ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

Intervista e Shinasi Ramës: Berisha, interesaxhi klanesh

Shinasi rama

TIRANE- Shinasi Rama, protagonist në Lëvizjen “Dhjetor ‘90” bëri fajtore parinë e vendit për gjendjen ku ndodhet populli shqiptar. Në një intervistë ekskluzive për “Shqiptarja.com”, duke folur për librin e tij të fundit “Përrallat e tranzicionit shqiptar”, profesor Rama akuzoi  politikën e këtyre dy dekadave si kriminale dhe skllavëruese për popullin.

“Shinasi Rama ka kaluar zhgënjime të mëdha, por ai kurrë nuk është zhgënjyer me popullin e vet”. Janë fjalët e Adem Demaçit shkruar në kapakun e pasëm të librit më të ri të ish-figurës emblematike të Dhjetorit ‘90 me titull “Përrallat e tranzicionit shqiptar” Shinasi Rama është me të vërtetë i zhgënjyer nga kasta politike që ka qeverisur këtë vend prej kohës kur ai dhe të tjerë idealistë ishin protagonistë të lëvizjes studentore. Përsërit vazhdimisht se në këtë vend, këto dy dekada, ka drejtuar krimi dhe korrupsioni, se populli është skllavëruar dhe zhbërë demokracia, dhe Shqipëria ka mbetur shumë larg vendeve të tjera, që njëlloj nisën rrugën drejt demokracisë në vitin 1990. Një pari kriminale që ka thithur të mirat materiale dhe doi ta bëjë këtë deri kur populli të zgjohet. “Sot Shqipëria është një vend ku shteti është i kapur, sistemi politik është oligarkik, paria është kleptokratike, ekonomia është e monopolizuar, shoqëria është e kriminalizuar, vlerat dhe morali janë në nivelet më të ulëta të mundshme, krimi, vrasjet dhe trafikimi përdoren si shembuj për të ilustruar vendet e tjera të botës”-perifrazon Shinasi Rama në një intervistë me gazetën “Shqiptarja.com”.

Z.Shinasi mund të më flisni pak për librin që sapo keni botuar, përse tani me “Përrallat e tranzicionit shqiptar”?

Libri është një projekt që synon të sqarojë procese politike të tranzicionit në të gjitha aspektet. Qëllimi i librit është që të bëjë të qartë për shoqërinë shqiptare që ky projekt krejt eksperimental, pra tranzicioni, ka dështuar. Objektivi themelor i tranzicionit ishte që të vendoste themelet e një shoqërie të mirë në të ardhmen, në të cilën të gjithë njerëzit të jetonin një jetë të lumtur, të qetë dhe të begatë dhe me sigurinë ku jetojnë popuj e vende të tjera të Europës Perëndimore, ose dhe në shtete të tjera të ngjashme si Shqipëria. Megjithatë ky projekt dështoi. Sot Shqipëria është një vend ku shteti është i kapur, sistemi politik është oligarkik, paria është kleptokratike, ekonomia është e monopolizuar, shoqëria është e kriminalizuar, vlerat dhe morali janë në nivelet më të ulëta të mundshme, krimi, vrasjet dhe trafikimi përdoren si shembuj për të ilustruar vendet e tjera të botës. Ky është objektivi i librit, për të vënë në dukje që ku është shkaku për këtë dështim, pse ne nuk jemi siç janë Polonia, Bullgaria, ose vende që tjera që kanë qenë në nivele të ngjashme me ne, sepse nuk ka patur ndonjë dallim të madh. Dhe shkaku është paria e Tiranës…

Paria është një term shumë i përgjithshëm…

Jo nuk është ashtu. Është një term shumë i veçantë. Nëse do të thuash elita është një term i përgjithshëm, sepse elita presupozon një grup të përzgjedhur njerëzish, që gëzon respektin dhe drejton popullin në rrugën e duhur, qoftë mbi bazat e një ideologjie fetare, nacionaliste-kombëtariste, ose të një sistemi vlerash liberal, ose qytetërues. Shtresa politike është një koncept tjetër, që fsheh këtë pakicë që drejton shoqërinë, si të lidhur shumë me administrimin shtetëror dhe sjelljen punblike, ndërsa paria është një koncept që unë e kam futur edhe pse nuk gjendet në literaturën e huaj, që shpjegon rolin që luan pakica udhëheqëse dhe organizuese që ndjek mendësinë katundare, të kapjes dhe të përdorimit të shtetit, për të shpërblyer mbështetësit e vet për të ndenjur në pushtet dhe për përfitime personale. Këto janë prijetarët e parisë dhe paria vetë, d.m.th. një bandë e organizuar që ka si synim vjedhjen e të mirës publike dhe vënien e saj në shërbimit të interesit privat. Në rastin shqiptar të tranzicionit, ky koncept imi është provuar katërcipërisht. Të dyja apo të dhjeta strukturat politike të partive dhe të klaneve politike që drejtojnë këtë shtet, janë të gjithë individë të kriminalizuar, që kanë larë duart me gjakun e popullit, që janë në krye të klaneve oligarkike dhe kriminale dhe që kanë si objektiv të vetëm pasurimin e tyre, ruajtjen e interesave të klaneve të tyre dhe skllavërimin e shqiptarëve. Prandaj janë paria e disa klaneve të caktuara. Nuk janë elita e popullit, sepse një elitë nuk mundet të skllavërojë.

Pra paria, në një thes edhe Sali Berisha, edhe Edi Rama edhe Ilir Meta…?

Të gjithë, të gjithë bashkë, të gjithë kanë duart në të njëjtin krim, janë pjesë e krimit, të gjithë janë të lidhur pazgjidhshmërisht në krimin e tyre dhe krimi i tyre është skllavërimi i paskrupullt i popullit shqiptar. Një popull që trafikon qindra mijëra femra, një popull që trafikon vetëm për një vit 4700 fëmijë, një popull që ka 60 mijë të droguar në rrugët e Tiranës, një popull që ka 1 milion njerëz të papunë, ku 4 për qind e popullsisë zotëron 90 për qind të pasurisë kombëtare, një popull ku bëhesh miliarder vetëm pse merresh me politikë, është një popull i sunduar nga një pari kriminale.

Me këto shifra duket sikur flet Edi Rama…

Unë ndoshta dukem si Edi Rama, por problemi nuk është e vërteta, por kush e thotë dhe për çfarë e thotë këtë të vërtetë. Edi Rama e thotë të vërtetën, sepse do që të vijë në pushtet, unë e them sepse dua që populli im të zgjohet dhe të kuptojë gjendjen se ku ndodhet. Dallimi është se unë nuk kërkoj të vij në pushtet, jam duke diagnostikuar gjendjen ku jemi dhe duke bërë thirrje njerëzve që “ju lutem shiheni ku jeni dhe kërkoni zgjidhje, sepse kjo nuk është rruga ku duhet të ecni”. Pra Edi Rama dhe unë mund të themi të njëjtën diagnozë, por Rama mund të jetë si ai heqimi i fshatit që thotë “pi çaj mali, apo mjaltë me limon dhe do të ikë pneumonia”. Unë të tregoj se ku është shkaku në bazë të analizave shkencore, ku unë e konsideroj veten një profesionist, por po të ofroj një kurë, e cila nuk të lë të varur përjetë në gjendjen ku je.

Dhe kush do na vijë në pushtet nëse ndodh rotacioni politik?

Nuk ka rëndësi se kush do të vijë në pushtet…

Po pra do të vijë pjesa tjetër e inkriminuar e parisë…?

Nëse ndodh rotacioni do të jetë njësoj si dy duar që ndërrohen, ç’rëndësi ka dora e majtë, dora e djathtë. Të dyja punojnë për të njëjtën mendje, për të njëjtën kokë: parinë. Këto janë si perëndia Shiva që ka 26 duar dhe duart e tyre janë politike. Ne na duhet një pari, një elitë politike, e cila e nxjerr popullin tonë nga gjendja e thellë e krizës ku gjendet, që e bën këtë popull të kuptojë qartë gjendjen ku jemi, që ofron zgjidhje të qarta dhe në të njëjtën kohë ndërton ato themele, që do të na lejojnë për të patur një të ardhme normale dhe të lumtur si të gjithë popujt e tjerë, sepse një popull që i vendos themelet e të ardhmes së vet mbi krimin është e padiskutueshme që do të përfundojë me krimin. Një popull që e vendos të ardhmen e vet, mbi poshtërsinë dhe trafikimin do të përfundojë që të trafikojë fëmijët e vet.

Ku do t’i gjejmë këta njerëz për të bërë një Shqipëri tjetër?

Janë në shtetin shqiptar, shumë prej tyre janë të heshtur.

Psh?

Djemtë dhe vajzat e Dhjetorit ’90, të lëvizjes studentore që synuan t’i japin vendit një të ardhme të lumtur, ato janë ndoshta dhe shpresa më e mirë. Pas tyre s’ka patur gjë më të mirë.

Por shumica e idealistëve të Dhjetorit ikën si puna juaj?

Unë jam idealist në sensin e objektivit politik që dua të arrij, por në mënyrën se si duhet ta arrij unë jam njeri praktik dhe nuk mendoj si ju që njerëzit idealistë kanë ikur. Njerëzit idealistë shohin se si një tufë, zhgan, zogori individësh e kanë kapur për fyti këtë vend dhe janë mënjanuar, sepse nuk duan që të jenë pjesë e krimit, por ata janë këtu si pjesa më e madhe e popullit shqiptar, ata mundohen që të jetojnë me nder në këtë shoqëri të degjeneruar dhe të kriminalizuar. Këta njerëz kanë nevojë vetëm për mundësinë që të tregojnë veten e tyre.

Kam parasysh përfoljet për një forcë të re politike, p.sh. partia e presidentit Bamir Topi. Janë i njëjti grup njerëzish që kanë punuar me Sali Berishën për ta sjellë dhe çimentuar në pushtet. Kjo është zgjidhja?

Nuk ka rëndësi se cilës strukture politike i bashkangjiten njerëzit. Rëndësi ka ideologjia që ajo strukturë politike ka për të promovuar, vizioni që duhet të ketë për të ardhmen. Zgjidhja nuk janë individët, zgjidhja është lidhja e njerëzve nëpërmjet vlerave, përmes një vizioni të qartë për të ardhmen dhe të jenë të përkushtuar për ta zbatuar atë. Kjo do të thotë se pavarësisht të shkuarës së individëve të veçantë janë strukturat politike ato që përcaktojnë edhe sjelljen që ka individi i veçantë. Në rastin e partive të reja që krijohen dhe dalin në shoqërinë shqiptare, nuk ka rëndësi se kush i promovon, rëndësi ka projekti që kanë ata për të ardhmen a e shohin gjendjen ku ndodhet populli, apo duan të marrin një vend në parlament për të ruajtur shtëpinë, pronën. Ky është thelbi i problemit. Ky vend do të begatohet, do të ketë të ardhme dhe prosperitet vetëm e vetëm nëse këtu do të dalin njerëz që vënë përpara interesa të ngushta të tyre, interesat e popullit. Askush më shumë dhe shokët dhe miqtë e mi të lëvizjes studentore nuk e kanë më të përshkushtuar, pastaj se cila parti politike del, kjo ka pak rëndësi. A do të jenë ata në gjendje të shkojnë te populli, t’i bindin që janë duke punuar për interesat e tyre, dhe jo për pasurimin e tyre të shpejtë, jo për rritjen e emrit dhe të famës së tyre. Ka ardhur koha që kush punon pa kushte për popullin të dalë në krye të shtetit.

Kur flasim për individin, është njëri, është uni, është Sali Berisha. Ka ndonjë individ në Shqipëri që mund ta rrëzojë këtë kult që ka ngritur Berisha?

Sali berisha është një individ, por ka një individ më të madh se Sali berisha, është kombi shqiptar, që përbëhet nga mijëra pjesë të vogla që janë të gjithë shqiptarët.

Por ky komb nuk ka aftësi vendimarrëse..

Ky komb ka shumë aftësi vendimmarrëse, sepse në jetojmë në një sistem, i cili edhe pse është i përçudnuar thelbësisht në funksionimin në bazë të rregullave demokratike, njerëzit janë të lirë të organizohen. Dhe kur ta shohë Sali Berishën dhe parinë e Tiranës si një qelizë kanceroze, atëherë do të fillojë ndryshimi. Për sa kohë që ky popull është si duhanxhiu që ndjehet i lumtur pse pi duhan, pa e ditur se çfarë i ndodh me organizmin e vet, apo drogaxhiu, apo i alkoolizuari, për aq kohë sa vazhdon, kjo sindromë nuk kemi zgjidhje, por kur populli ta pranojë se këta janë shkaku i krizës, krimit, zvetënimit, varfërisë dhe përçudnimit, atëherë do të jetë zgjidhja.

Populli e kuptoi në zgjedhjet e kaluara të 2009, që kanceri është në qeverisje dhe votoi për ta hequr, por vota demokratike nuk u përfill. Atëherë si do të bëhet ky ndryshim?

Kur lëvizja apo strukturat e reja politike dalin dhe përdorin të gjitha mjetet demokratike dhe mjetet demokratike nuk janë vetëm votimi për një ditë, është edhe lufta lufta demokratike me mjete demokratike e shoqërisë civile, me demonstrime, protesta, lëvizje shoqërore, ndërgjegjësim të masave, organizim dhe promovim vlerash të caktuara edhe në periudhën mes dy zgjedhjeve që ua bëjnë njerëzve të ditur se ku është problemi, shkaktarët e të keqes dh cila është zgjidhja. Është rruga që duhet të zgjidhet për të mirë.

Po pra por këto i kemi patur, madje në shfaqjet më ekstreme, nga greva e urisë te vrasjet e 21 janarit dhe nuk ka ka ndryshuar asgjë, madje është bërë më keq.

Nuk ka ndryshuar asgjë, sepse objektivi i njerëzve që kërkojnë të dalin në krye nuk është që t’i shërbejnë popullit, por që të vënë në shërbim të tyre vullnetin e njerëzve të tjerë, dëshirën e tyre për jetë, në shërbim të interesit të tyre privat. Të gjithë këta njerëz janë provuar se kanë qenë pjesë e parisë kriminale, hajdutë, njerëz që nuk kanë lënë gjë pa vjedhur nga thesari i shtetit dhe e mira publike dhe pse duhet tu besosh këtyre kur e kanë patur mundësinë për të bërë diçka të mirë për këtë popull, ata kanë bërë vetëm për veten. Koha ka ardhur që të dalë një forcë e re, që nuk e di se kush është sepse nuk jam i angazhuar në politikë, e cila të mbajë parasysh interesat e të gjithë popullit dhe kjo bëhet me njerëz, ideologji dhe vlera të reja dhe jo me slogane, sic ndodh përditë këtu, jo me njerëz që janë të korruptuar dhe të degjeneruar që janë të kapur me 700 mijë euro, me 200 milionë euro të vjedhura, me shpërthim të Gërdecit etj.
Kjo do të na marrë edhe disa vite, por kjo është fatkeqësia jonë.

Kjo forcë e re mund të jetë partia e Bamir Topit, që të jemi më konkretë?

Unë ende nuk e di se kush është partia e Bamir Topit..

Është z.Bamir Topi dhe disa të tjerë..

Fakti që ju e përkufizoni si partia e Bamir Topit për mua është problematike. Nëse thoni se del një parti nacionaliste, shqiptare, që kërkon këtë e atë. Nëse doni të thoni se kjo është një parti me ideologji marksiste, konservatore, apo liberale atëherë mund ta kem të qartë se kush është. Por partia e Bamir Topit për mua është pjesë e parisë.
Po është një parti që ka premtuar se do të bëjë ato që arriti apo nuk deshi të bëjë Partia Demokratike…
Ende nuk kam parë një program politik për të gjykuar…

Po pra nuk kemi as program, as emër partie, por kemi emra. Kemi Eduard Selamin që ka premtuar se do të vijë në Shqipëri dhe që ju e njihni shumë mirë apo jo?

Të them të drejtën njerëzit kanë ndryhuar gjatë këtyre viteve, sepse kudo ku kanë qenë në SHBA apo Europë, u është dashur të punojnë për jetesën e tyre dhe unë nuk jam në gjendje të gjykoj për asnjërin. Unë do të gjykoja për një strukturë politike kur programi i saj përballet ose matet me interesat e shoqërisë. Në këtë pikë ende nuk kemi një program, emra të veçantë. Sot për sot emrat nuk thonë asgjë për mua. Për mua është e rëndësishme që një parti politike, nëse do që të jetë e suksesshme, të ketë lidershipin, strukturën partiake dhe mbi të gjitha ideologjinë, sistemin e vlerave në bazë të të cilit mëton të ndryshojë shoqërinë.

Si një shqiptar që jeni prej vitesh në SHBA, si ju duket Shqipëria?

Shqipëria është atdheu im, atdheu nuk është kurrë i keq, është si puna e nënës, që sido që të jetë, nuk është e keq.

E kam fjalën për regjimin politik?

Si shqiptar Shqipëria më duket një vend që ka nevojë për një transformim radikal, të jashtëzakonshëm si një shtet me një potencial të jashtëzakonshëm, njerëz që kanë vitalitet të rrallë, por që kanë nevojë për udhëheqje politike, program transformues në të gjitha fushat, ekonomi, politikë, kulturë e shoqëri. Kjo është ëndrra ime. Pasataj sido që të jetë Shqipëria unë këtu vij vetë, sjell fëmijët e mi, Shqipëria është si nëna nuk mund të jetë kurrë e keqe.

A mund ta përmbushë Sali Berisha këtë mision Sali Berisha?

Jo. Unë mendoj se ai nuk mundet. Zoti Berisha nuk ka më shans, ai ka patur shumë shanse për ta përmbushur këtë mision politik, por ai ka treguar se ka vetëm interesa personale dhe klanore.

Ka një shembull tjetër si Shqipëria sot në botë?

Nuk ka asnjë. I vetmi shembull është Haiti në Amerikën Latine. Ne jemi Haiti.

Dhe Dyvaljeja kush i bie të jetë?

Nuk ka rëndësi Haiti që po diskutoj unë. Dyvaljeja ka qenë Enver Hoxha, ata që erdhën pas Enver hoxhës, janë Dyvaljetë e vogla, Sali berisha, Edi Rama, Aleksandër Meksi, Bamir Topi, të gjithë, ata që kanë qenë pjesë e pushtetit dhe nuk janë distancuar nga krimi me të cilin kanë qenë pjesë, janë hijet e Enver Hoxhës. Kjo është paria e Tiranës dhe këto janë krimet e tyre. Nuk mundesh të bësh një vilë disamilionëshe, apartamente dhe pronat, të hedhësh në erë Gërdecin, të bësh vrasje dhe të pretendosh se jeton në vendin më të lumtur në botë, nusen e botës. Kjo është tragjedia e shqiptarëve.

Dhe çfarë roli kanë patur SHBA-të, përfaqësuesit e tyre në Tiranë për këtë gjendje?

Kjo pyetje është e gabuar. Pse duhet të kenë ata këtë rol?

Sepse atyre u është roli i guvernantit.

Roli i guvernantit është i tyre, sepse qeveritarë tanë, për të ruajtur interesat e klaneve të tyre kriminale kanë hequr dorë nga shteti dhe kontrollojnë vetëm mekanizma që u garantojnë interesat e tyre. Dhe të huajt për të mos e lënë këtë vend një moçalishte, janë detyruar të marrin përgjegjësitë që duhet t’i kishim marrë ne shqiptarët.
Kam parasysh që sot kryetari i opozitës është në rrugë për në SHBA dhe është një vizitë e kërkuar.
Kryetari i opozitës, ndër të tjera do të mbajë edhe një leksion në universitetin tim, sepse e kam ftuar unë. Unë do të kisha ftuar gjithkënd, nëse ata janë në gjendje të tregojnë se për çfarë janë në politikë.
Po pra, por kjo vizitë është kërkuar dëshpërimisht për të treguar se kryetari i opozitës e ka një farë akcesi te shteti më i madh i botës.
Mua nuk më intereson loja që këto individë duan të bëjnë, me popullin sepse është loja e tyre dhe njeriu që nuk do nënën shkon te njerka. Këta njerëz duhet t’i dojë populli i tyre, jo bota.
Ky është thelbi. Populli shqiptar është kaq i dëshpëruar dhe të gjithë këta përfshirë edhe Sali Berishën që nuk ka ndërmarrë asnjë vizitë jashtë dhe në 2005-ën iu deshën 3 muaj për tu pranuar nga të huajt, të gjithë këto njerëz kërkojnë kredibilitetin nga të huajt jo nga populli i tyre, sepse këta janë figurat kriminale që e kanë çuar popullin në këtë gjendje dhe e vetmja mënyrë është marrja e legjitimitetit nga diku tjetër. Po e deshe popullin tënd do të të dojë populli yt.
Por këta nuk e duan popullin e tyre.
(sg/shqiptarja.com)

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen