ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

Gjergj, ti na bashkove, këta na ndanë

Myslim Pasha

Sali Berisha e bart me vete dasinë dhe urrejtjen. Erdhi në Lezhë për besëlidhjen e madhe historike të shqiptarëve, e në të vërtetë i ndau edhe më shumë ata. Erdhi për vete. E mbolli edhe aty kundërshtinë ndaj asaj që e parathoshte besëlidhja e madhe e Arbërit.
Mori me vete zonjën Jozefinë dhe kryebashkiakun e emëruar Lulëzim. E po kështu një tufë zyrtarësh të vënë në rresht, ushtarë të regjimit që 2 marsin e mësuan në datën 1. Në krahë të tij mungonin shqiptarë shtetarë, e po kështu nuk kishin zbritur nga trojet e Dardanisë dhe Dukagjinëve Isa dhe Albin Kurti. Ndaj një grup aleancistësh kuqezi varën në murin e bishtit të Urës së Drinit të dikurshëm, një baner në të cilin shkruhej si në lëkurën e kaut:

“Gjergj ti na bashkove me Europën dhe Këta na ndanë…” Mirëpo Ai në të tijën që në të tijën, sepse, kot nuk është Kalorës i urrejtjes dhe bash këtij kali i grah. Dheu i Arbërit e vuan përditë këtë urrejtje të pashterrur që buron prej tij. Si vallë ta shpjegosh ndryshe, që një aradhë e madhe policësh zbresin në krahë të memorialit të Besëlidhjes, që shpejt e shpejt të pastrojnë lulishten, të largojnë qytetarët që pijnë kafe, se pas pak minutash këtu do të kalonte “kalorësi” që kish për të mbajtur një fjalim për… veten e vet. Prandaj, dilni nga lulishtja, largohuni ose futuni këtu në barin e nëndheshëm, sa të kaloi Ai. Dhe ne marrim ujin në dorë që të kaloi Ai, Jozefina dhe Basha, për të shkuar tek Kathedralja e Gjergjit. Ne habitemi me veten dhe me këta… që ngjajnë si ardhës të vonuar, në një qytet të panjohur, që e kanë kërkuar qyshkur, por që s’e gjeten kurrë, dhe ja së fundi, sapo vijnë, e ndjejnë se janë të huaj.

Para tyre vrapon Drejtori i Operas Kombëtare (por ai nuk di as të vrapojë) jo të hapë udhën, se ata tanimë e kanë hapur policët, por për t’i shtruar rrugën me lule dhe tinguj violinash atij Kalorësit. Aty, paralel shqyen sytë medoemos Drejtori i Bibliotekës Kombëtare një intelektual i shquar, i cili edhe pse kish ardhur për tubimin e Besës nuk e piu dot rehat kafen, me një mikun e tij. Policët e shtynë edhe atë më tutje që ta fshihnin kur të shkonte Udhëheqësi. “Bijt’ e Bllokut, Horrat e Bulevardit, Faqezinjtë, Vetëfundosësit…ja kjo është lënda që mund të gatuhet kësaj dite në Lezhë dhe kur thuhet se jemi në Demokraci or tungjatjeta.

Atje ndënë Kathedralen e Shen Kollit hidhet vallja e sotme, me pasigurinë më të madhe, sepse kjo është tamam një pseudofestë. Njerëzit ndihen jo si në festë por kanë një shqetësim dhe dyzim. Policët ruajnë Lezhën e bashkimit?! Po nga kush vallë? Tej në Urë, nga Shkodra ku vinte Dukagjini, e nga Jugu Muzakët dhe Arianitët. Pse ruajnë dhe kontrollojnë policët? Tjetër gjë. Se vijnë ca kuqezinj që duan të festojnë me flamur. Që në kryqëzim të Shëngjinit i ndalin. Këtu ka vetëm një Princ. Atij duhet t’i ruhet kuvendi. Po mir more dashamir! Se këtu është mjedisi historik i një kuvendi të madh, simbol për shqiptarët, apo jo!? – Jo! Të thashë! Ka vetëm një kuvend ai është i Sali Berishës! Shqyen gojën njëri që depërton midis policëve, dhe siç e kanë mësuar shan: “faqezinj!”.

Njeriun me sharje nga ato të Princit të urrejtjes e rrëmbyen policët dhe bënë të vetmen vepër të lëvduar tek e shtynë në anën tjetër. Kuqezinjtë, kur u largua kalorësi, në kolonë hynë në qytet dhe pse të mos e themi, se nuk u ndjenë mirë mbasi janë “të ndaluar” në qytetin e bashkimit dhe të Besës. Në vend të bëjnë një festim të denjë frymëzues, bëjnë një demonstrim, sepse kështu e ka mendësia e demokraturës së Kalorësit. Qytetarët lezhjanë dëgjojnë kumtet që vijnë dhe duartrokasin, por prapë nuk janë të qetë mbasi nuk ndjehen të bashkuar. Qyteti, Kështjella, Kathedralja dhe prapa, mali i Velës nuk ndjehen të qetë. Këtu poshtë sërish flitet për pazare, pazare me detin, pazare me CENSUS- in, pazare me Kalatë që do të kthehen ne bare apo kushedi motele…

Ndërkaq Gjergji më i mërzitur se kurrë vjen e ikën nga fusha në mal, për t’i mbledhur princërit e Arbërit. Po ata nuk mblidhen dot. “Gjergj, me ty e fituam Europën dhe me KËTA e humbëm!

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen