ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

ALEANCA KUQEZI I BLLOKON HYRJEN NË SHQIPËRI MINISTRIT TË JASHTËM EDMOND PANARITI

Në orët e para të mëngjesit të së premtes aktivistët e Aleancës KuqeZi bllokuan daljen e ministrit të jashtëm Edmond Panariti nga aeroporti “Nënë Tereza” pas mbërritjes së tij nga vizita zyrtare në Athinë.  Me thirrje dhe fishkëllima kundër poshtërimit të simboleve kombëtare dhe mos reagimin e turpshëm të ministrit Panariti, aktivistët e Aleancës KuqeZi bllokuan daljen e ministrit nga sektori “VIP” i Aeroportit “Nënë Tereza” ku dhe hapën banderolën “Edmond Panariti – Person Non Grata” në Shqipëri.

Të lidhur krah për krah me njëri-tjetrin aktivistët e Aleancës KuqeZi tentuan të mos lejonin të zbriste në territorin shqiptar ministrin Panariti, në shenjë proteste kundër negociatave  të qeverisë shqiptare me qeverinë greke për marrëveshjen e ujërave por edhe për skandalin me flamurin shqiptar në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun e tij Avramopulos.

Sekretari organizativ i Aleancës KuqeZi,  Redi Ramaj gjatë prononcimit për mediat ka lëshuar mesazhe të ashpra kundër rinegociimit të marrëveshjes detare midis Shqipërisë dhe Greqisë si dhe kërkoi që të bëhet publik me cdo kusht procesverbali i bisedimeve të fshehta Panariti-Avramopulos.

Ministri Panariti poshtëroi flamurin kombëtar dhe simbolet historike shqiptare. Dalja e diplomacisë shqiptare në dhunim të simboleve tona kombëtare me homologët e tyre në Athinë , Shkup dhe Podgoricë nuk është një gabim teknik apo njerëzor por një mesazh diplomatik gjunjëzimi dhe kapitullimi të qeverisë më antishqiptare të 100 viteve të fundit”, deklaroi Redi Ramaj.

Kërkojmë që qeveria shqiptare të ndërpresë cdo lloj negociate dhe komunikimi me qeverinë greke për ndarjen e detit Jon. Aleanca KuqeZi paralajmëron shtetasin Berisha dhe Panaritin se nënshkrimi i asaj marrëveshje është vepër penale dhe dorëzimi i territorit shqiptar në favor të shtetit grek dënohet me burgim të përjetshëm”, përfundoi Ramaj.

Aleanca KuqeZi dhe mbarë shqiptarët me integritet kanë një mesazh të qartë për ministrin e gjunjëzuar të punëve të jashtme shqiptare Edmond Panariti, ai është një person i padëshiruar në tokën shqiptare”, deklaroi Redi Ramaj.

Për Aleancën KuqeZi vendimi i Gjykatës Kushtetuese për marrëveshjen e ujërave me Greqinë është vula e ligjit mbi një aferë anti-kombëtare dhe anti-shqiptare e iniciuar nga shtetasi Sali Berisha.

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen