ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

Europa mbështet hapur veprimtarinë e Aleancës KuqeZi

Për shkak të Presidencës daneze, zëri i ambasadorit te Danimarkës, Karsten Jensen, u dëgjua me interes të veçantë nga opinioni publik. Në fakt ambasadori foli shumë hapur e ndërhyu në shumë gjëra, që normalisht nuk i takojnë një ambasadori, mirëpo z. Jensen nuk po kryente vetëm detyrën zyrtare të ambasadorit danez, por edhe atë jozyrtare të të dërguarit të posaçëm të BE-së.

Ndërsa nga mediat pranë PS-së, fjalët e tij përgjithësisht u mirëpritën, nëpër mediat pranë PD-së, pati edhe zëra të irrituar për joprofesionalimin e ambasadorit si dhe (më e bukura) për shkeljen e dinjitetit të Shqipërisë si vend sovran ! Kur Berishës nuk i pëlqejnë kritikat e Europës, menjëherë dalin ankesat për ndërhyrje në punët e brendshme, film i vjetër të cilit po i prishet shiriti nga përdorimi.

Kreu i PS-së, Edi Rama, në analizën e tij, krejt ndryshe nga analistët e majtë dhe ata kozmopolitë, kuptoi thelbin e gjithë intervistës dhe vuri theksin tek ‘interesat kombëtare’:

Përmes një projekti politik që ka në thelbin e vet interesat kombëtare dhe një vizion të ri për Shqipërinë e shekullit XXI.

Si ka mundesi që Edi Rama, për herë të parë vendos në thelb të projektit politik pikërisht interesat kombëtare, sikundër e ka në thelb të veprimtarisë së saj Aleanca KuqeZi ( i kam dedikuar shkrimin ‘Interesi kombëtar si përcaktor i suksesit të AK-së’)?

Përgjigjen na e jep vetë z.Jensen (pjesën kyç të intervistës mund ta lexoni në fund të shkrimit), i cili thotë :

– Sa shpesh e dëgjoni një politikan shqiptar të flasë rreth interesit kombëtar, dhe për të mirën e vendit?! Politika shqiptare është rreth PD-së, PS-së, LSI-së……

Megjithatë z. Jensen tha shumë më tepër se kaq, ndër të tjera është për t’u veçuar krahasimi se Kosova ndodhet më afër BE-së se Shqipëria:

Pavarësisht diferencave dhe interesave vetjake të tyre, politikanët kosovarë, duket të kenë një kuptim shumë më të thellë për atë se çfarë është e rëndësishme për mbijetesën dhe të ardhmen e shtetit të tyre. Në këtë kuptim, mund të thuhet se perspektivat Kosovës për anëtarësim në BE janë në fakt më të mira se të Shqipërisë.

Z. Jensen nuk dha këmbana alarmi vetëm për Shqiperinë, por  në radhë të parë dha këmbana alarmi për klasën politike shqiptare, të cilën në praktikë e shumëzoi me zero, biles më tej ai na jep të nënkuptojmë se Europa do ta mirëpriste një klase të re politike, e cila nuk sheh interesat vetjake, por interesat e kombit, madje shkon aq larg saqë (diplomatikisht) identifikon tek krijimi i një partie nacionaliste të vetmen rruge për  hyrjen në Europë :

Në dy vitet e fundit kam vënë re një rritje të shpejtë të ndërgjegjësimit të kulturës dhe identitetit shqiptar. Disa e shohin këtë si një shenjë shqetësuese. Unë jo. Nacionalizmi nuk është natyrshmërisht i keq, është një element i domosdoshëm për ndërtimin e kombit, dhe ndoshta ajo çfarë duhet për ta bërë politikën shqiptare të fillojë të fokusohet në të mirën e vendit, kombit dhe popullit, sesa në mirëqenien e pushteteve që ekzistojnë.

Pra, z. Jensen e sheh si shenjë pozitive rritjen e shpejtë të ndërgjegjësimit të kulturës dhe identitetit kombëtar. Krejt ndryshe nga kritikët dhe kritizerët e Aleancës KuqeZi, të cilët s’kanë lënë gjë pa thënë kundër veprimtarisë së saj, ambasadori danez e sheh si të domosdoshëm gjithë aktivitetin e AK-së, e pavarësisht se nuk e cilëson me emër, dihet që kjo rritje e shpejtë për të cilën flet z. Jensen është mundësuar falë veprimtarisë së Aleancës KuqeZi.

Por ai shkon më tej, sepse ndërsa në Shqipëri ekziston një frikë për përdorimin e fjalëve nacionalist e nacionalizëm, z. Jensen nuk heziton aspak të thotë se ‘nacionalizmi është i domosdoshëm‘. Këtu ai u ngjesh një shuplakë jo vetëm politikanëve shqiptare, por edhe intelektualëve kozmopolitë, të cilët me miopinë e tyre, kanë goditur një element kaq të domosdoshëm për zhvillimin e vendit, aq sa kjo frikë e sotme për të përdorur fjalët nacionalist e nacionalizëm, i ka rrënjët pikërisht tek vjellja vrer e këtyre intelektualëve, të cilët sot më shumë se kurrë ngjajnë me ‘kalorësin e fytyrës së vrerosur’ të Servantesit.

Ndryshe nga politikanët dhe intelektualët kozmopolitë e padyshim në përputhje të plotë me vizionin e Aleancës KuqeZi, ambasadori danez shprehet:

-Një vetëdije kombëtare shqiptare më e madhe në rajon, mund të jetë një forcë shtytëse për ndryshim pozitiv në rajon. Historiku i Shqipërisë është i lavdërueshëm dhe i pashoq.

Po kështu z. Jensen u ve një fre edhe zërave pseudokritikë se Aleanca KuqeZi me nismat e fushatat e saj patriotike, po i vendos Shqipërisë pengesa, në rrugën e saj drejt Europës. E kundërta është e vërtetë, veprimtaria e Aleancës KuqeZi po vlerësohet lart në Europë dhe po shihet si rruga e vetme për integrimin europian.

Europa po flet qartë, më troç se kurrë, shqiptarë nese doni Europën, më së pari duhet të jeni shqiptarë, duhet të shikoni interesin tuaj kombëtar, sepse ai nuk bie aspak ndesh  me integrimin, por përkundrazi bie ndesh me partikularizmat e interesat personale të politikanëve, të cilat janë pengesa e vërtetë e Shqipërise për hyrjen në Europë.

Interesi europian pajtohet, biles martohet, me interesin kombëtar të shqiptarëve, një aleancë e përbashkët shqiptaro-europiane, kundër interesave personale, familjare e klanore të klasës politike.

Tashmë është e qartë për të gjithë, edhe për kundërshtarët e Aleancës KuqeZi, që Europa nuk ka aspak frikë nga nacionalizmi shqiptar, të cilin e vlerëson si të shkëlqyer nga pikëpamja historike dhe si të domosdoshëm për kushtet e sotme të Shqipërisë, si një nxitës, shtytës, të shoqërisë e politikës shqiptare, drejt asaj që është më e mirë për shqiptarët.

Nuk kish si te ish ndryshe, pasi dihet shumë mirë , se që nga koha e Rilindjes, nacionalistët shqiptare  i kanë pasur sytë nga Europa, si model zhvillimi ekonomik, shoqëror e institucional, por pa harruar se në thelb ne jemi shqiptarë, me gjak, gjuhë, traditë, moral e se kemi vetëm një Atdhe, Shqipërinë Etnike.

Nëse ne harrojmë kush jemi, harrojmë qenien tonë, esencën tonë të thellë, ajo që na ka bashkuar në një shoqëri, në një komb, në një shtet, harrojmë moralin tonë historik dhe kështu zgjidhim nga zinxhiri shtazën që është brenda nesh, atë që për hir të interesave personale, na bën të shkelim mbi njëri-tjetrin, të vrasim njëri-tjetrin, ti vëmë shkelmin shtetit e vetë të ardhmes e brezave që do vijnë.

Europa nuk kish si të jepte mesazh më të qartë, më të kthjellët e të drejtpërdrejtë se kaq, tani është në dorën e shqiptarëve, kush ka sy le të shikojë, kush ka veshë le të dëgjojë.

Ledjan Prifti

P.S pjesa kyç e intervistes se ambasadorit danez

Sikurse e kam prekur në  intervista të tjera, politikës shqiptare i mungon vlerësimi për interesin e përbashkët, kaq i domosdoshëm për Shqipërinë që të ketë sukses si komb. Politika ështe e fokusuar mbi interesa individuale dhe vetjake. Mendoni pak! Sa shpesh e dëgjoni një politikan shqiptar të flasë rreth interesit kombëtar, dhe për të mirën e vendit?! Politika shqiptare është rreth PD-së, PS-së, LSI-së dhe shumë shkurtimeve të tjera, që përbëjnë panoramën e politikës shqiptare, si dhe më shpesh rreth atyre që personifikojnë këto shkurtime. Rallë dëgjoni politikanë shqiptarë të shprehin me zë mendimet dhe vizionet e tyre për Shqipërinë si një komb dhe çfarë mund të përfitojnë të gjithë shqiptarët apo brezat e ardhshëm.

Kjo nuk është një  sëmundje e trashëguar e politikës shqiptare. Kosova, e cila ndesh sfida edhe më të mëdha se vetë Shqipëria, shfaq më pak nga këto tipare. Pavarësisht diferencave dhe interesave vetjake të tyre, politikanët kosovarë, duket të kenë një kuptim shumë më të thellë për atë se çfarë është e rëndësishme për mbijetesën dhe të ardhmen e shtetit të tyre. Në këtë kuptim, mund të thuhet se perspektivat Kosovës për anëtarësim në BE janë në fakt më të mira se të Shqipërisë. Qëndrimi, të paktën, është më konstruktiv, më i pjekur, ndonëse Kosova është e pavarur prej vetëm pak vitesh.

Megjithatë, mbase po dëshmojmë nisjen e ndryshimit për mirë. Në dy vitet e fundit kam vënë re një rritje të shpejtë të ndërgjegjësimit të kulturës dhe identitetit shqiptar. Disa e shohin këtë si një shenjë shqetësuese. Unë jo. Nacionalizmi nuk është natyrshmërisht i keq, është një element i domosdoshëm për ndërtimin e kombit, dhe ndoshta ajo çfarë duhet për ta bërë politikën shqiptare të fillojë të fokusohet në të mirën e vendit, kombit dhe popullit, sesa në mirëqenien e pushteteve që ekzistojnë.

Një vetëdije kombëtare shqiptare më e madhe në rajon, mund të jetë një forcë shtytëse për ndryshim pozitiv në rajon. Historiku i Shqipërisë është i lavdërueshëm dhe i pashoq. Shqiptarët vazhdimisht kanë nxitur paqen rajonale dhe të kuptuarin e të kaluarës. Dhe vazhdojnë ta bëjnë këtë. Nuk shoh arsye se përse mentaliteti shqiptar duhet të ndryshojë me rritjen e ndërgjegjësimit për të kuptuar se shqiptarët janë një popull dhe një komb. E thënë kjo, mendoj se gjithashtu është e qartë për cilindo, me më të voglën njohje të dinamikës së rajonit, se një komb shqiptar mund të realizohet vetëm nën çadrën e Bashkimit Europian.

Nëse rezultati i gjithë  kësaj do të jetë pozitiv apo negativ, nuk mund ta them. Me të gjitha gjasat, 2012-ta do të jetë një  vit vendimtar për Shqipërinë. Pavarësisht gjithçkaje, është në dorë të Shqipërisë të bëjë zgjedhjet e veta të duhura, sipas rrethanave, por edhe të qenit inaktiv, në vetevete, është një zgjedhje. Koha po ecën, madje shpejt.

 

6 KOMENTE

Ermal

10/01/2012

arrow

Une jam plotesishte ndakord qe te distancohet Aleanca Kuq e Zi me poletikane te gjenerates se vjeter 21 vjecare si Berisha, Rama, Gramozi, Topi, Biberaj, Mustafa, Gjinushi, Shalci shalqiu dhe kukumjaqkat Jozi dhe ajo bjondja e PS QE as emrin sja permend dote se me neverit kur e shoh ne televizor. Te gjithe keto poletikane i kane shitur interesat e Shqiperise dhe kombit Shqiptar. Edhe ky Rama qe na dordellise tani per interesa kombetare ku ishte kur organizoje banda huliganesh me huje ne dore, granata dhe makina kamikazo terroriste qe sulmonin institucionet e Shqiptarve me 21 Janar sikur te ishin pronat e tij apo te Saliut? Institucionet Shqiptare duhen mbrojtur me cdo kushte se ato i perkasin Shqiptarve dhe jo poletikanve te djathte apo te majte apo fundrinave militanto mercenare te djathta dhe te majta. Si Berisha qe ka mbledhur rreth vetes zagar si puna e Ilir Metes nje bande korrupsionistash edhe Edi Rama ka mbledhur nje bande te veten si puna e Erjon Veliut qe beri gjiron e botes duke i dankosur edhe me tej imazhin e Shqiperise se gjoja Shqiptaret ja nxirrkan nanave femijen para kohe nga barku dhe mos te shkojme me tej si tipave si Ngjela me shoke. Keto jane karta te djegura. Une ju pershendes nga zemra dhe me gjithe shpirt ne qofte se me te vertete punoni ne interes te kombit tone shqiptar dhe shqiptarve ku do qe jane.

europeisti

11/01/2012

arrow

I gjithe ky artikull ndertohet duke spekulluar ne 2 pika: 1.Nje gabim ne perkthim,ambasadori danez nuk thote ekzaktesiht ne se “nacionalizmi eshte i nevojshem”,2.Njehesohet qendrimi i ambasadorit Jesen me qendrimin e B.E.Pergjigjen me te mire nderkombetaret po u’a japin ne trajtimin qe po i bejne levizjes per “Vetvendosje” ne Kosove.Per te gjitha partite e tjera politike shqiptare ishte kusht qe te mos benin koalicion qeverises me kete levizje dhe sot ajo eshte ne opozite ndonese nga votat u percaktua si forca e trete politike.Gjithsesi nuk duhen bere spekullime te tilla me deklaratat e nje individi (qe ne kete rast nuk jane as plotesisht ashtu sic i paraqisni ju).Ne parlamentin europian ka shume forca nacionaliste apo te ekstremit te djathte si p.sh. nga krahu politik i “Magyar Guard” hungareze,neonazisteve austriake apo separatisteve italiane te “Lega Nord”.Qendrimet e tyre nuk perfaqesojne domosdoshmerisht ato te B.E.Mos harroni qe ambasadori amerikan ne Paris ne 1939 eshte shprehur ne favor te bashkimit te Gjermanise naziste me Austrine dhe krahinen ceke te Sudeteve,gje per te cilen u pendua vetem disa jave me vone (kjo deklarate ishte dhe arsyeja e shkarkimit te tij nga detyra).Ne cilen pike e mbeshtet B.E-ja AK-ne?Ne kerkesen per t’u bashkuar me Kosoven?Apo ne kontestimin qe i beri censusit ne Shqiperi qe ishte nje kerkese ekskluzive e B.E-se ndaj qeverise shqiptare?
Jam dakord qe klasa politike shqiptare duhet te rinovohet,jam dakord qe politikanet e te dyja kraheve ta shpifin.Por,kjo nuk do e justifikonte lindjen e nje partie neofashiste shqiptare.Demokracia ndertohet duke i lene menjane ekstremizmat.

Ledjan

11/01/2012

arrow

Pershendetje europeisti, ambasadori thote:

”’Nacionalizmi nuk është natyrshmërisht i keq, është një element i domosdoshëm ”’ etj etj
Nese kesaj fraze i heq pjesen ku thote çfare nacionalizmi nuk eshte ( nuk është natyrshmërisht i keq) na del pjesa çfare eshte (është një element i domosdoshëm).

Ku eshte spekullimi ketu ?

Thua:
”’Njehesohet qendrimi i ambasadorit Jesen me qendrimin e B.E”’

Ate e kane bere te gjithe ne Shqiperi, sepse realisht ashtu eshte, marrja e Presidences nga nje vend i BE-se e kthen vetvetiu ambasadorin e saj ne shfaqes te pikepamjeve te Presidences se BE-se.

Gjithe te mirat e spekulloni me pak, si thote ambasadori, nacionalizmi shqiptar nuk eshte gogol por :
– një forcë shtytëse për ndryshim pozitiv në rajon. Historiku i Shqipërisë është i lavdërueshëm dhe i pashoq.

europeisti

11/01/2012

arrow

Pershendetje Ledjan!nqs je autori i shkrimit me vjen mire qe me pergjigjesh personalisht.
Ketu i’a jepni nje deklarate te perkthyer te thene nga ambasadori brenda nje konteksti te caktuar (Shih deklaraten ne gjuhen origjinale).Ai flet per klasen politike shqiptare dhe thekson se duhet te vene ne plan te pare interesat kombetare (pra,perpara atyre personale).Spekullimi juaj filloni kur beni lidhje mes kesaj deklarate dhe nje mbeshtjetjeje hipotetike te B.E-se ndaj Aleances Kuqezi.Me thoni pra,c’qendrim zyrtar ka B.E-ja ne lidhje me bashkimin e Kosoves me Shqiperine qe ju kerkoni?A mund te thoni dot se censusi nuk ishte nje kerkese e drejtperdrejte e Komisionit Europian?
Sa per deklaraten se “nacionalizmi eshte nje force shtytese per ndryshim ne rajon” nqs e ka bere me tere mend ambasadori atehere ai ka nevoje per ilace mendore.Nacionalizmi eshte nena e gjithe te keqijave ne ballkan.Nacionalizmi serb ka prodhuar luften ne ish-Jugosllavi,masakren e Serbrenices dhe pastrimin etnik ne Kosove,nacionalizmi turk prodhoi pastrimin etnik ndaj grekeve ne Azine e vogel kurse nacionalizmi grek,pastrimin etnik ndaj shqiptareve myslymane ne Cameri.Boll me me kultivim urrejtjesh,duhet te fillojme te ndertojme ura bashkepunimi.Ne Europe do hyme sebashku me greket,maqedonasit dhe serbet.

Altin

13/01/2012

arrow

Perkrah mendimet e europeistit: sot BE (e as SHBA, qe nuk e bombarduan Serbine me qellim qe Kosova te bashkohej me Shqiperine) nuk e duan me nacionalizmin ne Ballkan. Ne vend qe te mendojne te bashkohen, Tirana e Prishtine duhet te shohin te evropianizohen. Serbet, malazezet e maqedonasit jane para nesh ne rrugen per ne BE e nese shohim endrra me bashkime territoresh nuk kemi per te marre as statusin e kandidatit e jo me te hyjme ne Evrope.

Pellumb

01/02/2012

arrow

Sot jam 41 vjeq dhe per her te par shof tek ju nje parti te vertet shqiptare.. ku flitet vetem per kombin. Qe ne fillim te krijimit te aleances e kam ndjekur me shum vemendje dhe me ka perciellur gjithmone emocion.Shpresoj qe keto emocione ti kem deri sa te jem gjadh, dhe sikur i ndjej un emocionet duhet ti ndjejn te gjith ata qe ne mbrendesin e shpitit ndihen shqipetar.
Uroj aleancen kuq e zi dhe drejtuesit e saj qe din te perciellin emocione ne te gjith zemrat e shqiptarve e te kuptojne nje her e pergjithmon se ka ardh momenti qe shqipnin ta drejtojne shqiptart te vertet , qe nuk i shrbejne as serbe dhe as grekve.
Jam shum i kenaqur qe erdhi momenti per mua qe te gjitha ndjenjat qe kam per kombin te kem mundesin qe ti shprehi , sepse jeta ne mergim eshte shum e veshtire ku nuk llogoriten parat por malli per vendin qe te bren nga mbrenda.dhe sa her qe kam ardh ne shqiperi e gjitha politika qe drejton akoma vendin te len te deshperuar sepse shikojne vetem dhe vetem interesat e veta.
Pershendetje Pellumbi.

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen