ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

PD e PS mashtrojnë 26 parti

Kreshniku

Nga Kreshnik Spahiu

Sali Berisha dhe partia e tij nuk ka pasur, nuk ka dhe nuk do ketë vota për të qeverisur Shqipërinë. Numri i përgjithshëm i votuesve të PD, duke përfshirë edhe votat e manipuluara, nuk kalojnë 25% të listave të qytetarëve me të drejtë vote. Këtë numër votuesish, gjithmonë në ulje nga viti 1992 e më pas, lideri i së “djathtës”, Berisha, në zgjedhjet e fundit parlamentare mundi t’i kompensojë nëpërmjet përfshirjes në koalicionin e tij të shumë partive, të cilat nuk e kalonin pragun, por që “thërrimet” e votave të tyre së bashku i shërbenin PD për të prodhuar një numër më të madh deputetësh. Të gjitha këto parti parapëlqyen pazarin politik të tjetërsimit të partive të tyre në funksion të qëllimit të mbajtjes se pushtetit nga PD, mjafton që Kryeministri Berisha të mos linte liderët e tyre politikë pa ndonjë funksion në kabinetin qeveritar, madje duke pranuar edhe nivele këshilltari të kryeministrit. Historia e parlamentarizmit shqiptar njohu kështu periudhën më të errët, atë të shit-blerjes së partisë nga kryetarët duke fuqizuar artificialisht kryeministrin Berisha, i cili në 2009 kërkoi mandatin e tij të dytë si kryeministër. Dorëzimi pa kushte i të gjitha partive në çarkun e PD dhe PS erdhi si rrjedhim logjik i atentatit antikushtetues që iu bë sistemit zgjedhor në 21 prill 2008 (një muaj pas tragjedisë së Gërdecit), ku si pasojë e ndryshimeve kushtetuese do të goditeshin disa standarde dhe parime universale.

Së pari, sistemi proporcional rajonal i pastër pa korrektim bie ndesh me frymën kushtetuese, ku sistemi duhet të reflektojë të drejtën e votës dhe vullnetin e shprehur nga votuesit. Në skemën e re të ofruar nga PD dhe PS, teorikisht dhe praktikisht shpërdorohen mbi 300.000 vota të mbledhura nga parti të tjera dhe përllogariten si mandate të partive PD dhe PS.

Së dyti, sistemi është qartazi anti-kushtetues, konstatim të cilin e bëri edhe Gjykata Kushtetuese në vendimin për të pranuar kërkesën e Partisë së Pensionistëve. Në këtë vendim interpretohet dhe konsiderohet se kodi elektoral diskriminon partitë e varfra dhe pa të burime financiare.

Së treti, sistemi forcon rolin e lidershipit politik duke ulur nivelin dhe cilësinë parlamentare për shkak të përfshirjes në lista të preferuarit e liderit të partisë.

Së katërti, ndryshimet politizuan më shumë sistemin zgjedhor dhe mekanizmat elektoralë duke filluar nga shndërrimi i KQZ nga institucion kushtetues në partiak dhe deri te komisionerët e qendrave të votimit.

Së pesti, sistemi zgjedhor thellësisht favorizon parlamentarizmin dy polar dhe shkatërrimin ose pengimin e çdo lëvizje të re politike në vend. Ndryshimet e dhunshme të Kushtetutës u shoqëruan në atë kohë edhe me protesta apo grevë urie në sallën e Kuvendit në atë periudhë nga një sërë deputetësh, të cilët nuk e frenuan dot kur ishin në opozitë pushtimin e sistemit, por as nuk tentuan ta ndryshonin kur rierdhën në pushtet më 2009 në koalicion me Berishën.

Sot sistemi demokratik dhe pluralizmi politik janë të kërcënuar më shumë se kurrë nga regjimi politik i Berishës. Ndryshimi brenda partive dhe sistemit nuk vjen pasi është konsoliduar përjetësia e drejtuesve pa mandate të kufizuara duke rrënuar parimin bazë të demokracisë që është ndryshimi. Nga ana tjetër, sistemi shumë partiak tashmë është i rrezikuar seriozisht nga oligopoli PD dhe PS. Rekomandimet e OSBE-ODIHR dhe KE prej tre vitesh shpërfillen me gjithë presionin apo ndëshkimin që Shqipëria ka marrë duke u refuzuar dy herë statusi i vendit kandidat. Kryeministri Berisha vazhdon të mos bëjë asnjë përmirësim si dhe mashtron apo tërheq vëmendjen e ndërkombëtarëve me çështje të tjera, duke vonuar dhe tejkaluar çdo afat për reformën zgjedhore. Fatkeqësisht lideri i opozitës, Edi Rama, nuk arrin të kushtëzojë punën e komisionit, pjesë e të cilit është opozita. Edi Rama ende nuk e ka kuptuar që me këtë sistem në çdo zgjedhje do të humbasë përballë Berishës pasi “thesi” i koalicionit qeveritar është më i madh nga mekanizmi i blerjes së partive. Berisha sërish nuk dëgjon dhe nuk do pranojë kurrë të bëjë një reformë reale sepse ai nuk qeveris me votat e popullit, por me sistemin e asgjësimit të partive aleate dhe përvetësimit të votës së tyre. Ai dhe PD janë në minorancë dhe qeverisin me vota pakicash. Një javë më parë ai lejoi tryezën e alibisë së 26 partive duke lëshuar një autograf sa për të kaluar radhën dhe për të mos rënë pre e blofit që i luajti lideri i PS, i cili mori pjesë në tryezë dhe firmosi para tij. Tryeza e farsës ishte tragji-komike pasi vë në pikëpyetje ekzistencën e dhjetëra partive politike që morën pjesë në atë diskutim, por që ende nuk po marrin kurajon të shkëputen nga koalicionet me krokodilin e politikës. Lidershipi krokodil gojën e ka të madhe dhe po i përpin të gjitha, veshët i ka të vegjël dhe nuk dëgjon. Ndërkohë të 26 partitë duhet të ndërgjegjësohen se Berisha kurrsesi nuk do ta pranojë me tryeza apo bisedime ndryshimin e sistemit, pasi kjo do të shënonte humbjen historike të PD. Vota kombëtare e ndëshkon kryeministrin Berisha dhe atij nuk mund t’i kërkohet “vetëvrasja”. Të 26 partitë kanë vetëm një mënyrë të ndalin asgjësimin e tyre. Ato duhet të largohen nga koalicioni qeveritar duke shkaktuar zgjedhje të parakohshme. Liderët e tyre politikë duhet të gjykojnë ftohtë se 1 vit më pak apo më shumë rrogë si deputetë, zv.ministra, ambasadorë apo drejtorë të “doktorit” nuk ka asnjë vlerë përballë shkrirjes së partive të tyre dhe futjes në sqetullën e krokodilit. Nesër të gjithë do thonë na ishin një herë e një kohë disa parti me siglat e tyre… Sot është momenti i fundit për të prishur këtë ëndërr të keqe. Ciklit politik të Berishës dhe partisë së tij i ka ardhur fundi. Në prag të 100 vjetorit të pavarësisë, Shqipëria meriton një regjim politik tjetër. Ata që i bënë të 100-tat sistemit politik janë ende të rrezikshëm jo vetëm për të eliminuar kundërshtarët, por edhe për të fundosur aleatët si shenjë mosmirënjohje vetëm që të ruajnë pushtetin. Koha për një regjim të ri politik është shumë pranë. 26 partitë duhet të jenë të qeta në largimin e tyre sepse nuk i kanë asnjë detyrim “yllit polar” përkundrazi “ylli” i tyre ka tradhtuar elektoratin, marrëveshjet, Kushtetutën, integritetin territorial, sovranitetin e vendit dhe në fund besimin. “Ylli” është në rënie dhe shpejtësinë në kohë nuk mund t’ia ndalojë asnjë satelit.

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen