ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

AK Itali, homazhe përkujtimore për Atin e Kombit, Ismail Qemali.

Me rastin e 100 vjetorit të Pavarsisë, Aleanca Kuqezi Itali në bashkëpunim me shoqatat ‘’Acas Scanderbeg’’ dhe ‘’Ilirida’’, organizoi një takim përkujtimor në Peruxha. Takimi u zhvillua në hotelin Brufani, i cili është i njohur si vendbanimi ku Babai i Kombit, Ismail Qemali, kaloi ditët e fundit të jetës së tij dhe ku mendohet se qarqet antishqiptare e kanë helmuar. Rajoni i Peruxhës është i famshëm ndër shqiptarët e Italisë edhe sepse në qytezën e Gubios gjendet mauzoleu i sovranit të fundit ilir, mbretit Gent.

Në takim morën pjesë aktivistët e AK- Umbria të përfaqësuar nga z. Aleks Konesha dhe aktivistët e AK- Romë, të përfaqësuar nga z.Guxim Kola.
Takimin përkujtimor e hapi z.Kolë Marku , i cili në emër të shoqatës “Acas Scanderbeg”, bëri përshëndetjet e rastit dhe një ekskursus historik rreth rolit të Ismail Qemalit në themelimin e shtetit modern shqiptar.
Mbas fjalës hapëse nga pjesëmarrësit u vendosen buqeta të shumta me lule, në përkujtim të burrit të vërtetë të shtetit, të parit e të fundit që Shqipëria ka pasur deri më sot.
Në momentet artistike që pasuan me recitime të ndryshme, spikati recitimi i gjallë e përfshirës i profesor Neat Marku, i cili ngriti peshë zemrat e të pranishmëve me një përmbledhje poezish patriotike.

 

Në fjalën e tij përfaqësuesi i AK-Umbria Aleks Konesha, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të gjithë faktorëve shqiptarë kudo në botë, në funksion të bashkimit aq të pritur kombëtar.
Përfaqësuesi i AK-Romë, Guxim Kola, u bëri thirrje të pranishmëve që ëndrra e Ismail Qemalit dhe etërve të tjerë të Kombit për një Shqipëri të Bashkuar e Sovrane, të mos rreshtë kurrë së shërbyeri si yll udhërrëfyes për të gjithë patriotët shqiptarë kudo që banojnë, deri në realizimin e saj.

 

Gjatë takimit, shqetësimi parësor për të gjithë buronte nga konstatimi i dhimbshëm që ky përvjetor i veçantë, ky jubile i Pavarësisë, i gjeti shqiptarët të ndarë në shumë shtete, të përçarë dhe ende nën sulme të vazhdueshme të shovinistëve fqinjë dhe veglave të tyre brenda vendit.

 

U përmend me forcë edhe njëherë se detyra e çdo patrioti e nacionalisti shqiptar është mbrojtja me çdo mjet e çdo mënyrë e integritetit territorial të Shqipërisë e Kosovës, si dhe e mbrotjes së shqiptarëve kudo në trojet etnike në Ballkan nga sulmet e spastrimet etnike të shovinisteve sllavo-grekë.

 

 

 

 

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen