ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

Apologjetët e qeverisë për Paktin Detar

Myslim-pasha-14

Nga Myslim Pashaj

Sa mirë që çerdhet e diturisë burojnë ide, kur ato sjellin ndriçime dhe u bëjnë kumte bashkësisë se si rrjedh koha me ndryshimet e saj ndër hulumtime që edhe pse janë të dëshiruara, nuk janë kaq të shpejta. Këtë mundohet të bëjë edhe me Universitetin UET.

Si mund të harrojmë një lektorium të organizuar, këtu e tre vjet më parë, i cili ish përfshirë në zjarrminë që përcillte diskutimi aq dramatik për Marrëveshjen mbi përcaktimin e kufijve detarë midis Shqipërisë dhe Greqisë që vinte edhe si një alarm përcëllitës, nga Qeveria.

Se Qeveria kërkonte medoemos që të bindte shqiptarët se deti ishte ndarë aq mirë e aq përkorë sa s’kishte “kut” tjetër më të mirë që ta maste. Prandaj u mblodhën analistë gazetarë të mediumeve të shumta, në Konferenca Shtypi ku vet dinjitarë të lartë ushtarakë me përvojë në NATO, e gjetiu, me zemër në dorë zunë të shpjegonin të pashpjeguarën, në atë Pakt famëkeq. Të gjithë e kujtojnë kur Ministri Imami në pagjumësinë e tij të përpirë ndër hulumtime detare u shpjegonte mediave se sa “absurde” ishin pretendimet…oponencat etj etj. S’kaloi as nja dy ditë dhe vet Universiteti e përpiu idenë e hulumtimit dhe aplogjisë që i duhej bërë Qeverisë në këtë “kapje” të beftë. Kësilloj u organizua Lektoriumi më i shpifur i kohës së shqiptarëve të sotëm.

Negociatorë të Qeverisë, nga Ministria e Jashtme, Ministria e Mbrojtjes, të përgatitur me përpikëri po e shpërfaqnin drejtësinë dhe paanësinë” me të cilën kishin punuar, në realizimin e veprës së tyre. Kështu u ngrit negociatori Hoxha ardhur prej kryeqëndrimit të tij nga OKB, e pas tij Admiral Gerveni me një uniformë grand gjysëm- bardhë e gjysëm- blu  të atij Deti  në Otranto, e në Kanalin e Korfuzit, si  në rrëzëllim spektakolar, i cili edhe pse kish një zë të lartë dhe gjasme të qëruar,  qysh në frazën e parë u ndje që kumtesën nuk e kish të tijën.

Studentët e Jurisprudencës, ata të së Drejtës Ndërkombëtare po edhe të Drejtës Detare, kishin kërshërinë që nga ky lektorium të mësonin një përvojë të re, të diplomacisë në të Drejtën Detare. Por të gjithë duhet të jenë zhgënjyer, edhe Profesorët e rreshtit të parë,  tek dëgjonin se si gjeometria më e thjeshtë e klasës së pestë, e përzierë me ca thënie Juridike dhe diplomatike, rrekej t’u jepte shpjegime, për të bindur shqiptarët me baraslargësinë, që çuditërisht kish sjellë pabarazinë historike me fqinjët tanë jugorë në kufijtë tokësorë dhe detarë. Kjo baraslargësi gjeometrike që i shkonte për shtat, përbukuri, plotësimit të dëshirave të kahershme të fqinjëve, të cilët mbështetur në një ligj ndërkombëtar po edhe në një gjeometri të pabarabartë, e nxorën, kësaj radhe, me vet dëshirën e palës shqiptare.

Ata e kishin ndarë, e kishin përqasur e kishin firmosur duke e mbyllur me një miqësi dhe “barazpeshë a barazndarje” ” Nuk ka pasur një diplomaci dhe mirëkuptim të kësillojtë si kjo gjeometri e përsosur e ndarjes së detit…” do të ishte kumti i atij maji të vitit 2009.

Ndërkaq askush dhe askund nuk kish shpjeguar se çfarë fshihej pas kësaj gjeometrie sakatuese. Kush ishin përfundimet e lektoriumit? A u bindën profesorët dhe studentët, dhe kush vallë prej tyre në të ardhmen do të përfshihej në hulumtim, jo vetëm për të ndihmuar qeverinë por në fund të fundit për të studiuar një përvojë krejt të re në fushë e së Drejtës Detare? Është e vërtetë se një ndër figurat e shquara të këtij Universiteti Prof. Dr K. Krisafi ka dhënë një ndihmesë me vlerë në  këtë drejtim, ndërkaq, z Henry Çili  në “ Top Story” në mënyrë shumë rutinore, me lëvizje që tregonin diçka të fshirë apo të hedhur mënjanë “…si pa objekt… apo të zgjidhur tanimë…” Ai u rrotullua rreth vetvetes, rrëfeu mosekzistencën e Paktit që të kuptohej se” Qevaria e ka bërë mirë…”

Mirëpo ka një vijim shumë të dukshëm në Apologjinë që po ndjek UET, kohët e fundit edhe prej Prof. T Gjuraj, Rektor i këtij Universiteti. Edhe ai pothuajse në të njëjtin kumt si dhe Çili, bën një koment tanimë me terma më të shquar teksa thotë se: ” Natyrisht që disa çështje të ngritura me kohë prej kësaj Aleance kanë merituar mbështetje, si, për shembull, denoncimi i gjyqeve për ndërrim të përkatësisë etnike, ose oponenca e fortë dhe me argumente ndaj marrëveshjes detare me Greqinë….” I cek Rektori dhe paparitur i kthehet pas edhe një herë Paktit Detar “ … pse kjo e fundit nuk ka përse të etiketohet si “tradhti” ndaj interesave të vendit, apo diçka e ngjashme…”

Këtu ka qenë edhe një pikë e Apologjisë së Lektoriumit të paradyvitesh e më shumë, se Qeveria nuk ka bërë “tradhti” por ka qenë diçka krejt  e natyrshme, e ndërtuar shpejt e shpejt e dokumentuar në të gjithë dimensionet politike, diplomatike, gjeostrategjike, e hartuar e firmosur, ndër përqafime, në sy të të gjithë botës prej të dy kryeministrave. Vepra është kryer. Nuk mund tëkishkthim prapa. Në fakt këtë aq mirë e rrëfen tani pala greke, teksa i kujton palës shqiptare me të drejtë se Ajo marrëveshje ishte shumë e mirë dhe e pranuar nga të dy palët,  prandaj pritet që të bëhet ratifikimi në Athinë.

Studiuesit e së ardhmes do të shkojnë në arkiva dhe do të zbulojnë këtë dokument të frikshëm, me firmat që nuk thahen kollaj, aty do të jenë koordinata, harta, porosi, konferenca shtypi, lektoriume  po jo më pak edhe këto apologji…

Gjykata Kushtetuese e kapi në zgrip çështjen. Nëse nuk do të ish vepruar me shpejtësi për ta ndaluar veprën, tani asgjë nuk do të bëhej fjalë më, për atë Det që ish vulosur [po që nuk dihet nëse është vulosur me “tradhtinë” e madhe apo  me injorancën e dorëzimin e palës shqiptare bisedimore ( kupto negociatore) ]

Në të dyja rastet vepra quhet e mbaruar, Qeveria duhet të binte që orën e parë, sapo Gjykata Kushtetuese ekishdhënë verdiktin e saj. Mirëpo Qeveria nuk duhet të binte, ajo duhet të frymonte në ngërçin e saj të falimentit të çështjes kombëtare. Prandaj ajo e mbylli në një paqe me Gjykatën Kushtetuese duke nënkuptuar se “ndarjen e kanë bërë të rregullt” e kësilloj negociatorët vijojnë të patrazuar në karrierat e  tyre, sepse vet Kryeministri  është në krye të Negociatorëve.

Prandaj duhen edhe apologji të tilla si kjo e Prof. T Gjuraj, i cili çuditërisht thotë se “ konsiderohet thjesht si dështim i palës sonë në negociata me palën tjetër…” Ne të themi ujku dhe ju kërkoni gjurmët. Negociatat kishin mbaruar. Përgjegjësit ishin rrëfyer në këmbënguljen e tyre e gjer tash ata askund nuk e kanë pranuar se kanë bërë një vepër të madhe antikombëtare dhe prandaj kërkojnë një mbrojtje si kjo që po përmendim.

Sikur pas disa ditësh ta kish ratifikuar Parlamenti ( se Komisioni i ligjeve e ratifikoi) së shpejti Pakti do të kish shkuar në Athinë. Kushdo ta pengonte vallë?

Në Gjykatën Kushtetuese Marrëveshja shkoi vetëm në saje të opinionit mediatik shqiptar si rrallë ndonjëherë tjetër që krijoi ndjeshmëri,  duke sjellë një akt unikal jo në përvojën shqiptare, por në Ballkan, e në gjithë botën. Rallë ndodh kësilloj.

Nuk është kaq e thjeshtë kjo apologji, mbasi, mesa duket se jemi në kohën e rinegociatave  dhe kërkohet që opinioni të “qartësohet” edhe nga studiues, që e krahasojnë marrëveshjen si një “ Projektligj” të zakonshëm, pa u thelluar në të, nëse ishte i qëllimshëm, apo erdhi prej mosdijes etj etj. Bëhet fjalë, gjithnjë, nëse kemi të bëjmë me shpërfillje të interesave kombëtare apo jo? Apologjetët këtë duan të nxjerrin në pah… ka qenë një dështim, një projekt kur ai është një Pakt. E si të tillë, secili mund ta gjejë në arkivat diplomatike.

“Jo çdo veprim apo (projekt)ligj duhet konsideruar i qëllimshëm dhe kundër interesave të vendit. Marrëveshja detare përbën dështim në rrafshin juridik, kësisoj ajo duhet rinegociuar, bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të RSH-së” shkruan Prof.Gjuraj në ligjërimin e tij antintelektual dhe antishkencor, në shpërfillje të plotë të qasjes shkencore  të së Drejtës Ndërkombëtare Detare, çka e gremisin atë në korin folklorik të turpshëm proqeveritar për të fshehur një ndër aktet e rrallë antikombëtarë, të kohës së sotme

*Autori është Prof. i Remote Sensing & Fotogrammetry ne Fakultetin e Gjeologji Miniera.

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen