ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

Historiani Lempert: Në Shqipëri sundon elita komuniste, Aleanca KuqeZi shpresë për ndryshim

Lempert

Qysh nga viti 1990 thuajse nuk ka pasur fare ndryshim të elitave në Shqipëri. Elita, që drejton tani politikën pjesërisht e ka prejardhjen nga i njëjti rreth personash, të cilët përbënin elitën edhe në komunizëm.

Intervistë për DW me historianin dhe njohësin e Shqipërisë, Hans-Ulrich Lempert, nga Universiteti i Vjenës

– Në këto njëzet vjet, pas zgjedhjeve të 22 marsit 1992, që u konsideruan si zgjedhjet e mirëfillta pluraliste, si do ta vlerësonit nivelin e demokracisë në Shqipëri?

Tranzicioni, nga komunizmi në demokraci, për Shqipërinë ishte mjaft i vështirë: Shqipëria ishte një ndër vendet e fundit të Evropës Lindore. Tranzicioni u shoqërua nga mosmarrëveshje dhe konflikte shumë të gjata, midis partive, lidhur me institucionet dhe procedurat elektorale. Sot, Shqipëria, pa asnjë rezervë, ka një demokraci: Institucionet demokratike janë etabluar, pavarësisht se sot, jo gjithçka funksionon si duhet, duke mos iu përgjigjur në nivelin e duhur parimeve demokratike. Çfarë duhet parë me sy mjaft kritik është efikasiteti i institucioneve, sa funksionojnë këto institucione sipas parimeve demokratike dhe sa vihen këto parime në jetë.

 

– A është i konsoliduar dhe a është i garantuar funksionimi i Parlamentit, sipas standardeve perëndimore?

Institucioni i Parlamentit nuk vihet më në pikëpyetje nga asnjëra palë. As parimi i zgjedhjeve të lira nuk vihet në dyshim. Por fakt është që njëzet vitet e shkuara janë karakterizuar nga polarizimi mes dy partive të mëdha, asaj socialiste dhe demokratike, të cilat kanë qenë vazhdimisht në konflikt me njëra-tjetrën. Kësisoj, ato e kanë bllokuar shpeshherë procesin e transformimit, sepse si njëra, ashtu edhe tjetra parti, e kanë bojkotuar Parlamentin.

 

– Cilat janë, sipas jush, arsyet e këtij polarizimi?

Një nga arsyet është personalizimi dhe hierarkizimi i fortë i këtyre partive. Që të dyja partitë janë të orientuara fort ndaj udhëheqësve të partisë; Sali Berisha në Partinë Demokratike dhe Edi Rama në Partinë Socialiste. Në këtë të fundit, deri në 2005-ën ka qenë e njëjta dukuri me ish-kryetarin Fatos Nano. Çdo përballje politike dhe çdo debat sillet gjithmonë rreth këtyre dy figurave. Diskursi politik nuk zhvillohet aq për ideologji apo për koncepte politike, por përqendrohet fort tek përballja midis personave, që ndonjëherë duket se merr trajtën e armiqësive personale.

– Simbioza e krijuar mes dy kundërshtarëve politikë është një karakteristikë e politikëbërjes në Shqipëri apo njihet si dukuri edhe në vendet e tjera postkomuniste?

Kjo dukuri është shfaqur në shumë vende postkomuniste, ku është krijuar një polarizim i fortë në politikë, edhe për arsyen se shumë shpejt partitë pasuese të Partive Komuniste, Partitë Socialiste, shumë shpejt, u kthyen në pushtet pas zgjedhjeve. Megjithatë, politika e bojkotimit të vazhdueshëm të Parlamentit, siç ka ndodhur në Shqipëri, është relativisht unike në vendet e Europës Lindore.

– Sado që në dukje shoqëria shqiptare është e politizuar, në masë ndihet edhe përhapja e mosbesimit ndaj politikës. A është edhe kjo pasojë e trashëgimisë komuniste apo kemi të bëjmë me një dukuri të re, të kushtëzuar nga rrethanat aktuale?

Mendoj se të dyja këto janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Ndërsa në komunizëm kishte një mosbesim të madh kundrejt shtetit, zhvillimet në vitet ’90, duke nisur qysh me manipulimet në zgjedhje e deri tek kriza financiare, prej së cilës shtresa të tëra të popullsisë humbën kursimet e tyre duke çuar në pragun e luftës civile, kanë bërë që në Shqipëri të krijohet një zhgënjim i madh dhe deziluzionim, sa u përket zhvillimeve politike.

– Përse duket kaq i vështirë përvetësimi i botëkuptimit të demokracisë në Shqipëri?

Unë mendoj se kjo ka të bëjë pjesërisht me një trashëgimi nga komunizmi, ku shteti ishte i superfuqishëm, kontrollonte gjithçka dhe qytetari shqiptar, në të vërtetë, nuk kishte të drejtën e fjalës. Tani që ka liri, ajo duhet përvetësuar, është e rëndësishme të dish se si të sillesh në liri. Por ka edhe një faktor tjetër, i cili, me sa duket, për shqiptarët është e vështirë të zgjedhin alternativa, sepse këto alternativa nuk ofrohen. Qysh nga viti 1990, thuajse nuk ka pasur fare ndryshim të elitave në Shqipëri. Elita që drejton tani politikën, pjesërisht e ka prejardhjen nga i njëjti rreth personash, të cilët përbënin elitën edhe në komunizëm.

– Më sipër ju theksuat se diskursi politik, fare pak ka të bëjë me koncepte, përse ndodh kjo?

Ka shumë pak dallime programore midis dy partive të mëdha: asaj Socialiste dhe Demokratike. Dallimet janë fare të vogla, sa i përket politikës së taksave apo asaj sociale. Por edhe midis partive të vogla, duke veçuar paksa Partinë Republikane, që ka një orientim, si të thuash, patriotik, dallimet programore janë të zbehta. Parimisht, mund të thuhet se dallimet midis tyre nuk janë të përkufizuara nga përmbajtja.

– A përbën problem për funksionimin e jetës parlamentare fakti që partitë nuk kanë dallime të qarta programore?

Përfundimisht, ky është vërtet një problem i madh. E rëndësishme është të shmanget fiksimi ndaj personalizimit të politikës dhe të vendosen pikë-rëndesat programore. P.sh. edhe në Partinë Socialiste ka pasur anëtarë apo edhe drejtues, të cilët, pas zgjedhjeve të fundit, nuk kanë qenë dakord me bojkotimin e Parlamentit dhe kërkonin kthimin në Parlament për të bërë një opozitë konstruktive. Por, për fat të keq, strukturat partiake janë aq të hierarkizuara dhe kjo pengon zgjidhjet e suksesshme.

– Ndonëse politika në Shqipëri dominohet nga dy partitë e mëdha që polarizojnë, peizazhi partiak, qysh në fillimet e demokracisë e deri më sot, ka pësuar ndryshime, duke u fragmentarizuar me krijimin e partive të reja. Është ky fragmentarizim në dobi apo në dëm të parlamentarizmit?

Faktikisht, në këto njëzet vjet, në Shqipëri janë krijuar një sërë partish. Por unë nuk do të mendoja se ky është një faktor, që e ka dëmtuar parlamentarizmin, sepse partitë e vogla kanë fare pak influencë në politikë. Përderisa ligjet elektorale, gjithmonë kanë favorizuar partitë e mëdha, për partitë e vogla ka qenë e mundur të marrin mandate parlamentare apo të jenë pjesë e pushtetit, vetëm pasi kanë hyrë në aleanca elektorale. Ishte hera e parë meLSI-në, për një parti të vogël, e cila pati sukses në zgjedhjet e vitit 2005. Kjo ishte edhe hera e parë që Partia Demokratike hyri në koalicion meLSI-në, një parti e krijuar pas shkëputjes nga Partia Socialiste. Deri më sot, socialistët apo demokratët e kanë siguruar shumicën përmes aleancave elektorale. Kjo do të thotë që segmentimi, as nuk e ka penguar, por as nuk e ka përmirësuar parlamentarizmin. Kjo, për arsyen se midis partive nuk ka dallime të qarta ideologjike, siç është p.sh. në Gjermani, ku ka një përkufizim të qartë programor midis kristian-demokratëve, socialdemokratëve, liberalëve, ekologjistëve apo të majtëve. Interesant do të jetë zhvillimi pas formimit të partive e reja, që pritet të krijohen së shpejti në verë: Njëra nga shkëputja e një krahu të Partisë Demokratike si dhe lëvizja “Kuq e Zi”, me një orientim të fortë nacional-populist, e cila me shumë gjasë do të riformatohet si parti e mirëfilltë. Lidhur me këtë të fundit, është interesante të mësohet se sa potencial do të ketë ajo, po të nisemi nga fakti që shumë qytetarë shqiptarë janë të zhgënjyer nga politika.

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen