ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

Spahiu: Berisha më ka kërcënuar me jetë

TIRANË – I ftuar në emisionin “5 pyetje nga Babaramo”, ish-kreu i KLD, aktualisht kryetarii Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu hodhi poshtë akuzat e kryeministrit Berisha, në seancën e sotme të Kuvendit, në lidhje me lirimin e vrasësit të kryekomisarit Adem Tahiraj.

Spahiu mohoi të ketë thirrur në zyrë gjyqtarin e çështjes, sikundër deklaroi kryeministri, duke theksuar se KLD nuk ka kompetencë për të emëruar apo shkarkuar gjytarët, pasi kjo kompetencë i përket Ministrit të Drejtësisë.

“Kryeministri duhet të lexojë ligjin. Në atë kohë Ministri i Drejtesise kishte kompetencat për çdo shkarkim gjyqtari dhe jo nënkryetari i KLD-së. Si ka mundësi që shtetasi Berisha, që duhet të jetë i pandehur, sot të njëjtin person e bën president të vendit, i cili kishte përgjegjësi kur u lirua zoti Xhakja dhe tjetrin e shpall armik.”- deklaroi kreu i AK-së.

Ndërsa i cilësoi si gënjeshtra të gjitha akuzat e kryeministrit, Spahiu tha se është i gatshëm t’i shtrëngojë dorën Berishës, në rast se del dikush që vërteton deklaratat e tij per marrje mijera eurosh apo lirim te vrasesve.

“Kjo situatë është qesharake, jemi të gatshëm të bëjmë një proces transparent. KLD vihet në lëvizje në bazë të iniciativës së Ministrit të drejtësisë. KLD nuk ka asnjë kompetencë për zbardhjen e vendimit, askush nuk është ankuar në KLD. Nuk ka asnjë rast në KLD që të ketë ardhur ankesë dhe të mos jetë bërë inspektim. Kam një vit që jam larguar nga KLD, duhet verifikuar nëse është bërë inspektim për rastin Xhakja. Drejtuesit e shtetit mund të gënjejnë për çdo gjë dhe nuk mbajnë përgjegjësi kur dalin gënjeshtrat.”- deklaroi Spahiu.

Më tej kryetari i Aleancës Kuq e Zi kërkoi që të bëhet një skaner i lirimit të të gjithë kriminelëve, përfshirë edhe vrasësin e kryekomisarit Tahiraj, duke pohuar se në kohën e zgjedhjeve të kaluara janë liruar shumë të tillë.

Pyetjes nëse kolegu i tij, Aldo Cala ka qenë avokati që liroi Ilir Xhakjan, autorin e vrasjes së kryekomisar Adem Tahirit, Spahiu tha: “Si mund të konfirmoj unë se cfarë klientësh kanë patur juritët, kur unë njoh rreth 5 mijë juristë me cështje të pafundme. Kjo është puna dhe buka me të cilën punojnë avokatët”.

“Jemi përballë fakteve reale. Ai është liruar para zgjedhjeve të 2011. Verifikoni të gjithë personat që janë liruar për vrasje dhe kur Ministri i Drejtësisë nuk ka bërë kërkesë për shkarkim në gjyqësor, se u liruan këta persona”.

Spahiu mohon kategorikisht të ketë pasur më parë dijeni për personin, Ilir Xhakja.
“Unë e kam dëgjuar atë emër realisht para 3 ditësh. S’kam njohje dhe si emër se kam dëgjuar kurrë, vetëm ditën që u vra kryekomisari”.

Madje Spahiu theksoi se gjen rastin të ftojë kryeministrin Berisha në debat të drejtpërdrejtë dhe të kryejnë një ballafaqim para popullit.

Spahiu: Unë i vetmi që i mbylla telefonin Berishës
‘Jam krenar për detyrën që kam kryer në KLD. Jam i vetmi zyrtar që nuk kam pranuar asnjë telefonatë të Berishës për shkarkime dhe emërime politike në gjyqësor. Ka pasur vetëm një zyrtar që i mbylli telefonin Berishës, nuk pranova të ndërhyja në asnjë krim, lirim për vrasje. Rast unik, imi që përballet me një shtet dhe politikë të tërë duke e kthyer në një debat derisa i dorëzova çelsat”.

I pyetur se kush i bënte propozimet në gjyqësor për emërime dhe shkarkime, Spahiu ritheksoi se “Nuk i bënte KLD, se nëse i bëja unë këta do më kishin përvëluar të gjallë mua, do më kishin shkuar në hell”.

Spahiu: Në 2008-ën Berisha më kërcënoi me jetë
Kreu i Aleancës Kuq e Zi tregoi me detaje përkeqësimin e marrëdhënieve të tij me kryeministrin Berisha, duke pohuar se çdo gjë nisi me shkarkimin e gjyqtarëve të rastit Gërdeci.

“Unë kisha pak muaj që sapo kisha marrë detyrën, vija me idealin për liri, demokraci, shtet juridik. Kishim shkarkuar disa gjyqtarë, ndërkohë në 15 mars kishte ndodhur historia tragjike e Gërdecit, u mundova të futem në thellësi të kësaj çështjeje. Në hetimet që bëra konstatova se i akuzuari Mihal Delijorgji kishte fituar lirinë nga gjykata e Durrësit, 24 orë përpara nënshkrimit të sipërmarrjes së fabrikës tragjike të armëve në Gërdec.
Morëm iniciativën për të proceduar këta gjyqtarë dhe menjëherë filloi një sulm barabar ndaj meje që nuk e kisha imagjinuar.”- deklaroi Spahiu.

Kreu i AK-së hodhi akuza të forta ndaj kryeministrit Berisha, duke pohuar se është kërcënuar me jetë në telefon nga ana e tij.

“Për 20 minuta jam kërcënuar me vrasjen time, asgjësimin tim, me familjen time nga Berisha në 9 maj 2008. Si mundet t’i të shkarkosh gjyqtarët e Delijorgjit, si mundet të dalësh në krah të ambasadorit Withers. Pasi u mbyll telefonata, i kam telefonuar presidentit të Republikës, por më dilte i zënë, pasi të njëjtat kërcënime ja kishte adresuar edhe presidentit për mua. Ja kishte thënë vetë Sali Berisha, të ma zhdukesh këtë njeri sepse ka bërë këtë, këtë, këtë. Te nesërmen kam qënë në Ambasadën Amerikane dhe kam thënë se jam kërcënuar.”- vijoi Spahiu.

Dosjet
Kreshnik Spahiu bëri të ditur sot se Aleanca Kuq e Zi po përgatit dosje për kryeministrin dhe ministrat.
“Ne nuk flasim pa mbajtur përgjegjësi. Për shtetasin Berisha po përgatisim dosje, për cdo kriminel ministër do bëjmë dosje” . Pa fakte nuk flasim. Ballafaqim me Berishën, pas 8 muajsh ai të gjejë vend e të futet. Se që tani s’po gjen vend se e ka zënë populli me domate dhe miell”.

Imuniteti
Kreu i AK përshëndeti vendimin e Kuvendit për kufizimin e imunitetit për zyrtarët e lartë duke theksuar se nga sot nis ‘Era Sanader”.
Sot është një ditë e madhe për shqiptarët. Nga sot ata nuk janë të paprekshëm, politikanëve iu hoq imuniteti. Nga sot do shohim praktikën e Sanaderit kroat që u ndoq me burg. 8 vjet demokratët akuzuan Nanon e Ramën, dhe nuk kryen asnjë arrestim. Ndoqëm Nanon që akuzoi Berishën dhe prapë asnjë arrestim”.

NJË KOMENT

beqir

24/09/2012

arrow

Nuk te vret kush ty jo se e gjith shqiperia jane me ty edhe pse DETYROHEN me than te kunderten

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen