ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

Spahiu: Unë në politikë? Ajo nuk është monopol vetëm i PD dhe PS

Intervistë“AK-ja, një lëvizje e të pakënaqurve nga sulltanët”

Drejtuesi i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu, deklaron se përfshirja në politikë nuk është një krim dhe aq më tepër ekskluzivitet i demokratëve apo socialistëve. Në një intervistë për gazetën “Shqip”, Spahiu thekson se të ardhmen politike ose jo të aleancës e përcaktojnë anëtarët e saj, të cilët sipas tij do të jenë 1 milion më 28 Nëntor të 2012-s. Për të ka rëndësi fakti që Aleanca të pozicionohet si lëvizja më e madhe popullore mbarëshqiptare që ka njohur kombi gjatë dekadave të fundit.

Z. Spahiu, Aleanca Kuq e Zi ka arritur vitin e kaluar të sensibilizojë një pjesë të rëndësishme të shqiptarëve sa i përket kauzave të ndryshme, siç është dhe kundërshtimi i regjistrimit etnik. Por pavarësisht, nismat e AK-së nuk kanë sjellë ndryshim të situatave. A është sensibilizimi i vetmi qëllim që ka kjo lëvizje?

Sensibilizimi natyrisht që ka sjellë ndryshim situatash. E keni vënë re që pas lindjes së Aleancës Kuq e Zi menjëherë koalicionet e majta dhe të djathta ju a vunë emrin koalicioneve Aleanca… njëra për të Ardhmen dhe tjetra për Qytetarin? Po në fushata, foto, videoklipe e keni vënë re që kopjojnë çdo slogan patriotik, skenografi me flamur dhe nga zorri mundohen të bëhen më shqiptar se ç’janë? A ju ka rënë në sy se sa është shtuar dekori kuqezi në çdo festë tashmë? A e keni ndjerë se politikanët janë më të kujdesshëm kur flasin për Kosovën apo për shqiptarët në Maqedoni. E pra, Aleanca Kuq e Zi i ka bërë politikanët tanë të ndjejnë se u ka rrëshqitur “toka” shqiptare nën këmbë.

Muajt e fundit të 2011-s, AK bëri një riorganizim të strukturave të saj. Në të u formuan struktura vertikale dhe forume të veçanta, të cilat janë identike me ato të partive politike. A po i hap rrugën ky strukturim kthimit të AK-së në një forcë politike?

Nuk jam i sigurt se çfarë do të vendosin 1 milion aktivistë kuqezi, për të ardhmen politike apo jo politike të kësaj lëvizjeje por mendoj se të merresh me politikë nuk është krim dhe natyrisht nuk është monopol i demokratëve dhe socialistëve. Aleanca Kuq e Zi në vetvete është duke u marrë me debate politike dhe me çështje tërësisht shtetërore dhe institucionale. Thjesht Aleanca Kuq e Zi është lëvizja popullore mbarëshqiptare më e madhe që ka njohur historia e këtyre dekadave të fundit.

Angazhimi juaj në AK ka sjellë kritika të ashpra nga përfaqësuesit e mazhorancës, duke ju akuzuar se keni braktisur punën si nënkryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe madje po e shfrytëzoni postin për të fuqizuar Aleancën. Mendoni se këto deklarata janë më shumë një kujdes i ekzekutivit për sistemin e drejtësisë apo një xhelozi nisur nga mbështetja që ju keni nisur të krijoni te qytetarët?

Jam një nga zyrtarët e këtij shteti, që punoj 18 orë dhe 7 ditë të javës, ndërkohë që shumë të tjerë mbushin kazinotë apo mejhanet e qytetit. Denoncimet për cenim të integritetit shtetëror dhe identiteti kombëtar i kam bërë në përmbushje të detyrës dhe funksionit tim dhe mendoj se ky është detyrim për çdo kënd. Sigurisht nëse Aleanca Kuq e Zi një ditë do të bëhej forcë politike, atëherë angazhimi im në dy organizime dhe përfshirje politike do të ishte krejtësisht i papajtueshëm.

Kryeministri Berisha ju ka lidhur edhe me Presidentin Bamir Topi, duke aluduar për një parti të përbashkët që ju do të krijoni dhe ka theksuar se forca juaj politike ka vetëm 1% mbështetje në popull. Si i gjykoni këto deklarata?

Nuk i kam ndjekur këto deklarata të Kryeministrit Berisha por edhe nëse e ka thënë, mendoj që çdokush është i lirë që të bëjë gjykimin e tij. Mbi 10 sondazhe të ndryshme dhe të pavarura në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni e kanë kuotuar Aleancën Kuq e Zi si lëvizjen më popullore dhe më të pëlqyeshme në të gjithë rajonin për shqiptarët, përfshi këtu edhe Shqipërinë. Për momentin kjo është e pakontestueshme.

Rezultatet e para të censusit treguan se vetëm 30.000 qytetarë refuzuan t’i përgjigjeshin formularit të regjistrimit. A u realizuan pritshmëritë e AK-së nisur nga thirrjet për bojkot të procesit?

Kjo është përralla më e pabesueshme që kam dëgjuar ndonjëherë. Së pari Aleanca Kuq e Zi nuk kishte bërë thirrje për bojkot por për t’u regjistruar për të dhe grisur faqen e zezë të formularit. Së dyti, qeveria nguron të publikojë se sa njerëz kanë kundërshtuar pyetjen për etninë, që d.m.th t’i jenë përgjigjur thirrjes sonë dhe së treti ky është një proces thellësisht i manipuluar dhe i mbyllur në tavolinë, për të zvogëluar numrin e shqiptarëve në rajon siç na nxorën 2.8 milionë dhe për të na nxjerrë popullin më të pasur në botë… Askush nga ata që e kërkuan grekët apo zbatuesit e tyre në Tiranë nuk e besojnë këtë.

Pranë AK-së, muajt e fundit, janë parë edhe figura të reja, si ish-ambasadorë të Shqipërisë. A pritet bashkimi me ju i figurave të tjera të rëndësishme të vendit gjatë këtij viti?

Në Aleancën Kuq e Zi ka një pakt dhe një marrëveshje intelektualësh që të mos afrohen ministra apo ish-ministra, pra ajo duhet të jetë një lëvizje e të pakënaqurve nga sulltanët e politikës.

Cilat do të jenë nismat dhe aktivitetet tuaja kryesore në këtë vit kur shënohet edhe 100-vjetori i pavarësisë?

Aleanca Kuq e Zi do ketë një maratonë kuqezi në çdo qytet, fshat, lagje, shtëpi dhe në çdo trevë shqiptare që sigurisht një pjesë e tyre do jenë surprizë nga organizatorët dhe për të cilat as unë nuk kam dijeni, pasi është bërë shumë e rrezikshme vjedhja e ideve në një klasë politike deficitare dha pa ide. Aleanca Kuq e Zi, në fund të vitit, do të publikojë emrat e 1 milion aktivistëve të saj dhe në fund për 100-vjetor unë kam premtuar që do jem anëtari i 1 miliontë i saj që do regjistrohem.

Nga mediat shqiptare në Maqedoni jeni shpallur njeriu dhe personaliteti më popullor për shqiptarët në Maqedoni, duke quajtur “Kreshniku i vitit”, por edhe nga disa sondazhe të tjera jeni kuotuar maksimalisht në raport me politikanët e tjerë shqiptarë, si e shikoni këtë vlerësim?

Ka ardhur koha për të investuar në suksesin e kauzës së Aleancës Kuq e Zi dhe jo të emrit personal. Suksesi apo dështimi i popullaritetit të një individi në këtë rast është një sfidë që lidhet me fatin e kauzës së çështjes shqiptare, që merr përsipër të përfaqësosh. Është një rrugë e gjatë dhe e vështirë, por fundin e saj do ta kërkoj me çdo mjet.

Gazeta Shqip

NJË KOMENT

roland koci

06/01/2012

arrow

po ku mund te behesh antare si ?

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen