ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

Më kërcënuan pse u deklarova shqiptar

Nga Driton Zenku
Plaku i urtë nga fshati Kiçinicë i Rekës së Epërme të Rrethit të Gostivarit, Branko Manojlovski, mori guximin të flasë dhe pohojë me krenarinë më të madhe mbi origjinën e të parëve të tij

Ringjalli kujtesën e vetëdijes kombëtare për shqiptarët ortodoksë të anës së Rekës, të cilët në rrethana të ndryshme i janë nënshtruar asimilimit. Pas pohimit ai ka marrë shumë kërcënime dhe shantazhe.

Ishte reportazhi i publikuar në gazetën “Koha” dhe në “Shqip” gjatë vitit 2011 që sensibilizoi opinionin jo vetëm shqiptar mbi pohimet e plakut të urtë nga fshati Kiçinicë e Rekës së Epërme që mori guximin të flasë dhe pohojë me krenarinë më të madhe mbi origjinën e të parëve të tij – shqiptarë ortodoksë. Edhe pse kishin kaluar dekada nga asimilimi i imponuar i sunduesve të kohës, shtatëdhjetëvjeçari Branko Manojlovski pa iu trembur syri publikisht deklaroi që vazhdimisht dhe ndër vite është ndier dhe ndihet shqiptar, edhe pse zyrtarisht është i evidentuar në dokumente si qytetar me nacionalitet të përkatësisë maqedonase. Pohimet e tij publike mbi përkatësinë kombëtare sa u mirëpritën me zemërgjerësi nga bashkëkombësit e tij, aq u panë me tmerr nga struktura të caktuara njerëzish. Madje, pas prononcimeve të tij publike, Manojlovski pranoi edhe shantazhe, ofendime dhe kërcënime të natyrave të ndryshme, madje edhe kërcënime për jetën. Është i vetëdijshëm për perkusionet që mund të pasojnë, por hyjnore sipas tij, mbetet e vërteta dhe vetëm e vërteta, e cila duhet pohuar si do që të jetë. “Fatkeqësisht, shumë shpejt u ballafaqova me një realitet të hidhur. As disa nga më të afërmit e familjes sime nuk e mirëpriten prononcimin tim publik se jam shqiptar. Dhe, mendoj, nuk po e mirëpresin kryesisht nga frika, meqë ata ende nuk janë liruar nga tmerri i së kaluarës së afërt, i cili zanafillën e kishte qysh kur hapësirat tona etnike i pat pushtuar Serbia imperialiste në vitin 1913. Jam prezantuar siç ndihem dhe siç jam – shqiptar, meqë prindërit, gjyshërit, stërgjyshërit dhe paraardhësit e tjerë i kisha shqiptarë. Me rrëfimet e mia, si dëshmitar autentik i së kaluarës së familjes, fshatit dhe krahinës sime të dashur, Rekës së Epërme, pasuan reagimet. U ndjeva tepër i lumturuar kur vëllai, kushërinjtë, mbesat, po më përgëzonin për sinqeritetin dhe emocionet e mia të shpalosura në opinion.

Pasuan edhe përgëzimet tepër dashamirëse dhe njerëzore të bashkëkombësve të mi, kryesisht të besimit mysliman, tek-tuk edhe të besimit ortodoks. Ndërkohë përmes telefonatave pata edhe kërcënime, të cilat m’u dukën se ishin nga nacionalistët ekstremistë maqedonas. Këto kërcënime i heshta, sepse nuk dëshiroja t’u shkaktoja panik të afërmve të mi. Vetë nuk u ndjeva aspak i frikësuar, jo se shquhem për trimëri, por sepse nuk e di se si më ka përfshirë një dëshirë e madhe të kem fatin të vdes në Kiçinicë, meqë do të kem fat të varrosem në varrezat pranë të parëve të mi, në oborrin e Kishës sonë të fshatit, prej vitesh pothuajse e shkretuar, për shkak të emigrimit tonë”, shprehet i vendosur Manojlovski.

Njëherë na serbizuan, pastaj na maqedonizuan

Mërzitë, shqetësimet, kërcënimet e shtynë atë të thërrasë në ndihmë kujtesën e tij, qoftë për ato që kishte përjetuar vetë, qoftë për ato që kishte dëgjuar nga prindërit. “Mbaj mend, – e si të mos e mbaja mend, – vrazhdësinë e mësuesit tim të parë në Belçicë. Në vitin 1948 në shkollë më dërgoi motra ime, Jelica, pesë vite më e madhe. Asnjë nga fëmijët e fshatrave tanë, kur filluam shkollën, nuk dinim maqedonisht, meqë gjuhë amtare kishim gjuhën shqipe. Mësuesi (jam në dilemë nëse duhet t’i them mësues atij) më rrahu vetëm pse nuk dita si i thoshin kushëririt në maqedonisht. Që aty filluan peripecitë e ballafaqimit tim me asimilim të përdhunshëm gjuhësor dhe etnik”, rrëfehet Manojlovski.

Katragjyshi im – Manojli, thotë ai, i cili jetoi nga viti 1830 deri më 1903, ishte i emigruar në Stamboll, siç ishin emigruar shumë shqiptarë tjerë të këtyre anëve, sepse në vendlindje nuk kishin mundësi jetese. “Manojli dhe vëllai i tij, Lazari, në vitin 1882 ia dolën të ndërtonin atje një hotel, të cilin e emërtuan ‘Arnaut an’, një emërtim që duhet të simbolizojë përcaktimin e tyre etnik. Atëherë ata e kishin mbiemrin Tanashi, sado që ka nga ata që mundohen të më bindin me falsifikime të sajuara nga pushtuesit serbë, se edhe para pushtimit serb stërgjyshërit e mi paskëshin pasur mbiemër të serbizuar-Tanasheviq. Asnjëherë nuk kam dëgjuar ndonjë rekas, të besimit ortodoks, të ketë shprehur dilemën, të kemi qenë ndonjëherë serbë!”, thotë ai.

Në aspektin gjuhësor dhe etnik paraardhësit e mi ia kishin dalë të përballonin asimilimin nga sundimet pushtuese mijëvjeçare romake, bizantino-bullgar, bizantino-serb dhe otomano-turk, shprehet ai. Edhe djali i Manojlit, Dhimitri, i cili jetoi gjatë viteve 1865-1932, fillimisht duhet ka ketë pasur mbiemrin Tanashi. “Pas pushtimit serb në vitin 1913, familjes sonë iu imponua mbiemri Tanasheviq. Atë mbiemër të serbizuar u detyrua ta mbajë edhe djali i Dhimitrit, gjegjësisht babai im-Manojli, i cili lindi në vitin 1903 dhe rrojti deri në vitin 1983. Por pushteti komunist maqedonas familjes sime ia ‘maqedonizoi’ mbiemrin, nga Tanasheviq në Manojlovski. Këtë ndryshim të imponuar e pata përjetuar vet, kur si i ri shkova për herë të parë në zyrë të vendit për të nxjerrë certifikatë të lindjes për motrën dhe u befasova kur nëpunësi ma lëshoi me mbiemër Manojlovski. E kundërshtova, por ai më përzuri nga zyra, me shpjegimin se tashmë ishim maqedonas”, shprehet ai.

Nënat tona nuk dinin asnjë fjalë maqedonisht

Mbretëria serbe, nga viti 1913 deri në vitin 1941, ushtroi politikë tepër barbare ndaj popullsisë shqiptare, të besimit fetar mysliman, ortodoks dhe katolik, por edhe ndaj popullsisë maqedonase. Madje, maqedonasit as që i njihte për popull, kurse shqiptarët myslimanë mundohej t’i tjetërsonte në turq. Por ama përqendrimin fillestar asimilues pushtuesi serb e koncentroi ndaj popullatës shqiptare me besim ortodoks, duke e shpërdoruar për këtë politikë asimiluese edhe kishën nacionaliste serbe dhe besimin e tyre, prandaj shqiptarët ortodoksë i pat “konvertuar” zyrtarisht në serbë.

“Pas formimit të Republikës së Maqedonisë në vitin 1944, një pjesë të familjes sonë përdhunisht iu ndryshua mbiemri nga Tanasheviq në Manojlovski, kurse një pjese tjetër, nga Tanasheviq në Lazarovski, sepse në pushtet erdhën sundimtarë ‘maqedonas’, të adresuar nga nacionalistët sundimtarë serbë, por tashmë të indoktrinuar edhe si komunistë. Siç po vetëkuptohet, në vitet e para të Republikës të sapoformuar të Maqedonisë, pothuajse e gjithë popullsia shqiptare e Rekës së Epërme, ortodokse dhe myslimane, gjuhë komunikimi në shtëpi e ka pasur vetëm gjuhën shqipe. Nënat tona nuk dinin asnjë fjalë në gjuhën maqedonishte ose në ndonjë gjuhë tjetër. Por ama tani, me fëmijët dhe nipërit e mi (në Amerikë) komunikoj kryesisht në gjuhë angleze, kurse me nipat e mbesat e mia këtu, të lindur pas viteve ‘60, më duhet të flas pothuajse vetëm në gjuhën maqedonase. Dhe këta tani po shfaqin habinë e tyre, se përse unë nuk e kam harruar shqipen e prindërve të mi, edhe më shumë po shfaqin habinë, përse unë po potencoj identitetin tim shqiptar”, shprehet Manojlovski.

Flamuri shqiptar në kullat e Manojlovskive

Pas prononcimit publik, kullat e familjes Manojlovski u shndërruan në një konak të madh për gjatë ato bashkëkombës të Brankos, të cilët bënin me kilometra rrugë për të takuar dhe përgëzuar atë, për kurajën, guximin dhe vendosmërinë e tij. Për atë, më pas shkruan gazeta gjithandej, u bënë reportazhe televizive. Lajmi morri dhenë. Në kullat binjake, në oborrin e familjes Manojlovski, valëvitej edhe flamuri kombëtar shqiptar.

“Flamuri ynë kombëtar u rikthye aty ku ka valëvitur një kohë, ngase mbaja mend të më kishte rrëfyer Nëna Zafirë, se me flamur kombëtar shqiptar ishte bërë dasma, kur ishte martuar me babin tim, Manojlin. Kundër vënies së flamurit tonë kombëtar u shprehën edhe ca njerëz të familjes sonë të madhe. Atyre nuk u mjaftonin arsyetimet e mia, se e ndieja për flamur të kombit tim, se me atë flamur ishte bërë dasma e prindërve të mi. Reagimi i tyre po më mërzit shumë, sepse atyre nuk ju ka mjaftuar që janë tjetërsuar në popull tjetër – maqedonas, por paskëshin ruajtur edhe paksa urrejtje ndaj kombit dhe flamurit të prindërve tanë”, thekson plaku nga fshati Kiçnicë.

Gazeta Shqip

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen