ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

Dorëheqja e Spahiut si pikënisje e një dialektike të re publike

Dje, z. Kreshnik Spahiu dha dorëheqjen e parevokueshme nga funksionet që mbulonte në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Vetë dukuria e dorëheqjes, si e rrallë ndër shqiptarë, nxit interpretime nga këndvështrime të ndryshme, aq më tepër  kur dorëheqjen e jep një personazh publik si z. Spahiu.

Ka shqiptarë që dorëheqjen e konceptojnë si dorëzim pa kushte, çka mund të jetë e vlefshme në kontekste të caktuara, biles edhe në rastin e z. Spahiu. Por ka një dallim thelbësor, dorëzimi pa kushte i z. Spahiu është ndaj Aleancës KuqeZi, ai iu dorëzua fatit të tij, iu dorëzua atyre fuqive parashkruese të historisë, të cilat e kishin paracaktuar të ishte frymëzuesi i Aleancës KuqeZi.

Ai mund të bënte ende për drejtësinë, por problemet e saj, sikundër pamë e po shohim në rastet e Gërdecit, Metës e 21 Janarit, në kushtet e mungesës së demokracisë, sidomos ndarjes së pushteteve, mund të zgjidhen kënaqshëm vetëm me vendosjen e demokracisë reale në vend. Prandaj z. Spahiu mund të bëjë shumë më tepër për drejtësinë nëpërmjet Aleancës KuqeZi, nëpërmjet drejtimit të kësaj force pozitive shoqërore, sepse Aleanca KuqeZi nuk do të thotë vetëm Bashkim, por do të thotë edhe demokraci kombëtare.

Kush thotë AK, thotë demokraci reale. Pikërisht i shtyrë nga kjo bindje e thellë, z Spahiu mori përsipër përgjegjësitë qytetare e kombëtare, duke dhënë një shembull të rrallë përkushtimi ndaj asaj që Aleanca KuqeZi përfaqëson.

Dorëheqja me ngjyra politike ndahet në pozitive dhe negative. Kemi dorëheqje të përkufizueshme si negative, atëherë kur dorëheqësi shpallet i mundur, braktis vendin e punës dhe qëndresën, kur ajo dorëheqje nuk shkakton asnjë problem në sistemin politik. Kurse dorëheqja pozitive nënkupton pikërisht fundin e një marrëdhenieje, e cila i shkakton probleme sistemit politik, kur dorëheqësi nuk heq dorë prej qendresës, por e fuqizon atë.

Ky është rasti i z. Spahiu, nëpërmjet kësaj doreheqjeje sistemi antishqiptar u fut në krizë, pasi qëllimi i sistemit nuk ishte aspak vendi i KLD-se, por dëmtimi i Aleancës KuqeZi, nëpërmjet pengimit të kontributit esencial të z. Spahiu dhe njollosjes së figurës së tij, për t’i ulur AK-së besueshmërinë publike. Vendosmëria e sistemit në këtë drejtim u duk menjëherë, pasi  lakejtë e Berishës folën per mospranim të dorëheqjes dhe kallëzim penal.

Ata i frikëson Aleanca KuqeZi, kjo është e vërteta e kulluar dhe e vetme. Jozefina Topalli në vizitën e fundit në Gjermani, duke kërkuar edhe atje kapitalin politik të tradhtisë, loboi kundër AK-se tek demokristianët gjermane. O nga injoranca e historisë dhe punëve shqiptare o ngaqë përfaqësuesit e asaj Europë që Fishta e ka pas quajtur ‘kurva plakë’, mbijetojnë ende sot, mbi AK-në u hodh balta e radhës, prej një përfaqësuesi demokristian.

Dorëheqja e z.Spahiu është pozitive, sepse ai me këtë vetëm sa e fuqizon qëndresën ndaj sistemit, puna e tij, përkushtimi i plotë ndaj AK-së, do t’i mundësojë kësaj force kombëtare të shtojë presionin ndaj diktaturës moderne të Berishës. Prandaj berishianet nuk e pranojnë dorëheqjen, prandaj flasin për kallëzim penal.

Nuk besoj se ka ngelur ende ndonjë patriot, që nuk e ka kuptuar se ky sistem antishqiptar do të përpiqet me të gjitha fuqitë për të penguar ekzistencën politike të nacionalizmit shqiptar. Jo vetëm pushtetarët politikë, por të gjithë ata që kanë perfituar para, famë e pushtet  me antipatriotizmin e tyre, do të bëhen bashkë kundër asaj që Aleanca KuqeZi përfaqëson, kundër Bashkimit dhe demokracisë kombëtare.

Gjithë ajo Pari  politike, ekonomike e kulturore, që e ka fituar statusin e saj, pozicionin e mireqënien e saj, duke shitur e përbuzur vlerat kushtetuese, vlerat ekonomike, vlerat morale e vlerat historike të Shqipërisë e shqiptarëve, pra gjithë kjo Pari antipatriotike, do të homogjenizohet gjithnjë e më shumë në qëndrimin kundër Aleances KuqeZi. Ata nuk do të shikojnë më as ngjyrat partiake, në janë të majtë apo të djathtë, por të gjithë bashkarisht do t’i kundervihen në publik veprimtarisë patriotike të AK-se e z. Spahiu.

Prandaj, kjo dorëheqje duhet konceptuar si fillimi i një dialektike të re publike në Shqipëri, e cila do të jetë e gjithanshme, politike, ekonomike, morale e kulturore, ku të gjithë patriotët pa dallim feje, krahine, ideje e ngjyrash politike duhet të homogjenizojnë, njehsojnë, qëndrimin e tyre, duhet të bashkohen rreth ngjyrave Kuq e Zi, sepse janë forca e fundit që Fryma shqiptare nxjerr në ‘fushëbetejë’, për mekëmbjen, fuqizimin e pasurimin e Shqipërisë dhe arritjen e një mirëqenie e jete dinjitoze për shqiptarët.

Kjo dorëheqje duhet parë si zanafilla jo e një politike të re, ky koncept është shumë kufizues, por si zanafilla e përmbysjes së regjimit antipatriotik të instaluar në Shqipëri. Duhen kritikuar e stigmatizuar gjithë faktorët që riprodhojnë këtë sistem të mbrapshtë, duhet braktisur përfundimisht e pa asnjë medyshje kjo dialektike publike 20 vjeçare, në çdo fushë, duhet braktisur njëherë e përgjithmonë, pakthim, ky rend i shtrembër i gjërave.

Po të jemi pa nihilizëm, pa cinizëm, pa fatalizëm dhe të armatosur me një deshirë të zjarrtë, besim të patundur, vullnet të hekurt e urtësinë realiste, gjithçka është e mundur. Patriotët vërtet sot janë të diskriminuar, por ata janë e shkuara dhe e ardhmja, pas u vjen Historia, para shohin të Ardhmen. Po mbaron koha e shqipfolësve, tani rifillon koha e shqiptarëve.

Ledjan Prifti

 

 

 

3 KOMENTE

FERDEROVA

11/02/2012

arrow

Kurse dorëheqja pozitive nënkupton pikërisht fundin e një marrëdhenieje, e cila i shkakton probleme sistemit politik, kur dorëheqësi nuk heq dorë prej qendresës, por e fuqizon atë.

po mbaron koha e papagalleve,ka ardh koha e aksioneve kombetare!

miahal

11/02/2012

arrow

perpara o shqiptar…

Renato

14/02/2012

arrow

Më në fund dikush e nge zërit e atyre që nuk kanë zë sepse askush nuk dëgjonte.
Më në fund dikush interesohet për dinjitetin si komb e si shtet.
Më në fund po lind nje dritë për të gjithë ne.
Ju lumtë Aleanca Kuq e Zi!
Jam me ju, e di se jeni me mua, jemi të gjithë së bashku!

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen