ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

Shovinisti vorioepirot Barka dhe apolidi qytetbotist Nano

Kreshniku vs Dule

Duhet thënë që në fillim  shkoqur, hapur, pa kurrfarë droje, se lidhjet, afërsitë, midis një vorioepirotisti dhe qytetbotisti janë shumë më të forta, se ç’mund të jenë dallimet. Këtë e kemi parë edhe vitin e kaluar në emisionin Opinion të Fevziut, kur qytetbotisti Lubonja ishte rreshtuar në krah të vorioepirotistëve, kundër Spahiut. Të dyja palët luftojnë themelet shtetformuese të Shqipërisë, faktin që Shqipëria është krijuar për të qenë shtet i shqiptarëve dhe sipas parimit, armiku i armikut tim është miku im, kanë bërë një pakt të heshtur mossulmi të ndërsjelltë, që shoqërohet nga një aleancë për sulm  ndaj çdokujt, që është për një Shqipëri të kombit shqiptar.

Vorioepirotisti Barka, i majmur me paratë e shqiptarëve si deputet e ministër i Berishës, herë pas herë e hedh vrerin e tij ndaj Spahiut e Aleancës KuqeZi  tek Panorama. Ky individ, si çdo vorioepirotist i thekur, është edhe një megaloideist i thekur, pavarësisht asaj maske hipokrite që mban në publik. Eshtë e habitshme sesi një shovinist grek, mund të bëhet Ministër në Republikën e Shqipërisë, por kur sheh se e ka vënë Berisha ( 2005- 2008), atëherë del mëse e logjikshme. Berisha bën pazare edhe më skandaloze me shovinizmin grek, një ministri del të jetë pazar i papërfillshëm.

Nga ana tjetër kemi Mustafa Nanon, i mirënjohur si logorroiku e pështymesi më i madh publik (ndoshta i të gjitha kohërave), që nuk harron asnjëherë të pështyjë mbi Spahiun e Aleancën KuqeZi, anipse kjo ka dalë qartazi kundër Berishës e sistemit, po njësoj si vetë Mustafa. Ai vetë e justifikon pozicionin si ‘i pavarur’, por edhe sikur të merret e mirëqenë mosvarësia e tij, duke parë ‘fenomenin Muçi’, duket se mosvarësia është produkt i mendimit të tij të kushtëzuar fiziologjikisht nga pështyma. Ky individ, duket të jetë i pavarur, thjesht si pasojë e një shtysë të brendshme për t’i sharë të gjithë, për të denigruar të madh e të vogël, njëfarë thashethemexhiu i publicistikës shqiptare.

Them apolid për të, jo në kuptimin formal-juridik, si njeri pa shtetësi, sepse shtetësinë shqiptare duhet ta ketë, por në kuptimin esencial, politiko-kulturor. Nga pikëpamja etimologjike apolid vjen nga a-polis, njeri pa polis, nga vjen interpretimi formal-juridik si njeri pa shtetësi, por në kuptimin esencial, njeriu pa polis në Shqipëri, është njeriu që nuk e njeh Shqipërinë si shtet-komb, që nuk ia pranon natyrën kombëtare shtetit, natyrën esencialisht shqiptare, shtetit të Shqipërisë. Këtyre apolidëve qytetbotistë ose qytetarëve gjysmakë në një shtet-komb, për shkak të vetidentifikimit u vjen natyrshëm të sulmojnë çdo shfaqje të qytetarisë së plotë, të gjithë shqiptarëve që e duan Shqipërinë për atë çka Rilindasin e themeluan të jetë e për atë çka Kushtetuta thotë se Shqipëria është, pra që e duan si një shtet kombëtar të shqiptarëve.

Ironia në këtë mes, është se këta qytetarë/shtetas gjysmakë e mbajnë veten për qytetarët e vërtetë, shtetasit model, po kjo është çështje tjetër, që kërkon hapësirën e vet.

Me megaloideistin Kosta Barka, ndoshta është e tepërt të merresh, me një njeri që mbron dhunuesin e varreve, Naum Dishon, e në të njëjtin artikull flet për liri, demokraci e Europë, duhet të mbash mbledhur stomakun. Ndërsa në gjithë hapesirën shqiptare flitet e shkruhet Maqedoni, ai është nga të paktët që e shkruan ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, emri i imponuar nga Greqia. Por ajo, që ia nxjerr vertet lakuriq shovinizmin grek, është se mbron tezën shoviniste të megaloideistëve grekë të 1913-s e Venizellosit në Versajën e 1919-s, se vetëdeklarimi është kriteri i përcaktimit kombëtar, pavarësisht etnisë e gjuhës amtare, tezë e hedhur poshtë nga ndërkombëtarët, si më 1913-14, ashtu edhe më 1919-20. Sado ta veshë me petkat e bukura të europianizmit, hipokrizinë ia tradhton qartë vorioepirotizmi, se kjo është fytyra e vërtetë e tij, ajo e andartëve që vranë e prenë në Jug dhe pastaj shpallën autonominë e Vorio Epirit, mbi rrënojat e shtëpive shqiptare që shkatërruan e mbi gjakun e shqiptarëve që vranë. Ky është ish-ministri e deputeti i sotëm i Berishës, bashkë me këtë i sundon shqiptarët Berisha.

Ndërkaq, Mustafa Nano ka marrë përsipër ‘bëmën herkuliane’, që të kritikojë Spahiun për ngjyrat e ligjërimit politik. E quaj bëmë herkuliane, sepse në radhë të parë ‘fenomeni Muçi’ nuk është aspak i besueshëm kur merr poza etike në komunikim, pasi është shembull i përsosur i harbutërisë publicistike, nga me gojëlëshuarit në qarkullim, prandaj duket krejt hipokrite pozita e tij etike ndaj ligjërimit të Spahiut.

Në radhë të dyte, Aleanca KuqeZi, i është kundërvënë sistemit, prandaj është logjike që do të vendoset në ligjërimin politik jo si force ‘e lehte’, nga ato që kërkojnë të moderojnë palët, sepse nuk ka aspak qëllim ‘të këshillojë’ PD-në e PS-në, nuk është ndonjë qendër politike që synon të balancojë sistemin 20 vjeçar e të jetë pjesë integrale e tij, një parti më shumë që i nënshtrohet pazarllëqeve të Berishës e Ramës.

Në radhë të fundit, por jo më pak e rëndësishmja, Aleanca KuqeZi është lëvizje kombëtare që mbështetet tek patriotizmi e/o nacionalizmi historik, kështu që nuk mund të pritet ndonjë ligjërim politik e veprimtari politike prej partie ekologjiste, por një ligjërim e veprimtari politike mjaft aktive. Aleanca KuqeZi nuk është negociatore politike për mbijetesën e këtij sistemi tranzicioni, por ka një natyrë të dhënë e të njohur, e cila nuk përputhet asgjëkundi me rolin e negociatorit mes të tjerëve, përkundrazi shtyn drejt udhëheqjes së shqiptarëve.

Mesa duket Nano, o s’ka kuptuar asgjë ose bën qëllimisht të mefshtin. Ka më tepër mundësi të mos ketë kuptuar gjë, se ndoshta i duket që shqiptarët janë të gjithë si ai, apolidë qytetbotistë, prandaj edhe i vjen për të qeshur, i duket argëtuese apo anglisht ‘funny’, kur Spahiu flet për potencialin e AK-së. Potenciali i AK-së është realisht i pamasë, çështja është kur do të shpaloset.

Mustafa bëhet ai vetë ‘funny’, me përpjeket e vazhdueshme në shtyp për të minimizuar potencialin e AK-së. Po ‘funny’ Mustafën e bën  gjithë analiza e tij, qofte si strukturë logjike e qoftë me këtë përzierje qesharake të shprehisë popullore si; llokoçitet, këput të forta, mufka etj, me fjalë në anglisht apo italisht, të cilat s’ka fjalor shqip që i përmban. Një publicist me qasje edhe populiste edhe elitiste, këtë kontradiktë, po, që s’ka kandar ta mbajë, ky është moçali i vërtetë ku ka rënë shqipja, kultura e publicistika shqiptare.

Dallimi mes Kosta Barkës dhe Mustafa Nanos është i thjeshtë, i pari është lidhur pazgjidhshmërisht me Berishën, kurse i dyti  shfrytëzon ‘talentin’ e tij, të qënit ‘fenomen’ për të ndikuar ne rrëzimin e Berishës, pastaj për të tjerat, efektet publike të shkrimeve të tyre shërbejnë gjithnjë për forcimin e pozitave të faktorëve të dyshimtë në Shqipëri. Ashtu si degët e lumit mund të burojnë nga anë të kundërta, por derdhen në të njëjtin lumë, edhe Barka me Nanon, lindin nga dy anë të kundërta, por e derdhin ujin në lumin antipatriotik. Prandaj, sado të ndryshëm të duken, ne fakt ushqejnë të njëjtin lum’ ose më mirë llum antishqiptarist të Shqipërisë.

Ledjan Prifti

 

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen