ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

Nacionalizmi dhe ndërtimi i shtet-kombit (II)

4 vilajetet

Berisha dhe atentatorë të tjerë të sovranitetit kombëtar

Problematika e ndërtimit te shtet-kombit, ndërsa lidhet pashmangshëm me bashkimin kombëtar, nga ana tjetër është e ndërlidhur me çështjen e sovranitetit, sepse vetë koncepti i shtet-kombit, mbart edhe përgjigjen se kujt i takon sovraniteti i shtetit.

Në format e veta rudimentale e primitive, shtetet kombëtare nuk e ngrenë apo nënkuptojnë çështjen e sovranitetit. Kështu ka qenë në shek 15-18, kur me shtete kombëtare nënkuptohej kryesisht forma e përqendruar e shtetit, si kundërvënie ndaj copëtimit feudal, dhe përfshirja e një etnie mbizotëruese në kufijtë e tij. Ndër shtetet më të vjetra, ku zhdukja e copëtimit feudal të shtetit dha formën fillestare të shtet-kombit, njihen Anglia, Franca, Spagna e Portugalia në shek 15 dhe Hollanda në shek 16.

Në historiografinë shqiptare, përqendrimi i pushtetit në duart e Skënderbeut gjatë viteve ’50 të shek 15, njihet edhe si fillesa e shtetit kombëtar në Shqipëri, meqenëse plotësohen dy kriteret parore; të shtetit të përqendruar, në kundërvënie ndaj copëtimit feudal, dhe një etni mbizotëruese në kufijtë e shtetit, etnia shqiptare. Pushtimi turk e ndali me shekuj këtë proçes historik të pashmangshëm, ndërsa në Europë po formoheshin shtetet e para kombëtare, anipse për këndvështrimin e sotëm, mjaft të diskutueshme, sepse nuk përfshinin kriterin e sovranitetit.

Gjithë bota e sotme ndahet në shtete kombëtare dhe shtet-kombi është aktori unik i marrëdhënieve ndërkombëtare e vetë themeli i sistemit ndërkombëtar. Në shumicën e rasteve shtetet kombëtare janë te fazës rudimetale, ku nuk zbatohet parimi i sovranitetit popullor, por vetëm ai i sovranitetit territorial, sidomos në Azi e Afrikë. Parimi kombëtar i shtetformimit, ka qene esencial ne Versaje 1919, e shoqëruar me parimin e vetëvendosjes për vendet e kolonizuara, përfaqëson themelin e OKB-së, prej 1945 e deri më sot.

Ky evolucion konceptual i shtet-kombit, i detyrohet evolucionit të konceptit të sovranitetit, i cili para se të ishte kombëtar, ishte i Zotit dhe Monarkut. Ky i fundit, mbështetej tek parimi i së drejtës hyjnore, se ishte Zoti ai që i jepte të drejtën të ishte monark, pra edhe vetë sovraniteti i shtetit i takonte natyrshëm atij. Kështu, monarku jepte e merrte toka me monarkët fqinje, sepse sovraniteti i shtetit i takonte atij. Kjo fazë e shtetit dinastik, ku këmbeheshin e dorëzoheshin toka e njerëz, si të ishin pronë private e monarkëve, mori fund përfundimisht në shek 19, kur sovraniteti (formalisht e/o esencialisht), kaloi pothuaj kudo nga Zoti e Monarku tek kombi/populli.

Pra, në problematikën e ndërtimit të shtet-kombit në Shqipëri dhe rolin kyç të nacionalizmit, duhet marrë parasysh, mbi të gjitha, koncepti i sovranitetit si themel i shtet-kombit modern dhe vetë demokracisë. Ndërsa bashkimi kombëtar përfaqëson përmbushjen e shtet-kombit, ne kuptimin etno-territorial, përkatësia popullore e sovranitetit, përfaqeson përmbushjen e shtet-kombit në kuptimin organiko-administrativ, nga buron edhe domosdoshmëria e demokracisë.

Ne fakt, domosdoshmëria e demokracisë moderne, nuk buron nga pasuria e vendeve sot demokratike, liria e individit apo si emulim i BE-së ku aspirojmë të hyjmë. Jo, në asnjë menyrë këto nuk janë përqasjet e duhura, prandaj edhe kemi 22 vjet, që  deshtojmë në mënyrë të turpshme në ndërtimin e demokracisë dhe sot kemi demokraci hibride, me ngjyra shumë të forta autoritarizmi.

Domosdoshmëria e demokracisë, buron nga përmbushja e shtetit-komb në kuptimin organiko-administrativ, pra kalimi i sovranitetit tek kombi/populli. Demokraci, para se të thotë pasuri, liri e te drejta individi apo Perëndim,  do të thote pushtet i popullit sovran. Në Shqipëri kemi 20 vjet, që ngatërrojmë shkakun me pasojën. Nuk është aspak pasuria apo e drejta e individit, e cila  sjell sovranitetin e popullit, demokracinë, por sikundër e dëshmon historia e Europës, është sovraniteti i popullit/kombit, ai që sjell dhe garanton te drejtat e liritë e individit, krijon kushtet për një vend të lirë e të pasur.

Gracka, kurthi i sotëm berishian, është se ndërsa Shqipëria gëzon liritë e individit, ai në emër të zhvillimit ekonomik, i heq vazhdimisht e do të vazhdojë t’i heqë shqiptarëve, sovranitetin, të cilin e praktikojnë me anë të votës. Demokracia kalon, jo nga liritë e zhvillimi ekonomik, por nga mundësia që ka populli të shprehë sovranitetin e tij, me anë të zgjedhjeve,  lokale e të përgjithshme.

Berisha 1, vendosi autokracinë e tij, duke i privuar shqiptarët edhe nga liritë (Shiku famëkeq), edhe nga paratë (firmat piramidale), edhe nga vota e lirë (1996), ndërsa Berisha 2, më i sofistikuar, u ngriti shqiptarëve kurthin, ku u lejoi liritë, u premtoi zhvillim ekonomik, por në këmbim vendosi t’u vjedhë votën, pra t’i privojë nga sovraniteti  dhe rrjedhimisht nga vetë demokracia.

Por si u bë e mundur kjo grackë, ky kurth berishian, ky atentat ndaj demokracisë ?

Ka tre faktorë kryesorë:

1- konceptimi i shtrembërt që kanë shqiptarët për sovranitetin

2- defiçenca e plotë e shtresës intelektuale dhe shoqërisë civile në nxitjen e demokracisë

3- opozita socialiste, e cila është po aq atentatore ndaj sovranitetit popullor sa Berisha

Përsa i përket, pikës së parë, shqiptarët nuk e njohin fare konceptin e popullit sovran, përkundrazi pajtohen që shteti është i Berishës apo i Nanos, biles edhe sikur këta të kenë shumicën reale te votave, demokracia ne kete rast nuk eshte organike, e lidhur me mirefunksionim e institucioneve e  te shtetit, por thjesht mekanike, tani më erdhi radha të vjedh a të gjej punë. Sovraniteti për shqiptarët, ka vetëm kuptimin territorial; nuk jemi të pushtuar, ndërsa nga brenda mund të na sundojë kush të doje e si të dojë.

Këtë konceptim arkaik, e kemi parë të mbajë gjallë mbretërimin e Zogut, diktaturën e Enverit e Ramizit dhe autokracinë e Berisha 1. Ky është konceptim mesjetar e anadollak, biles ç’është më e keqja, ndërsa vetë sovraniteti si koncept modern është zhvilluar gjatë shek 18-19, pikërisht në kundërvënien e popullit ndaj monarkut, nga lindi vetë demokracia ( ne fillesat e veta demokracia quhej vlerë republikane, kujtojmë Amerikën apo revolucionin frëng), në Shqipërinë e shek 21, ende parimi i sovranitetit popullor është jashtë kategorive mendore të shumicës së popullsisë. Për të, sovranitet do të thotë vetëm të jesh shtet i pavarur.

Këtu vijmë tek pika e dytë, ose defiçenca, dështimi i plotë, i shtresës intelektuale dhe shoqërisë civile në nxitjen e demokracisë. Përgjate 22 vjetëve, demokracia u promovua prej tyre në termat e lirisë e të drejtave të individit, vlerave perëndimore, emulimi mekanik i gjithçkaje europiane, përfshirë legjislacionin, me pak fjalë demokracia u promovua si kult i mirëfilltë kargosh, se nëse shqiptarët arrinin të bëheshin surrogatë ose klonë të europianëve, atëherë demokracia do të ishte e mundur, përndryshe me shqiptarë demokracia nuk arrihet.

Mirëpo, Berisha 2, i cili thotë se sovraniteti nuk i përket kombit, por i përket atij, nuk e ka pasur aspak problem, gjatë këtyre 7 vjetëve, që t’ua plotësojë pothuaj të gjitha kërkesat e këtij lloji, shtresës intelektuale e shoqërisë civile. Në fakt, Berishës 2, ky promovim i demokracisë si kult kargosh nuk i shkakton asnjë problem, sepse ai e ka kapur thelbin e mbajtjes së pushtetit, dmth i mjafton që të vjedhë votat dhe shqiptarët ta perceptojnë shtetin si ”shteti i Berishes”, ku ai ka të drejtë të bejë ç’të dojë me institucionet e vendit. Pra, Berisha 2, në veprën e tij, të grabitjes së sovranitetit, nuk gjen kurrfarë problemi nga kulti i kargove që promovojnë intelektualët e shoqëria civile, përsa kohë që askush nuk propogandon shtet-kombin dhe lidhjet jetike mes nacionalizmit, sovranitetit e demokracise.

Këtu vijmë tek pika e tretë, opozita e dështuar dhe bashkëfajtore në atentatin ndaj parimit të sovranitetit popullor në Shqipëri. Kjo opozitë, pavarësisht retorikës demokratizuese, ende s’ka hyrë në konceptimin e ndërtimit të shtet-kombit, dhënies së sovranitetit real popullit e rrjedhimisht edhe ndërtimit të një shteti funksional demokratik. Arsyeja themelore është se opozita e ka kalbësirën brenda, jo vetëm në krerët e saj, por edhe në mënyrën si e koncepton shtetin, identike me pozitën, si shteti i Nanos apo nesër i Ramës.

Opozita përbëhet në masën e madhe nga nostalgjikë të komunizmit dhe oportunistë. Oportunistët për nga vetë natyra e tyre, nuk kanë lidhje fare me demokracinë, me shtet-kombin apo me sovranitetin, biles as me teresine ideore te partise.

Kategoria që i jep natyrën PS-së, ështe ajo e nostalgjikëve apo edhe apologjetëve të diktaturës. Kjo kategori, nuk e njeh fare parimin e popullit sovran, sepse të jesh nostalgjik i diktaturës, do të thote të jesh pikërisht e kundërta, dmth të shohësh si Sovran Komandantin. Rregullisht, kjo shtresë i jep besnikeri të pakufizuar Komandantëve, Ramizit, Fatosit e së fundmi Ramës. Për këtë shtresë nuk ekziston fare nocioni ‘shteti i shqiptarëve’, në mendësinë e saj ekziston shteti i Enverit, Ramizit, Nanos apo kundërshtarit Berisha.

Prandaj, opozita, duke filluar që nga krerët e saj, tek oportunistët, tek militantët e deri tek apologjetët e komunizmit, nuk përfaqëson asnjë garanci për ndërtimin e shtet-kombit dhe triumfin e demokracisë kombëtare, por përkundrazi përbën një problem madhor. Duke qenë ana tjetër e monedhës, ajo ushqen berishizmin e ushqehet prej tij, ka një simbiozë të frikshme antidemokratike tek raporti PD-PS, të cilën Berisha e ka shfrytëzuar mjeshtërisht, përndryshe s’do të qëndronte kaq shumë vjet në pushtet. Berisha po e kryen prej vitesh atentatin ndaj parimit të sovranitetit popullor, sepse PS-ja nuk përfaqëson kurrfarë alternative demokratizuese. Vijon….

Ledjan Prifti

 

 

 

 

 

 

4 KOMENTE

FERDEROVA

18/04/2012

arrow

Ka tre faktorë kryesorë:

1- konceptimi i shtrembërt që kanë shqiptarët për sovranitetin

2- defiçenca e plotë e shtresës intelektuale dhe shoqërisë civile në nxitjen e demokracisë

3- opozita socialiste, e cila është po aq atentatore ndaj sovranitetit popullor sa Berisha

BRAVOOOOOOOO!ME SAKTE NUK KA KU SHKON…SUKESE RINI,NE ELITE TE DUAM TY!
JOOOO MBI 45 VJEC NE POLITIKE!

Albano

19/04/2012

arrow

O Zot Vetem Te Shikoj Nje Here Shqiprin Madheshtore…Vdekje Ktyre Politikaneve Qe Kemi!!! Jam Nje Djale 22 Vjece i Rritur Qe Ne Vogeli Ne Athinen e Greqis Rraciste Edhe Hajdute…Ishalla Te Tera Kto Qe Po Na Thote Aleanca Ti Realizoje Edhe Jo Ti Harroj Me Vone…Jam Gati Te Bej Gjithcka Per Shqiperin Time…Ne Cfar Do Lloj Kuptimi Te Fjales………

azbi

20/04/2012

arrow

un besoj qe te gjith ne shiptaret ku do qe jetojm e presim me shpirt bashkimin e kombit.shresojm qe AK zi do te jet faktor qe kjo ender e shqiptarve te realizohet.

Gero

20/04/2012

arrow

Ndër shtetet më të vjetra, ku zhdukja e copëtimit feudal të shtetit dha formën fillestare të shtet-kombit, njihen Anglia, Franca, Spagna e Portugalia në shek 15 dhe Hollanda në shek 16.

Ke harruar pa permendur dhe Yllirine ne kete pjese.

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen