ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

Analistë të pavarur me logjikë të kushtëzuar

Pas daljes së Spahiut përballë analistëve në emisionin e Sokol Ballës  (Top Channel), e cila ishte politikisht ngadhënjimtare, nëpër mediat shqiptare ka pasur pothuaj përditë, të paktën një analizë kundër Aleancës Kuqezi. Si gjithnjë kemi të bëjmë me analistë ‘të pavarur’, anipse nuk merret vesh se prej kujt janë të pavarur, duket se janë të pavarur prej logjikës së pavarur.

Ky vrapim drejt kritikës së përditshme, ngjan më tepër si një përpjekje për të cënuar kapitalin politik të mbledhur nga Spahiu, përmes njëfarë ripërmasimi të AK-së nëpërmjet kritikës gati-gati brutale, sesa rrjedhojë logjike e nevojës publike për të kuptuar AK-në. E them këtë sepse në asnjë prej tyre, nuk pashë të analizoheshin arsyet e ekzistencës e suksesit të saj, përtej ca klisheve të zakonshme, që tashmë janë bërë bajate.

Dy nga këto klishe i gjeta tek shkrimi i Maklen Mishës në gazetën Shqip, më ‘i balancuari’ i analistëve, të cilët brenda pak ditëve i ngjeshën kritikat ndaj AK-se, si të ishin palafiq në varg. Më fantaziosi i këtij vargu palafiqsh analistësh ishte  Tonin Gjuraj, i cili tek Mapo foli për koncepte marksiste e fantazi të ngjashme, saqë u shqetësova për shëndetin e tij mendor, meqenëse është rektor i UET-së e ka përgjegjësi të mëdha, jo vetëm private, por sidomos publike.

Kritika e klisheve të Mishes, mbështetet tek dy koncepte, te nacionalizmit populist ( të tjerë klishenë e quajnë patriotizëm folklorik) dhe të ekstremizimit politik  të masave gjatë krizave kryesisht ekonomike. A kanë ndofarë vërtetësie në rastin specifik këto dy koncepte apo janë thjesht klishe, që burojnë nga shabllonizimi nëpërmjet krahasimit me pervojat e vendeve të tjera ?

Në radhë të parë,  kur lëshohet akuza për populizëm apo bëhet karakterizim i tillë, meqë vetë koncepti i populizmit në traditën studimore politogjike nuk ka gjetur dot qartësi, duhet parë me vëmendje nëse bëhet fjalë për përdorimin e tij si sinonim i konceptit të demagogjisë apo në kuptimin e anti-intelektualizmit. Ndërkaq populizëm në kuptimin më të pranuar në politologji do të thotë vendosje e popullit përballë një elite politike të korruptuar, si një dialektike organike (populli historikisht i ndershëm e i virtytshëm, elita historikisht e korruptuar e plot vese).

Në trajtimin e Mishës, duket se ai e përdor krejt turbullt këtë koncept, më shumë si sinonim i demagogjisë, që është edhe një trajtim i rendomtë gazetaresk, ku nuk arrihet të dallohet pothuaj asnjëherë mes demagogjisë dhe populizmit. Misha përpiqet të na thotë nëpërmjet krahasimeve edhe se populizmi i AK-së është një anti-intelektualizëm, por nuk guxon ta shprehë hapur, sepse do të thyente kokën përballë realitetit. Krahasimi me vende të tjerë, ku vërtet ka një qasje anti-intelektuale, i është dukur më i dobishëm për të nxjerrë përfundimin e tij.

Në fakt, Aleanca KuqeZi, përsëriturazi ka thirrur intelektualë dhe ka organizuar tryeza me ta. Fryma intelektuale nuk lidhet vetëm me faktin që figurat kryesore të AK-së, kanë karriera akademike si profesorë universiteti, por sepse thirrja politike e Rilindjes, mbrojtja e kulturës shqiptare e në veçanti e gjuhës, lidhet ngushtë me karakterin intelektual të nacionalizmit historik shqiptar. Inteligjenca shqiptare ka qenë nacionaliste nga 1844-1944 dhe pasardhëse e saj nuk mund të quhet inteligjenca e sotme e Shqiperisë (si  ideal-tip weberian), por inteligjenca e Kosovës (përsëri si ideal-tip weberian). Janë intelektualët e Kosovës ata që më së shumti përfaqësojnë inteligjencën historike shqiptare, pasi në Shqipëri sundon inteligjenca kozmopolite.

Ndërkaq po të vijmë tek përkufizimi politologjikisht më i pranuar, ku populli i kundërvihet një elite të korruptuar, këtu sërisht nuk kemi një hyjnizim të masave përballë parisë, si qëllim në vetvete, sikundër e kërkon përkufizimi, por përkundrazi kemi stigmatizim të kësaj elite, që është në pushtet prej 20 vjetësh. Një nga shtyllat politike të deklaruara të AK-së është pikërisht zëvendësimi i kësaj elite të korruptuar, jo stigmatizimi i elitës në vetvete.

Prandaj për këto arsye, AK-ja nuk paraqet kurrfarë populizmi në kuptimin negativ politik që i jepet këtij, përkundrazi kërkon formësimin e një elite të re politike e kulturore, që buron nga populli, nga kombdashja, e pikërisht nëpërmjet kundërvënies ndaj kësaj elite, të cilës pushteti i vjen nga jashtë popullit, qoftë ndaj asaj politike e qoftë asaj kulturore (në rastin e kozmopolitëve).

Aleanca KuqeZi është lëvizje popullore, por kurrsesi populiste, kërkon elitë të re, por kurrsesi nuk mund të quhet elitiste. Vetëm ato elita, të cilave u buron statusi nga entitete e vlera, jashtë popullit shqiptar e vlerave shqiptare, mund të ndihen të kërcënuara për të ardhmen e statusit te tyre nga Aleanca KuqeZi dhe bëjnë mirë që ndihen të kërcënuara, sepse ndaj tyre është drejtuar gishti popullor për fajet pse jemi në këtë gjendje të mjeruar. Aleanca KuqeZi, ndër të tjera, përfaqëson edhe gishtin që shqiptarët i kanë drejtuar fajtorëve.

Duke qenë se ky gisht fajtorizues buron edhe nga identiteti i nëpërkëmbur kombëtar, atëherë është logjike që mbart një vlerë emotive. Kjo vlerë emotive për Mishën është një element populizmi dhe këtu duket se Misha, sikundër shumë të tjerë, bëjnë ngatërresën e radhës, duke identifikuar peshën që i jepet vlerës emotive me demagogjinë dhe më tej demagogjinë me populizmin. Te arrish nga vlera emotive tek koncepti i populizmit duhet vërtet të bësh kapërcime të llahtarshme logjike, nga ato që të çojnë prej subjektivitetit në shpifje. Këto kapërcime vijnë zakonisht nga keqdashja, prandaj edhe fola për analistë ‘të pavarur’, por që në të vërtetë paraqiten të pavarur prej logjikës së pavarur.

Politika  është në thelb politikë identitetesh, këto mund të jenë pasojë e ndasive sociale, ekonomike, gjeografike, historike, dialektore, kulturore, fetare etj. Nga secila ndasi, prodhohen identitete të ndryshme, të cilat politizohen dhe prodhojnë spektrin politik, të paktën në sistemin demokratik. Nga ndasia ekonomike është prodhuar ndarja klasike e majtë – e djathtë, e pastaj gjithë ndasitë e tjera i janë përshtatur në një formë a tjeter kësaj ndarjeje me bazë ekonominë. Ky primat i ekonomisë me themelet në teorinë marksiste të strukturës e mbistrukturave është vënë thellësisht në dyshim pas shpërbërjes së Bllokut Lindor, por mbijeton për shkak të trashëgimisë historike dhe dialektikës së vlerave, që tashmë shihen si të majta apo të djathta.

Tani, kur politika është politikë identitetesh, kuptohet që identiteti kombëtar përfaqëson padyshim një element esencial politik e kaq esencial është, saqë vetë politika moderne në Shqipëri buron nga dialektika e Rilindjes, mes identitetit kombëtar shqiptar dhe atij shqiptaro-osmanlli të të ashtuquajturve sulltanistë nga historiografia shqiptare.

Sot, kur identiteti kombëtar është vënë në rrezik qoftë nga kozmopolitizmi, qoftë nga krahinizmi, ndasitë fisnore etj, kuptohet se politizimi i identitetit kombëtar përbën një imperativ kategorik, pikërisht për të shpëtuar shqiptarët nga shpartallimi i shtetit-komb, i solidaritetit kombëtar, i vlerave kombëtare etj. Pra, është një reagim legjitim ndaj shthurjes së përgjithshme te shtetit e shoqërisë, shpërbërjes e përmbysjes së rendit normal të gjërave në një shtet-komb. Ka gjë më supreme në politikë, ideal më të lartë, sesa ndërtimi i një shtet-kombi normal (me normal nënkuptohet shteti europian) ?

Për mbijetesën e tyre, identitetet politike mbështeten edhe në vlera emotive, psh të gjithë e duan vendlindjen e tyre, ky identitet lokal është i rëndësishëm në politikën lokale, në zgjedhjet lokale, prandaj edhe oratoria e retorika politike në këto raste zgjon ndjenjën e përkatësise së vendbanimit. Kështu del absurde të kritikosh vlerën emotive kur vetë identitetet politike mbështeten edhe tek ajo vlerë. Ta kritikosh atë do të thotë të kritikosh politikën, të pretendosh depolitizimin e shoqërisë.

Por, oratoria politike e retorika politike në përgjithësi, nuk mbështeten tek vlera emotive  vetëm e vetëm sepse kjo përbën një element esencial të vetë identitetit politik, por edhe për një arsye funksionale të komunikimit politik. Arsyeja funksionale është që mesazhi politik për t’u përhapur nuk mund t’i shpëtojë dot miratimit emotiv të degjuesit, këtë e ka analizuar e pahnxjerrë qartë Aristoteli që para 2400 vjetësh. Nëse oratori, komunikuesi, nuk arrin të ngjallë kureshtje e kënaqësi tek degjuesi, nuk do të jetë në gjendje as të përçoje mesazhin e tij politik.

Prandaj është logjike që ka pasur, ka e do të ketë një element esencial retorik në politikë. Por që këtu, të shkohet tek demagogjia e pastaj tek populizmi, është vërtet e pamundur, duhet një nivel kaq i lartë subjektiviteti saqë kritika shkëputet nga logjika e pavarur për t’u hedhur në krahët e logjikës së kushtëzuar, me anë të së cilës mund të spekullohet e fantazohet lirshëm e të thuren gjithë sofizmat e mundshëm e të imagjinueshëm.

Dallimi mes retorikës e demagogjisë nuk vërehet vetëm tek dy fjalët e ndryshme e aspak sinonimike, por edhe sidomos tek mashtrimi i hapur e i stërmadh, që i bëhet dëgjuesit në rastin e demagogjisë. Për çdo parti të re,  sikur vetëm për faktin që sapo ka lindur e s’ka pasur asnjëherë pushtet, duhet të mbahet nje profil i ulët kritik, sepse për të vërtetuar mashtrimet e stërmëdha të supozuara, nuk mjaftojnë analizat subjektive, por duhet një ushtrim konkret i pushtetit, i cili mund të konfirmojë frikën subjektive. A ndryshe është për Berishën, i cili e ka ushtruar pushtetin për 12 vjet, ka bërë mashtrime kolosale të vërtetuara empikisht apo me socialistët që kanë qenë në pushtet për 8 vjet (kujtojmë demagogjinë e mirëfilltë të kthimit të parave që u humbën në firmat piramidale).

Pra, krejt larg të qenit populiste për ndonjë arsye objektive, gjithë kjo rendje, gjithë ky nxitim, për ta përkufizuar Aleancën KuqeZi si të tille, vjen prej një modeli kryekëput subjektiv të kritikës, që nuk ka kurrfarë lidhje me mendimin e pavarur analitik, i cili supozohet të jetë i pavarur, pikërisht sepse paraqet një nivel të lartë objektiviteti. Ky model subjektiv i kritikës është pasojë e arsyeve të patreguara të analisteve të pavarur, arsye që jane të parrëfyera por jo të fshehta, sepse përtej fryrjes së puplave si të pavarur e me mendim të lirë, gjendet gjithnjë një kushtëzim, i drejtpërdrejtë apo i tërthortë, që buron prej interesave e nevojave ekonomike.

Ledjan Prifti

 

 

3 KOMENTE

Nikaj Merturi

03/03/2012

arrow

Ka ca kohe qe kan dale “opinioniste” me shume se sa kengetare tallavaje.Flasim me fjale te medha qe s’ja dine kuptimin as vete e jo me te kene ndikime ne publik,vjene nje kollare e pretendojne te behen personazhe publike.. Prej politikanesh ,politikberesish e garniturash te tilla kane gjetur mjegull ujqit qe po e zhvasin deri ne palce Shqiperine ,si nga brenda edhe jashte Shqiperise. Kjo eshte arsyeja se shqiptaret sidomos rinia eshte larguar nga politika dhe “serat ” e Forumeve rinore,kane kohe qe s’po “kultivojne” me talente te denja per Eliten e ardhshme shqiptare (kjo nga te 2 krahet). Kjo eshte arsyeja nr 1 pse shqiptaret po rendin pas Kreshnik Spahiut e AK : Pasi ata flasin Shqip e Troc per ceshtjet qe i “djegin me kohe” Shqiptarise ! Ashtu sic nuk e prisnin me nga askush as “elita” as rinia as Diaspora e as banori i fshatit me te humbur i zonave me te thella te Shqiperise ! Vazhdo keshtu Kreshnik se shqiptaret presin prej teje e AK-se nje revolucion te vertete te Shqiptarise qe te perfshije te gjitha shtresat !Nqs do mbetesh ne kete rruge do te te ndjekim e do ti ndajme pasojat ,pasionet,fitoret ,pengesat me ty e me AK-ne ! Na e kane sjelle aty ku s’mban me !!!

Iliaz Graca

03/03/2012

arrow

Artikull esencial, pjesë të tij mund te vihen ne faqen kryesore te sitit dhe ne misionin e AKZ qe duhet azhurnuar e zhvilluar. Pergezime Ledjan.

Naim Boletini

03/03/2012

arrow

Te them te drejten u sforcova shume te kuptoj diçka te sakte e te drejte ne ate shkrim gazetaresk.
Ndoshta edhe per aftesite e mia por edhe per çfar ka ne thellesi ai artikull eshte filozofik ,qe 90%
e AK nuk besoj se e kuptojne.Prandaj i lutemi zotit Ledjo te shkruaj me popullorshe.
Sipas mendimit tim AK i ka rrenjet ne nacionalizem ( qe nuk eshte turp),eshte nje klase politike me
intelektual te mirefillte dhe me nje moshe mesatare shume te re ( marrin pjese shume te rinje)
çfare do te thote qe ka energji te medha gje qe asnje parti tjeter nuk e ka.
Politikan nuk do te thote ,qe sa te marresh votat e mos te besh asgje,perkundrazi te punosh me teper,siç po ndodh aktualisht ne shqiperi.
Te jesh anetare i AK do te thote te jeshe i ndershem atdhetar patriot,te mos kursesh edhe jeten
per lirine ,per shqiperine.
AS nuk me shkon ndermend kurre qe te krahasohem me asnje anetar partie tjeter.
Mendoj sa me shume qe luftohet ideologjia e sales se sa sala.
Sala nje dite vdes ,ideologjia ngelet ,ashtu siç ngeli tek sala ideologjia ENVERISTE.
SALI BERISHA ESHTE VETEM NJE ENVER I DYTE;LERENI NE HARRESE.

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen