ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

Këta nuk duhet të qeverisin më tej kombin tim!

parlamenti-i-shqiperise

 

Guxim Kola

Vetëm 15 vjet më parë, Shqipëria përjetoi nje katastrofë te vertetë, nga të gjitha anët, shteti u shpërbë dhe për turpin tonë, u desh të ndërhynin trupat ndërkombëtare. Ardhja e trupave të huaja, për të stabilizuar gjendjen, në një kohë që kishim 85 vjet shtet, përbën një turp kombëtar, një turp që ne e kaperdimë e i futem nje gotë verë nga pas. Askush në 1996 nuk mund ta përfytyronte nje katastrofë të atilla përmasave, e megjithatë ndodhi, biles shenjat ishin të gjitha, që nga piramidat, tek vjedhja e votës, shteti policor (Shiku famëkeq), dëshira e fortë për hakmarrje etj.

Sot, përsëri shenjat janë te gjitha, duke filluar që nga ekonomia thuajse ne stanjacion, rritje vetëm 0.5%, ulja e dergesave te emigrantëve, borxhi i lartë, e deri tek politika, ku zgjedhja e Presidentit të ri, sipas gjasave do e rifusë vendin ne nje krizë të re politike e institucionale.  Qeveria ka filluar me kohë shitjen e pasurisë kombëtare, ka vënë dorë mbi hidrocentralet, pyjet, naftën e infrastrukturën rrugore, pasi nuk ka me asnjë mjet tjetër për të mbushur arkën e shtetit. Politika e mbushjes së arkës se shtetit me privatizim dhe zbrasjen  ose më mirë grabitjen e saj me anë të tenderave e shpenzimeve qeveritare të pilotuara, tashmë ka cenuar rëndë pasuritë kombëtare, ato që me traditë janë të bashkësisë shqiptarë.

Politika ekonomike e ndjekur gjatë 20 vjetëve te fundit, ka qene thuajse identike si për PD-në ashtu edhe PS-në, mbushje e arkës së shtetit me privatizime, rritje të borxhit ( mbi 7 miliardë dollarë i brendshmi dhe 5,5 miliardë dollarë i jashtmi) dhe vjedhja e parave me ane te shpërdorimeve, tenderave etj.  të ardhurave vazhdimisht në rritje të emigracionit garantohej valuta e nevojshme per mbijetesën e monedhës kombëtare dhe ruajtja e ekuilibrave financiare.

Tashmë, ajo situatë e lumtur per hajnat, spekullatorët e mafiozët qeveritarë, po perëndon, sepse Shqipërinë e kanë grabitur tërësisht, dhe vendin e ndërmarrjeve shtetërore inefiçente e kanë zënë mafioze, që janë kryesisht te paaftë te mbijetojnë në tregun e lire, pa privilegje qeveritare. Keta nuk janë kapitalistë te nje ekonomie tregu, por hajdutë që mbijetojnë falë miqësive qeveritare, evazionit fiskal, tenderave te pilotuar etj.

20 vjet me parë u rrezua një sistem me  ekonomi shtetërore inefiçente, për të ndertuar një sistem me ekonomi tregu krejt inefiçente. Keta qe pëllasin lart e poshtë për suksese, harrojnë që kemi marrë 12 miliard dollarë borxh, te jashtëm e të brendshëm/publik, me shumë akoma kanë prurë emigrantet dhe miliarda te tjerë janë garantuar nga privatizimi i ndërmarrjeve shtetërore. Kur ndërgjegjësohesh për këtë lumë miliardash që ka vërshuar në Shqipëri, kupton se politikanët shqiptarë e kanë konceptuar Shqipërinë si vendi ku është bërë deti kos, andaj e kanë bastisur, duke lënë dukjen një vend që po zhvillohet.

Mirëpo, tashmë deti nuk është më kos, borxhi ka arritur në pike kritike, emigrantët kanë ulur ndjeshëm dërgesat e për të privatizuar ka ngelur pak, kanë ngelur vetëm pasuritë kombëtare, për privatizimin e të cilave, logjikshëm shqiptarët irritohen. Politikanët e mendesise ‘u bë deti kos’, tashme janë në vështirësi të medha, bizneset e tyre dhe të lidhura me ta, jane vënë ne pozitë te vështirë, për shkak se është pakësuar mundësia e vjedhjes.

Sot, me krizën ekonomike që po ulet këmbëkryq në Shqipëri, nevojitet një efiçencë më e madhe, e shtetit dhe e sipërmarrjes, mirëpo kjo klasë politike, qoftë e PD-së e qoftë e PS-së, nuk është aspak e vullnetshme për ndryshim. Vetë struktura e PD-së dhe PS-së, bazohet tek mendësia e krimit ekonomik, tek korrupsioni, evazioni fiskal, tenderat e pilotuar, shpërdorimet e buxhetit, inefiçenca administrative etj. Qoftë PD-ja e qoftë PS-ja, nuk ka kurrfarë vullneti për të ndryshuar, sepse ndryshimi do të thotë të rrënohet vetë struktura e krimit, falë të cilave këto parti mbijetojnë.

Kriza po përvijohet ngadalë si katastrofë kombëtare, falimentimi i shtetit është tek pragu. Vullneti për të mos ndryshuar, që paraqesin socialistë e demokratë, duke filluar që nga militantët, të cilët miratojnë vjedhjet e deri tek kupolat partiake, që mbijetojnë falë krimit ekonomik, për fatin tonë të keq, përbën një garanci të plotë, që Shqipëria po ecën drejt falimentimit të shtetit, drejt katastrofës kombëtare.

Kjo krizë nuk ka kurrfarë lidhje me krizën ndërkombëtare, siç duan ta paraqesin pushtetarët, kjo është krizë e sistemit prodhues të Shqipërisë, kjo është krizë e sistemit politik, i cili ka lindur i kalbur që më 1991. Një sistem politik i kalbur që vuri themelet për një ekonomi tregu të kalbur, për një sistem ekonomik inefiçent, i cili nuk mbijeton dot pa borxhe, dërgesa të emigrantëve dhe privatizim te vazhdueshëm.

Të shpëtojmë Shqipërinë nga katastrofa kombëtare që po afrohet kërcënueshëm, do të thotë në radhë të parë, të çojmë klasën politike në pension , sepse ajo nuk ka kurrfarë vullneti politik, që të ndryshojë kursin e gabuar që shteti ka ndjekur në keto 20 vjet. Në një kohë kur Rama thotë që pushtetin e merr o ai o Berisha, me këtë Rama i ka thënë të gjitha, e ka thënë troç, që do të mbahet i njëjti kurs 20 vjeçar, i cili do e çojë Shqipërinë, ngadalë por pashmangshmërisht, drejt katastrofës kombëtare.

Shkaku i katastrofës gjendet në vetë thelbin e sistemit politik, ashtu si katastrofa e 1997-s, gjendej në vetë thelbin e sistemit politik.  Shkaku i katastrofës së fundviteve 80, gjendej në vetë thelbin e komunizmit, ai sistem, jo vetëm ne Shqipëri, po kudo ku u praktikua, të çon pashmangshëm në falimentim ekonomik. Shqipëria komuniste, sapo u prenë dërgesat e Kinës, mori te tatëpjetën. Kështu, ndodhi edhe me regjimin zogist, u pushtuam nga Italia, sepse regjimi ishte ekonomikisht e politikisht inefiçent, i krimbur në thelbin e tij. Mbijetoi për aq sa Italia jepte hua te pamasa,  derisa Italia vendosi ta administronte vetë Shqiperinë.

E njëjta gjë, ndodhi edhe me 1990-1992, u ndërtua një sistem i krimbur, të cilin e mbajtën gjallë për 20 vjet, borxhet, paratë e emigrantëve dhe privatizimet, pa harruar edhe donacionet e huaja. Tani që themelet financiare të shtetit, janë shkundur mirë, që gjithë burimet parësore po shterojne, ky sistem po i afrohet fundit të vet, po ashtu si regjimi komunist e ai zogist, para tij. Stanjacioni ekonomik i këtij viti, nuk është fiziologjik i sistemit kapitalist, as lidhet me shkaqet që çuan në krizën ndërkombëtare, perkundrazi është shenja e parë që shteti po falimenton tërësisht.

Deri tani, klasa politike ka falimentuar në çdo aspekt, ka falimentuar në ndërtimin e një shteti ligjor, ka falimentuar në ndërtimin e demokracisë, ka falimentuar në ndërtimin e një administrate efiçente, ka falimentuar në luftën kundër korrupsionit, ka falimentuar në ndërtimin e një sistemi arsimor modern etj. Tashmë është e qarte, që kjo klasë politike ka falimentuar edhe në ndërtimin e një sistemi prodhues efiçent dhe po e çon Shqipërine në katastrofën e radhës.

Ka ardhur koha t’i dërgojmë të gjithë në pension, pavarësisht moshës, një klasë e falimentuar politike, nuk meriton te qeverisë as edhe një kope delesh e dhish, jo një komb.

Jo, këta nuk duhet të qeverisin më tej kombin tim.

 

 

3 KOMENTE

TAFAJ

05/04/2012

arrow

O VELLEZER SHQIPETAR ,,,,,KUJDES ,,,, NJEZET VJET IKEN DEMOKRACI NUK PAM , NJEZET VJET SI NE BURG , BOTA KYFIJTE HAPUR ,EVROPA PER NE PRAPE NGELET ,,,,,ENDERR,,,,, JO ME PD PS AS KRYE HAJDUTIN ILIR META , KUALICIONI SALI – ILIR META , KUALICION HAJDUTESH. ALEANCA ;;;;;;;ALEANCA KUQEZI TI JE SHPRES PER SHQIPERI;;;;;;

plarent

05/04/2012

arrow

Shqiperia ka nevoje per njerez teknicien te afte dhe te pergjegjshem, dhe jo per politikan. Shqiperia asnjehere nuk ka nxjerre politikane qe kane prudhuar politika ne dobi te shqiptareve. Ka ardhe koha per te realizuar gjera konkrete dhe jo demagogji. Ka ardhe koha per te respektuar kushtetuten dhe te drejtat e njeriut.
Problemi kryesor qe kerkon zgjidhje urgjente eshte problemi i prones. Prona eshte elementi i pare, i cili ndikon drejt per drejt ne ndertimin e nje ekonomie eficiente te tregut te lire. Eshte nje element qe garanton sigurine per investimet si dhe krijon nje ekonomi stabel te qendrushme.
Jo pa qellim BE ka vendosur si kusht problemin e prones per tu integruar ne confederaten europiane. Prona duke siguruar nje ekonomi te qendrushme, nuk krijon problem per te nesermen kur Shqiperia te jete ne prag te integrimit per BE. Krahas kesaj Prona eshte dhe nje e drejte themelore e njeriut e garantuar nga konventa europiane per te drejtat e njeriut si dhe nga e drejta nderkombetare, gje qe imponon zgjidhjen e ketij problemi.
Shqiptaret kane burime natyrore dhe nje pozicion gjeografik shume te favorshem, te cilat kerkojne nje administrim pergjegjes per te pase nje ekonomi eficiente dhe nje rritje ekonomike te mire, qe do sillte nje rritje te mirqenies se popullit.
Shqiperia ka nevoje per njerez te pergjegjshem, te afte, njerez qe kane vizion te larget dhe jo njerez qe mendojne sa per te ngrene sot. Pragmatizmi eshte nje koncept fshataresk qe perkufizon interesin individual dhe jo interesin publik.
Shqiperia ka nevoje qe te hapen te gjitha dosjet per te gjithe, ne menyre qe te ndahet nje here e mire nga sistemi i kaluar, nga kjo klase politike e cila eshte pjelle e asaj qe ishte dje.

Bony

06/04/2012

arrow

Shqiperia nuk do te shohe hajer kurre derisa kjo politike te jete akoma siper kraheve te masese e ti udhzoje ato jo drejte drites por erresires. Ketu duhet nje sfurk shumedhembeh qe ti pastroje fillimisht keta koka e me pas mund t mendojme per nje Shqiperi te ciles nuk i mungon asnje kusht.

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen