ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

Nacionalizmi dhe ndërtimi i shtet-kombit

shqiperia

Në gazetën Panorama të së djelës, Grid Rroji ngrinte disa pikëpyetje rreth kombëtarizmit e shtetit, duke iu referuar më së shumti rolit e qëndrimit të AK-së.

Dy nga tre paqartësitë e shprehura prej tij, qëndrimi ndaj sistemit aktual dhe cilat shtresa përfaqëson, më shumë vijnë nga mosnjohja e veprimtarisë së AK-së, sesa nga ndonjë qëndrim mëdyshës, taktik apo strategjik, i krerëve të saj. Eshtë e qartë, që AK-ja e sheh veten të vendosur diametralisht kundër sistemit politik dhe se kërkon të jetë gjithëpërfshirëse. Këto qëndrime do të artikulohen me tej si modele unike të historisë politike të Shqipërisë.

Më problematike është paqartësia e tij, që lidhet me një pohim të z. Spahiu se “…nacionalizmi ynë nuk është nacionalizëm etnik ”, për të cilin Rroji shprehet se “… deklarimi i Spahiut bie ndesh me një nga propozimet me të cilat ka fituar popullaritet AK-ja, bashkimin me Kosovën. Përsëri, nëse mohohet lidhja e  gjakut, nuk do të kishte shpjegim për nevojën e një bashkimi të tillë ”.

Natyrisht, nëse merret fjalë për fjalë, mohimi i nacionalizmit etnik do ta bënte të paarsyeshëm bashkimin me Kosovën, biles në këndvështrimin e nacionalizmit civik, do të dukej si dëshirë për ekspansion territorial, si projekt imperialist. Në fakt, në politikëbërje vëmendja ndaj terminologjisë së shkencave politike, duhet balancuar me natyrën e presioneve politike dhe me anë të marrjes me dorashka të ndarjeve të prera, që kryen teoria politike në lidhje me nacionalizmin.

Kështu, vendet ballkanike vërtet anojnë nga nacionalizmi fetar, por kanë edhe qasje të shumta ndaj nacionalizmit etnik dhe atij civik. Psh Greqia, që Rroji e ka marrë si shembull nacionalizmi fetar, nuk i njeh pakicat etnike dhe sillet si Franca që është burimi i nacionalizmit civik në Europë. Nga ana tjetër, po vetë Greqia e ka përdorur dhe e përdor ‘jus sanguinis’ (e drejta e gjakut) për dhënien e shtetësisë, që është kriter tipik i nacionalizmit etnik, biles shqiptarët nxjerrin dokumente fallso për të dalë me prejardhje greke, pikërisht për të marrë shtetësinë greke.

Por ka edhe shtete të tjera, si Serbia apo Italia, që përziejnë teoritë e ndryshme, herë sillen si vende me nacionalizëm etnik, herë civik e herë fetar. Megjithatë nacionalizmi fetar gjendet më shumë tek vendet ortodokse, ku për vetë natyrën autoqefale e kombëtare të Kishave, ka një prirje të barazohet kombësia me fenë. Po ashtu në Izrael, kombësia hebraike është identike me fenë hebraike, biles atje ekziston edhe ministria e fesë hebraike.

Në  këto kushte, kur realiteti është pak më i ndërlikuar sesa teoritë politike rreth nacionalizmit, kur teoritë politike në praktikë ndërthuren e i japin jetë modeleve të perziera, pohimi nëse një nacionalizëm është etnik, civik apo fetar (më tej ka nacionalizëm borgjez, proletar, kulturor etj), nuk përfaqëson ndonjë të vërtetë absolute rreth atij nacionalizmi. Prandaj edhe në këtë pike merr rëndësi politikëbërja e natyra e saj subjektive, më e prirur drejt zgjidhjes e kompromisit, sesa drejt hermetikës së teorisë.

Kështu, Shqipëria pavarësisht natyrës së padyshimtë etnike që ka, se kështu është konceptuar e themeluar, paraqet edhe elemente të nacionalizmit civik, si psh përdorimi i jus soli-t (e drejta e territorit) për dhënien e shtetësisë. Një shtet ngurtësisht i bazuar në nacionalizmin etnik nuk do ta jepte kurrë shtetësinë mbi bazën e jus soli-t. Ndërkaq Amerika, e themeluar mbi nacionalizmin civik dhe jus soli-n e jep menjëherë shtetësinë edhe për ata që lindin e rriten jashtë territorit të saj, por kanë të paktën një prind me shtetësi amerikane, që në fakt është karakteristikë tipike e nacionalizmit etnik, bazuar në lidhjet e gjakut.

Natyrisht, bashkimi kombëtar nuk është ‘projekt ekspansionist’ i ndonjë nacionalizmi civik të AK-së, përkundrazi është projekt që mbështetet mbi themelet etnike të Shqipërisë. Bashkimi kombëtar do të rregullonte semantikisht edhe koncepte jetike si interesi kombëtar, i cili nuk mund të konceptohet dot thjesht si shtetëror, përderisa përjashton nga kombi, shqiptarët jashtë kufijve të Shqipërisë.

Në këtë këndvështrim, vetë pyetja e Rrojit, pëer rolin e kombit në ndërtimin e shtetit, me shumë sesa pyetje drejtuar AK-së, është pyetje që i duhet drejtuar atyre që e copëtuan Shqipërinë më 1913, se si e konceptuan ata ndërtimin e një shtet-kombi shqiptar, në kushtet, kur gjysmën e kombit e lanë jashtë shtetit shqiptar. Llogjika ta do, që derisa te kryhet bashkimi kombëtar, më shumë se për rolin e kombit në ndërtimin e shtetit, duhet të flitet për rolin e komunitetit, bashkësisë së shqiptarëve të Shqipërisë në ndërtimin e shtetit. Faktikisht, patriotizmi ”londinez” (për 28 mijë km2), që lidhet me këtë komunitet brenda kufijve, i ka shërbyer mjaft mirë regjimit komunist për të mobilizuar masat në ndërtimin e shtetit komunist.

Problematika e ndërtimit të një shtet-kombi të mirëfilltë, i cili mbështetet tek koncepti i sovranitetit kombëtar në marrëdhëniet me jashtë dhe popullit sovran në marrëdheniet e brendshme, nuk lidhet vetëm me vonesën historike të shtetndërtimit  ndër shqiptarë e copëtimit, por edhe me faktin që sot, me globalizmin e BE-në, nuk po nxitet më tej krijimi i shtet-kombit, por po synohet shthurja e tij, nëpërmjet rrjedhjes së vazhdueshme të sovranitetit. Shtetet ballkanike si Bosnja, Maqedonia, Kosova e Mali i Zi, më tepër sesa shtet-kombe të mirëfillta, po ndërtohen si shtete të dobëta multietnike.

Në këto kushte, më tepër sesa kritikat e kërkesa e llogarisë, do të ishin më të vlefshme idetë, se si kapërcehen vështirësitë konkrete në ndërtimin e shtetit-komb funksional, sepse Shqipëria gjendet në një rajon, ku po eksperimetohet gjerësisht me pseudo-shtete, si Bosnja, Maqedonia e Kosova, e nuk është në gjendje ideale, ku të praktikohen teoritë politike në formatin e tyre hermetik apo qoftë edhe me natyrë shkencore. Cështja e ndërtimit të shtet-kombit nuk është tagër vetëm  e AK-së, apo ekskluzivitet i saj, por një përpjekje e krejt shoqërisë shqiptare në gjithë trojet etnike e Diasporë. AK-ja është shtrati i lumit që të çon në det, por që ushqehet me degët e lumit e përrenjtë malore.

Ledjan Prifti

 

 

 

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen