ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

Tërheqja amerikane dhe lindja historike e Aleancës KuqeZi

Lajmi se trupat amerikane do të tërhiqen nga Kosova po krijon ndër shqiptarë një gjendje të përgjithshme parehatie. Shqiptarët e kanë pritur këtë lajm në mënyra të ndryshme, që nga mosbesimi e deri në shfaqje paniku.

Përtej vërtetësisë së lajmit e konsideratave të ndryshme të natyrës ekonomike e gjeopolitike, ngelet një fakt kokëfortë që buron prej parehatisë së përgjithshme, pra se shqiptarët e shohin Amerikën si garancia e vetme e paqes në rajon, duke përjashtuar qoftë faktorin europian e qoftë aftësinë shqiptare për vetëmbrojtje. Pra, tërhiqen apo jo trupat amerikane, ngelet zbuluar ndjesia e pafuqisë së plotë (e të shëmtuar) shqiptare. Jo se na duhet ky lajm për të kuptuar se shqiptarët e shohin veten si krejt të pafuqishëm në rajon, porse ky lajm na e bën ta ndiejmë thellë pafuqinë tonë dhe mosbesimin në forcat tona.

Mosbesimi ynë buron si nga shkaqe objektive ashtu edhe nga shkaqe subjektive. Tek të parat mund të renditen gjendja e copëtuar e shqiptarëve, të ndarë në 6 shtete dhe emigracion, keqadministrimi si i Shqipërisë ashtu edhe i Kosovës, mungesa e një ushtrie shqiptare në Kosovë e shkatërrimi 20 vjeçar i ushtrisë së Shqipërisë, të qenit të rrethuar nga shtete, që nuk i kanë fshehur asnjëherë synimet agresive ndaj trojeve shqiptare etj.

Ndërsa, tek shkaqet subjektive (e të gabuara), hyn mendësia se jemi kombi më i vogël në Ballkan (në një kohë që rivalizojmë me grekët për vendin e parë), fatalizmi se Shqipëria nuk bëhet ( e meqë s’bëhet, kot sa ta provojmë), mosnjohja e realitetit të shteteve fqinjë ( të shumtëve Serbia u duket e pasur dhe e fuqishme si Jugosllavia e djeshme ), gjithçka është në dorën e faktorit ndërkombëtar ( ne më mirë t’ia fusim gjumit) etj.

Nuk është e rastësishme që Aleanca KuqeZi,  me nismat, fushatat dhe objektivat e saj, synon të luftojë pikërisht shkaqet objektive dhe subjektive të pafuqisë shqiptare. AK-ja i ka hyrë problemit mu në zemër; me fushatat e saj ajo lufton pikërisht këto mendësi të gabuara, të cilat jo vetëm ndikojnë në përshqisimin e shtrembër të realitetit, por bëhen pengesë edhe për trajtimin e shkaqeve objektive, pra për vetë arritjen e bashkimit kombëtar, mirëadministrimin e Shqipërisë, zhdukjen e ndikimit antishqiptar nga trojet shqiptare etj.

Tërheqje apo jo e trupave amerikane nga Kosova, pikërisht gjendja e trazuar e shqiptarëve, kudo qofshin, dëshmon qartazi për të përsëriturën herë, se Aleanca KuqeZi, ndryshe nga ç’thonë kritikët e kritizerët e saj, e ka kapur problemin shqiptar në gjenezën e vet, ose e thënë popullorçe e ka kapur demin per brirësh. Ndërsa AK-ja zhvillon fushata sensibilizimi, dashakeqët e saj, të cilet shpesh janë edhe dashakeqës të kombit dhe patriotizmit shqiptar, flasin për folklor, romantizëm, koncerte qejflijsh etj. Ndërsa AK-ja ndërmerr fushata për ringritjen e ndërgjegjes kombëtare, rimëkëmbjen e identitetit kombëtar, dashakeqët bëjnë krahasime idiote për fashizëm, diskriminim minoritetesh etj.

Problemet e përditshmërisë së shqiptarëve në Ballkan, duke filluar që nga papunësia, varfëria, korrupsioni etj, nuk ka sesi të zgjidhen nga këndvështrimet e ngushta personale, më tej fisnore, klanore e partiake, pra shqiptarët bëjnë një gabim thelbësor, qysh në rrenjët e përqasjes, sepse mendojnë që problemet mbareshqiptare mund të zgjidhen duke menduar secili për vete.

Ky qëndrim individualist, i cili në nivelet e epërme përthyhet në këndvështrim krahinor, klanor, partiak e deri ne teorinë ku secili shtet, Shqipëria, Kosova, Maqedonia, i zgjidh problemet e veta duke parë vetëm interesin e vet, i ka dhënë tashmë të gjitha provat që është krejtësisht i dështuar, sepse as shqiptarët në Shqipëri, as ata në Kosovë e as ata në Maqedoni, nuk kanë zgjidhur qoftë edhe një problem të përditshmërisë shqiptare, pasi kudo në trojet shqiptare sundon papunësia, korrupsioni, varfëria etj.

Prandaj, të kritikosh Aleancën KuqeZi, se përse nuk e sheh realitetin nga këndveshtrimi i deritashëm, do të thotë të pretendosh që AK-ja të jetë thjesht një subjekt më shumë në skenën shqiptare, një nga ato qindra subjekte shoqërore e politike, që gëlojnë prej vitesh dhe nuk kanë ndihmuar në zgjidhjen e asnjë problemi të mprehtë shoqeror, pra do të thotë të kërkosh ta shterpëzosh që në hapat e para. Përndryshe, AK-ja duke e hedhur shikimin deri në ADN-në e problemeve shqiptare, falë këndvështrimit të duhur ka hecur në të vetmen rrugë, pasi për të mëkëmbur Shqipërinë, në radhë të parë duhen (ri)mëkëmbur themelet e shoqërisë dhe të shtetit, vlerat e përbashketa, fryma kombëtare, morali historik, identiteti dhe interesi kombëtar etj.

Shqiptarët në Ballkan dhe trojet etnike, duhen parë në këndvështrimin organik, i cili kurrë nuk ka qenë më i vlefshëm sesa për rastin shqiptar, sepse një problem në Kosove lë pasoja në Shqipëri dhe anasjelltas, e në një botë ku këndvështrimi organik sundon haptazi (kur për problemet financiare në Amerikë po ngrihet edhe qeveria kineze të japë këshilla, apo problemet në Greqi, po ngrihet finlandezi për të kërkuar llogari) nuk ka vend për këndvështrime mekanike, të tipit ne shqiptarët e Shqipërisë përpiqemi vetëm për Shqipërinë, ju për Kosovën, ata për Maqedoninë e me radhë.

Këtu qëndron edhe nevoja historike e shqiptarëve për Aleancën KuqeZi, që e bën historike lindjen e saj, tek ky këndvështrim organik mbarëkombëtar, si premisa bazë për njohjen e realitetit dhe ndërhyrjes së duhur tek problematikat shqiptare. Aleanca KuqeZi mund të krahasohet edhe me një palë syze që rregullojnë miopinë e deritashme shqiptare, ajo që i ka penguar të shohin si duhet punët e problemet e tyre e që na ka sjellë në këtë batak ku gjendemi.

Ledjan Prifti

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen