ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

Greva e ish-përndjekurve, AK: Enveri ju dënoi, Berisha ju mashtroi

 TIRANË – Kryetari i Aleancës KuqeZi, Kreshnik Spahiu, dhe përfaqësues të kësaj partie, kanë vizituar gjatë ditës së sotme ish- të përndjekurit politikë, të cilët kanë nisur një grevë urie për shkak të mosmbajtjes së premtimeve nga ana e qeverisë për dëmshpërblimin e tyre.

Sipas Spahiut, ish të përndjekurit janë po aq fatkeqë si në kohën e komunizmit, pasi po përballen me padrejtësi.

Duke mbështetur kërkesat e tyre, përfaqësuesit e AK-së kanë theksuar se ish- të burgosurit politikë janë mashtruar prej 22 vjetësh për kompensim dhe integrim në shoqëri.

“Enver Hoxha i dënoi dhe u mori lirinë, ndërsa Sali Berisha i mashtroi dhe u dhunoi dinjitetin. Ish-të burgosurit politikë janë disidentë si me Enver Hoxhën, ashtu dhe me Berishën. Berisha nuk ka asnjë ish-të burgosur politik në zyrat e qeverisë,” theksuan përfaqësuesit e AK-së.

Sipas tyre, kryeministri i vendit ka ndërmarrë një mision për të shkatërruar elitën e ish-të përndjekurve politikë duke shtuar se AK-ja nuk do ta lejojë vetëflijimin e tyre.

“Së bashku do të rrëzojmë trashëgimtarin e Katovicës. Këto janë muajt e fundit të regjimit bardheblu”, kanë shtuar ata.

Ish- të dënuarit politikë vijojnë ditën e katërt të grevës së urisë pranë “Komunës së Parisit” në Tiranë dhe paralajmërojnë përshkallëzim të mëtejshëm të grevës deri sa kërkesat e tyre për dëmshpërblim nga qeveria të merren parasysh.

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen