ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

AK NË DURRËS VIJON FUSHATËN “NJË FLAMUR PËR ÇDO DRITARE”.GRISNI FLAMUJT E PD NË BIZNESET E PALIGJSHME.

PhotoDurrës – Aleanca KuqeZi ka vijuar fushatën “Një flamur për çdo dritare” në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Dhjetra aktivistë të Aleancës KuqeZi dega Durrës vendosën në dritaret e qytetit të lashtë flamuj kombëtarë duke finalizuar në këtë mënyrë një tjetër qytet kuqezi. I pranishëm në aktivitetin e sotëm të Aleancës KuqeZi ishte kryetari i AK Z.Kreshnik Spahiu i cili ka lëshuar disa mesazhe të forta për shtetasit e këtij kombi që kanë vendosur përpara interesave kombëtare ato personale.

“Për 22 vite me radhë politikanët punuan në Shqipëri, por jo për Shqipërinë, pasi gjithçka e bazuan mbi përfitimet personale në kurriz të shqiptarëve. Sot flamuri i partisë së shtetasit Sali Berisha përdoret për t’u fshehur ndaj tatimeve, taksave dhe për të mbaruar ndërtimet pa leje në Durrës, Tiranë, Fier, Vlorë, Korçë dhe kudo ku mafia shtetërore ka vënë dorë për të përfituar materialisht mbi interesat kombëtare të shqiptarëve”, deklaroi lideri i kuqezinjve Kreshnik Spahiu.

Kreu i lëvizjes politike kuqezi i ka bërë thirrje qytetarëve të Shqipërisë të largojnë dhe grisin flamujt e PD që janë ngritur në çdo biznes të paligjshëm dhe t’i zëvendësojnë ato më flamuj kombëtarë për t’i rikthyer krenarinë simboleve kombëtare.

“Ata që për 22 vite më radhë nuk menduan kurrë për Shqipërinë, nuk menduan kurrë për shqiptarët por vetëm për xhepat e xhaketave të kthyer mbrapsht, për interesat e ngushta familjarë dhe shoqërore duhet të kuptojnë se fundi po i vjen. Ky 100 vjetor i pavarësisë së Shqipërisë po sjell me vetë ogurin e mirë të një kapitulli të ri të historisë së shqiptarëve. Në çdo cep të Shqipërisë që ne kemi shkelur mesazhi që kemi marrë është i prekshëm dhe i qartë: Mafies bardheblu pushtetare po i vjen fundi, “perëndimi” për ata nuk është larg”, deklaroi Kreshnik Spahiu.

“Aleanca KuqeZi ka premtuar se deri më 28 nëntor 10 milionë flamuj shqiptarë do të valëviten në çdo dritare shqiptari që beson se “Shqipëria Bëhet”, se Shqipëria meriton të ecë paralelisht me vendet e rajonit dhe familjes evropiane. “Kjo nuk është Shqipëria e shqiptarëve, kjo është Shqipëria e Sali Berishës, ne do t’i kthejmë shqiptarëve Shqipërinë e tyre dhe kjo tashmë është një rrugë pa kthim dhe e sigurt”, përfundoi fjalën e tij kryetari i Aleancës KuqeZi Z.Kreshnik Spahiu.

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen