ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

Domosdoshmëria e politizimit të identitetit kombëtar

identiteti2

Me zyrtarizimin e Aleancës Kuq e Zi si lëvizje/parti politike u krye edhe hapi përfundimtar i politizimit të identitetit kombëtar. Natyrisht, kjo lëvizje politike nuk është e para që mbështetet tek identiteti kombëtar, por është e para që e ka vendosur këtë identitet si arsye ekzistenciale. Parti të tjera, si Balli Kombëtar apo PDIU-ja, pavarësisht theksit nacionalist, kanë si shtylla kryesore, respektivisht antikomunizmin dhe çështjen çame.

Politika, e vështruar si hapësirë ku politizohen identitetet ekzistuese, ofron edhe legjitimitetin teorik të politizimit të identitetit kombëtar. Megjithatë, që një identitet gjithëpërfshirës, si ai kombëtar, të politizohet nuk mjafton vetëm legjitimiteti teorik, duhen edhe disa kushte të caktuara, që ta justifikojnë edhe nga ana praktike. Kjo vlen edhe për identitete të veçanta, si psh ai fetar, ndërsa në teori mund të politizohen e t’i japin jetë 3 ose 4 partive, duhen kushte të caktuara që të bëhen pjesë me njëfarë rëndësie të spektrit politik.

Në Shqipërinë e 20 vjetëve të fundit, u propogandua fuqimisht papajtueshmëria e politizimit të identitetit kombëtar me synimin strategjik të hyrjes në BE. U duk se ky politizim nuk gjente arsye praktike për t’u kryer. Jo vetëm që shqiptarët nuk duhet të vendosnin si përparësi politike çështjet e lidhura me identitetin kombëtar, por përkundrazi vënia në krizë e këtij identiteti, do të ishte prova për BE-në, që shqiptarët dëshirojnë të jenë shumë europianë dhe (as)pak shqiptarë.

U nxit e vazhdon të ekzistojë gjerësisht një ndjesi ‘krenarie’ e të mosqenit aspak krenarë për identitetin shqiptar, se në këtë farë derexheje na sollën veçoritë kombëtare. U trumbetua si pothuaj shenjë epërsie ndaj ballkanikëve e deri vetë Europes, mosekzistenca e asnjë partie mirëfilli patriotike e/o nacionaliste, i vetmi vend i Europës që hecën  kryelartë drejt paqes e lumturisë së përjetshme. Po njësoj, ruajtja e status quo-së në Ballkan, u bë doktrina supreme shoqërore e shtetërore, aq sa duket se status quo-në në Ballkan e kemi vendosur ne dhe gjendja e shqiptarëve në Ballkan është aq e shkëlqyer, saqë do te ishte blasfemi sikur të mendohet diçka tjetër. Duket se detyra e shqiptarëve është të dalin fitimtarë mbi vetveten, mbi qenien e tyre, duke e luftuar dhe mohuar atë.

Sot, diçka ka ndryshuar e vazhdon të ndryshojë, biles do të vazhdojë të ndryshojë sa më shumë njerëzit ndërgjegjësohen se për 20 vjet janë ushqyer me utopinë e radhës. Brenda Shqipërisë, politizimi i identitetit kombëtar kryen dy funksione parësore:

1- Ristabilizimin e identitetit pas 20 vjet debatesh, sa të pafundëm, aq të bujshëm

2- Ofertën politike të të vetmit identitet, që ka potencial real të ndryshojë gjendjen

Përsa i përket pikës së parë, kriza identitare që kaploi shqiptarët më 1990, u përthye në gjithfarë interpretimesh rreth identitetit të ndryshueshëm. U arrit të trumbetohet, deri edhe inekzistenca e identitetit kombëtar, në favor të teorisë sofistike të një proçesi të identifikimit të vazhdueshëm kombëtar, që heq çdo pikë të qëndrueshme referimi, çdo element esencial që shtrihet në kohë e qe shërben si ADN-ja e identitetit. Në këto interpretime ndryshueshmërish shtatanike, nuk u konsiderua fare efekti përjashtues ndaj shqiptarëve në trojet e tjera etnike, që kanë 100 vjet jashtë këtyre ndryshimeve, të cilat prodhokan identitete të reja kombëtare.

Një nga çështjet e mprehta të krizës identitare, ishte dhe është ajo e përkatësisë kulturore, me Perëndimin apo me Lindjen, identiteti kombëtar si i krishterë apo myslyman. Kjo krizë kapi kulmin me debatin Kadare-Qose e vazhdon ende sot, kryesisht në përballjen me ngjyra fetare, mes ekstremistëve fetare të krishterë e myslymanë. Në këtë rast, kemi një shfaqje të krizës së identitetit, si pasojë e natyrës së krishterë të identiteteve europiane dhe ankthit shqiptar për të qenë kulturalisht europianë.

Në këto kushte, politizimi i identitetit kombëtar i vendos një barrierë politike shumë spekullimeve 20 vjeçare dhe nxjerr jashtë loje të gjithë spekullatorët, pra ofron një filtër për debatin identitar, duke bërë të domosdoshem dallimin mes nevojave politike të krizës nga nevojat mirëfilli kulturore. Identiteti kombëtar rikthehet tek rrënjët e tij, tek gjuha, etniciteti, atdheu, morali kombëtar, në njëfarë mënyre treni identitar rivendoset tek binarët e tij historikë dhe mbarëkombëtarë, në vend të hallakatjes në drejtime të tjera me binarë historikë të imagjinuar e të dëshiruar.

Përdorimi intensiv i simbolikës kombëtare nga ana e Aleancës Kuq e Zi, duhet pare në këtë funksion ristabilizimi të identitetit kombëtar, rikthimi të shqiptarëve në të vetmin identitet historik, që garanton qëndrueshmërinë e shqiptarëve si komb  dhe që i jep fund krizës identitare në planin politik. Mbrojtja e identitetit kombëtar nga ana e një partie politike europianiste, i heq domosdoshmërinë politike krizës identitare, pra efektet politike që supozoheshin si pozitive në drejtim të integrimit, duke e zhvendosur tërësisht debatin identitar në rrafshin kulturor, që është edhe rrafshi i tij i natyrshëm. Ngelet për t’u parë, nëse debati identitar do të vazhdojë në rrafshin kulturor, pra nëse ka qenë vërtet një nevojë kulturore apo  thjesht një nevojë politike ekskluzive e shqiptarëve të Shqipërisë.

Përsa i përket pikës së dytë, ofertës politike për ndryshim, në fillim duhet parashtuar se ndryshimet e mëdha, rrënjësore, kryhen zakonisht në çaste ngjarjesh e lëvizshmërish epokale, si pasojë e ndikimit të jashtëm ose si pasojë e krizave të forta të brendshme. Në rast se mungojnë këto kushte të domosdoshme, ndryshimet rrënjësore nuk mund të vijnë dot si pasojë e identiteve partikulare. Asnjë identitet partikular i politizuar nuk mund t’i sjellë dot, as identiteti  ekonomik, as ai krahinor, as ai fetar, as ekstremet politike, sepse si partikular nuk ofron dot konsensusin e përgjithshëm, të shpallur apo të heshtur.

Po kështu, nuk mund të supozohet ndonjë ndryshim rrënjësor, nga propogandimi i identiteteve politike që ekzistojnë në Perëndim, por inekzistentë në Shqipëri, si psh të qenit liberal, liberist, konservator etj. Këto ide e identitete në Shqipëri ngelen vetëm për një kategori të kufizuar njerëzish, ndërkaq pjesa dërrmuese e popullsisë nuk arrin dot as t’i kuptojë drejt e aq më pak t’i përvetësojë e t’i vendosë si lokomotivë ndryshimesh. Në çdo shoqëri, politika  buron esencialisht prej veçorive socio-ekonomike që zakonisht vërehen në histori, prandaj është tepër e vështirë që në kushte normale të importohet diçka esenciale, maksimumi importohet forma.

Duke qenë se nuk ndodhemi në prag ndryshimesh epokale, si në vitin 1990 apo si gjatë L2B, atëherë të vetmet shpresa për ndryshime rrënjësore në Shqipëri, mund të vijnë vetëm nga identitete politike gjithëpërfshirëse dhe që gjejnë arsyen e ekzistencës në historinë politike të Shqipërisë. Prandaj Aleanca Kuq e Zi, duke politizuar identitetin kombëtar, i cili përmbush karakteristikat e të qenit identitet gjithëpërfshirës dhe identitet politik historik, madje i pari identitet politik modern në Shqipëri, prej vitit 1878, arrin të vendoset në dialektikën politike si forcë, që ka potencialin e nevojshëm dhe mundësitë teorike të shërbejë si lokomotiva e ndryshimeve rrënjësore.

Potenciali i madh dhe mundësitë teorike rriten maksimalisht nga pastërtia etiko-politike e patriotizmit e/o nacionalizmit politik, si pasojë e mospërfshirjes së drejtpërdrejt as në regjimin komunist e as në këtë sistem 20 vjeçar.  Ky politizim ose më mirë ripolitizim i shqiptarisë krijon një ofertë unike, por që pikërisht pse unike është njëkohësisht dhe tepër e çmuar për t’u shpërdoruar. Përgjegjësitë për ndryshimin rrënjësor të gjendjes shkojnë krah për krah me ndërgjegjësimin se ky është ‘fisheku i fundit’ që ka shoqëria shqiptare për të krijuar me fuqitë e saj të brendshme një shtet normal .

Në këtë këndvështrim, Aleanca Kuq e Zi,  me kryerjen e politizimit te identitetit kombëtar, mori përsipër përgjegjësinë të gjuajë ‘fishekun e fundit’ të shoqërisë, e ky duhet të godasë në shenjë, përndryshe shqiptarët do të dorëzohen para historisë si komb i dështuar, që nuk arrin të ndërtojë dot një shtet normal e një demokraci funksionale. Me Aleancën Kuq e Zi, shoqëria shqiptare po përdor gjithë rezervat e saj, prandaj me doemos e me çdo kusht duhet ta fitojë luftën për daljen nga gjendja e sotme.

Ledjan Prifti

 

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen