ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

Lubonjat, Bushatët e pamundësitë shqiptare

Në emisionin e djeshëm ‘Opinion’ të Fevziut u trajtua gjerësisht çështja e patriotizmit ndër shqiptarë. Ajo që ndër të tjera binte në sy, përpos ‘përjashtësimeve'( çfarë nxori jashtë, meqë jashtëqitje ka kuptim vetëm negativ në shqip) të Lubonjës, të cilat janë vërtet për t’u lënë përjashta çdo trajtimi serioz (‘njeriu mbi kalë’ për Skënderbeun  është tamam jashtëqitje verbale), ishte fakti që tek çështja e bashkimit, u përdor pseudoargumenti kundërshtues  i ‘pamundësisë’ së tij .

Pse them pseudoargument kundërshtues ?

Në radhë te parë, sepse nuk është përgjigje e pyetjes; Je për bashkim apo jo ? Pyetja të imponon një përgjigje ‘Po’ ose ‘Jo’. Pamundësia është përgjigje për pyetjen; A është i mundur bashkimi ?

Nëse është e mundshme apo jo diçka, kjo nuk e legjitimon kundërshtimin apo pranimin e saj në parim, psh vrasja e një të panjohuri mund të jetë shumë e mundshme, kjo s’do të thotë që të pranohet vrasja e atij njeriu, meqë është e mundshme.

Pra ka një rrëshqitje logjike, një rremësi logjike në themel të këtij ‘argumenti’, i cili për fat të keq përdoret gjerësisht nga ata që s’duan bashkimin, pra këta që të mos thonë hapur se nuk duan bashkimin, në vend të arsyeve të vërteta, na shesin përditë këtë ‘gjetje të mençur’, një sofizëm që nuk është as i hollë.

Nga ana tjetër, fakti që diçka është e vështirë e mund të duket në kufijtë e të pamundurës nuk ka pse të legjitimojë kundërshtimin e saj. Ja psh në 1990 shqiptarët u ngritën duke kërkuar që Shqipëria të bëhet si gjithë Europa. Tani në vitin 2012, që jemi në 22 vjetorin e kësaj kërkese, Shqipëria nuk është bërë aspak si gjithë Europa, përkundrazi duket se duhen edhe nja 50 vjet të tjerë për t’u bërë si Europa, megjithatë kjo s’do të thotë që kërkesa shqiptare para 22 vjetësh apo ideja  për ta bërë Shqipërinë si Europa, duhet hedhur poshtë.

Po njësoj hyrja në BE ( meqë ta bëjmë si Europa, nënkupton mirëqenie e zhvillim, që jo domosdoshmërisht gjithë shtetet e BE-së e kanë, psh Rumaninë nuk e lakmon askush edhe pse është në BE) ka qenë përparësi shtetërore e shoqërore për 20 vjet dhe vazhdon të jetë përparësi shtetërore e shoqërore, nga e cila s’kemi për të hequr dorë edhe pas 20 vjetësh nëse s’do të jetë realizuar.

Mos vallë, po ta gjykojmë me kutin e Bushatit, Hasimjes&co, duhet të kishim hequr dorë nga ideja e hyrjes në Europë, meqë kërkon 20 apo 40 vjet (apo që s’i dihet fare, meqë Europa s’po mban dot gjallë as monedhën e përbashkët, kështu që për hyrjet e reja do mendohet 100 herë) ?

Nga ana tjetër, mospranimi i një ideje për shkak të pamundësisë, lidhet me konceptin e utopisë, mirëpo cili Bushat e Hasimje i Shqipërisë do të ishte aq i marrë sa të quante utopi diçka kaq të natyrshme, sidomos kur Bushati i rastit quan të mundshëm bashkimin e mbarë Europës, jo në kuptimin e shtet-kombeve të Europës, por të një Europë pa shtet-kombe apo të qytetarëve (ide tashmë 60 vjeçare, që ka ngelur në letër) ?!

Pra, ky pseudoargument kundërshtues i bashkimit kombëtar është qartazi një pëlhurë e zverdhur dhe e mykur, me të cilën përdoruesit e tij përpiqen të mbulojnë lakuriqësinë e tyre të frikshme shqiptarofobe, krahinore, kozmopolite  e ndonjëherë të interesave të errëta.

Bashkimi kombëtar mund të jetë shumë i largët, por njëkohësisht edhe shumë i afërt, mjaft të kujtojmë që deri në 1996-97, askush nuk do hidhte bast as 1 lek për çlirimin e Kosovës, mirëpo ja që në 1999 Kosova u çlirua. Po kështu në vitet 70 dukej se Blloku komunist po fitonte ndaj atij Perëndimor, kur veç 10 vjet më vonë, Blloku Lindor u shpërbë krejtësisht.

Pra, kemi të bëjmë me një dukuri, ku parashikimet shpesh dështojnë haptazi, prandaj kjo siguri e pamundësisë, ndër të tjera tregon se është edhe një arrogancë prej të padituri.

Ajo që ka rëndësi për ne si shqiptarë është që jo vetëm ta shohim si të mundshëm, por të përpiqemi me të gjitha mënyrat që ta mundësojmë, në mos sot, nesër, e rëndësishme është që kur të piqen rrethanat ndërkombëtare ne jo vetëm të mos jemi të papërgatitur, por teë jemi aktorë të dorës së parë të pjekjes së rrethanave dhe t’i kemi parallogaritur ngjarjet.

Kështu vepron një komb me pjekuri politike, vendos synimet e veta afagjata dhe bën ç’është e mundur që gjithë ngjarjet të shkojnë sipas interesave të veta.

Këtë papjekuri politike si komb ne e treguam edhe këto 20 vjet, kur vendosëm si synim afatgjatë Europën, mirëpo nuk u përpoqëm aspak që ta vendosnim Europën përballë faktit të kryer, pra nuk bëmë reformat e duhura, nuk zhvilluam ekonominë, nuk ndërtuam demokracinë, që sot pas 20 vjetesh t’i thonim Europës, ja ku i ke faktet, tash s’të ngelet gjë tjetër, veçse të më pranosh në gjirin tënd.

Pra , ky rast domethënës tregon sa të papjekur jemi si komb e sa të paaftë t’i shohim gjërat në këndvështrimin afatgjatë, dhe ç’është më e keqja refuzojmë të pranojmë se gjërat që lidhen me ne duhet të fillojmë t’i konsiderojmë duke e nisur nga përgjegjësia jonë, jo thjesht e vetëm nga Plotfuqia e ndërkombëtarëve.

Ne themi, Europa po të doje na fut në BE dhe është normale që po të dojë na fut, po ne si shqiptarë ç’kemi bërë për të hyrë në BE ? S’kemi bërë asgjë, se themi Europa është e plotfuqishme, po deshi na fut, hajde i bëjmë qefin duke e adhuruar dhe tundur flamurin europeist.

Kështu është edhe çështja e Bashkimit Kombëtar, themi Europa, Bota, s’duan bashkimin e shqiptarëve dhe s’kanë për të na lejuar të bashkohemi, se janë të Plotfuqishëm.

Po mirë, po ‘ne si shqiptarë’ ç’po bëjmë në drejtim të Bashkimit ‘tonë’ apo presim të vijë nga qielli ?

Ledian Prifti

3 KOMENTE

europeisti

08/01/2012

arrow

I nderuar z.Prifti!Analistet qe permendi ne kete shkrim e lidhin “pamundesine” e bashkimit me mungesen e perfitimeve krahasuar me sakrificat per te bere bashkimin.Te jemi realiste,faktori nderkombetar (edhe aleaten tane me te ngushte) e shohin me shume dyshim kete bashkim.Pra,si mund te realizohet bashkimi pa patur mbeshtetjen e atyre qe realisht e cliruan Kosoven (ju kujtoj se Kosoven nuk e cliruan shqiptaret).Pervec kesaj kostoje te larte per sa i perket politikes nderkombetare,bashkimi nenkupton edhe kosto te tjera administrative.Duhet te riorganizohet gjihte administrata publike e te dyja vendeve,gjithe institucionet qeveritare dhe sistemi gjyqesor.Ky riorganizim nenkupton kosto materiale per taksapaguesit ne Shqiperi dhe Kosove.Dhe e gjithe kjo “mesele” per te arritur cfare?c’ndryshim do te sillte bashkimi ne jeten e perditshme te shqiptareve?Ju siguroj asnje ndryshim pozitiv.Do te ishte nje vetizolim i ngjashem me ate te Enver Hoxhes.Do rezikohej inegrimi i Shqiperise dhe Kosoves ne B.E. dhe me shume gjasa do rivendosej regjimi i vizave nga vendet shengen per qytetaret shqiptare.Pra,zgjidhja me e mire do te ishte intensifikimi i raporteve mes Republikes se Shqiperise dhe Kosoves (askush nuk na pengon ti heqim doganat njeri-tjetrit) dhe intensifikimi i perpjekjeve te te dyja vendeve per t’iu bashkuar familjes europiane.Ajo qe eshte e rendesishme nuk eshte inegrimi i Kosoves ne Shqiperi (nuk do i sillte dobi askujt),por inegrimi i kombit Shqiptar ne B.E, krijimi i nje klime te qendrueshme bashkepunimi mes vendeve ballkanike,ndalimi i predikimit se urrjetjes,jemi te gjithe popuj me problematika te ngjashme qe duan te jetojn ene paqe dhe begati.

    Halil Gjelaj

    09/01/2012

    arrow

    Bashkimin shqiptar nuk duhet shikuar me aq miopesi dhe argumentimi i se drejtes apo arsyeshmerise te ngushtohet me nje analize te cmimit te rregullimit administrativ qe shqiptaret duhet te paguajne.Kjo eshte sikur te themi se cka i duhej Kosoves pavaresia pasi ajo kishte administrate serbe pra nuk kishte nevoje te paguante,kishte amasadat serbe, pra skishte nevoje te blente ambasada dhe te paguante ambasador, etj etj. Sa te marre paskan qene Gjermanet qe u bashkuan! Bashkimi i popullit shqiptar eshte nje evolucion eshte nje domosdoshmeri eshte nje frymezim dhe cdo njeri nga ne duhet ta dije se populli shqiptar kurre nuk do te jete nje komb i fuqishem po te mbetet i ndare ne pese shtete. EDHE RRUGA ME GJATE FILLON ME HAPIN E PARE thote nje proverbe e urte indiane, kete hap e hodhi Skenderbeu dhe vazhdoi neper shekuj dhe ja ku jemi sot me afer se kurre.

europeisti

09/01/2012

arrow

Z.Gjelaj arsyeja kryesore sic e permenda ishte kostoja e larte ne lidhje me politiken nderkombetare.Por edhe procesi i trasnformimit administrativ mos kujtoni se eshte kaq i thjeshte,do duheshin vite te tjera tranzicion.Pastaj,nuk besoj se Kosoves do i interesonte te ishte nje province periferike e Shqiperise.Nqs ne Republiken e Kosoves respektohen te drejtat e shqiptareve atehere c’ndryshim do kishte per kosovaret?Kjo pune duhet pare me gjakftohtesi.

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen