ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

Nacionalizmi dhe ndërtimi i shtet-kombit (III)

Shqiperia etnike

Lidhjet historike mes nacionalizmit, sovranitetit kombëtar dhe demokracisë

Keqpërdorimi i fjalës sovranitet gjatë diktaturës komuniste, si pasojë e përdorimit demagogjik, e ka ‘djegur’ pjesërisht vetë fjalën. Këtë fat të keq e kanë pësuar në fusha të ndryshme edhe fjalë e koncepte të tjera të rëndësishme, si psh e përbashkëta, prodhim industrial, kooperativë, shpenzime ushtarake etj, të cilat shenjonin pikësynimet e diktaturës. Ironike është që vetë Amerika, mund të përkufizohet si vendi i prodhimit më të madh industrial në botë, i shpenzimeve më të mëdha ushtarake në botë, i kooperativave kapitaliste më të mëdha dhe me sovranitetin më të kulluar që ekziston.

Në thelb, nuk mund të ketë demokraci të mirëfilltë pa sovranitet dhe nuk mund të ketë sovranitet të mirëfilltë pa demokraci. Kjo është arsyeja pse BE-ja përfaqëson Europën e shtet-kombeve dhe jo Europën e qytetarëve apo Europën e rajoneve (ekonomike). Europa ka ngecur politikisht, sepse nuk mund të strukturohet dot si shtet-komb, i cili është garanti i vetëm i demokracisë, garanti real historik, sepse në teori (zakonisht utopike), mund të gjenden forma të ndryshme.

Kur kërkohet e vërteta e demokracisë, kjo nuk mund t’i shpëtojë lidhjes kërthizore me sovranitetin. Sovraniteti territorial i shtetit është kusht i domosdoshëm për triumfin e parimit të sovranitetit popullor, sepse një popull i pushtuar apo me sovranitet gjysmak (si psh Kosova), nuk mund të ushtrojë dot sovranitetin në zgjedhjen e përfaqësuesve ose pushtetarëve. Këta gjithnjë do të gjejnë legjitimimin e pushtetit tek të huajt, do të emërohen prej tyre ose do të mbështeten me forma të ndryshme, si psh financimi.

Nga ana tjetër, pa parimin e sovranitetit popullor, sado sovran të jetë shteti në skenën ndërkombëtare ( psh Shqipëria gjatë Diktaturës), kjo nuk përbën kurrfarë garancie për demokracinë.  Vetë shteti i këtillë, në çastin kur nuk triumfon parimi i sovranitetit, nuk përbën një shtet-komb të mirëfilltë, ajo formë ku sovraniteti i takon kombit, popullit.

Kur shteti është sovran në skenën ndërkombëtare, por populli nuk është sovran i shtetit, atëherë edhe sovraniteti territorial përfaqëson një garanci për pushtetin e diktatorit ose mbretit sovran. Vetë politika e jashtme e këtij shteti, nuk i shërben popullit, kombit, por në radhe të parë pushtetit të diktatorit. Izolimi i Shqipërisë në vitet 1945-1990, kishte vetëm një funksion, ate të garantimit të pushtetit të Hoxhës e Alisë.

Në një shtet-komb të mirëfilltë, politika e jashtme ku shprehet sovraniteti shtetëror, nuk është në shërbim të asnjë individi, qoftë ky Zogu, Enveri apo Berisha, por në shërbim të kombit. Kjo është e mundur, vetëm nëse brenda vendit, zbatohet parimi i sovranitetit popullor, pra nëse sistemi është demokratik.

Autokracitë ose diktaturat nacionaliste, sado që quhen nacionaliste, në fakt  kanë qenë në shërbim të diktatorit e jo të kombit, sepse një individ nuk mund të jetë sovran mbi kombin e vet dhe të jetë nacionalist i mirëfilltë. Shtetet e këtilla, nuk kanë qenë shtet-kombe të mirëfillta, pikërisht sepse në to nuk është zbatuar parimi i sovranitetit popullor.

Nuk është aspak rastësore, që në Shqipëri , pasi u garantua Pavarësia, dmth sovraniteti territorial i shtetit, u bënë zgjedhjet e para parlamentare. Lufta e Vlorës më 1920, ishte përpjekja e fundit fitimtare për mbijetesën e shtetit si sovran, si i pavarur. Kjo është meritë e padyshimtë e nacionalistëve, apo atdhetarëve e patriotëve si thuhet rëndom.

Por, meritë e padyshimtë e nacionalistëve, është edhe mbajtja e zgjedhjeve të para parlamentare në Shqipëri, më 1921. Pothuaj aspak nuk flitet për këtë meritë të madhe të nacionalizmit shqiptar, ai synoi dhe arriti të mbajë zgjedhjet e para parlamentare në Shqipëri, pjesë e projektit ku pas sovranitetit shtetëror, do të mundësohej parimi i sovranitetit popullor, pra vetë demokracia.

Se ç’donte shtresa e bejlerëve, e pamë të mishëruar më vonë në personin e Ahmet Zogut, një regjim autokratik anadollak, një rikrijim në miniaturë i Turqise osmane, me privilegje të paprekura për bejlerët dhe me sovranitet që i takonte Mbretit. Shtet-kombit të projektuar prej nacionalizmit iu vu kazma dhe vendin e tij e zuri shteti dinastiko-territorial me natyrë mesjetare. Vetë në Ballkan, sado që shtetet fqinje ishin autokratike, në asnjë prej tyre nuk mbijetonte shtresa e bejlerëve, kudo ishte zhdukur, biles edhe në Turqinë nacionaliste të Qemal Ataturkut. Vetëm në Shqiperi, mbijetoi fryma anadollake e Turqisë osmane, në konceptimin e shtetit, sovranitetit dhe marrëdhënieve socio-ekonomike.

Politika e jashtme e Zogut, i shërbente vetëm atij, sepse ai ishte Sovrani, e jo kombi. Shqiptarët, të cilët më 1920 dëbuan Italinë nga Vlora, vetëm 19 vjet më vonë, nuk shkrehën pothuaj asnjë pushkë për të mbrojtur sovranitetin e shtetit, sepse shteti nuk perceptohej më si i tyre, por si i Zogut dhe askush nuk donte të jepte jetën për shtetin e Zogut.

Gjatë regjimit komunist, pothuaj asgjë nuk ndryshoi në çështjen e sovranitetit. Parimi i sovranitetit popullor nuk u zbatua, vendi ishte diktaturë dhe sovraniteti i shtetit ishte ne shërbim të mbajtjes së pushtetit. Politika e jashtme i dedikohej tërësisht, mbijetesës e forcimit të pozitave të Enver Hoxhës e klikës komuniste dhe aspak çështjes kombëtare, përveç rasteve kur Enverit i nevojitej të vepronte për çështjen kombëtare, pikërisht për të forcuar pozitat e pushtetit brenda vendit.

Të njëjtën situatë, por me kushte e modalitete të tjera, e gjejmë edhe nën Berishën, deri më sot. Berisha e ka zaptuar krejt politikën e jashtme, për interesat personale të mbajtjes së pushtetit. Gjithçka që kryen Shqipëria në skenën ndërkombëtare, është në shërbim të Berishës. Edhe kur jemi në krah të Amerikës, jemi sepse Berisha e sheh në interesin e vet.

Por, këtu gjejmë edhe pse Berisha nuk e ka dashur kurrë integrimin europian. Ai nuk e dëshiron, sepse kriteri thelbësor i Europës është zbatimi i parimit të sovranitetit popullor, pra demokracia nëpërmjet zgjedhjeve të lira e të ndershme. Berisha e din shumë mirë, se zbatimi i këtij parimi e mosvjedhja e votës, do të thotë humbje e pushtetit. E ka ditur, të paktën, që prej 1996-s. Prandaj, mes Shqipërisë në Europë, por pa Berishën dhe Shqiperisë jashtë Europës dhe me të në pushtet, Berisha zgjedh të dytën.

Në kushtet kur në një anë kemi Berishën, që e mban veten si dishepull i Zogut ( i pari që ka vjedhur votat në Shqiperi, qysh gjatë viteve 1921-1924) dhe nga ana tjetër Ramën, i cili trashegon Partinë Komuniste, e gjithë votuesit, të cilët nuk e dinë ç’është sovraniteti popullor, sepse janë për Komandantin Sovran, kuptohet lehtë sa e vështirë është të ndërtohet shtet-kombi i mirëfilltë dhe demokracia në Shqipëri dhe se të vetmit që mund ta ndërtojnë janë nacionalistët.

Demokracinë në Shqipëri e kanë sjellë nacionalistët në vitin 1921, e vranë bejlerët anadollakë, e varrosën komunistët dhe e kanë nxjerrë të vërdalloset si fantazëm  trashëgimtarët e bejlerëve anadollakë dhe komunistëve, përgjatë këtyre 20 vjetëve. Kjo demokraci e këtyre 20 vjeteve është vetëm një fantazëm, sepse askush nuk mund ta ringjallë demokracinë, përveç nacionalistëve. Nacionalistët e sollën demokracinë në shtetin foshnjë të 1921-t, nacionalistët do ta ringjallin.

Demokracia kalon nga sovraniteti, nga ai i shtetit në marrëdhënie me shtetet e tjerë dhe nga sovraniteti popullor në ndertimin e shtetit, e nacionalistët janë e vetmja forcë e lidhur kërthizisht me sovranitetin. Kjo lidhje historike, e jo vetëm në historinë e Shqipërisë, mes nacionalizmit, sovranitetit dhe demokracisë, përbën garancinë më të mirë për zgjedhjen e kujt duhet ta ketë në dorë ndërtimin e shtet-kombit në Shqipëri dhe kush ka dëshirën e vullnetin për ta bërë me të vërtetë Shqipërinë.

Ledjan Prifti

 

 

2 KOMENTE

azbi

02/05/2012

arrow

persendetje z.Ledjan Prifti ne si popul e dim si e kemi kaluar 50 vjet te komunizmit.pa nacionalizem te mir kuptuar nuk mund te ndertohet shteti fuqishem te gjith shtetet e fuqiahme sot jan shtete nacionaliste te jesh patriot per kombin tat nuk esht nacionalizem.shpresojm qe AK zi dot jet partia e duhur per shtetin sqiptar dhe per te gjith shqoparet kudo qe ato jetojn me respekt

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen