ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

Qendra ‘eksplozive’ e sistemit të tranzicionit

Çështja e vendodhjes së Aleancës KuqeZi në spektrin politik ka qenë, është dhe do të jetë objekt i debateve, sepse shqiptarët duket se kanë nevojë të dinë se me ‘kë është’ Aleanca, me Salën apo me Ramën. Në fakt, sikundër e ka bërë të qartë Spahiu, AK-ja është me veten e vet, dmth nuk i bindet aspak ligjësisë politike të tranzicionit dhe nuk pranon të kategorizohet si parti e këtij sistemi, por përkundrazi ka si synim kryesor në Shqipëri kapërcimin e tranzicionit dhe të këtij sistemi 20 vjeçar.

Në rast se AK-ja e vendos veten vullnetarisht brenda sistemit, ateherë nuk paraqet kurrfarë risie e kurrfarë alternative për kapërcimin e tranzicionit, por do të jetë thjesht një parti më shumë e kaq. Dikush mund të thotë se do-s’do ajo duhet të veprojë brenda sistemit. E vërtetë, por qendra e rëndesës së AK-së ndodhet jashtë sistemit dhe e vetmja mënyrë për të vepruar brenda tij është duke banuar në qendrën politike, pikërisht sepse  sistemi e refuzon qendrën. Pra AK-ja vendoset në qendër sepse sistemi e refuzon qendrën, dmth vetë qendra është kthyer në pikën anti-sistem.

Qendra e rëndesës së AK-se gjendet jashte sistemit, sepse mbështetësit e saj janë jashtë tij, dmth nuk e duan këtë sistem tranzicioni dhe identifikojnë  të majtën e të djathtën si bashkëfajtore qoftë në ndërtimin e qoftë në riprodhimin e faktorëve që mbajnë gjallë rendin 20 vjeçar të gjërave. Ka shumë shqiptarë  që tranzicionin, për shkak të kohes së gjatë, po e perceptojne si ‘modus vivendi’, si habitatin e tyre natyror, prandaj kanë harruar edhe që po jetojnë në tranzicion. Këta nuk janë kontigjent  që e duan tranzicionin, por viktimat e tij dhe pikërisht për këtë duhen ndërgjegjsuar, që të largojnë apatinë, të mos japin më konsensusin e heshtur dhe të aktivizohen.

Vendosja në qendër nuk është rrjedhojë parësore e parimeve abstrakte politogjike të qendrës, por nevojë konkrete e realitetit, ku qendra shfaqet si e vetmja pikë e dobët e sistemit, pra depërtimi në sistem me qëllim përmbysjen e tij vjen pikërisht nga qendra. Në kushtet e polarizimit të skajshëm politik, bojkoteve, demostratave e vrasjeve politike, ku frika e një vëllavrasjeje masive është reale, qendra paraqitet edhe si poli i arsyes, paqes së brendshme dhe i politikës së logjikës si kundërvenie ndaj politikës së forcës.

Nga pikëpamja historike, pas sistemit zogist, kemi  sistemin komunist dhe së fundmi sistemin e tranzicionit. Si sistemi zogist ashtu edhe sistemi komunist ishin moniste, i pari i krijuar nga partia e Zogut, i dyti nga partia komuniste. Kështu, në praktikë ndarja e institucionalizuar e majtë-e djathtë, jo vetëm që është e re në Shqipëri, por përkon edhe me sistemin e tranzicionit, i cili ashtu si sistemi zogist dhe sistemi komunist do të mbijetoje për aq kohë sa do të ushqehet nga rrënjët politike.

Prandaj refuzimi i ndarjes e majtë-e djathtë në formatin shqiptar është i domosdoshëm në rast se duam ndryshimin e vërtetë, ndryshim që mund të vijë vetëm nëse duam të rrëzojmë këtë sistem tranzicioni që krijoi vetë ndarja e majtë-e djathtë. Jo se në vetvete ndarja e majtë-e djathtë krijon sisteme tranzicioni, do të ishte qesharake të pohohej  nje gjë e tillë, por sepse kjo ndarje shqiptare e majtë- e djathtë, kështu si është konceptuar këto 20 vjet, ka prodhuar e mban në këmbë këtë sistem tranzicioni. Pra, është kjo ndarje alla shqiptare, që duhet refuzuar, jo ndarja në vetvete.

Një mohim i dialektikës politike të forcës, të mërive e karshillëqeve historike, të ndasive fisnore, klanore, krahinore, dialektore e fetare, të cilat përthyhen në vota të djathta e të majta, kjo do të thotë të minosh sistemin e tranzicionit. Refuzimi i ndasive të ndryshme, të cilat, janë të gjitha produkte të përçarjes historike, të nxitur prej të huajve dhe të riprodhuar prej nesh pasi ndërtuam shtetin tonë, përfaqëson edhe hapin e parë të emancipimit të vërtetë politik, të modernizimit të politikës shqiptare. Rrënjët e politikës shqiptare gjenden tek identitetet e ndryshme të prodhuara nga përçarja, aq e nevojshme për pushtuesit tanë të njëpasnjëshëm, por edhe për Zogun, Enverin, Berishën & co.

Shumica e shqiptarëve e kanë mohuar këtë dialektikë mazokiste, por militantët partiakë megjithëse pakicë, falë mbështetjes së mediave si dhe mungesës së një qytetarie aktive jashtësistemike, kanë arritur që ta imponojnë këtë dialektikë të mbrapshtë, e cila e ka vendin në muze e jo si mbizotëruesja, në kryet e vendit, në dorën e së cilës janë fatet e së tashmes e të së ardhmes.

Aleanca KuqeZi nuk mund të dalë si një parti e majtë apo e djathtë, që të zërë pozicion në llogoret përkatëse krahinore, fisnore, fetare, historike etj të shajë e mallkojë kundërshtarin me farë e fis, sepse atëherë nuk do të ishte Kuq e Zi, nuk do të ishte patriotike e gjithëpërfshirëse. Përkundrazi, duke u mbështetur fort tek parimet e lirisë, bashkimit, emancipimit dhe sakrificës së përbashkët, synon ta nxjerrë vendin nga ky qorrsokak 20 vjeçar, nga ky tranzicion lodhës deri në mizori, ta heqë shtetin nga duart e hajnave e kriminelëve që fshihen pas ngjyrave blu e rozë dhe t’ua kthejë shqiptarëve.

Ledjan Prifti

 

 

3 KOMENTE

FERDEROVA

24/02/2012

arrow

BRAVOOOOOOOO LEDJAN ….NO COMENT…KESHTU VAZHDO!
RINIA NE ELITE !
JU SUGJEROJMEper lexim librin_TRAZICION APO TRASHEGIMI-D.GUMENI
vet titulli flet…mund te botoni dhe pjese prej tij,autori nje mesuesi im i adoleshences,i burgosur politike mbi 20 vjet…

Beni

24/02/2012

arrow

Tani me duket qe nuk jeni shume te sinqerte me publikun!
Spahiu the VOA i quajti PD -ne dhe PS-ne te “majte”.
Te jemi realist, ne Shqipri ne 20 vitet e fundit nuk ka pasur parti te majta por
thellesisht te djathta, perfshire PD dhe PS.
Nese ju mendoni te quheni qender sepse PD dhe PS qenkan majtas kjo eshte vetem
menyre per te kamufluar pozicionimin tuaj te djathte.

Klodian

25/02/2012

arrow

Nuk eshte keq si ide, megjithe se mund te shtoj se Parlamenti shqiptar ka nevoje te zhbllokohet nga ngerxhi 2 partiak, qe do te thote se ka nevoje per nje force te re politike qe te kete mundesine te fitoje nje rol percaktues ne parlament. Ketu duhen pasur parasysh 2 gjera:

1. Që vërtetë të zhbllohet monopolizimi i parlamentit shqiptar nga PD ose PS sepse ose njera ose tjetra kanë pasur mundësi apsolute në vendimarrje gjatë miratimit të ligjeve me shumicë vote, duhet që të ketë një forcë të tretë politike që në të gjitha situatat politike të jetë e pa varur nga PD ose PS, pra te mos behet pjesë e njerës palë apo e tjetrës në mënyrë që mos te krijohet një polarizim.

2. Ekziston mundësia ( çdo gjë është e pranueshme) që në zgjedhje x ose y ka mundësi që vetë kjo force e re e tretë politike të marrë shumicën e vendeve në parlament pra le te themi 60 %, gjë që do të thotë se sërisht parlamenti shqiptar shkon drejt polarizimit. Nuk do të ishte keq për aq kohë sa do të ecej nën drejtësi. Por megjithatë reziku ekziston dhe shqiptarët janë tepër të lodhur nga këto situata politike.
Sugjerimi im në këtë rast do të ishte mundësia e vendosjes së një ” TERMOSTATI” që nënkupton vendosjen e një kufiri maksimal të pranueshmërisë së vendeve në parlament. Kjo për një qëllim të vetëm, është kusht të ketë 3 minoranca në parlament se sa 2 minoranca dhe një maxhorancë. Me anën e “TERMOSTATIT” i lihet mundësia edhe focave të tjera në parlament të kenë mundësi për tu ndier të rëndësishme në Parlament.
Nëse ka tre forca politike x, y, z atëherë le të themi që “z” është forca jonë e re politike atëherë nëpërmjet vendosjes së kufirit, TERMOSTAT, ne edhe nëse kemi mundësi për të përfituar më tepër vende në parlament të pranojmë le të themi maxhorancen brenda minorancave, pra 36 % të vendeve në parlament. Ngelet për x dhe y 64 % e vendeve. Nëse ndodh çudia e madhe që PD dhe PS të bashkohen sëbashku në një aleancë atëherë do të duket qartë që asnjëra prej këtyre 2 forcave nuk do të dojë mirëqënien e qytetarëve shqipëtarë por kaosin dhe përfitimin personal të individeve me pushtet për te shfrytëzuar shtresat mjerane njësoj si në rendin sllavo-pronar.

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen