ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

Spahiu: Aleanca Kuq e Zi ka deri tani 100 mijë anëtarë. Berisha është në panik nga popullariteti ynë

Ku i ka rrënjët përplasja e fundit mes Spahiut dhe Berishës? A mund të quhet Aleanca Kuq e Zi një faktor i rëndësishëm në shoqëri dhe a do të shndërrohet në parti politike, ashtu si Lëvizja“Vetëvendosje” në Kosovë?

Nga Renato Kalemi

Revista Klan

Kur erdhi në postin e nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, me propozim të Presidentit Bamir Topi, ishte e lehtë ta lidhje me mazhorancën mbështetjen që po i jepej figurës së Kreshnik Spahiut. Ishte viti 2007, Topi prej pak kohësh ndodhej në krye të shtetit, ndërsa mes tij dhe kryeministrit Sali Berisha shkonte çdo gjë “vaj”. Por, pak vite më pas, gjërat u përmbysën, marrëdhëniet mes të dyve u ngrinë derisa u prishën një herë e përgjithmonë, çka duket se i reflektoi shpejt edhe në marrëdhëniet e Spahiut me shumicën e djathtë. Çasti kulmor për shumë zhvillime politike në Shqipëri nga viti 2008 e këtej mbajnë datën: 15 mars të po atij viti. Ngjarja e Gërdecit: “Prej më shumë se katër vitesh, unë kam duruar presione sa i përket detyrës sime, dhe kjo është e faktuar jo vetëm në arkivat e medias, por edhe “Wikileaks” foli qartë për kërcënimet që unë kam marrë për shkak të qëndrimeve të hapura ndaj çështjeve të rëndësishme në drejtësinë shqiptare”, ka thënë së fundi, Spahiu.

Prej thuajse një viti ai është angazhuar fort me Aleancën Kuq e Zi, duke i hapur jo pak telashe vetes, të cilat duket se po i japin tani pasojat e tyre. Aktivizimi me këtë lëvizje, që një ditë me siguri do të katapultohet në politikë (mendohet të kandidojë si subjekt partiak në zgjedhjet e 2013-ës), ka nxitur kryeministrin Berisha të reagojë fort ashpër ndaj nënkryetarit të KLD-së, duke kërkuar edhe shkarkimin e tij nga posti publik. Një kërkesë, e cila u zbatua me rigorozitet një ditë më pas nga grupi parlamentar i PD-së, 28 deputetë të të cilit iu drejtua Kuvendit të ndërhyjë. Komisioni parlamentar i ligjeve mori në shqyrtim kërkesën dhe pranoi të ngrejë një komision hetimor për të verifikuar punën e Kreshnik Spahiut në KLD. Përplasja e këtij të fundit me kreun e komisionit, Ilir Rusmali, kur qe thirrur për këtë çështje, u kthye në kryefjalën e lajmeve të javës që sapo u mbyll. Megjithatë, Spahiu nuk mendon ta mbyllë me kaq, sepse pretendon se çështja nuk i takon Parlamentit meqenëse sipas tij, nuk ka të drejtë ligjore për ta larguar nga detyra, prandaj iu drejtua Gjykatës Kushtetuese. “Është rast i praprecedentë që kryeministri i një vendi të kërkojë shkarkimin e kreut të drejtësisë, kur kompetencën e ka vetë pushteti gjyqësor”, thotë ai në intervistën e dhënë për Klan.

Mandej, ai zbulon se, për shkak të pozicionit dhe profilit mediatik shpeshherë perceptohet se mund të jetë drejtuesi faktik i AK-së, ndonëse është një “gjë të cilën do e dëshiroja që të ishte në të ardhmen”. Nga ana tjetër, ai sqaron se sulmi që po i bëhet nga kryeministri Berisha ka të bëjë me faktin e pamohueshëm se kreu i qeverisë i frikësohet elektoratit që mund të marrë AK-ja në zgjedhjet e ardhshme. “Disa nga sondazhet e fundit të fundvitit 2011, për popullaritetin e Aleancës Kuq e Zi dhe kuotimin e saj, natyrisht që ngjallën panik për kryeministrin dhe faktorë të tjerë të politikës. Ky ishte një sulm që pritej, ky ishte një sulm i “paralajmëruar””, thotë Spahiu. Pra, pikëpyetja nuk është më nëse AK-ja do të shndërrohet në forcë politike, porse cili do të jetë ndikimi i saj në elektoratin shqiptar në 2013-ën.

– Zoti Spahiu, me propozim të kryeministrit Berisha, mazhoranca e djathtë ka vendosur t’ju shkarkojë nga posti i nënkryetarit të KLD-së. Për këtë arsye është ngritur edhe një komision hetimor për veprimtarinë tuaj në këtë post. Ju keni thënë se kjo është një nismë e paligjshme dhe se i jeni drejtuar Gjykatës Kushtetuese. Cila është arsyeja e këtij sulmi ndaj jush? A lidhet vetëm me faktin e aktivizimit tuaj me Aleancës Kuqezi?

Qëndrimi i Kryeministrit dhe mazhorancës është publik dhe zyrtar dhe ky është objekti i kërkesës për shkarkimin tim nga posti i zëvendëskryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë në Kuvendin e Shqipërisë. Ndoshta, është rast unikal ku akuzuesi dhe i akuzuari të dy e pranojnë të njëjtin fakt, por me një optikë të ndryshme. Unë pranoj çdo lloj angazhimi dhe qëndrimi publik të mbajtur në mbështetje të doktrinës KuqeZi dhe mbështetësve të saj si një lëvizje qytetare, civile, popullore, jo politike. Ndërkohë që qeveria e konsideron këtë një angazhim politik. Së dyti, unë pranoj çdo lloj debati mbi këtë çështje, madje edhe procedure shkarkimi, por në asnjë rast nuk pranoj që kjo të jetë kompetencë e Kuvendit të Shqipërisë. Është rast i paprecedent që kryeministri i një vendi të kërkojë shkarkimin e kreut të drejtësisë, kur kompetencën e ka vetë pushteti gjyqësor, dhe natyrisht kjo është e paprecedent edhe në raport me shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm, Kryetarit të Gjykatës së Lartë, Avokatin e Popullit dhe të tjerë, të cilët janë kompetencë e parlamentit, por në asnjë rast për zëvendëskryetarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

– Prej disa muajsh ju jeni zëri kryesor i Aleancës Kuqezi, çka ka krijuar përshtypjen se jeni drejtuesi faktik i saj dhe rrjedhimisht njeriu që mund ta drejtoni në rast se ajo shndërrohet në parti politike, apo jo?

Unë mendoj disi ndryshe. Aleanca KuqeZi ka me qindra figura që po i promovon, por për shkak të pozicionit dhe profilit mediatik shpeshherë perceptohet se unë mund të jem drejtuesi faktik i saj, gjë të cilën do e dëshiroja që të ishte në të ardhmen.

– Nëse nuk do të kishit pozicionin aktual, pra nëse do të ishit jashtë kësaj historie, dhe dikush tjetër të bënte të njëjtën veprimtari që ju kryeni sot në KLD dhe Aleancën Kuqezi, si do ta vlerësonit? Sipas jush, është diçka normale, brenda kornizës ligjore?

Është detyrim dhe koherencë që institucionet shqiptare të marrin ngjyrime patriotike. Në të vërtetë do të ishte një kurë shumë e mirë për të ndërgjegjësuar dhe përmirësuar imazhin e institucioneve shqiptare.

– Në sulmet që ju bën mazhoranca, pra kryeministri Berisha, mendoni se fshihet një lloj frike ndaj elektoratit që mund të marrë Aleanca Kuqezi nëse kandidon në vitin 2013 në zgjedhjet e përgjithshme?

Ky është qëllimi i vetëm që po ndodh sulmi, gjë të cilën e ka shprehur pjesërisht edhe vetë kryeministri. Disa nga sondazhet e fundit të fundvitit 2011, për popullaritetin e Aleancës Kuq e Zi dhe kuotimin e saj, natyrisht që ngjallën panik për kryeministrin dhe faktorë të tjerë të politikës. Ky ishte një sulm që pritej, ky ishte një sulm i “paralajmëruar”.

– Javën e kaluar, në Krujë, me rastin e 544 vjetorit të vdekjes së heroit tonë kombëtar, Skënderbeu, ju shpallët edhe një lloj programi të Aleancës Kuqezi, i cili menjëherë është cilësuar si një program i mbushur me dëshira se sa një program i mirëfilltë. Mund të na zbuloni diçka më shumë për të? Do të plotësohet? Ende në përpunim?

Do të bëja një saktësim për ju: Aleanca Kuq e Zi nuk ka shpallur programin, por prioritetet e saj. Janë dhjetë prioritete mbi të cilat janë ngritur 10 grupe pune që po punojnë me ritme shumë të shpejta dhe voluminoze, të cilat do të finalizojnë punën e tyre për programin e Aleancës Kuq e Zi në mbajtjen e Kongresit Mbarëkombëtar që do të zhvillohet në maj të këtij viti. E rëndësishme është që ato janë prioritete me një bazament dhe themele të forta të advokimit të çështjes shqiptare.

– Aleanca Kuqezi po shndërrohet çdo ditë e më shumë në një faktor. Shpeshherë ajo gjendet jo vetëm në shumë qytete të Shqipërisë, por edhe jashtë vendit, në Itali dhe deri në SHBA. Mund të na thoni se si qëndron financimi i aktiviteteve të saj? Pra, ku e gjen mbështetjen?

Aleanca Kuq e Zi rendit aktualisht rreth 100 mijë anëtarë dhe të gjithë punojnë mbi baza vullnetare dhe kontributet personale. Në çdo qytet, brenda dhe jashtë vendit, grupet e aktivistëve mbulojnë shpenzimet lokale me kontribut vullnetar.

– Gjithnjë jeni shprehur se drejtësia shqiptare ka nevojë për reformë të thellë, madje vetë ju keni marrë disa nisma për përmirësimin e saj. Megjithatë, drejtësia vijon të marrë kritika të forta lidhur me vendimet e saj. Ku çalon ajo? Çfarë nuk shkon me drejtësinë që të jetë e besueshme?

Shqipëria duhet të dalë nga kriza politike. Tre vitet e fundit në ushtrimin e detyrës time, kemi një sistem të paralizuar, ku Kuvendi i Shqipërisë ishte i paaftë për të miratuar ligjet që lidhen me organizimin dhe funksionimin e organeve të drejtësisë. E gjithë paketa që i përket reformës është pluhurosur në sirtarët e Kuvendit. Janë bllokuar projekti për gjykatën administrative, konferenca gjyqësore, administrata gjyqësore, organizimi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, funksionimi i Gjykatës së Lartë, emërimet në Gjykatën Kushtetuese, administrimi i buxhetit gjyqësor, e të tjera. Me pak fjalë, kemi një reformë në drejtësi të bllokuar nga politika.

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen