ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

Kreshnik Spahiu: PD bashkoi votat me Dulen e Athinës sepse është në minorancë

 

Kreshnik Spahiu ka reaguar ashpër pas votimit në Kuvend të raportit të Komisionit Hetimor për shkarkimin e tij. Z. Spahiu vë në dijeni opinionin publik se parlamenti i Shqipërisë, mazhoranca qeveritare ndërmori një veprim të paprecedentë duke votuar shkarkimin e një zyrtari, i cili më 10 Shkurt të këtij viti dha dorëheqjen e parevokueshme nga posti dhe mandati i tij.

“Kam një muaj që jam kuqezi dhe jo në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, ajo që pame dhe panë mbarë shqiptarët është një hakmarrje e verbër politike e Partisë Demokratike ndaj meje. Hetimi i komisionit të drejtuar nga Ali-Beu taleban nuk arriti të nxirrte asnjë shkelje financiare gjatë ushtrimit të detyrës sime”.

Z. Spahiu e cilësoi votimin e 69 deputetëve të mazhorancës, ndër to edhe të Vangjel Dules, si çertifikatë e pastërtisë së karrierës së tij. “Verdiktin e gjithë kësaj do ta japë populli në 2013-n, pasi kuvendi tregoi faqezinjtë dhe kuqezinjtë, ashtu sikundër bëri Gjykata Kushtetuese muaj më parë. Komisioni i Ali-Beut gërmoi shumë për personin tim dhe në fund më akuzon vetëm politikisht. Tre kontrolle u angazhuan në KLD, të cilët kanë marrë në zotërim të gjitha dokumentet e nevojshme, fillimisht Kontrolli i Lartë i Shtetit që ndërpreu auditimin për t’i hapur rrugë një ekipi të përbërë prej tre personash të autorizuar nga Ministria e Financave dhe Qeveria, të cilët u tërhoqën brenda 24 orëve dhe më tej u pasuan nga 5 persona të autorizuar nga Kuvendi i Shqipërisë për dijeni të Komisionit Hetimor. Në fund, Partia Demokratike bashkoi votat me Dulen e Athinës për të nisur proçedurat e shkarkimit për një ish-titullar të dorëhequr afro një muaj më parë”.

“Votimi i sotëm tregoi në sytë e shqiptarëve, se mazhoranca nuk është më e tillë, por tashmë ajo ka mbetur minorancë dhe ditë pas dite tkurrja e saj nuk do të ndalet”- përfundoi Kreshnik Spahiu në reagimin e tij.

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen