën apel dhe thirrje mbarë insitucioneve ndërkombëtare në vendin tonë dhe OSBE/ODIHR të jenë të vëmendshëm përballë masakrës elektorale që partia-shtet po orkestron për zgjedhjet e përgjithshme të 23 Qershorit”.

“Fati, qetësia dhe prosperiteti i kombit shqiptar lidhet ngushtë me mbarëvajtjen e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, pasi niveli i demokracisë jo vetëm që është i brishtë edhe pas 22 viteve pluralizëm por dhe zhvillimi ekonomik dhe besueshmëria e investitorëve të huaj është gjithashtu në rrezik si rrjedhojë e etjes së partisë-shtet për pushtet”. – përfundoi fjalën e tij Rezar Balla.

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen