ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

Spahiu: Ne po përgatitemi për zgjedhje të parakohshme në verë

Kreshniku ne vlore

“Aleanca Kuqezi do të thyejë monopolin mes PD-së dhe PS-së”

Kreshnik Spahiu nuk ka dyshime për dy gjëra. Përveç besimit se partia e sapokrijuar politike që ai drejton do të jetë forcë e parë qeverisëse, ai është i bindur se në verën e këtij viti do të zhvillohen zgjedhje të parakohshme. Këtë deklaratë ai e bën në një intervistë për “Shqip”, ku jep edhe një paralajmërim të fortë se do të bllokohen zgjedhjet e ardhshme nëse nuk do të ndryshohet Kodi Zgjedhor, sipas kërkesave që ky grupim politik ka publikuar. Spahiu thekson se “nëse PD-ja dhe PS-ja kërkojnë të ruajnë stanjacionin, atëherë do të marrin një nga reaksionet më të panjohura në historinë e Shqipërisë. Ne do të bllokojmë çdo proces zgjedhor, ku rezultati paracaktohet në tavolinë dhe diktohet nga Berisha e Rama kundër vullnetit popullor”…

Zoti Spahiu, në tubimin e fundit sapo folët për një bojkot apo bllokim të zhvillimit të zgjedhjeve të 2013-s. Aksioni i paralajmëruar është një kërcënim apo mundësi reale?

Jo vetëm që nuk është kërcënim, por për këtë gjë po përgatitet një plan real nëse qeveria nuk garanton plotësimin e rekomandimeve të BE-së për reformën zgjedhore. Shqipëria meriton zgjedhje të lira e të drejta dhe ku vota të numërohet. Nëse PD-ja dhe PS-ja kërkojnë të ruajnë stanjacionin, atëherë do të marrin një nga reaksionet më të panjohura në historinë e Shqipërisë. Ne do të bllokojmë çdo proces zgjedhor, ku rezultati paracaktohet në tavolinë dhe diktohet nga Berisha e Rama kundër vullnetit popullor.

Prej disa kohësh, disa parti të vogla të majta dhe të djathta janë mbledhur për të bashkërenduar qëndrimet e tyre për reformën zgjedhore, ju keni kontakt me forcat e tjera politike në vend?

Këto parti tashmë janë satelite në koalicionet PD dhe PS e duhet me çdo kusht të dalin prej tyre për të vepruar lirisht dhe për të dalë nga konflikti i interesave. Ndarja e “kockave” për të vegjlit u ka zbehur mundësinë për ta shndërruar në kauzë dhe ne mirëpresim që ata të bëhen pjesë e një realiteti të ri.

Konkretisht, Aleanca Kuqezi çfarë kërkon për Kodin e ri Elektoral dhe cili është sistemi më i mirë sipas jush?

a. Ndryshime ligjore pa cenuar Kushtetutën në korrektimin e sistemit proporcional. Nga votimet zonale në qarqe, të prodhohen 100 deputetë dhe 40 mandatet e tjera të përpjesëtohen nga shumatorja e votave në rang kombëtar për partitë;
b. Reduktimin e qarqeve nga 12 në 6 zona elektorale;
c. Njohja e të drejtës për të votuar emigrantët edhe atje ku janë, ose në rastin më të keq mbulimi i shpenzimeve të udhëtimit nga shteti;
d. Votimi elektronik të bëhet me fingerprint, pra me shenja gishtash, që të jetë unike dhe të parandalojë votimin dy herë;
e. Numërimin elektronik duke u administruar sistemi i numërimit nga një kompani e huaj që do ta vendosë misioni BE dhe OSBE;
f. Tërheqje të urdhrit të Kryeministrit për censurë në mediat, në të cilat mbështesin qeverinë.
Në rast se PD-ja dhe PS-ja nuk do të pranojnë…

Bojkot mbarëpopullor dhe bllokim të qendrave të votimit me aktivistët tanë.

Ditët e fundit është hapur një debat në lidhje me çështjen e dosjeve të Sigurimit të Shtetit, cili është mendimi juaj.

Është një domosdoshmëri dhe prioritet në programin e Aleancës Kuqezi dhe natyrisht vetëm një lëvizje e re me një gjeneratë të re si Aleanca Kuqezi ka moralin dhe garancitë për ta bërë një të tillë.

Ju, në zgjedhjet e 2013-s do të dilni vetëm apo do të keni një bashkëveprim me forca të tjera dhe cilat do të ishin ato?

Jo, nuk bëhet fjalë për dilema të 2012-s apo 2013-s, sepse ne shpresojmë dhe kemi besim që vera e këtij viti do t’i çojë shqiptarët në një qeverisje dhe alternativë të re. Aleanca Kuqezi po përgatitet për zgjedhje të parakohshme në verën e këtij viti dhe vlerësojmë se shqiptarët meritojnë një qeverisje kuqezi në vigjilje të 100-vjetorit të Pavarësisë. PD-ja dhe PS-ja tashmë i përkasin të shkuarës së historisë politike dhe janë në minorancë.

Këto ditë, në spektrin politik shqiptar do të zyrtarizohet krijimi i një force të re politike, që pritet të ketë si bërthamë ish-drejtues të Partisë Demokratike. Bëhet fjalë për të ashtuquajturën “Partia e Topit”. Cili është opinioni juaj dhe çfarë marrëdhëniesh do të keni me të?

Kjo është një pyetje mbi një ngjarje hipotetike, pasi Presidenti Topi ka deklaruar se do të përfundojë mandatin si President. Nëse vërtet do të ndodhë që do të krijohet një parti e tillë apo çdo parti tjetër, do të kem një përgjigje më konkrete në kohën e duhur.

Z. Spahiu, Aleanca Kuqezi nisi si lëvizje nacionaliste. Në veprimin politik të saj, cilat janë shtyllat e programit tuaj dhe cili është elektorati ku synoni të merrni mbështetje?

Ne po punojmë në 10 grupe pune me ekspertë të të gjitha fushave dhe po konsultohemi me ekspertë të huaj për të realizuar një platformë afatgjatë dhe që të garantojë një Shqipëri tjetër. Dy janë prioritetet: së pari, realizimi i aspiratës së shqiptarëve për bashkim, si një detyrim i parashikuar në dispozitat Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, si dhe rinovimit të politikës shqiptare duke e nxjerrë Shqipërinë nga stanjacioni, të thyejmë oligopolin PD dhe PS, të nxjerrë nga sistemi politik të gjithë liderët që kanë më shumë se dy mandate në qeverisjen qendrore ose lokale apo përjetësisht në partitë e tyre private.

Cila do të jetë marrëdhënia juaj me PD-në pas zgjedhjeve të 2013-s. Ka shumë teori konspirative për këtë. A është e mundshme një aleancë me Partinë Demokratike në qeveri? Po me PS-në?

Aleanca Kuqezi vlerëson se me largimin e Berishës nga politika “çelësat” e PD-së do të hidhen në Adriatik dhe ajo nuk do të ekzistojë më si parti parlamentare, por do të copëzohet më keq se LDK-ja e Kosovës pas vdekjes së Rugovës. Partia Demokratike do të jetë shumë shpejt si Partia Komuniste e Milloshit, e cila do të mbahet në këmbë nga ndonjë i ri me mendime të plakura si ministrat aktualë. Ndërkohë, beteja mes PS-së dhe Aleancës Kuqezi qartazi do të nxjerrë fituese Aleancën Kuqezi dhe PS-ja do të mbetet në opozitë. Zgjedhjet e parakohshme besoj shumë se do të sjellin atë çfarë edhe shumë ekspertë të huaj po e paralajmërojnë surprizën kuqezi dhe frontin e ri politik për të ndërtuar një faqe të re në histori.

Cili është pretendimi juaj për numrin e deputetëve?

Ai numër tashmë njihet nga shumë sondazhe i vlefshëm për të ndërtuar një qeveri pa koalicione. Sot, askush nuk e vë më në dyshim që koha e dy krijesave të Ramiz Alisë ka marrë fund. Një erë e re fryn në trevat shqiptare.

Një intelektual i njohur i së djathtës, në një bisedë jo formale, shfaqte mosbesimin për grupimet e reja politike që po lindnin, duke i quajtur më shumë virtuale dhe mediatike. Sipas tij, një parti do të nisë të analizohet si një mundësi alternative nëse ka degë në të gjitha rrethet, një zyrë, njerëz që mbajnë kontaktin me elektoratin etj. Por këto kërkojnë shumë para. A e keni ju këtë infrastrukturë dhe ku i merrni financimet zoti Spahiu?

Ky intelektual i së djathtës do të bënte mirë të vizitonte zyrat e Aleancës Kuqezi në çdo qytetet të Shqipërisë dhe së fundmi edhe në Bathore, Paskuqan, Laprakë, “Ali Dem” dhe çdo lagje apo njësi vendore. Qenka shumë i vonuar. Aleanca Kuqezi ka ndërtuar degë dhe nëndegë kudo dhe ka një sistem perfekt vetëfinancimi mbi kuotime të anëtarëve nga 1 deri në 10 euro. E ftoj këtë intelektual të marrë pjesë në aktivitetet e përditshme që zhvillojmë në çdo cep të Shqipërisë.

 

Programi
11 prioritetet e Aleancës Kuqezi

1. Shqipëria bëhet: nëpërmjet ndërtimit të një shteti të fortë juridik mbi themele kompromisi historik e kombëtar.
2. Shqipëria bëhet: nëse përmbushet aspirata shekullore e popullit shqiptar për identitet dhe bashkim kombëtar.
3. Shqipëria bëhet: nëse vendosen standardet bazë të demokracisë dhe ndryshimit, nëpërmjet kufizimit të mandateve politike.
4. Shqipëria bëhet: nëse shqiptarëve kudo që jetojnë u garantohet e drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur.
5. Shqipëria bëhet: nëse shqiptarëve në emigracion u njihet e drejta e votës.
6. Shqipëria bëhet: nëse shqiptarët njohin dhe dinë për kë votojnë, duke hapur dosjet e të gjithë bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit.
7. Shqipëria bëhet: nëpërmjet një përafrimi të legjislacionit të shteteve shqiptare, përqasje kulturore, ndërveprimi politik, bashkëpunimi ekonomik, unifikimi arsimor, shkëmbimi akademiko-shkencor dhe bashkimi shpirtëror.
8. Shqipëria bëhet: duke çliruar pasuritë kombëtare nënujore, nëntokësore, bregdetare, malore, nga të gjitha koncesionet apo prokurimet korruptive.
9. Biznesit shqiptar t’i garantohet një legjislacion bazë me përparësi fillestare në çdo privatizim, prokurim, koncesion apo plan zhvillimi në çdo sektor të ekonomisë.
10. Shqipëria bëhet: nëse krijohet një Bankë Kombëtare ku të mblidhen dhe garantohen të gjitha kapitalet shqiptare.
11 Shqipëria bëhet: nëse përmbushen të gjitha marrëveshjet dhe standardet e Bashkimit Europian, por që në themelin e tyre të jetë rritja e standardit jetik, ekonomik, institucional, politik të popullit shqiptar, dhe nëse të gjithë së bashku e konceptojmë integrimin si një popull që kemi një gjuhë, një histori, një kulturë, një të ardhme.

Ylli Pata / Shqip

2 KOMENTE

FERDEROVA

15/03/2012

arrow

BRAVOOOOOOOOO!
ME QEVERI TEKNIKE NE ZGJEDHJE!
DORHEQJE -DORHEQJE-DORHEQJE!
KRESHNIK ,KESHTU NA PELQEN,VRAPIN NE MARQATON PO MERR!
NE ELITE RINIA-NESHTEPI PLEQNIA!

フェラガモ バッグ

26/07/2013

arrow

I am really loving the theme/design of your weblog. Do you ever run into any internet browser compatibility issues? A couple of my blog audience have complained about my site not working correctly in Explorer but looks great in Firefox. Do you have any solutions to help fix this issue? フェラガモ バッグ http://ferragamo.zouri.jp/

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen