ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

AK: Spitali Ushtarak nё planet korruptive tё oborrit qeveritar. Tё mos lejojmё zhdukjen e tij.

Tiranë – Aleanca KuqeZi përmes një deklarate për shtyp pranë Spitalit Ushtarak në Tiranë ka denoncuar procesin e shkrirjes dhe transferimit të departamentit të traumës së këtij spitali e cila tashmë ka kaluar në formën e projektligjit në komisionet parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë.

“Spitali Ushtarak Qëndror Universitar  ka qenë deri tani një nga institucionet shëndetësore  më të shquara dhe më të shenjta në opinionin e mbarë shqiptarëve. Ai erdhi dhe u ngrit pas luftës së Dytë Botërore duke sjellë një përvojë të re në shërbim ndaj njerëzve.  Këtë Spital, cili ka shpëtuar me mijëra jetë  njerëzish, shtetasi Sali Berisha dhe shërbëtori i tij Arben Imami duan ta kthejnë në shërbim të biznesit të oborrit qeveritar”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës KuqeZi Prof.Dr.Mylsim Pashaj.

“Ky Spital krijoi një fytyrë dhe status nga më popullorët, nga më jetësorët, nga më të përkushtuarit dhe nga më hulumtuesit për t’i  ardhur në ndihmë jo vetëm ushtarakëve por të gjithë popullit, ku besimi dhe emri i tij u rrit dhe vijon që të rrojë në kujtesën e shqiptarëve. Dhe ja paparitmas, pa asnjë transparencë, qeveria shqiptare kërkon ta shkrijë dhe ta fshijë qënien e tij, nga veprimtaria   tij e gjersotme, duke i bërë një kirurgji tej e ndanë aq të pabesueshme, duke e prerë dhe ndarë në Projekte të cilat fshehin pazaret me institucionet shëndetësore që kanë qëndruar aq afër jetës së shqiptarëve”, vijoi Pashaj.

Sekretari i Përgjithshëm i AK e ka cilësuar këtë si një vepër antijetësore dhe si një krim që duhet ndëshkuar.

“Ky spital është ndërtuar dhe njihet nga të gjithë shqiptarët si një  mjedis nga më të mirët në Tiranë për kushtet mjekësore, me një sipërfaqe prej 77.405 m² me një kapacitet të lartë shtretërish, me një personel nga më të specializuarit në Shqipëri. Ky është një krim i ri në emër të privatizimit skajor që Berisha kërkon t’i bëjë Pasurisë Kombëtare dhe Institucioneve të tillë si Spitali  Ushtarak. Pas 55 vitesh ky spital shkrihet për t’i liruar mjediset në favor të një spitali privat që gjendet pranë tij. Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, ka përgatitur procedurën për të transferuar qendrën e traumatologjisë pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ndërsa Spitalin Ushtarak si institucion do ta zhvendosin në Zallher, ku mund t’u shërbejë Ushtrakëve”, tha Pashaj.

Aleanca KuqeZi i bën thirrje opinionit shqiptar dhe atij shëndetësor në Shqipëri, që të ngrihet në këmbë për t’i thënë “JO!” kësaj vepre anikombëtare.   Kuvendi i Shqipërisë nuk duhet ta kalojë këtë  Projekt katrahurë, pa transparencën e duhur, duke mos e pranuar këtë Vendim të Këshillit të Ministrave që sapo iu është shpërndarë deputetëve.

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen