ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

Eposi i Kreshnikut

Fort po shndrit njaj diell e pak po nxeh !

Ka plot 20 vjet që shohim diellin e demokracisë, mirëqenies dhe Europës, po fare pak ai diell na ka nxeh’, fare pak ngrohtësi ka mbërritur tek ne. Erërat e akullta berishiane, erërat e forta që solli nga Viçidoli na kanë ngrirë buzën e na  kanë fshikulluar fytyrën . Të vetmin zjarr që Demoni i Shkretëtirës së Akullt nxit e ushqen është zjarri që shkatërron Shqipërinë, zjarri i vitit 1997, zjarri i Gërdecit e zjarri i tytave të armëve të 21 Janarit. Tek ky zjarr që ngroh veç armiqtë e shqiptarisë, Demoni i Shkretëtirës së Akullt gjen motivet e veta politike, ushqen rrënjët e veta barbarike, gjen shkëlqimin e tij.

Shkëlqimi i acartë berishian u përpoq të shuante edhe zjarrin nacional-demokratik, në mënyrë që gjithçka shqiptare të vdiste në përqafimin vdekjeprurës të kallkanit berishian. Për 20 vjet ia doli mbanë, zemrat e shuara, cinike e ngërdheshëse, i gjen ngado, vërdallisën si zombi kudo në Shqipëri. Këto janë zemrat varrpakallura, nuk ka në to më asnjë shkëndije shprese për Shqipërinë. Por, nuk ka shuar  zjarrin nacional-demokratik të zemrave djaloshare, të asaj djalërie që i ka dalë përherë Zot këtij vendi.

Pas 20 vjetësh acarokracie lindi një Epos i ri, prej këtyre zemrave djaloshare, një epos me kreshnikë të rinj e me armiq të vjetër e të rinj. Kjo është vërtetë një epikë, sepse për të çarë këtë shtresë të acartë berishiane duhen vërtet përpjekje vigane. Nuk ka titull më të mirë për këtë epikë bashkëkohore, sesa Eposi i Kreshnikut. Duan-s’duan ata që s’duan, ishte Kreshnik Spahiu ai që e nisi, ai që e pranoi këtë barrë të rëndë, atij të cilit i kushtohet ‘kënga’ e parë, ai që e hap këtë Cikël.

Si çdo epikë që respektohet edhe Eposi i Kreshnikut ka luftëtarët e së mirës e së keqes. Figura qëndrore e së Keqes është padyshim Krajl Berisha, Krajli i Kullës së Kryeministrisë, i mbiquajtur Sali Krokodili. Qëllimi i parë dhe i menjëhershëm i Kreshnikut dhe kreshnikëve është debimi i Krajl Berishës nga Kulla e Kryeministrisë dhe kthimi i saj në institucion shtetëror modern e demokratik. Dihet që Krajl Berisha e ka pushtuar Kryeministrinë, e ka kthyer në Kullë mesjetare e anadollake dhe e mbron me sejmenet dhe bashibozukët e tij.

Në këngën e parë, Fuqia e Kreshnikut, pamë sesi Kreshniku e mori fuqinë nga rrënjët patriotike, nga gurra popullore, nga parimi kombëtar i shtetformimit që në formën e zbehtë kish mbijetuar në Kushtetutë, nga e cila Krajl Berisha nuk kish mundur ta zhdukte. Kushtetutshmëria si formë supreme e së drejtës, vlerat kushtetuese si përmbajtje e jo vetëm si formë, ishin edhe shprehja më e mirë e fillimit të luftës per zbythjen e Krajl Berishës nga qëllimet e tij të mbrapshta antishqiptare.

Në këngën e dytë, Kreshniku përballë Pollo Palikarit, pamë sesi mercenari grekoman Pollo Palikari i vënë nën urdhërat e Berishës nga Micotaqisi qysh më 1991, doli ne mejdan kundër Kreshnikut, por fuqia e Kreshnikut, vendimi i Gj. Kushtetuese dhe vullneti popullor bënë që i ashtuquajturi Census të dështonte dhe Pollo Palikari të hapte serinë e sejmenëve humbës përballë Kreshnikut. Kujtojmë që kumbari politik i Pollo Palikarit, Micotaqisi, vjen nga i njëjti fis ziprurës i Venizellosit, që aq të zeza i ka sjellë Shqipërisë e shqiptarëve.

Në këngën e tretë, Kreshniku përgjunj Harambash Alibeun, pamë sesi sejmeni e kryehajduti Alibeu, me urdhër të Krajl Berishës, u përpoq të bllokonte veprimtarinë e Kreshnikut me anë të një komisioni qesharak hetimor. Haram-bash që në shqip përkthehet Krye-harrami, kryehajduti ( bash në shqip i thonë krye, kokë) është titulli më i denjë për Alibeun, një nga sahanlëpirësit më të mëdhenj të Krajl Berishes dhe hajdutët më të mëdhenj që ka njohur ndonjëherë Shqipëria. Në fund të kësaj këngë, kemi Harambash Alibeun që mbyll komisionin me një dështim të plotë, por fundi i kësaj kënge me akuza penale na sjell tek kënga e katërt, të cilën po përjetojmë.

Kënga e katërt, Kreshniku përballë bashibozukëve të policisë, na rrëfen sesi Kraj Berisha pasi dështoi me sejmenët e tij politikë, Pollo Palikari dhe Harambash Alibeu, po kërkon me anë të policisë të vendosë ligjin e xhunglës duke penguar Kreshnikun të përhapë fjalën e tij në Lezhë. Krajl Berisha, si çdo njeri i pyllit, si çdo barbar, mendon se është më i fortë kur sundon ligji i xhunglës.

Eposi vazhdon… duhet të vazhdojë deri në triumfin e plotë të së Mirës ndaj së Keqes, sepse nuk mund t’i lejohet të Keqes që të shkatërrojë plotësisht Shqipërinë. Frymës së akullt berishiane, që ka kthyer në ngricë të pashembullt gjithë hapësirën shqiptare, i duhet vënë përballë fryma e zjarrtë nacional-demokratike, që kjo e fundit ta përpijë në flakët e saj Demonin e Shkretëtirës së Akullt. Demoni ka frikë nga zjarri, akulli tërhiqet gjithnjë para zjarrit, prandaj përpiqet ta shuajë zjarrin, para se ky të bëhet i pandalshëm.

Veçse Demoni harron që ky zjarr është i pandalshëm, se ky zjarr nuk lind nga shkarpat, po gjendet brenda çdo njeriu, mjaft që njeriu të kujtohet e perkujdeset për të. Demoni harron që ky zjarr ushqehet me vrullin rinor, me shpresën për një jetë më të mirë, me dëshirën për një Shqipëri demokratike, me frymën kombetare për një Shqipëri të Bashkuar. Krajlit të Kullës së Kryeministrisë po i vjen fundi, regjimin e tij të acartë do ta përpijnë flakët, një grusht i fortë kombëtar do t’ia shkërmoqë dhëmbët krokodilit që ha shqiptarë, e drejta e kombit do ta vendosë prapa hekurave të burgut e do të hedhë çelësin, për të gjitha të zezat që ky barbar anadollak i ka shkaktuar Shqipërisë e shqiptarëve.

Ledjan Prifti

 

2 KOMENTE

FERDEROVA

28/02/2012

arrow

Me pene ,por dhe me grusht-zemren e kemi prush!

FORCA RINI,MOS E NDAL VRAPIN TI!

REND OR MARATHONOMAK..REND ..
E MOS U NDAL,PARA DO TE DALIN HIJENA E SHTRIGAL..

Ermal

01/03/2012

arrow

Ledjane jam plotesishte dakord me konstatimin tend ndaj Berishes dhe jemi po te njejtit mendim por persa i perket 21 Janarit nuk me dukesh se je plotesishte realist. Jam i mendimit qe keto horra 21 vjecar duhen zhdukur se per karrike dhe inate mes tyre e kane quar Shqiperine aty ku eshte sot. Persa i perket 21 Janarit aspak faj nuk i ze qeverise ku bandite mercenare te cmedur ju versulen ushtarve dhe policve te atdheut si bisha dhe duke demtuar objektet private dhe shteterore dhe duke krijuar konflikt ndercivil. Permendimin tim ne kete rast Kryeprokuroria do duhej te ishte gjithperfshirse dhe ti denonte si agresoret njelloj sikur atyre qe kane kaluar kompetencat por si gjithmone prokuroria ju dha dore te lire dhe i inkurajoj anarkistet. Institucionet nuk jane as te Berish diktator tradhtarit dhe as te Edvin Rame keqadashesi te shqiperise dhe prishjes se imazhit te Shqiperise duke bere gjiron e botes. Aleanca Kuq e Zi do duhet te perqendrohet ne nje revulucion te mirfillte per zhdukjen e te gjithe monopolit dhe klases se politikes qe ka udhehequr Shqiperine mjerishte keto 21 vite se sa te hargjoje energji koti ne nje ose dy individed kryesore te kesaj kupole bolshevike dhe anarkiste por do duhej ti zhduknim njehere e pergjithmone listen e gjate te ketyre poletikanve qe sollen Shqiperine dhe Shqiptaret ne kete gjendje ku jane sot. Mbasi te ndodhe kjo do duhej nje edukim i mirefillte per shoqerine Shqiptare me ndjena universale dhe gjithperfshirese, nje shendetsi jo korruptive dhe humane, nje gjyqesore te drejte dhe jo korruptive, nje perqendrim te mirefillte per te ndertuar nje industri prodhuese, nje sistem punesime bazuar ne merita dhe jo selektive dhe punesim sa me te madh per cdo shtrese, nje bujqesi te zhvilluar dhe te kordinuar me te gjithe trevat ku jetojne Shqiptaret, nje sistem energjie te perbashket mbare Shqiptare, nje ushtri te forte dhe te pajisur mire dhe shume gjera te tjera do duhej tu perqendronte rinia Shqiptare per zhvillimin e kombit dhe bashkimin e kombit ne nje shtet te vetem

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen