ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

Aleanca KuqeZi: Kosova nuk është Serbi, Tadiç provokoi 10 milion shqiptarë

Redi Ramaj

 

Aleanca KuqeZi reagon ashpër ndaj deklaratave të Presidentit të Serbisë Boris Tadiç, gjatë vizitës në Kosovë, saktësisht në Deçan, me rastin e Krishtlindjeve Ortodokse nga ku tha se Kosova është tokë serbe. Aleanca KuqeZi shpreh shqetësimin e saj gjithashtu për situatën në Malin e Zi dhe Maqedoni.

Sa i përket deklaratave të Boris Tadiç, ne deklarojmë se ato nuk janë asgjë më shumë se sa veprime shoviniste dhe sllavizëm primitiv. Me deklaratën e tij presidenti i Serbisë po provokon 10 milion shqiptarë që jetojnë në trojet e tyre prej mijëra vitesh. Ne deklarojmë se Kosova nuk është tokë serbe, por është tokë shqiptare dhe tokë e shqiptarëve.

Aleanca KuqeZi shpreh mbështetjen e saj maksimale, morale dhe fizike, për shqiptarët e Malit të Zi, të cilët po përballen me vendime provokuese të parlamentit të Malit të Zi, i cili ka cënuar simbolet kombëtare shqiptare me vendime e ligje kundër kombit shqiptar. Ne deklarojmë se Tuzi dhe Ulqini janë bastione të kuqezinjve dhe ndalimi i simboleve shqiptare nuk do ta zbehë asnjëherë të vertetën historike.

Një tjetër akt shovinist i regjistruar në Maqedoni, ku qeveria ka hequr nga tabelat informuese të Aeroportit Kombëtar gjuhën shqipe. Një akt i shëmtuar dhe provokues kur dihet zyrtarisht, se 60% e trafikut ajror në hyrje dhe në dalje të Maqedonisë zihet nga shqiptarët.

Në këto kushtë kur shovinizmat sllave po kalojnë kufijtë normalë dhe po cënojnë të drejtat e shqiptarëve në rajon, Aleanca KuqeZi i kërkon me insistim qeverisë shqiptare që të thyejë heshtjen përmes Tiranës zyrtare dhe të kundërshtojë zyrtarisht më një qëndrim të ashpër këto veprime, që po dëmtojnë dhe cënojnë interesat kombëtare të Shqipërisë dhe shqiptarëve në rajon.

Për t’ia bërë më të lehtë Tiranës zyrtare dhe qeverisë reagimin ne i kujtojmë institucioneve shqiptare që është Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, e miratuar në 1998 me vullnet nga sovrani shqiptar që i kushtëzon: mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të shqiptarëve edhe jashtë kufijve. Aleanca KuqeZi deklaron dhe kërkon që shqiptarët në Kosovë, Malin e Zi, Maqedoni dhe Luginën e Preshevës të mos trajtohen si fqinj, pasi ata jetojnë në trojet e tyre etnike.

Vazhdimi i heshtjes së Tiranës zyrtare do të na tregojë për të disatën herë gjunjëzimin e diplomacisë shqiptare, në kundërshtim me interesat e shqiptarëve në rajon.
Aleanca KuqeZi
Drejtor Ekzekutiv
Redi Ramaj

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen