ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

Sot 130 vjetori i lindjes se Fan.S.Noli

Fan noli

Anës Lumenjve

Arratisur, syrgjynosur,
Rraskapitur dhe katosur
Po vajtonj pa funt, pa shpresë,
Anës Elbë-s, anës Spree-së.
Ku e lam’ e ku na mbeti,
Vaj-vatani e mjer mileti,
Anës detit i palarë,
Anës dritës i paparë,
Pranë sofrës i pangrënë,
Pranë dijes i panxënë,
Lakuriq dhe i dregosur,
Trup e shpirt i sakatosur.

Se ç’e shempnë derbederët,
Mercenarët dhe bejlerët,
Se ç’e shtypnë jabanxhinjtë,
Se ç’e shtrythnë fajdexhinjtë,
Se ç’e pren’ e se ç’e vranë,
Ç’e shkretuan anembanë,
Nënë thundrën e përdhunës
Anës Vjosës, anës Bunës.

Çirem, digjem i vrerosur,
Sakatosur, çarmatosur,
As i gjall’, as i varrosur,
Pres një shenj’ e pres një dritë,
Pres me vjet’ e pres me ditë,
Se ç’u tera, se ç’u mpaka,
Se ç’u çora, se ç’u mplaka,
Lark prej vatrës dhe prej punës,
Anës Rinit, anës Tunës.
Çakërdisur, batërdisur,
Përpëlitur dhe zalisur,
ËndËronj pa funt, pa shpresë,
Anës Elbë-s, anës Spree-së.

Dhe një zë vengon nga lumi,
Më buçet, më zgjon nga gjumi,
Se mileti po gatitet,
Se tirani lebetitet,
Se pëlcet, kërcet furtuna,
Fryhet Vjosa, derdhet Buna,
Skuqet Semani dhe Drini,
Dridhet beu dhe zengjini,
Se pas vdekjes ndriti jeta
Dhe kudo gjëmon trumbeta.
Ngrehuni dhe bjeruni,
Korini dhe shtypini,
Katundar’ e punëtorë,
Që nga Shkodra gjer në Vlorë!

Ky ilaç e ky kushtrim
më bën djal’ e më bën trim,
më jep forc’ e më jep shpresë,
anës Elbë-s, anës Spree-së.
Se pas dimrit vjen një verë,
që do kthehemi njëherë,
pranë vatrës, pranë punës,
Anës Vjosës, anës Bunës.

Arratisur, syrgjynosur,
Raskapitur e katosur,
brohoras me bes’ e shpresë,
anës Elbë-s, anës Spree-së.

Lindi më 6 janar 1882 në Qytezë (turqisht: Ibrik Tepe), fshat shqiptar në Trakë, jo shumë larg nga Edreneja. Si disa fshatra të tjera të asaj krahine të banuar me shqiptarë, Qyteza kishte ruajtur me kohë gjuhën, doket dhe kostumet e të parëve. Noli e mbante fisin e vet me prejardhje nga Qyteza e Kolonjës. I ati, Stiliani, ndonëse trashëgoi një pronë tokë, nuk u mor me bujqësi, po shërbeu si psalt në kishën e fshatit. E ëma, Maria, ishte shtëpiake. Familja u shtua shumë dhe erdhi një kohë që jetesa u bë e vështirë për të. Sa qe i mitur Noli hoqi sëmundje të rënda, prandaj shkollën e nisi me vonesë. Filloren dhe të mesmen i bëri greqisht. Por me shumë ndikoi tek ai krenaria e fshatit shqiptar për të kaluarën historike dhe dashuria për shkrimin shqip. Që në bankat e shkollës iu shfaqën karakteri i pavarur dhe fryma e revoltës. Për këtë shkak nuk iu dha diploma në kohën e duhur, gjë që e pengoi të emërohej mësues atë vit shkollor. Më 1900 vajti në Greqi, me qëllim që të nxirrte jetesën dhe të ndiqte fakultetin e filozofisë. Në Athinë u lidh me një shoqëri belge, e cila zotëronte tramvajet me kuaj. S’i eci mbarë. Studime nuk i bëri. Atëherë u hodh në punë të tjera, si kopist, sufler dhe aktor pranë një trupe greke teatri shëtitës. Tek punonte atje, iu ngjall dëshira të mërej me dramaturgji. Më 1903 kaloi në Egjipt, ku zuri punë si mësues i greqishtes. Ndërkohë, njihet me lëvizjen kombëtare. I ndihmuar nga patriotë, nis veprimtarinë politike dhe letrare: shkruan artikujt publicistikë, përkthen greqisht »Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet« të Sami Frashrit. Nga viti 1908 deri më 1912 kryen studimet e larta për arte në Universitetin e Harvardit, të cilat i përfundon me cum laude në Bachelor of Arts. Në fund të jetës së tij shkon në Florida. Atje, në banesën e tij, në Fort Lauderdale, vdiq më 13 mars 1965, larg atdheut të shtrenjtë, që e deshi me zjarr të pashuar. Fan Noli është varrosur në Forrest Hill Cemetery, tëBostonit.

3 KOMENTE

Edinjo Nurja

06/01/2012

arrow

sikur te shkruheshin prap te tilla poezi,qe shpirtin ta nxjerrin nga gjoksi

asim

06/01/2012

arrow

si poet ka merita por si patriot jo. Patrioti i vertet nuk ben diferencime midis krahinave te shqiperis

dennis

12/08/2013

arrow

pyetja eshte sikur qeveria e tij ti rezistonte kohes e mos te permbysej nga zogu ku do ishte shqiperia e me pastajme?!

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen