ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

Kod Zgjedhor apo Pakti i Sundimit Rama-Berisha ?

Sali-Berisha-dhe-Edi-Rama-gjate-nje-takimi

Në një demokraci përfaqësuese nuk ka gjë më të rëndësishme, më jetike, sesa përzgjedhja e përfaqësuesve, mënyrës si populli shpreh qëndrimin e vet nëpërmjet zëdhënësve të tij politik që çon ne parlament. Transparenca e votës, vota e lirë, është vetëm një prej çështjeve që lidhen me përzgjedhjen e përfaqësuesve, jo çështje qenësisht më vete, sikundër dëshiron ta paraqesë Rama. Vota mund të jetë e lirë, por po njësoj të grabitet me anë të mekanizmit zgjedhor.

Si mund të quhet e lirë, në kundërvënie ndaj grabitjes, ajo votë kur, ta zëmë, një parti që merr 40% të votave ka 47% të parlamentit ? A nuk kemi këtu një parti, që ka miratimin e 40% të popullsisë, por flet në parlament në emër të 47% të saj ? A nuk ka grabitur kjo parti 7% të votave popullore, 7 % të vullnetit popullor ?

Më këtë Kod Zgjedhor legjitimohet vjedhja e votës të të gjithë atyre shtresave të popullsisë që gjenden në minorancë, atyre nuk u njihet e drejta e përfaqësimit në parlament, ato përjashtohen nga demokracia. Pra, ne nje diskutim parimor rreth vjedhjes së votës, nuk mund të anashkalohet vjedhja e votave së pakicave politike, vota të cilat vidhen bashkarisht nga Rama e Berisha.

Dallimi mes kësaj vjedhje vote dhe vjedhjes prej banditëve partiakë, nuk është substanciale, por vetëm formale, një lloj është i paligjshëm, kurse lloji tjetër ligjërohet prej Kodit Zgjedhor, në thelb të dyja janë vjedhje te vullnetit popullor. Përgjithësisht vjedhja e votës së pakicave politike me anë të ligjeve zgjedhore, është dukuri e pranuar në demokraci, anipse nuk është mekanizëm demokratik.

Përzgjedhja e përfaqësueve i nënshtrohet kryesisht dy parimeve, atij demokratik të përfaqësimit dhe atij jodemokratik të domosdoshmërisë së një qeverisje të qëndrueshme.

Parimi demokratik i përfaqësimit, buron prej idealit të demokracisë, ku çdokush që hedh votën duhet të jete i përfaqësuar, sepse parimisht demokracia nuk mund të përjashtojë askënd, këtu dallohet nga diktaturat që janë përjashtuese. Ndërkaq parimi jodemokratik i qeverisjes, buron prej pragmatizmit shtetëror, ku më e rëndësishme sesa demokracia shihet funksionimi i shtetit nëpërmjet një qeverie të qëndrueshme.

Në bazë të rrethanave politike të çdo shoqërie, vendoset se cili nga këto dy parime do të ketë përparësinë, parimi i idealit demokratik apo parimi pragmatik. Një shtet që ka probleme me qeverisjen, sepse bëhen shpesh zgjedhje të parakohshme, anon nga parimi pragmatik, dmth nga sistemi mazhoritar, ku justifikohet vjedhja e votës së pakicave politike me një qëllim madhor si qeverisja e qëndrueshme.

Por a mund të flitet në Shqipëri për probleme të një qeverisjeje të qëndrueshme, në një kohë kur një parti apo koalicion që merr pushtetin, nuk e lëshon më për qamet ? A mund të flitet për problem të një qeverisjeje të qëndrueshme në një kohë kur Sala ka treguar që nuk zbret më nga kali pa djegur Shqipërinë ? Në një kohë kur PS-ja e mbajti pushtetin, duke vjedhur sa u zhdëp, për 8 vjet rresht, a mund të flitet për problem të një qeverisjeje të qëndrueshme ?

Tek ne, jo vetëm që nuk mund të flitet për problem qeverisjeje të qëndrueshme, por   problemi është i kundërt, këto qeveri janë aq të qëndrueshme, saqë kur ngulen nuk shkulen më. Prandaj justifikimi i Ramës dhe Berishës, me parimin e qeverisjes së qëndrueshme, nuk gjen kurrfarë justifikimi në historinë politike të Shqipërisë, përkundrazi ai është një justifikim për të legjitimuar në përjetësi pushtetin e kësaj parie të mbrapshtë, të këtij sistemi të ndyrë, që i merr frymën çdo filize demokratike.

Problemi i sotëm i Shqipërisë është vete ky sistem, i bazuar në vjedhje, korrupsion, demokraci hibride, klanizëm, prandaj edhe ky Kod Zgjedhor, i cili i përkushtohet mbijetesës së këtij sistemi, nëpërmjet nxitjes së polarizimit PD-PS, përbën një nga problemet e thekshme të Shqipërisë. Nëpërmjet zhdukjes që në filizë të çdo force demokratike antisistem, ky kod zgjedhor në mënyre ligjore, nxit e forcon mendësine e vjedhjes, korrupsionit, nepotizmit e gjithfarë dukurish negative mbi të cilat sistemi PD-PS mbështetet.

Ndërsa Berisha njihet botërisht për vjedhjen e votës, Rama, që aq shumë duket se i përkushtohet transparencës së votës, në fakt nuk përbën veçse faqen tjetër të së njëjtës monedhë, ai është po aq hajdut i vullnetit popullor sa Berisha, por është vetëm më i sofistikuar se Berisha, grykësisë së tij i del e mjafton vjedhja nëpërmjet Kodit Zgjedhor, jo nëpërmjet banditëve partiake, Berisha don t’i vjedhë të gjithë, me të gjitha mënyrat, kurse Rama don vetëm t’u vjedhë votën pakicave politike nëpërmjet ligjit.

Rama e Berisha nuk i kanë ofruar popullit një Kod Zgjedhor, por i kanë ofruar Paktin e Sundimit të përjetshëm të tyre, të asaj elite të mbrapshtë që përfaqësojnë, e cila në këto 20 vjet vetëm sa e ka vjedhur e sakatosur këtë vend. Nuk është aspak e habitshme që Rama e Berisha bien në ujdi, sa herë që interesat e klasës politike, kërkojnë që në Shqipëri të frenohet demokracia dhe nuk bien në ujdi, ta zëmë, për reformat që e çojnë Shqipërinë në Europë. Prandaj Rama nuk është aspak i besueshëm kur bën Flamurtarin kundër vjedhjes së votës, kur merr flamurin e demokratizimit të vendit, Rama është po aq autokrat sa Berisha, jo më kot nënshkroi me të Paktin e Sundimit, të cilin e quajnë Kod Zgjedhor, mes autokratësh bihet gjithnjë dakort, kur bëhet fjalë për pengimin e demokratizimit të vendit.

Në kushtet e Shqipërisë, mungesës së demokracisë duhet t’i përgjigjemi me më shumë demokraci dhe hapi i parë për më shumë demokraci është vendosja e përparësisë së parimit demokratik të proporcionalit kombëtar në Kodin Zgjedhor. Kush i përgjigjet mungesës së demokracisë në vend me më pak demokraci, duke pranuar parimin jodemokratik të qeverisjes së qëndrueshme, është pjesë e problemit, është nxitës e thellues i problemit thelbësor demokratik që ka sot Shqipëria.

Vetëm nëpërmjet parimit demokratik të përfaqësimit të gjithë vullnetit popullor në Parlament, mund të ketë një ringjallje të lëvizjes demokratizuese, një lëvizje e domosdoshme, që ka për qëllim ta nxjerrë Shqipërinë nga ky gjol politik, nga kjo kënetë politike me ujë të qelbur, e cila prodhon vetëm mushkonja politike dhe mban vendin në një gjendje të vazhdueshme malarjeje politike, ekonomike, sociale etj. Nuk mund të shpëtojmë nga malarja politike, po zëvendësuam Kryemushkonjën Berishë me Kryemushkonjën Ramë, por vetëm nëse thajmë kënetën politike dhe hap i parë i bonifikimit politik është pikërisht mospranimi e hedhja poshtë e Paktit të Sundimit dhe kthimi i tij në një Kod Zgjedhor, që nxit lëvizshmërinë demokratizuese.

Ledjan Prifti

 

 

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen