ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

INTERVISTA për TemA / Kreshnik Spahiu: Po bëjmë patriotë edhe Berishën e Ramën

Kreshniku ne Elbasan2

Drejtuesi i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu, në një intervistë për gazetën Tema thotë se ndihet mirë që Berisha e Rama flasin për AK pasi tregon se e kanë zili. Sipas tij, ata po i kopjojnë edhe stilin Aleancës. Spahiu komenton edhe një shkrim të një javore pranë qeverisë, që deklaronte se vizitën e Spahiut në Uashington e ka sponsorizuar Turqia. Spahiu tha se Berisha po përpiqet të njollosë gjithçka që lidhet me SHBA. “E mendon Departamentin e Shtetit si zyrë juridike ku jepen koncesione boll të paguash 3 për qind”

Bisedoi: Bledar Lumani

Zoti Spahiu, AK, është shfaqur së fundmi si parti politike në tubimin e Elbasanit. A ndjeni ndonjë diferencë nga ky status formal prej Lëvizjes në parti politike?

Natyrisht ndjej më shumë përgjegjësi, pasi kalimi në parti politike na bën të përgjegjshëm të mos shpërdorojmë besimin e qytetarëve për tu përfaqësuar kauza jonë në institucionet e shtetit shqiptar. Hyrja e AK në jetën politike është një trokitje e ndërgjegjes patriotike qytetare në dyert e shtetit. Një shtet i kapur nga mafia dhe renegatët mund të shpëtohet vetëm nëse në dyert e tij hyjnë njerëzit që e duan këtë vend jo për ta plaçkitur dhe shitur, por për ta ruajtur dhe ndërtuar. AK po rritet dita- ditës nën këtë frymë, me këto parime dhe këtë entuziazëm. Të qenit parti politike, është thjeshtë një mënyre që shtetin të mos e lëmë në duart e atyre që kanë rrënuar këto 70 vjet.

AK nuk e sheh shtetin si qerre që duhet lidhur pas partive politike, AK, është për shtet për qytetarët, për institucione që funksionojnë, për një shtet me dinjitet. AK- sheh Shqipërinë të përjetshme dhe gjithçka tjetër të përkohshme. AK është forca që do i japë fund tranzicionit, kënetës ku kullot establishment vjetër politik. AK është për një fillim të ri, AK është për të rinisur ëndrrën e shqiptarëve për liri, për demokraci, për dinjitet. Për AK shteti dhe institucionet janë pasuri kombëtare, për AK administrata është pasuri e të gjithëve dhe në shërbim të gjithëve. Është turp parcelizimi me përqindje i administratës sipas orekseve partiake. AK është për një Shqipëri ku shqiptarët të sundohen vetëm prej ligjit, për një Shqipëri ku askush nuk është mbi ligjin. Ministrat, zyrtarët e lartë politikë, partiakë, apo deputetë mund të ndihen disi rehat nga pasuria që kanë plaçkitur dhe nga ligjet që kanë dhunuar. Ky vend ka histori dhe ka kujtesë ka edhe një të ardhme që nuk mund ta vonojnë më politikanët e vjetër. E ardhmja është komuniteti i vendeve ku sundon ligji. Transparenca për pasuritë e zyrtarëve do të jetë një nga pikat ku kemi aleat gjithë shqiptarët.

AK ka filluar të jetë në qendër të polemikave mes të majtës dhe të djathtës. Berisha dhe Rama po replikojnë për ju. I dëgjuat?

Po. Nuk kanë ç’të bëjnë tjetër. Si gjithë njerëzit në prag të pensionet dhe atyre vetëm llafet u kanë mbetur. Në futboll ka një shprehje “kur të lejnë gjunjët I mëshon gojës”. Berisha u shpjegon të vetëve se Rama shpreson tek Spahiu, Rama u shpjegon të vetëve se Berisha është agjent i Spahiut. Në një vend ku mungojnë idetë dhe debati serioz, udhëheqësit politik katandisen si plakat e lagjes që flasin për çiftet e reja. Gjithsesi ndjehemi mire që kanë filluar të dy të na kopjojnë stilin e aktiviteteve, kolonën zanore, retorikën, mesazhet dhe gjithë aspektet e tjera të cilat deri dje ata i injoronin ose tentonin t’i ironizonin.

Megjithatë këto 22 vjet elektorati është përcaktuar mes të majtës dhe të djathtës. Çfarë janë ata që ju mbushin sallat përveçse patriot. A kanë ata një përcaktim politik?

Kur isha në mitingun e Elbasanit, mu kujtua se në atë qytet në vitet ‘20 u krijua një parti e quajtur “As e Pashës, as e Beut” nga intelektual patriot dhe mendjehapur. Në fakt ishte një revoltë qytetare dhe intelektuale ndaj zaptimit të jetës politike nga Aqif Pashë Elbasani dhe Shefqet Bej Vërlaci. Nëse do të përfytyroni skenën politike shqiptare të zaptuar nga një Pasha i rremë si Sali Berisha dhe një Bej endacak si Edi Rama, atëherë ne jemi ata që nuk jemi “as të Pashës as të Beut” një brez i ri intelektualësh dhe shqiptarësh patriot, që janë të penguar të konkurrojnë dhe jetojnë në një vend të zaptuar nga njerëz të cilët nuk i zgjedh populli, por kanë zgjedhur popullin për ta qeverisur.

Për të qenë të qartë me ju deri në fund, ju siguroj se mijëra të rinj që mbështesin Aleancën Kuq e Zi mund t’i kenë baballarët demokratë apo socialist të zhgënjyer, a të pazhgënjyer, por ata nuk e lidhin më të ardhmen e tyre me sulltanët që sundojnë vendin.

Shqipëria nuk është as e PD-së dhe as e PS-së. Këta dy forca politike e treguan për 20 vjet se çfarë koncepti kanë për shtetin, për administratën, për pasuritë kombëtare, për drejtimin që duhet të marrë vendi. Na kanë lënë të fundit në Europë në gjithçka dhe për këtë mburren nga mëngjesi deri në darkë. Koha i ka lënë prapa por nuk e kuptojnë. Do të marrin ndëshkimin e merituar nga shqiptarët dhe ora e ndëshkimit po afron.

Ju jeni një parti me theks nacionalist, por çuditërisht nuk keni shumë sulme nga Perëndimi, siç pritej në fillim. Çfarë ka ndodhur?

Ne jemi një parti shqiptare, por nuk jemi një parti antiperëndimore. E shikojmë të ardhmen e Shqipërisë në Perëndim, por thjesht duam të shkojmë atje me dinjitet dhe me hapin e kohës dhe jo me kalin Rosinant te Donkishotit dhe San Panços, të cilët nisen për Evropë dhe përfundojnë në dyluftime imagjinare mes tyre. Perëndimi nuk ka paragjykime për ata që e duan Shqipërinë. Ai thjeshtë nuk ku ka t’i gjej ata në zyrat e shtetit. Në zyrat e shtetit shqiptar, perëndimorët takojnë zyrtarë që u flasin për pazare në emër të Shqipërisë dhe kur ata nuk ua kërkojnë. Biles refuzimi i deritanishëm i Perëndimit për Shqipërinë, vjen nga fakti se Perëndimi na do dinjitozë dhe jo lapangjozë që duam të shesim gjithçka. Për Berishën dhe socialistët ka vetëm treg lokal. Klient të këtyre deri më sot kanë qenë vetëm serbët dhe grekët. Vetëm këta dy fqinjë të sëmurë nga e kaluar e tyre shoviniste janë akoma të gatshëm të blejnë diçka nga një dinjiteti i humbur i shtetit tonë, udhëheqësit e të cilit përpëliten të kapur peng nga pazarxhinj dhe mafia rajonale.

Duket sikur i keni ndarë demokratët në pro serb dhe socialistët në pro grek?

Jo, nuk bëj dallim mes tyre. E vërteta është se në kohën e sundimit socialist Greqia u ul këmbëkryq pa kushte në Shqipëri. Pati plot biznese serioze greke që e meritonin, por dhe plot spekulant dhe monopole të panevojshme. Mos harrojmë se arritën që grekët morën dy kompanitë e para celulare, bankat e para, koncesionet e para në ekonomi dhe tregti etj. Por disa kufij nuk u kaluan. Me ardhjen e Berishës u shënuan dy rekorde të reja. Berisha u shiti grekëve dhe varret e të parëve tanë, biles dhe kockat e tyre jo vetëm tokën, u shiti kufirin detar që e kishim një shekull që e mbronim me dinjitet dhe bëri me ta marrëveshje poshtëruese, vetëm që t’i kishte në anën e tij. Nga ana tjetër Berisha risolli një risi lidhur me biznesin ish jugosllav. Mafia e ish Jugosllavisë pas vitit 2005 u transferua në Tiranë. Sekseri i familjes së kryeministrit u shfaq kudo ku kishte biznese strategjike dhe sot serbët, po ndërtojnë port jahtesh në Bishtin e Pallës në vend të një reparti ushtarak që ruante ujërat tona. Ata janë përfitues të koncesioneve në parkun energjetik në Durrës në fabrika riciklimi, në ndërtim rrugësh, në shitje blerje energjish etj. Nuk besoj se ndonjë shtet tjetër në rajon i ka favorizuar bizneset e ish mafies jugosllave sa Sali Berisha. Dhe të mendosh që pastaj derdh lot krokodili për Kosovën.

A keni të njëjtën mendim dhe për bizneset turke në Shqipëri?

Absolutisht po. Dhe ato nuk kane ardhë përmes konkurrencës por përmes pazareve. Ju e mbani mend shitjen e Albtelekomit nga Fatos Nanos, premtimin e Sali Berishës se do ta anulonte, pastaj punësimin e familjarëve të tij në Albtelekom dhe nënshkrimin e Marrëveshjes. Çdo biznes që vjen në Shqipëri përmes pazaresh, fyen Shqipërinë dhe bjerr diçka nga dinjiteti i saj, të cilin liderët tanë e shesin në shkëmbim të milionave.

Ka pasur një artikull në një javore, ku u akuzonte si “parti turke”, biles dhe që ju kanë organizuar vizitën tuaj në SHBA?

S’e kam lexuar, se qenka një revistë që nuk është as online dhe as në treg. Por pashë disa komente rreth saj. Është mjerim i madh të shikosh se çfarë i ka mbetur të bëjë Sali Berishës. Po përpiqet të njollosë gjithçka që lidhet me SHBA. E mendon Departamentin e Shtetit si zyrë juridike ku jepen koncesione boll të paguash 3 për qind. E di Departamentin e Shtetit, një vend ku mund të dërgosh dikë me çantë me lek dhe të presin. Ai vetë do paguante miliona për një fotografi në ato korridore, por i ka të ndaluara. Tani përdor njerëz në hall, biznese piramidale që për të shtyrë ditët në treg, janë gati të përdoren si kamikaz ndaj vlerave të një shoqërie që refuzon Sali Berishën. Ne do t’i çlirojmë dhe ata. Aleanca Kuq e Zi do të jetë shpëtim dhe për këta mercenarë paranojakë. Do tu kthejmë dinjitetin dhe do t’i bëjmë njerëz të lirë, pa komplekse dhe pa frikë se dikush mund t’i për përdor siç përdori “Kompetenti” Suden, para se të binin piramidat.

A po mendoni për aleanca para zgjedhore apo paszgjedhore, apo ende herët?

Unë po mendoj për Aleancën Kuq e Zi. Ajo është aktualisht bashkimi më i madh i shqiptarëve.

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen