ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

Shqiptarët midis vetvetes dhe botës (III)

lisen

Prof. Dr. Lisien Bashkurti

Kosova e pavarur hapi rendin e ri të mbas Luftës së Ftohtë në botë.  Shqiptarët e bashkuar hapin epokën e re të Bashkimit Europian në çdo cep të tij. Bashkimi i Shqipërisë me Kosovën prodhon energjinë më të madhe kombëtare në historinë e popullit shqiptar, krijon mjedisin më të madh të paqes e sigurisë në Ballkan dhe mbyllë hartën politike të Bashkimit Europian. Mirëpo, politikat e politikanët tanë nuk i marrin energjitë nga shqiptarët, të cilëve u dhunojnë votat, duke bërë retorikë të zbrazët mbi taksat e taksë-paguesve shqiptarë. Politikat dhe politikanët tanë i marrin energjitë nga kanalet komunikuese ledhatuese të diplomatëve të huaj teknoburokratë të Brukselit, që nuk shohin prapa kuadratit të dritares së zyrave të tyre të rehatshme të paguara nga taksëpaguesit europianë.

Ky lloj komunikimi midis politikave dhe politikanëve shqiptarë dhe diplomatit tekno-burokrat të Brukselit është pervers për të dy palët: pervers për politikanët tanë që zgjidhen nga poshtë e shohin lart në majën e Piramidës së Keopsit, por është pervers edhe për diplomatët e huaj që vijnë nga lart si mëndje hapur dhe flirtojnë poshtë si njerëz të rëndomtë. Me sa duket përballë tranzicioneve të tejzgjatura nuk janë imunë as politikat e politikanët tanë, as diplomatët e huaj teknoburokratët e Brukselit. Tranzicioni deformon poshtë e lart, majtas e djathtas, të brendshëm e të huaj, politikanë lokalë e diplomatë të ardhur, prandaj ky kanal i ndotur lypet të mbyllet sa akoma era e ndotur e tij nuk na ka molepsur të gjithëve.

Në Ballkan e kapën kohën e humbur edhe grekët me financime marramendëse të Brukselit kur meritonin falimentimin, edhe serbët me hapjen e portalit të lirisë kur meritonin hekurat e burgut ndërkombëtar. Shqiptarët nuk e kanë kapur kohën e vet. Shqiptarët lypet të jetojnë kohën e vet. Është koha e shqiptarëve. Por, koha nuk punon vetë. Prej shekujsh kemi demonstruar mirësi, gjenerozitet, solidaritet, humanizëm, ndershmëri – vlera të cilat na janë rikthyer në format më asimetrike, pra me pushtime, copëtime territoresh, humbje njerëzore, rrënime ekonomike dhe izolime ndërkombëtare.

Ka ardhur koha që këto vlera shumë të kushtueshme, të cilat ia kemi dhuruar njerëzimit në mënyrë të pakushtëzuar deri më sot, t’ia rikthejmë vetes në mënyrën që e meritojmë plotësisht. Nevojitet të jemi të bindur se askush nuk na i rikthen. Na i rikthen vetëm vetja jonë dhe në mënyrën tonë. Këto vlera të dhuruara nga shqiptarët ndër shekuj ndaj njerëzimit në mënyrë të pakushtëzuar mund t’u rikthehen vetëm përmes bashkimit të tyre në Ballkanin Perëndimor. Çdo formulë tjetër i lë shqiptarët siç kanë qenë, të përçarë politikisht, të dobët ushtarakisht, të varfër ekonomikisht e të pakonsideruar ndërkombëtarisht.

Përballë kësaj sfide ndërkombëtare lidershipi shqiptar flet si të jetë ambasador i huaj, ndërsa ambasadori i huaj flet si të jetë i zgjedhuri i popullit shqiptar. Palët kanë ndërruar vendet në mënyrën më komike të mundshme. Ambasadorit i digjet shpirti për interesat publike të shqiptarëve, në fakt paguhet nga shteti i tij i mad hose nga organizata ndërkombëtare. Lidershipit shqiptar i përvëlohet zemra për shqetësimet e ambasadorit të huaj, në fakt jeton me mundin e popullit të vet. Kështu lind një flirt i rëndomtë midis ambasadorit dhe lidershipit. Të dyja palët krijojnë alibi përpara publikut. Ambasadori krijon alibi i fshehur prapa peshës së shtetit apo organizatës që përfaqëson dhe imazhin admirues që gëzon ky shtet ose kjo organizatë në popullin shqiptar. Lidershipi fshihet prapa ambasadorit për të shtuar ratingun politik si i besueshëm i qendrës së madhe botërore.

Populli shqiptar ushqehet kështu nga të dy palët vetëm me alibi boshe. Demokracia shndërrohet në një fushë pingpongu që luajnë vetëm lideri dhe ambasadori. Por, të dyja palët harrojnë se askush nuk është në fushë për t’i parë e duartrokitur. Populli nuk qëndron më në mes tyre si dikur. Njerëzit kanë filluar të nuhasin flirtin civil midis lidershipit dhe ambasadorit të huaj. Ata po kuptojnë se edhe lideri, edhe ambasadori kur rrinë gjatë së bashku afrohen si dy vëllezër siamezë. Shkëndijat e shkrepjeve midis tyre kanë nisur të verbojnë qytetarët dhe të dëmtojnë rëndë demokracinë. Fillon kështu demontimi i ambasadorit dhe demitifikimi i liderit. Të dy janë pjesë e rënies. Demokracia është e pamëshirshme me të dy. Ajo ka nisur dhe ekziston vetëm si vlerë qytetare e njerëzve të lirë dhe e një populli të lirë.

Njeriu i Shqipërisë, Kosovës dhe shqiptari përgjithësisht nuk është ai i pak viteve më parë. Njeriu i Kosovës dhe shqiptari në tërësi është “bombë e kurdisur”. Është pikërisht ky njeri që ka duruar shumë sundimtarë njëherësh. Nga ai i huaji që e kishte pasë shtypur barbarisht deri tek ai vendasi që e tjetërsonte në emër të pritjes apo të sovranitetit verbërisht. Por ky njeri i Shqipërisë, Kosovës dhe shqiptar përgjithësisht është lodhur me dy sundimtarë, ose me më shumë se një sundimtar prej vitesh. Të gjithë e përjetojnë këtë lodhje njerëzore. E vetmja që nuk e ndien këtë është klasa politike e jona.

Politika dhe politikanët tanë, në Shqipëri e Kosovë u kanë kthyer kurrizin qytetarëve tanë me kohë. Madje qysh ditën e votimit, ose qysh natën e vjedhjes, manipulimit të votës ata nuk bëjnë gjë tjetër vetëm ngrenë barrierën midis tyre dhe qytetarëve. Vota, kjo hallkë lidhëse, duke u vjedhur e manipuluar është shndërruar në mur ndarës midis politikës dhe qytetarit në Kosovë e shqiptarit përgjithësisht.  Kemi kështu një këputje të lidhjes bazike politikë-qytetar në hapësirat shqipfolëse. Humbja e lidhjes së politikës me njeriun apo injorimi i tij prej përfaqësuesit të tij në kohët tona nuk është vetëm çështje e të pasurit vizion apo jo të politikanit ndaj qytetarit, por, është, madje do të thosha, në radhë të parë, çështje e edukatës, e karakterit dhe e kulturës së tij përgjithësisht. Në kohën e sotme, mosdija mund të kompensohet te një politikan me votë të lirë e demokratike. Shteti ka mekanizma të mjaftueshëm për ta mbushur pa telashe të mëdha edhe funksionimin e një kamerieri në pozitën e një ministri. Por, shteti, kurrsesi nuk mund të mbulojë kaq lehtë e shpejtë politikanin grykës me bark të pangishëm, i cili ëndërron çdo natë të fusë në bodrumet e shtëpisë së tij gjithë thesarin e shtetit, si të ishte “shpella e Ali Babës me njëqind hajdutë”. Ndërkohë, që këta lloj politikanësh nuk bëjnë as më të voglën përpjekje të dobishme për të arsyetuar as pagën e vet. Damkën për këtë e ka politika e politikanët.

Koha kërkon reflektime nga mediumet shqiptare. Nga ankthi i gjendjes mjerane, përgjithësisht të ndikuar e jo më pastaj të manipuluar të medias shqiptare, duket sikur na thërret fort aksioma iluministe: më mirë të humbasësh lirinë fizike sesa lirinë e mendimit. Në pranga, prapa hekurave, përballë vdekjes, madje edhe mbi turrën e druve mendimi fluturon i lirë. Liria e mendimit është apoteoza e demokracisë. Por, kjo liri kërkon të ketë mjedisin e vet të shprehjes, dhe kjo është media. Kur mjedisi i shprehjes nuk është i lirë, është i kapur, i manipuluar nga qarqe politike, mafioze, pse jo, edhe nga ndonjë ambasador i glorifikuar për hir të shtetit të tij, por personalisht është liliput mjeran, atëherë mendimi i lirë shndërrohet në një murmuritje të pashpresë, në një dialog ku njëri i ka veshët e shurdhër, në një atmosferë ku të gjithë duket sikur bëjnë monolog. Askush nuk dëgjon. Askush nuk konsiderohet. Mediumet shndërrohen kështu nga mjedis i mendimit të lirë në burgje të demokracisë, në tempuj ku ngrihen bustet virtuale, të bëhen më të rëndë, më të mërzitshëm, më të neveritshëm dhe më të rrezikshëm se bustet në çdo diktaturë. Bustet në diktaturë duhej të dilje në rrugë që t’i shihje enkas. Bustet virtuale na futen çdo ditë në shtëpi, në kuzhinë, në dhomë të gjumit, në bar, në restorant, në hotel, në plazh dhe na trysnojnë e frustrojnë pambarimisht. Media shndërrohet kështu në një burg të madh virtual edhe mjediset tona intime.

Është koha të apelojmë fort mbi atë që deri dje quhej në Kosovë e Shqipëri nën termat demokratike “shoqëria civile”. Si kërpudhat mbas shiut mbinë organizatat e shoqërisë civile, nën emrin e bukur OJQ. I mungonin këto shoqërisë shqiptare. OJQ-të janë një komponent i tërësisë së organizatave që përbëjnë sistemin shtetëror demokratik, thoshte Veberi. Përmes shoqërisë civile angazhohen elementë, struktura, kategori, grupe interesi, grupe moshore, profesionale, gjinore, etnike, kulturore, fetare, profesionale dhe të fushave të ndryshme me qëllim që demokracia të ndërtohet si një tërësi që është gjithëpërfshirëse, që konsideron çdo qytetar e grup shoqëror. Askush nuk mund të ndihet i mënjanuar nga sistemi demokratik, pikërisht falë sistemit tejet të pasur e dinamik të shoqërisë civile.

Kosova dhe shqiptarët, për arsye të trashëgimisë së dobët demokratikë dhe të mbingopjes me politika shterpë kanë nevojë më shumë se popuj të tjerë për zhvillimin e shoqërisë civile përmes organizimeve të ndryshme. Mirëpo tabloja e OJQ-ve dhe e shoqërisë civile në Shqipëri e Kosovë është larg të qenët e tillë. Mënyra e krijimit të tyre, rrugët e financimit, axhendat që shpalosin, raportet me politikën dhe shoqërinë, ndërfutjet me ambasadorin imagjinar i shndërrojnë këto struktura nga NGO (Non Governmantal Organisation-Organizata Joqeveritare) në GONGO (Governmental Non Governmental Organisation-Organizata Qeveritare Joqeveritare). Sikundër ndikimi dhe manipulimi për qëllime jo shqiptare nga faktorë jo shqiptarë i shndërron këto struktura ngadonjëherë në “local staff” të trupit diplomatik apo të ndonjë kancelarie që ka nevojë për reporterë pa kufij. Humbet kështu një prej vlerave më të mëdha të sistemit demokratik dhe i hapet rruga e lirë që lideri dhe ambasadori imagjinar që lajnë e të shijnë si të jenë vetëm ato në mbarë hapësirën shqiptare ku banojnë mbi 6 milionë shqiptarë.

Më së fundit ngelet të kulmojmë fort se vlerat tona janë në shitje dukshëm. Shqipëria e Kosova po kalojnë nëpër fazën ku politika mund të blejë turpshëm dhe pa asnjë kriter pothuaj gjithçka. Gjithçka shitet e blihet te ne: atdheu, liria, ministri, deputeti, paanësia, profesionalizmi, titulli, dinjiteti, patriotizmi. Është koha të lexohet më së fundi skenari që dikur shihej si konspiracion, i krijimit të një hapësire shqiptare sovrane pa ekonominë e vet, të një lirie pa hapësirën zhvillimore, të një demokracie pa shpresë. Politikat dhe lidershipet tona kanë bërë më të keqen e mundshme këto vite. E, për të manipuluar opinionin publik kanë gjetur referencat krahasimore të tyre me kohë e epoka që nuk kanë lidhje më sistemin e standardet demokratike. Politika e politikanët shqiptarë krahasohen njëri krah me komunizmin, krahu tjetër me ’97; në Kosovë njëri krah krahasohet me Jugosllavinë, tjetri me luftën. Qytetarët kanë humbur sistemin e referencave edhe te faktori i tretë – tek ambasadori huaj, i cili ka ardhur si i akredituar i shtetit apo organizatës së huaj dhe sillet si të jetë i zgjedhur në mjediset politike shqiptare me votën e sovranit.

Autori: President i Akademisë Diplomatike Shqiptare

NJË KOMENT

FERDEROVA

09/03/2012

arrow

KJO TOKE KA ETJE!
NDRYSHE DO BEHET SHKRETETIRE PER SHQIPTARINE!
JOOOOOOO ME NJE TROJE TE DYTE!
BOTES TJA THEMI MEULERIME!
BRAVOOOOOOOOOO LISIEN…ASNJE SOT MOS TE HESHT!

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen