ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

Mbi patriotizmin dhe sharlatanët

Ilir Yzeiri

Është fakt se kohët e fundit vihet re një gjallërim i lëvizjeve që kanë si shenjë nacionalizmin, patriotizmin, atdhedashurinë, simbolet dhe shenjat kombëtare. Në ballë të tyre është Aleanca Kuqezi, e cila synon që të rivlerësojë dhe të ridimensionojë vlerat e asaj që quhet shqiptari me anë të ideologjisë së njohur të shqiptarizmës. Është hera e parë pas shpalljes së Pavarësisë që një Lëvizje si kjo e shtrin veprimtarinë e saj në të gjitha trevat ku banojnë shqiptarë. Ajo ka lindur në Shqipëri, pastaj është përhapur në Kosovë, në Maqedoni dhe lëviz nëpër Evropë e SHBA për të mbajtur ndezur ndjenjën e shqiptarizmës edhe ndër emigrantë.

Megjithëse nisi si një reagim ndaj ndërrimit të identitetit në fillim dhe megjithëse u shfaq si kundërshtuese e censusit më pas, ajo arriti që të tejkalojë këto përmasa dhe të shfaqet si një formacion i organizuar rreth ideologjisë së shqiptarizmës që në mënyrë simbolike shënjohet me dy ngjyrat e flamurit tonë kombëtar – kuq e zi. Mirëpo, menjëherë pas kësaj, në tregun e ideve shqiptare, në media apo në forume politike nisi të përtypet ky ushqim i ri. Nëpër dhëmbët e vënë rishtas me porcelan opinionesh nisi të përtypet e të mbllaçitet argumenti i radhës: nacionalizmi, flamuri, patriotizmi, Kosova, Çamëria, bashkimi i shqiptarëve në një shtet të vetëm e gjithfarë punësh këso dore. Meqenëse tregu ku debatohen idetë këtu te ne ngjet me ato marketet që janë hapur në hyrje e në dalje të Tiranës dhe meqenëse aty ku shiten të brendshme burrash dhe të linjta grash shiten edhe libra autorësh mediokër, është e kuptueshme që në këtë super-market provincial sharlatanët të nisin e të shesin apo të tregtojnë edhe idetë që lidhen me atdheun, me flamurin apo me shenja të tjera kombëtare. Sharlatani është një tregtar që bërtet me zë të lartë dhe kërkon të tërheqë vëmendjen e klientëve për mallin e tij. Me kohë kuptimi i parë i kësaj fjale ka rënë dhe te ne kjo fjalë ka ardhur e ngarkuar me një kuptim tjetër, me atë të njeriut që kërkon të shesë jo ato që ka mundësi e fuqi në tru, por më shumë nga sa ia nxë mendja. Aq i pështirë bëhet ky tip sa guxon të të shesë çdo gjë, të të flasë për çdo gjë dhe të të mbushë mendjen se e vërteta është pronë e tij.

Mirëpo debati që ka lindur kohët e fundit është një çështje më serioze se sharlatanizmi. Për këtë mjafton të orientohesh me disa shenja që të kuptosh se të duash atdheun tënd, gjuhën tënde dhe të gjithë ata që flasin gjuhën tënde nuk ka asnjë gjë të keqe. Se të duash edhe fqinjët e tu, të duash edhe ata që kanë ngjyrë të ndryshme nga lëkura jote, që flasin një gjuhë tjetër nga ajo që flet ti edhe kjo është një shenjë se ti e do dhe e çmon identitetin tënd si evropian dhe si shqiptar. Ka shumë thënie që dallojnë patriotizmin nga nacionalizmi. Unë pëlqej atë të Sharl dë Gol. Ai thoshte: «Patriotizëm do të thotë të duash atdheun tënd. Nacionalizëm do të thotë të urresh atdheun e të tjerëve”.

Nëse do të shohim historinë e shqiptarëve, në të nuk gjen askund dhe asnjëherë asnjë fije nacionalizëm. Nuk ka në historinë tonë të re apo të vjetër një shenjë nacionalizmi. Pra, ne nuk kemi urryer kurrë atdheun e të tjerëve. Përkundrazi, ngandonjëherë e kemi çmuar më shumë se ç’duhet. Historia jonë, siç thoshte albanologu ynë i madh Çabej, është një histori restrikcioni dhe jo ekspansioni. Në rrymë të shekujve ne jemi rrudhur si komb, si atdhe, si tokë, si territor dhe nuk kemi sulmuar askënd, nuk kemi marrë tokën e askujt. E kundërta ka ndodhur gjithmonë.

Mirëpo, në tregun e ideve që ngjajnë me supermarketet provinciale në hyrje e në dalje të Tiranës, propagandohet një lloj internacionalizmi proletar, në kuptimin që ne shqiptarët duhet të heqim dorë nga dashuria për atdheun dhe të drejtat që na janë mohuar. Ato do të zgjidhen kur të triumfojë internacionalizmi proletar i Marksit, në të largëtën kohë kur do të zhduken kufijtë, siç thotë një poezi shqiptare. Mirëpo një gjësend që nuk përmendet në këtë debat është identifikimi.

Shqiptarët sot më shumë se asnjëherë tjetër janë në një krizë identifikimi, në një krizë modeli. Për mendimin tim rikthimi te modeli i shqiptarizmës, siç po bën Aleanca Kuqezi, është një vijim i palzmimit të identitetit shqiptar sipas modelit të rilindësve, në thelb të të cilit ishte platforma: feja e shqiptarit është shqiptaria. Të shpallësh një devizë të tillë nuk ka asnjë gjë të keqe. Sot në Evropë identiteti i shteteve jo vetëm që nuk po shuhet, por po përndizet gjithnjë e më shumë. Ne kërkojmë të integrohemi në familjen evropiane.

Mirëpo, Evropa gjithnjë e më shumë po na kërkon që të rindërtojmë identitetin tonë. Identiteti është imazh, është fotografia jonë. Për fat të keq, imazhi që ne kemi transferuar nëpër botë është shumë i mbrapshtë dhe na e nxjerr portretin tonë të deformuar. Ne përfytyrohemi sot në Europë si popull me tiparet më negative, si banditë e kriminelë të dhunshëm, si shoqëri që nuk dimë të ndërtojmë një shtet të së drejtës, si një vend ku zotëron krimi dhe korrupsioni. Vështruar nga kjo pikë, ne kemi nevojë që të ridimensionojmë identitetin dhe imazhin tonë. Ne duhet të përmirësojmë imazhin tonë dhe Aleanca Kuqezi dhe çdo lëvizje tjetër që rreh të lartësojë tiparet e shqiptarëve duhet mbështetur e duhet lavdëruar. Ne kemi një flamur shumë të bukur dhe nuk ka asnjë gjë të keqe nëse këtë flamur e bëjmë shenjë të dallueshme të identitetit tonë. Të njëjtën gjë bëjnë edhe amerikanët dhe evropianët. Ne kemi personalitete të kalibrit botëror si Nënë Tereza e Kadare. Ndaj promovimi i tyre është gjithashtu shenjë se ne duam të theksojmë identitetin dhe të përmirësojmë imazhin tonë. Ne kemi një atdhe shumë të bukur dhe promovimi i tij është gjithashtu një shenjë se ne e duam atdheun tonë. Ne sot jemi mbi shtatë milionë shqiptarë që jetojmë në tri a më shumë shtete. Theksimi i këtij fakti nuk ka pse të na bëjë të ndjehemi të turpëruar, përkundrazi duhet të na bëjë të ndjehemi një faktor i rëndësishëm që nesër duhet të llogaritemi mirë kur të bëhet fjalë për tregjet financiare dhe ekonomike. Para disa kohësh më bëri përshtypje një analizë e një studiuesi në mos gaboj nga Bosnja që thoshte se shqiptarët do të marrin një peshë të rëndësishme në Evropën e nesërme, në NATO apo në BE, sepse ata do të kenë tri vota. Ai thoshte se perspektiva e Ballkanit është që në BE dhe në NATO nesër të jetë edhe Kosova e Maqedonia. Mirëpo, kjo do të thotë që në këto organizma shqiptarët të kenë shumicën, sepse ata kanë tri vota. Ai llogariste që edhe shqiptarët në Maqedoni do të marrin peshën e duhur në të ardhmen pa të ardhme të atij shteti. Ndaj më shumë se shqiptarët, për bashkimin e tyre në një shtet të vetëm nesër do të jetë Evropa dhe të tjerët që do ta kërkojnë një gjë të tillë. Vështruar në këtë pikë, të jesh patriot sot kjo nuk është një modë e vjetruar. Ndërkaq është e vërtetë se ne sot qeverisemi nga një shtet që nuk e do këtë vend. Për qeverinë e Kosovës ka shumë kritika, por unë nuk ia lejoj vetes të shprehem për të për sa kohë kufijtë administrativë mes shqiptarëve kanë prodhuar dy shtete.

Unë jam i fyer dhe i zhgënjyer me qeverinë time, sepse ajo nuk e do këtë vend. Qeveria shqiptare e Sali Berishës e ka shkatërruar imazhin e vendit tim dhe e ka zhbërë identitetin e shqiptarëve. Për shkak të kësaj, ne etiketohemi si vend që nuk di të ndërtojë demokracinë, që vjedh votat, që po instalon një ekonomi kriminale me gangsterë e batakçinj, që vret protestues, që po e kthen demokracinë në një sistem të neveritshëm, në një parajsë për hajdutët e veshur e të lidhur me pushtetin dhe në një ferr për njerëzit pa përkrahje. Për shkak të kësaj qeverie ka humbur solidariteti mes njerëzve dhe është shtuar urrejtja sociale, është rritur indiferenca dhe atdheu shihet si një shans i humbur. Ndaj rilindja e vlerave që kanë shqiptarët edhe nën emrin e riaktivizimit të vlerave e të simboleve shqiptare është një shenjë e mbarë që duhet të na bëjë të gjithëve krenarë dhe të vendosur që të mos lejojmë më që të qeverisemi nga banditë që e përdorin nacionalizmin si strehën e fundit të horrave. Ai që e do këtë vend kryen detyrën dhe largohet, i çel rrugën tjetrit. Ne nuk kemi nevojë të projektohemi e të identifikohemi te simbole të turpshme, siç është ai i kryeministrit aktual. Ne gjithashtu duhet të kërkojmë që të vihet në vend padrejtësia çame, që shqiptarët në Maqedoni të fitojnë të drejtat e njohura nga Marrëveshja e Ohrit, që gjuha shqipe atje dhe historia e shqiptarëve të mos margjinalizohen, që shqiptarët atje në e dashtë puna të kërkojnë ndarjen e Maqedonisë, që Veriu i Kosovës dhe Lugina e Preshevës janë troje shqiptare dhe për sa kohë nuk ka përfunduar në Ballkan procesi i formimit të shtet-kombeve, ne ashtu si serbët do të kërkojmë që të mos na tjetërsohet asnjë pëllëmbë territor. Dhe kjo nuk është nacionalizëm.

Dua ta mbyll këtë shkrim me një shembull. Para disa kohësh PS-ja dhe Edi Rama kryen një procedurë të panjohur më parë për zgjedhjen e Avokatit të Popullit. Më në fund u zgjodh Igli Totozani. Ky model nuk u analizua siç duhet dhe nuk u përtyp nga dhëmbët me porcelan të atyre që shesin e blejnë ide. Në fakt ishte hera e parë që u promovua një intelektual i ri, i shkolluar jashtë, me integritet të plotë profesional dhe jashtë të gjitha klaneve të neveritshme të politikës. Ky model është një shpresë që na tregon se ky vend mund të bëhet dhe se ky vend i ka njerëzit këtu dhe se ky vend mund të ndahet nga kasta e kriminalizuar e politikës së këtyre 20 vjetëve, se ndërrimi i elitave politike mund të realizohet, se besimi te një brez më i pakompleksuar dhe me më shumë ide e pasion mund të kryhet. Ky model është një shenjë se atdheun mund ta duash kur refuzon dhe heq dorë nga urrejtja për të, kur atdheun nuk e sheh si një lopë që mund të milet pa fund apo si një bankë që mund të vidhet e plaçkitet nga cubat me maska. Në këtë kuptim sot është me të vërtetë koha që të fillojmë të ndjehemi krenarë se jemi shqiptarë, është koha të përpiqemi të gjithë që ta duam këtë vend dhe ta shpëtojmë të ardhmen e fëmijëve tanë nga ata që nuk e duan atdheun, që nuk na duan ne dha as fëmijët tanë. Kështu ndoshta mund të fillojmë që të dukemi ndryshe në pasqyrën e nesërme të Bashkimit Evropian.

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen