ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

“Një komb, një kampionat”, nisin kontaktet zyrtare FSHF – FFK

Eroll Salihu: Kemi diskutuar edhe me Armand Dukën, me të cilin kemi raporte të shkëlqyera

Iniciativat e mëparshme për bashkimin e futbollit të Kosovës me atë të Shqipërisë ishin të zbehta dhe nuk merreshin fort seriozisht nga udhëheqësit e dy federatave. Në fakt, iniciativa e Aleancës Kuqezi “Një komb, një kampionat”, duket se është marrë seriozisht për shqyrtim edhe në Federatën Shqiptare të Futbollit, ashtu edhe në Federatën e Futbollit të Kosovës. Nisma e së mërkurës nga Aleanca Kuqezi për bashkimin e futbollit të Kosovës me atë të Shqipërisë shumë shpejt ka nisur të diskutohet me seriozitet të madh në të dyja vendet, përfshirë edhe institucionet sportive e politike. Kreu i FSHF-së, Armand Duka, të enjten ka zhvilluar kontaktet e para me krerët e FFK-së rreth kësaj iniciative të Aleancës Kuqezi, por edhe për rastin e FC Prishtinës, e cila ka kërkuar nga krerët e shtetit shqiptar dhe të FSHF-së që të lejohet të marrë pjesë në garat e elitës së futbollit shqiptar, duke filluar nga edicioni i ardhshëm. Sipas sekretarit të përgjithshëm të futbollit kosovar, Eroll Salihu, “të dyja federatat janë të vetëdijshme se është shumë e vështirë që kjo iniciativë të realizohet, pavarësisht dëshirës së madhe. Por ai tregoi se Armand Duka do të hulumtojë edhe në UEFA rreth gjetjes eventuale të ndonjë mundësie për realizimin e kësaj nisme”. Më tej ai shtoi: “Kemi diskutuar edhe me Armand Dukën, me të cilin kemi raporte të shkëlqyera. Edhe ai është i vetëdijshëm se është shumë vështirë të realizohet kjo iniciativë, pavarësisht dëshirës së madhe. Mirëpo ai theksoi se megjithatë do të hulumtojë në UEFA rreth kësaj çështje, por duhet kuptuar se është shumë e vështirë. Më lehtë mund të jetë pas ndërkombëtarizimit edhe të FFFK-së”. “Është dëshirë e të gjithëve që të kemi një ligë të përbashkët. Duhet kuptuar se është shumë e vështirë të realizohet. Ne si FFK jemi në procesin e anëtarësimit në FIFA e UEFA. Dhe në këtë kohë është e pamundur të realizohet, pasi UEFA nuk na njeh, ashtu sikurse FSHF-në. Do të ishte shumë më lehtë që kjo iniciativë të realizohej, pasi të anëtarësohemi edhe ne në FIFA e UEFA, pasi atëherë do të bëheshim edhe ne federatë e barabartë me FSHF-në”, deklaroi Eroll Salihu. Ndërkaq, sipas “Lëvizjes për Bashkim”, nisma e FC Prishtinës mund ta thyejë izolimin në të cilin gjendet futbolli kosovar prej shumë vjetësh. “Mendojmë se kjo është rruga më e lehtë, më e shpejtë dhe më e logjikshme që të shpërthehet izolimi i sportit të Kosovës. Të gjitha pengesat e mundshme për liga të përbashkëta të sporteve do të tejkaloheshin pa vështirësi të mëdha, sikur të kishte vullnet institucional në Republikën e Kosovës dhe në Republikën e Shqipërisë drejt realizimit të këtij qëllimi”, thuhet në kumtesën e LB-së, ku theksohet se krijimi i një lige të përbashkët do të sillte të mira të gjithanshme, posaçërisht për futbollin shqiptar.

Endrit Shkurti/ Shqip

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen