ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

Nacionalizmi mes së majtës e së djathtës

Rama-Berisha-dueli

Premi per vedere l'immagine alla massima grandezza

 

Me shembjen e murit të Berlinit dhe shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, të shumtë ishin ata që folën për fillimin e një epoke post-ideologjike. Vërtet filloi koha post-ideologjike, por me ideologji duhet nënkuptuar domethënia që Marksi i jepte kësaj fjale. Ajo që e pësoi keq nga kjo shembje ishte e majta, e cila edhe në Europë shihte tek Bashkimi Sovjetik modelin e shtetit të majtë, biles edhe intelektualët e majtë në Perëndim i anashkalonin shpesh lajmet për krimet komuniste.

Deri atëherë, nacionalizmi shihej kryesisht si i djathtë, si një e djathtë sociale e konservatore, shembulli më i mire golizmi në Francë. Por ka pasur edhe një ‘nacionalizëm proletar’, që mbështetej tek vleresimi marksist, se proletarët mund të kenë nevojë për një ‘komb proletar’, si një hap pararendës i revolucionit proletar, që do t’i jepte jetë internacionalizmit proletar. Tek De Goli fillimisht e golizmi më pas, shihen si shtylla kryesore të nacionalizmit në ekonomi, mbështetja e ekonomisë nëpërmjet subvencioneve, projektet  industrializuese, proteksionizmi, mbrojtja e bujqësisë, nacionalizimi i degëve strategjike etj.

Mirëpo, pas shembjes së Bllokut Lindor dhe humbjes së pikës marksiste të referimit, të majtët kanë qenë e vazhdojnë të jenë në kërkim të ideve të tjera dhe këto ide të tjera gjithnjë e më tepër po përkojnë me idetë e të djathtës nacionaliste për një ekonomi kombëtare, pra mbështetje e sipërmarrjeve private nëpërmjet subvencioneve, mbështetje e prodhimit vendas, treg i lirë, por që rregullohet me dorën e shtetit e jo me dorën e fshehtë smithiane, masa proteksionizmi, mbrojtje e prodhimit bujqësor etj.

Kjo mbivendosje e ngadaltë, por mesa duket e pashmangshme e të majtës ndaj parimeve, që dikur quheshin të së djathtës nacionaliste, e cila i kundërvihej të djathtës  liberiste, është bëre e mundur jo vetëm si nevojë e së majtës për të mbijetuar pa Marksin, por edhe si pasojë e shkëputjes graduale të së djathtës nga nacionalizmi, meqenëse teoria neoliberale nuk mbështetet tek vizioni kombëtar i zhvillimit, por tek ai ndërkombëtar, pra të djathtët ngadalë janë ndërkombëtarizuar, po kthehen në kozmopolitë.

Programi i ri i Ramës, mbart shumë elemente e referime përndryshe nacionaliste, duke nisur që nga titulli i zgjedhur, Për një Rilindje Shqiptare, ndërsa Berisha ka gjetur tek teoria neoliberale mundësinë për të privatizuar gjithçka, përfshirë privatizimin e shtetit. Në konceptin e se djathtës berishiane, neoliberizmi është mbulesë ideologjike për të privatizuar shtetin, sipas parimit përderisa privati është më efiçent, le të privatizojmë shtetin, kështu do të jetë më efiçent. Neoliberizmi i tij, nuk është veçse një gjethe fiku, me të cilën ai mbulon rrënimin e shumë degëve te ekonomisë dhe monopolet që janë krijuar në degë të ndryshme, si pasojë e vjedhjes nëpërmjet privatizimit.

Megjithatë, një nga shembujt europianë se si e djathta  po kozmopolitizohet gjithnjë e më shumë, është evolucioni i Finit në Itali. Fini në rini i përkiste MSI-së(Movimento sociale italiano), parti ekstremiste neofashiste, më vonë krijoi AN-në (Alleanza Nazionale) që ishte një parti nacionaliste sipas shembullit golist. Shkrirja me partinë e Berluskonit, për një parti liberale dështoi, e së fundmi krijoi një parti krejtësisht liberale, e cila i përket qendrës, FLI (Futuro e Liberta) . Fini kaloi në harkun e 30 vjetëve nga ai qe quhet ekstremi i djathtë tek qendra, nga bindjet ultranacionaliste në kozmopolitizëm liberal.

Arsyet e rrëshqitjes historike të boshtit të djathtë, nga nacionalizmi tek kozmopolitizmi, lidhen me kalimin nga teoria politike/kombëtare e zhvillimit tek teoria kozmopolitike/globaliste, që gjithnjë e më tepër duket sunduese sot.

Nacionalizmi politik lindi tek borgjezia e shek 19, u përqafua masivisht prej saj, e shërbeu si faktor esencial i luftës për demokratizimin e Europës, kalimin e ushtrimit të pushtetit nga aristokracia feudale tek borgjezia kapitaliste si dhe kalimin e sovranitetit nga mbreti tek populli/kombi. Në vizionin e saj të zhvillimit ekonomik, hapësira kombëtare kishte përparësi absolute ndaj hapësirës ndërkombëtare e filozofisë ekonomike smithiane, dmth ekonomitë përqendroheshin tek industrializimi, proteksionizmi, subvencionet, taksat progresive, ndërhyrja e vazhdueshme e shtetit për rregullimin e tregut etj. Gjermania është një shembull i përsosur i suksesit të këtij vizioni ekonomik kombëtar, por edhe Franca e Belgjika mund të merren fare mirë si shembuj.

Sot, në kushtet e mbizotërimit të teorise neoliberale, e cila e filloi rrugën e saj triumfuese që me krizën e kejnezizmit në vitet ’70, kemi gjithnjë e më tepër një të djathtë që përvijohet si kozmopolite, si e djathta e nevojave globale të shoqerise, e qarkullimit të lirë të kapitaleve e krahut të punes, pra si një e djathtë që ka harruar kombin e shtetin, në favor të bizneseve të korporatave multinacionale.

Falë këtij transformimi të së djathtës, tek hapësirat e lëna bosh të nacionalizmit ekonomik, po ndërhyn gjithnjë e më tepër e majta, me qëllim mbijetesën në këtë sistem të ri post-ideologjik. Tashmë, që kapitalizmi nuk ka me rivalë, e majta po nacionalizohet nga pikëpamja ekonomike, ndërsa e djathta po denacionalizohet, e majta ka harruar krejtësisht Marksin dhe po anon nga  F. List  i shek 19 dhe Keynes-i i shek 20, në kundërvënie ndaj së djathtës, që mbështetet gjithnjë e më shumë tek Smith-i i shek 18 e Friedman-i i shek 20.

Në këtë zhvendosje historike të boshteve programore, të së majtës e së djathtës europiane, e mesa duket edhe të së majtës e së djathtës shqiptare, nacionalizmi shqiptar që nga natyra e tij ka qenë demokratiko-borgjez, i mbështetur fuqimisht tek shtresa e mesme, rrezikon të ndodhet i shtypur nga e djathta neoliberiste e ekonomia kozmopolite smithiano-fridmaniste që propogandon, dhe e majta që në programin e PS-së duket se ka marre përsiper propogandimin e një ekonomie kombëtare dhe një natyrë gjithnjë e më të afërt me nacionalizmin ekonomik, që dikur njihej si i djathtë në kundërvënie ndaj konceptimit marksist të ekonomisë.

Duket se zgjidhja për t’i shpëtuar efektit sanduiç, qëndron tek këndvështrimi pragmatik i ekonomisë e mbështetja e ekonomisë mikse. Një ndërthurje e elementëve të nacionalizmit të vjetër ekonomik (subvencionizëm, proteksionizëm, industrializëm, taksim progresiv, mbrojtje e bujqësisë etj) me elementet liberisto-globaliste, që sot janë bërë mbizotërues, një ekuilibër mes ruajtjes së degëve strategjike nga privatizimi dhe privatizimit të pjesës tjetër, vëmendja e veçantë ndaj metodave të pranuara të proteksionizmit si psh subvencionimet apo kuotat e importit, mbrojtja e bujqësisë sipas modelit europian etj, këto duket se janë e vetmja mundësi për t’i shpëtuar efektit sanduiç, por edhe të përshtatjes së nacionalizmit me kohën e globalizmit ekonomik.

Për fat të mirë, në ekonomi ka ikur koha e të vërtetave absolute, Nobëlin në ekonomi po e marrin sa ekonomistë ‘të majtë’ aq edhe ‘të djathtë’, ka ikur koha e të vërtetës absolute marksiste e kjo krizë e stërzgjatur e Perëndimit, po vendos ne pikëpyetje edhe vetë modelin neoliberist të qarkullimit të lirë të kapitaleve e krahut të punës. Franca hodhi në tregun politik idenë e daljes nga BE-ja, në rast se nuk merren masa për ndalimin e qarkullimit të lirë të krahut të punës, dmth emigrantëve.

Natyrisht, Shqipëria ka problematika të tjera, por një presion më i vogël nga jashtë, më pak dhunë strukturore nga modelet e huaja, do të jetë fitimprurës, sepse do të na lejojë të përqendrohemi në problemet konkrete e specifike dhe nevojën për zgjidhje konkrete e specifike, pa harxhuar energji të kota në debate të pafundme teoriko-ideologjike dhe eksperimentime dëmprurëse, se cili model ekonomik është më i mirë dhe përse.

Për probleme specifike duhen zgjidhje specifike, nuk mund të zgjidhen problemet specifike me teori të përgjithshme. U përpoqëm për 45 vjet, të zgjidhnim problemet shqiptare me një teori të përgjithshme, si ajo komuniste dhe pasi dështoi, dëgjuam që në fakt komunizmi nuk u zbatua  siç ishte në teori. Kemi 20 vjet që përjetojmë një kapitalizëm të egër, ku privatizohet gjithçka, ku taksat shpesh nuk paguhen edhe pse janë të ulëta, ku punëtorët s’kanë asnjë të drejtë përballë sipërmarresve dhe tani po dëgjojmë prej neoliberistëve, se nuk kemi zbatuar neoliberizmin siç është në teori. Në fakt, duhet të na sillet ndonjë shembull, ku një vend i botës së tretë, falë neoliberizmit bëhet vend i zhvilluar.

Ka ardhur koha të mendojmë se është më mirë t’i lëmë mënjanë këto teori të përgjithshme, linjat korrekte ideologjike, për një këndveshtrim më praktik e specifik të problemeve, pa pyetur shumë nëse mjeti i duhur për zgjidhjen e tyre është i kësaj teorie ekonomike apo asaj tjetrës. Le të përqendrohemi tek objektivat, tek qëllimi final, pa i nxjerrë ujët e zi mjeteve. Aq më tepër është e domosdoshme kjo, kur ideali i bashkimit kombëtar e realizmi i tij, përbën edhe qëllimin suprem, ndaj të cilit duhet kushtëzuar çdo veprimtari, në çdo fushë, përfshire ekonominë.

Ledjan Prifti

 

3 KOMENTE

beni

21/03/2012

arrow

Smithi ska te beje fare me neoliberalizmin, eshte nje keqkuptim i rendomte.
Neoliberalizmi eshte nje projekt it Fridmanit dhe Hajekut.

Gjithashtu te pretendosh se PS paska ndonje projekt kombetar nacionalist eshte plotesisht
e pasakte. I ashtuquajturi program politik i PS-se eshte paster neolberal pervec takses progresive.

Te them te drejten nuk besoj fare qe PD apo PS kane haberin e neoliberalizmit apo ekonomise
mikse. Te dyja duan privatrizim apsolut pershkak te mundesive per keqperdorim.
Nuk ka ideologji ne PS apo PD por vetem interesa klanore.

Biles edhe ky diskutimi mbi neoliberalizmin eshte nje import nga politika Kosovare ( i.e.Vetevendosjes ) sesa ndonje debat real ne shqiperi.

Gjithashtu, Kenjanizmi eshte program i qendres sepse eshte koncept mbi ekonomine mikse.

FERDEROVA

23/03/2012

arrow

http://www.youtube.com/watch?v=ovbKTk-pZPM

ledjan ,me pelqen pena juaj!sigurisht jeni duke u rritur ,dukeu pjekur…SHPRESOJME TE JENI NJE LIDER NE MEDIAN SHQIPTARE!
JU PERSHENDESIM ME KENGEN E ILIR SHAQIRIT PER USHTAR KAVAJEN…EMIGRANTI E DASHKA ME SHUME ATDHEN,KUR AI VUAN!
RINIA NE ELITE-SHTET TEKNIK-ZGJEDHJE TE PARAKOHESHME ELEKTRONIKE ,BRENDA 24 OREVE REZULTATI-JO PAZARE DHE SKENARE!
NE MBESHTETJA JUAJ-VEC JASHTE PARTISE-NE MARATON JEMI TE GJITHE!

FERDEROVA

23/03/2012

arrow

NJE SUGJERIM:MOS U LODHNI ME HISTORI,AS ME FILOZOFI-KOMBI NE HORIZONTY,LIRINE PRET PER 100 VJETOR-KY ESHTE MISIONI E SFIDA E SHQIPTARISE,ME PAS DO KEMI KOHE PER MODERNIZIM!
NJE KOMB ,NJE SHTE LIGJOR…ATDHEU NA E KERKON…ATY VARET DINJITETI,QE NGA FHSATARTI,GJENIU E PRESIDENTI!
PRESIM ME SHUME SHKRIME PER SENSIBILIZIMIN SHQIPTARE-JEMI GATI NE MARATON PER 2 MILION ATDHETARE…!

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen