ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

“Europa po i vë fshesën partive tradicionale”

Kreshnik_Spahiu_r

Kreshnik Spahiu vijon t’i vijë kryq e tërthor qyteteve e fshatrave të Shqipërisë. Tamam si në një fushatë elektorale. Në këto kohë kur potilika është gozhduar në godinat e saj për zgjedhjen e kreut të shtetit, Aleanca Kuq e Zi duket e vetmja forcë politike që kërkon dhe stimulon kontaktin me shqiptarët. Një normalitet, në rrugën e vështirë drejt afirmimit dhe zgjedhjeve të vitit të ardhshëm. Spahiu shprehet se maxhoranca po “prenoton” sistemin, duke marrë nën sqetull të gjitha institucionet

Nga Skender Minxhozi

Revista JAVA

Zoti Spahiu, nëse do të bënim një bilanc të deritanishëm të AK, cili do të qe ai?

Bilanci i deritanishëm i Aleancës Kuq e Zi është se rezulton që të jetë lëvizja e parë mbarë kombëtare në historinë e politikës shqiptare, e cila shtrihet me struktura në gjithë trevat etnike shqiptare dhe lëvizja me numrin më të lartë të anëtarësimeve dhe aktivistëve të saj në njësinë e kohës që kemi patur në dispozicion.

Kam bindjen se Aleanca Kuq e Zi po tregon se është unike në filozofinë dhe metodologjinë e veprimit dhe për këtë arsye ajo është krijuar si lëvizje e qendrës, me një rol kritik të fortë ndaj gjithë elitës së vjetër të politikës. Aleanca Kuq e Zi mundi të sfidoje qeverinë antishqiptare të kryeministrit Berisha, në organizimin e censusit të porositur nga Athina, për copëtimin dhe cenimin territorial të Shqipërisë. Si fillim, ky është një sukses që e shoh si jo të vogël. Pjesa tjetër e bilancit është në ndërtim e sipër, me profilin tonë që po konsolidohet dita-ditës.

Krijohet përshtypja se futja e lojës politike brenda Kuvendit, me rastin e zgjedhjes së kreut të shtetit, i ka lënë disi mënjanë siglat e reja, ku futet edhe lëvizja juaj. Sa përkon kjo me të vërtetën?

Po, është e vërtetë që kjo situatë politike e krijuar ka eklipsuar lëvizjet e reja. Së pari, Aleanca Kuq e Zi nuk është ende lëvizje parlamentare dhe nuk mund të influencojë në procesin e votimit në parlament. Së dyti, kam përshtypjen se media ka rënë viktimë e lojës së Berisha-Nano, duke amplifikuar 3 muaj rresht një proces surreal të zgjedhjes së presidentit, nëpërmjet qokave dhe kafeve që pinë liderët dhe krokodilët e vjetër me njëri tjetrin. Menyja mediatike ka ushqyer hapësira të cilat nxjerrin jashtë kontekstit problematikat aktuale që ka vendi. Dhe kjo është për të ardhur keq, por nuk jam i prirur gjithsesi që ta përjetoj si një fatalitet. Kjo dehje e përgjithshme me tarafin e vjetër politik do të kalojë.

AK po shquhet për një gjuhë të ashpër ndaj të dyja partive të mëdha. A mund të thuhet se lëvizja juaj ka gjetur tashmë një ekuilibër te drejtë, në raport me PD e PS?

Aleanca Kuq e Zi është e vetmja lëvizje politike që e ka të përcaktuar një kauzë të sajën. Ky është ndryshimi i saj themelor nga partitë tradicilonale. Aleanca Kuq e Zi është përcaktuar si lëvizje e qendrës, si një lëvizje mbarëkombëtare me dy prioritete bazë:

bashkimin kombëtar, i cili duhet të fillojë me bashkimin e dy shteteve shqiptare, Shqipëri-Kosovë, para se të antarësohemi në BE, si dhe ndryshimin e regjimit politik të Berishës, për të mundësuar vendosjen e një shteti ligjor në Shqipëri. Shqipëria dhe shqiptarët do t’i japin një goditje të fortë të gjithë oligarkisë politike të PD dhe PS, duke hapur hapësira për një doktrinë dhe lëvizje të re patriotike, siç është Aleanca Kuq e Zi. Shikoni situatën rreth nesh. E gjithë Europa po i jep një leksion domethënës partive tradicionale dhe bipolarizmit e Shqipëria nuk mund të mbetet një shekull pas për të disatën herë.

Tashmë partia e presidentit ekziston, por ka zgjedhur një profil të kujdesshëm publik. A ka ndonjë gjë më konkrete mes jush dhe FRD, sa i takon aleancave të ardhme?

Aleanca Kuq e Zi dhe FRD nuk kanë ndonjë kontakt mes tyre, por natyrisht ne po ndjekim me vëmendje lëvizjet e të gjithë spektrit politik.

Keni hedhur në tregun politik tezat e rotacionit të elitave politike dhe kufizimit të mandateve. Sa të mundura i shihni këto ide, në një skenë të dominuar nga klanet, tarafet dhe parcelat?

Shumë të vështirë, por jo të pamundur. Aleanca Kuq e Zi ka ambicien e natyrshme që të kushtëzojë çdo koalicion dhe marrëveshje në një të ardhme të afërt, me imponimin e një pakete ligjore për limitimin e mandateve politike të kryeministrave, deputetëve, ministrave, kryetarëve të partive, bashkive e komunave. Shikoni ç’ndodh përreth. Kemi para syve të njëjtat fytyra ministrash që nga viti 1992. Deri më sot vijon e njëjta situate, si në legjislativ, ashtu dhe në pushtetin lokal.

Si e shihni procesin e ngecur për zëvendësimin tuaj në KLD? A mund të kishte vepruar ndryshe presidenti, apo mendoni se nuk ka pasur hapësirë manovrimi, pasi ju dhatë dorëheqjen?

Votimi në fjalë ka qenë kronika e një procesi të paralajmëruar, ku Berisha dhe qeveria vunë nën kontroll nomenklaturën e sistemit gjyqësor dhe me zgjedhjen e presidentit të ri, do vazhdojnë me mbylljen e të gjithë proceseve politike ku ka qenë e implikuar qeveria apo zyrtarët e saj të ndryshëm. Lufta për të marrë presidencën apo karrigen që unë e dorëzova, është luftë për të pushtuar sistemet.

Sa të mundshme i shihni zgjedhjet e parakohshme? A do të dëmtonte një mundësi e tillë partitë e reja, përkatësisht ju dhe FRD?

Këtë javë AK zyrtarizon strukturat në kongresin e saj mbarëkombëtar dhe është përgatitur me listat për të garuar dhe për të sfiduar mazhorancën. Ne jemi të gatshëm për zgjedhje të parakohshme. Ndjej keqardhje që disa parti të vogla parlamentare, të cilat janë aleate të PD ose PS, nuk e kuptojnë ende se në zgjedhjet e ardhshme do jenë të asgjësuara politikisht, nëse nuk i imponohen të mëdhenjve me zgjedhje të parakohshme, ose me kushtin e reformës zgjedhore për korrektim të sistemit proporcional kombëtar. Ujku Berisha është duke i ngrënë dhe ato shpresojnë të jenë në ëndërr!

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen