ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

Intervistë e Kreshnik Spahiut: Kur akuzojnë miqtë e Al Qaedës

Kreshniku dhe Salsano

Prej pak ditësh, Aleanca Kuq e Zi u regjistrua zyrtarisht si parti politike dhe po përgatitet për zgjedhjet e ardhshme të 2013-ës. Çfarë pret lideri i saj, Kreshnik Spahiu nga këto zgjedhje, janë të majtë apo të djathtë votuesit e AK-së dhe një përgjigje për akuzat si “parti turke”

Renato Kalemi/Revista Klan

Ndërsa i çon herë pas here sytë nga disa vargje të At Gjergj Fishtës, shkruar në murin e tij, përkrah logos së Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu shprehet i bindur se në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme partia e saporegjistruar në Gjykatë, do të dalë forcë e parë në disa qarqe të vendit. “Sondazhet tona, por dhe të kundërshtarëve, na nxjerrin forcë të parë”, thotë ai, pa dhënë një përgjigje të saktë nëse AK-ja do të marrë vota të majta apo të djathta. Drejtuesit e dy partive të mëdha, PD dhe PS, e hedhin AK-në sa tek njëra anë në anën tjetër, duke mos pranuar se do të dëmtohen prej saj në votimet e 2013-ës. Spahiu thotë se akuzat që i bëhen janë një lloj frike ndaj popullaritetit në rritje të Aleancës Kuq e Zi. Me këtë i lidh edhe akuzat e fundit se AK-ja është “parti turke” apo se vizita e tij në SHBA është financuar nga fonde turke. E për këtë çështje shkon edhe më tej: “Disponojmë prova që disa drejtues dhe deputetë të PD-së kanë qenë thjesht studentë shëtitës në fondacionet islamike që kanë financuar Al Qaedën. Ndoshta duhet pyesni ç’kanë dashur në Libi në mesin e viteve 90-të dhe kush i ka dërguar, nëse keni ndonjë kuriozitet për lidhjet e politikës shqiptare me botën arabe dhe Al Qaedën”.

– Pak ditë pasi u regjistruat zyrtarisht si parti politike, dy partitë e mëdha duket se po debatojnë me njëra-tjetrën për votat e cilit krah do të merrni ju në zgjedhjet e 2013-ës. Sipas jush, çfarë janë votat e Aleancës Kuq e Zi, të majta apo të djathta?

Alenca Kuq e Zi nuk është një parti që e ka prodhuar Kreshnik Spahiu dhe si e tillë ajo nuk mund të jetë një objekt i numërueshëm apo identifikueshëm sikur anëtarët e saj të ishin prodhim fabrike. Unë jam në krye të një lëvizjeje që e ka prodhuar shoqëria shqiptare. Kjo lëvizje është prodhuar nga zhgënjimi që ka lindur prej dy partive të mëdha që kanë sunduar prej 22 vitesh politikën shqiptare. Ajo është një lëvizje e re, një lëvizje e cila refuzon t’i referohet të shkuarës, por është një aspirante për të ardhmen. Është fyese për ne të diskutojmë nëse jemi pasardhës të PD apo PS. Ne nuk jemi pasardhës, ne jemi qytetarë shqiptarë që duam të ardhme. Këtë të ardhme na e ka penguar PD dhe PS.

– Duke u nisur nga mbështetja që keni marrë gjatë kësaj periudhe dhe perceptimit tuaj në përgjithësi, çfarë pretendon AK-ja në zgjedhjet e ardhshme? Të jetë forca e tretë në vend?

Sondazhet tona, por dhe të kundërshtarëve, na nxjerrin forcë të parë në disa qarqe të rëndësishme në vend. Siç mund ta keni vënë re, dy sulltanët kur zihen me njëri-tjetrin citojnë sondazhe të papublikuara që i referohen përqindjes sonë të lartë. Vetëm që nuk tregojnë përqindjet e tyre, që janë nën 33 për qind.

– Në Shqipëri ka parti të majta, të djathta, të qendrës, të ekstremit etj. Ku e gjejmë AK-në? A jeni parti nacionaliste, siç ju etiketojnë shpesh?

Ne jemi një lëvizje politike që vjen nga refuzimi politik si i të majtës dhe së djathtës. Të qenurit i majtë apo i djathtë në Shqipëri është një keqkuptim historik. Në Perëndim, e majta dhe e djathta dallohen nga programi ekonomik dhe social dhe nga profili publik i liderëve, kurse tek ne e majta dhe e djathta janë hipoteka të komunizmit. E majta quhet e majtë se trashëgon elektoratin e ish Partisë së Punës; e djathta quhet e djathtë se trashëgon elektoratin që ka refuzuar Partinë e Punës. Por, në të vërtetë e majta tek ne ka bërë plot reforma të djathta dhe e djathta po bën, siç e shihni, plot reforma të majta. Për këtë arsye koncepti ynë për të majtën dhe të djathtën nuk është koncept hipoteke, pra ne nuk trashëgojmë asgjë nga e kaluara. Ne do të bëjmë një program centrist, do të synojmë një projekt ekonomik që të fuqizojë ekonominë shqiptare, do të ruajmë dhe do t’i japim prioritet prodhimit vendas, do të kalojmë në sitë gjithë konçesionet e dhëna në mënyrë klienteliste dhe do të ndjekim një politikë sociale që nuk bazohet mbi mëshirën, por mbi ndihmën që të vetëqeverisen njerëzit në nevojë.

Refuzoj të flas sot për partnerët ndërkombëtarë të kësaj lëvizjeje, pasi jemi të fokusuar tek shoqëria shqiptare dhe jo tek partitë simotra ndërkombëtare.

– Por, sidoqoftë gjithkush ju mendon si parti nacionaliste, apo jo?

Po. Ne nuk druhemi të ndjehemi nacionalistë. Por, nacionalizmi ynë nuk është nacionalizëm etnik dhe as fetar. Ne ngulmojmë të promovojmë vlerat shqiptare, krenarinë shqiptare, historinë tonë, dhe të ndërtojmë një histori suksesi në Shqipëri. Ne jemi patriotët e rinj të Shqipërisë, që duam që vendi ynë të jetë krenar, duke shmangur nga drejtimi i tij liderë të pafuqishëm për të marrë vendime për vendin e tyre. Shikoni Sali Berishën. Ai betohet se merr vetë vendime, vetëm për karrigen e Presidentit. Për gjithë të tjerat është gati të dëgjojë serbë, grekë, të huaj, miq dhe armiq të Shqipërisë. Vetëm për Presidentin që i duhet për pushtetin tij bën si nacionalist që nuk pyet njeri. Ky në të vërtetë është pseudonacionalizëm, është një gjest regresiv, që nuk përputh aspiratat perëndimore të Shqipërisë me vizionin e qeverisjes. Ne jemi një forcë properëndimore, një lëvizje që synon ta çojë me dinjitet Shqipërinë në Evropë. Ne duam të shkojmë në Evropë me hapin që na takon, meritën që na takon dhe jo me karvanin e kafshëve politike që na drejtojnë. Ne e kemi bindje se dinjiteti kombëtar i këtij vendi është rrënuar nga fakti që klasa politike e tij është e kapur nga pazaret që bën për t’u pasuruar dhe për të qëndruar në pushtet në mënyrë jolegjitime. Ne do ta ndryshojmë këtë histori.

– Ju jeni figura publike e AK-së, çka automatikisht ju ka bërë edhe drejtuesin e saj. Por, nuk është i paktë kurioziteti mbi figurat e njohura që janë pjesë e AK-së. Mund të na thoni ndonjë emër të njohur në shoqërinë shqiptare, politikan, që janë mbështetës të AK-së?

Aleanca Kuq e Zi ka mbështetjen e njerëzve më të devotshëm të vendit. Ideja se figurë publike apo politike është ai që promovon Berisha, është një keqkuptim i madh. Ju e mbani mend historinë e kolonelit në lirim Myslym Pasha. Ai ishte një njeri i papunë dhe i panjohur. Shoqëria civile shqiptare dhe shteti shqiptar, të mirëpaguar dhe mirësponsorizuar dhe nga të huaj, kishin 20 vjet që promovonin figura njerëzish patriotë për fasadë. Mjaftoi projekti i tij personal për të denoncuar shitjen e kufijve detarë me Greqinë dhe Myslym Pasha u bë hero kombëtar për dy muaj. Askush nuk e njihte para dy muajsh. Për dy muaj ai mundi shtetin, tradhtarët e tij, dhe gjithë shoqërinë civile që erret e gdhihet në ekrane. Ky është sot një nga figurat e Aleancës Kuq e Zi. Si ky ka dhjetra të tjerë. E mora si shembull për t’ju thënë se ne nuk kemi prirje të bëhemi të njohur nga ekranet, por nga veprat. Dhe keni për ta dëgjuar krismën tonë.

– Një çështje e ditëve të fundit është debati i hapur nga revista “Mapo”, e cila e etiketon AK-në si një “parti turke”. Madje, ajo thotë se udhëtimin tuaj në SHBA dhe agjendën juaj ka siguruar një fond turk. Sa e vërtetë është kjo dhe a mund të na tregoni diçka më shumë për vizitën tuaj në SHBA; për ta sqaruar një herë e mirë këtë gjë?

E kam theksuar në një intervistë disa ditë më parë, se e gjitha është një sulm i Berishës, për të neutralizuar vizitën time në SHBA dhe popullaritetin në rritje të Aleancës Kuq e Zi. Është një nocion primitiv, që tenton të fyejë SHBA-në si vend ku shkohet me çantë me para. Dhe nga ana tjetër është vazhdim i shkollës së vjetër politike të Berishës, që kundërshtarët e tij janë doemos dhe armiq të Kombit. Qesharake është se këtë radhë nuk guxon të na bëjë më agjentë grekë apo serbë, se me ta është bërë shumë mik, por i është dukur më interesante Turqia.

– Akuzat e këtij lloji ndaj jush nuk janë të parat. Një akuzë të ngjashme ka lëshuar disa kohë më parë edhe deputeti PD, Alibeaj, i cili hodhi aluzione mbi origjinën tuaj. A keni kontakte turke? Përse mendoni se ju bëhen këto akuza?

Ka rastisur që gjeneza e prindërve të mi është një simbol uniteti për shqiptarët. Babai im është me origjinë nga Prizreni, ndërsa nëna nga Libohova, nga një skaj jugor i Shqipërisë. Por, do të isha po kaq krenar të ishin nga çdo vend tjetër i Shqipërisë. Disponojmë prova që disa drejtues dhe deputetë të PD-së kanë qenë thjesht studentë shëtitës në fondacionet islamike që kanë financuar Al Qaedën. Ndoshta duhet pyesni ç’kanë dashur në Libi në mesin e viteve 90-të dhe kush i ka dërguar, nëse keni ndonjë kuriozitet për lidhjet e politikës shqiptare me botën arabe dhe Al Qaedën.

– Në fakt ai këmbëngul për Turqinë?

E di që fondamentalistët e Al Qaedës shpesh e shikojnë Turqinë si një vend tradhëtar, por ky është problem mes arabëve radikalë si Ali-bej e Berisha, dhe Turqisë, e jo i imi si kreu i Aleancës Kuq e Zi. Mua më pyesni për problemet mes meje dhe tradhëtarve të Shqipërisë, jo tradhëtarëve të Bin Ladenit. Për ta pyesni Ali-bejnë dhe shefin e tij Salih.

– Nëse do t’ju ofroheshin marrëveshje parazgjedhore, a do të pranonit? Qoftë me PD, qoftë me PS, apo parti të tjera që mund të formohen deri në 2013?

Në parim, nuk do të pranojmë marrëveshje parazgjedhore. Jemi të prirur të shkojmë të vetëm në zgjedhje, biles as me koalicione të treta. Por, kjo është një taktikë elektorale për të cilën nuk mund të vihen sot pikat mbi “i”. Në momentin e duhur do marrim vendimin më të mirë për Aleancën Kuq e Zi.

– Sistemi zgjedhor është i tillë që dominohet nga koalicionet dhe jo nga fuqia e një partie të vetme. A i keni bërë mirë llogaritë?

Unë shpresoj që do të marrim vendimin e duhur. Me llogaritë e sotme nuk kemi nevojë për koalicione. Por, gjithçka do të vendoset në fund, para fushatës. Kemi ende përpara reformën zgjedhore dhe përpjekjen për ta dominuar atë sërish Berisha dhe Rama.

– Meqë jemi tek reforma zgjedhore: Cilat janë kërkesat tuaja?

Kërkesa jonë kryesore është korrektimi kombëtar. Ky është kriteri që na jep përfaqësimin e duhur në pushtet. Maksimumi i kompromisit është barazimi i deputetëve në çdo zonë, fjala vjen 14 zona me nga dhjetë deputetë apo 10 zona nga 14 deputet, apo një zgjidhje tjetër, që barazon çdo votë në çdo vend të Shqipërisë. Ne kemi shtrirje të njëtrajtshme në gjithë Shqipërinë. Nuk presim të mbijetojmë nga xhepa apo bastione.

Një pikë tjetër e rëndësishme e jona është verifikimi i qytetarëve shqiptarë që janë jashtë Shqipërisë. Kur të mbyllen listat zgjedhore, ne duam që përmes programit TIM të deklarohen shqiptarët emigrantë që janë jashtë Shqipërisë dhe të hiqen nga lista e votimit, me qëllim që askush të mos mbushë kutitë në emër të atyre këtu. Ata duhet të votojnë aty ku janë. Kush refuzon votën e emigrantëve atje ku janë, kërkon ta vjedhë atë për interesa të tyre dhe të shmangë opinionin e tyre real për qeverisjen e Shqipërisë. Të mos harrojmë se ky vend u shndërrua nga emigrantët . Janë paret e tyre që ndërtuan Shqipërinë dhe mungesa e tyre që lë mafien në pushtet.

– Ju duket se jeni çdo ditë në fushatë. A do t’ju mbajnë këmbët deri në zgjedhje?

Problemi i vetëm që kemi është, a do kemi fuqi të përballojmë presionin e njerëzve që na bashkohen çdo ditë. Ne jemi një lëvizje që rritemi çdo ditë. Problemi ynë nuk është mbijetesa, por mbingarkesa. Ne po e përballojmë atë.

NJË KOMENT

TAFAJ

04/04/2012

arrow

SALI O I KORRUPTUAR ,,,,,,SHQIPERIN E COPTUAR . DUHESH TA DISH MIRE O SALI SE ALEANCA KUQEZI NUK KA FRIKE NGA TI .

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen