ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

Kosova në udhëkryq

Ditët e fundit kanë qenë tepër të zjarrta në Kosovë, për shkak të diskutimeve Serbi -Kosovë rreth mënyrës së përfaqësimit të kësaj të fundit në forumet ndërkombëtare. Dje marrëveshja u arrit e sikundër pritej pati të kënaqur e të pakënaqur. Ndërsa të pakënaqurit kanë një qëndrim unik, nuk po merret vesh se përse të kenaqurit janë të tillë.

Të kënaqur jane serbët, qeveria e Kosovës, amerikanët, europianët dhe krerët e Shqipërisë, por secili ështe i kënaqur për një arsye të ndryshme nga tjetri, dikush thotë Serbia njohu Kosovën, tjetri ia pret se Serbia nuk e njohu Kosovën, por ruajti integritetin serb, më në fund ndërkombetaret thonë se edhe Serbia e njohu Kosovën, por edhe Kosova njohu rezolutën 1244, me pak fjalë, një rrëmujë e stërmadhe ku s’bëhen dot bashkë dy mendime.

Logjika ta do që ne rast se serbët janë të kënaqur, shqiptarët duhet të jenë të pakënaqur, e në këtë rast do të kemi që Serbia u futi shqiptarëve dy këmbët në një këpucë. Në fakt, këtu logjika s’pi fare ujë, një palë po rren haptazi kur shpreh kënaqësine dhe duke marrë parasysh fjalët e Thaçit se ‘nuk është plotësisht i kënaqur’ dhe se ‘u bë më e mira e mundshme’, atëherë duket se serbët kanë triumfuar në bisedime, sepse kanë marrë maksimumin e mundshëm.

Serbia e ka njohur de facto Kosovën që në çastin kur u ul për bisedime, pasi duke e pranuar si palë i ka njohur të drejtën e bashkëvendimmarrjes për dy entitete të ndryshme shtetërore. Prandaj duket absurde të gëzohesh që Serbia njohu de facto Kosovën me anë të përfundimit të marrëveshjes. Po kështu që të fitosh të drejtën të ulesh në forumet e mërzitshme rajonale, të cilat nuk i konsideron askush, duke pranuar ‘mospavarësinë tënde’, nuk duket ndonjë gjë për t’u gëzuar.

Fitimtarët e mëdhenj në këtë mes duken ndërkombëtarët, sidomos qarqet pro-serbe të Brukselit, pasi kështu mund t’i japin Serbisë statusin e kandidatit dhe të shpresojnë se për anëtarësimin e saj, do t’i kërkojnë Serbisë të njohë  pavarësinë e Kosovës. Ndërkaq Kosova heq dorë nga kërkesa e Pavarësisë de jure për ta kërkuar në një moment të dytë, kur Serbia të jetë në prag të hyrjes ne BE.

Amerika, në strategjinë e saj të tërheqjes nga Ballkani, për t’u përqendruar ne Lindjen e Mesme kundër Iranit e të Largmen kundër Kinës, e sheh pozitivisht meqë një qendrim i papërkulur i Kosovës do e detyronte të shtynte planet e saj të tërheqjes. Amerika është e kënaqur, sepse i realizoi interesat e veta. Por Amerika do të kish qenë njësoj e kënaqur sikur Serbia të njihte Pavarësinë e Kosovës e ta linte Ballkanin të sigurtë, ajo ishte e fituar në çdo rast, me cilëndo marrëveshje që do të arrihej, mjaft që të nënshkruhej një marrëveshje.

Kështu, ndërsa triumfon Serbia, e cila nuk devijon aspak prej parimit të saj të njohur ‘Edhe Europën, edhe Kosovën’, ndërsa triumfojnë europianët, të cilët kanë më shumë interesa ekonomike në Serbi, sesa në Kosovë, ata që nuk duket të triumfojnë aspak janë shqiptarët, të cilët heqin dorë nga Pavarësia de jure, për përfitime të papërfillshme.

Tash po duan ta shesin marrëveshjen si një situatë win-win, dmth ku fitojnë të gjithë, mirëpo këtu kemi të bëjmë me një zero sum game, dmth me një lojë ku dikush humbet aq sa fiton tjetri dhe rezultati final i mbledhjes është zero.

Kush mund të thotë dot që parimi serb ‘Edhe Europën, edhe Kosovën’ është shkelur nga ana serbe ? E pra, atë që serbët kanë fituar  nga mosshkelja e këtij parimi e kanë humbur domosdoshmërisht shqiptarët.

Interesat shqiptare në Kosovë, duhet të shtynin  që Serbia të zgjedhë o Europën, o Kosovën, nuk mund t’i lejohet Serbisë që t’i pretendojë të dyja.

Në marrëdhëniet ndërkombëtare njihet si i vlefshëm parimi i ndryshimit esencial të rrethanave, që thotë se asnjë marrëveshje e traktat ndërkombëtar nuk mund të quhet i vlefshëm në rast se arrin një pikë ku gjendja de facto është esencialisht e ndryshme nga gjendja kur u nënshkrua marrëveshja apo traktati.

Rezoluta 1244 e bën Kosovën protektorat ndërkombëtar, nëpërmjet pranimit të rezolutës, Kosova nuk bën gjë tjetër veçse pranon protektoratin ndërkombetar si gjendja faktike e saj, pra mohon Pavarësinë. Mirëpo këtu fajin e kanë ndërkombëtarët, sepse nëse do të lejonin një ushtri shqiptare në Kosovë, atëherë do të binte poshtë përfundimisht edhe rezoluta 1244, sepse përveç pavarësisë do të kishim edhe ushtrinë e Kosovës, pra do të përfitohej nga parimi i ndryshimit esencial të rrethanave.

Përndryshe sa më gjatë rrinë trupat ndërkombëtare në Kosovë e vonohet krijimi i një ushtrie shqiptare, aq më e veshtirë bëhet thirrja e parimit të ndryshimit esencial, sepse esencialisht janë trupat ushtarake ato që përcaktojnë se kujt i takon një vend, pra aq më i vështirë bëhet anullimi i rezolutës 1244.

Gjithë opozita në Kosovë është me të drejtë kundër kësaj marrëveshjeje gjysmake, e mesa duket edhe nga komentet nëpër media e forume, edhe opinioni publik shqiptar i Kosovës është kundër. Kosova u fut prapë në qorrsokak, përseri u bë e qartë që mungon vizioni ndërkombëtar për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, e vetmja politike ndërkombëtare duket se është shty-të shtyjmë, improvizojmë sa kemi mundësi, i cytim shqiptaret të zihen mesvedi, të zihen me serbët, të zihen me ndërkombëtarët.

Kosova ka nevojë për sovranitet, për të stabilizuar e forcuar shtetin, për të rregulluar çështjet ekonomike, jo për gjysemzgjidhje që çojnë në paqartësi e konflikte, në harxhime të kota energjish, në shtyrje të problemeve esenciale. Kanë kaluar 13 vjet e jemi në vendnumëro, mos vallë duan t’i mbajnë trupat përjetësisht në Kosovë e Kosovën në thonjtë e rezolutës 1244 ?

E vetmja zgjidhje reale e racionale e çështjes se Kosovës është bashkimi me Shqipërinë, nuk ka asnjë zgjidhje tjetër, gjithë zgjidhjet e tjera janë gjysmake, nga të cilat përfiton Serbia. Ballkani është i lodhur me zgjidhjet gjysmake, shqiptarët janë të shkatërruar nervash nga riqarkullimi i këtyre zgjidhjeve gjysmake. Ka ardhur koha që ndërkombëtarët t’u vënë veshin edhe kërkesave shqiptare e jo t’u krehin bishtin Thaçëve e Tadiçëve.

Ledjan Prifti

 

3 KOMENTE

SeKreT

25/02/2012

arrow

Aleanca Kuq e Zi & Lëvizja Vetëvendosje! – Shpetim i Kombit Shqiptar.
Aleanca Kuq e Zi & Lëvizja Vetëvendosje! – Bashkimi i Kombit Shqiptar.
O Veq referendum dojm,qe te bashkohemi me shqiperin ame,se perndryshe na mori komplet uji,nga keta tradhetar te kombit shqiptar.

Heroi

02/03/2012

arrow

Aleanca kuq e zi me ka dhen shpirt,nese ka nevoj jeta ime do ti falet KUQEZIVE vetem ti shpetojm tokat shqiptare nga esatat-toptanat.

Liridona Malota

05/03/2012

arrow

Shum me pelqej artikulli. Une shoh disa na miqte e mi ne Kosov, edhe ate se cili jane deputet qe I shofin kete situate sin je fitim per Kosoven. Kjo eshte ironike sepse nga adminstrat I Hashim Thacit qe pranoj me nje fjal “Kosovo” ne vend te Republikes se Kosoves per konferencen e Balkanit, eshte duke I dhene ne nje koncesion Europes dhe nje koncesion pro-serbe. Problemi me I madh ne Kosov nuk eshte te organizatave nderkombetare dhe Evropia qe kan problem qe na pranojn vete si Republika e Kosoves por eshte fakti qe qeveria nuk ka ndonje motivim ose force (si thojn ne englisht COURAGE) per te mbrojtur shtetin e Kosoves si e pavarur. Perkundrazi fokusi per qeverijen I Thacit eshte qe most e luftojne me Evrope, organizatat per te mbrojtur Kosoven si Republika e Kosoves dhe te lejojn Ambasadori I Amerikes, Christopher Dell per te bere zgedhjet e tyre. Eshte e qarte se ambasadori Dell ka ndikim te forte mbi qeverijen, nje ndikim qe ktheht shkakun fillestar te nderhyre brenda rajonit. Kjo “political battle” megjthate uk eshte hera e pare qe qeveria I Thacit ka zgjedhur per te shmangur stabilizimin te pakten identiteit Kosovar, mos harrojm veres per ceshtjen I exports nga “Republic of Kosovo”. Ne tregon mungesen e stabilitetit ne identitetin Kosovar dhe Kosovar-Shqiptar. Kosovaret kan nevoje per nje mbeshtetje te forte ne zbatimin e pavaresine e tyre, ndryshe nese nuk ka Kosova e pavarur si Republika Se Kosoves si mund te mendojme per ndonje ardhmen? Keto situata duhet te trajtohet me nje axhende pro-Kosova. Ku ceshtje e pavaresis eshte zbatuar nga ata qe e pranuan Republic of Kosovo, qeverijat ne Evrope dhe Shtetet e Bashkuara per nje stabilitet ne Kosov.

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen