ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

AK denoncon premtimet e pambajtura të Lulzim Bashës: Dosja e tij do mbajë fytyrën e mashtrimit


TIRANË – 
Aleanca KuqeZi denoncoi sot përpara Bashkisë së Tiranës premtimet e pambajtura nga kryetari i kësaj bashkie, Lulzim Basha.

Sipas AK, mashtrimi numër 1 i Bashës është ai për ndërtimin e tramvajit.

“Sot mbushen 425 ditë që kur Lulzim Basha mori detyrën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës dhe hyri në zyrë duke bërë publike premtimet e njëpasnjëshme për transformimin e Tiranës. Sot pas 425 ditësh ne jemi këtu për të nisur fushatën e demaskimit të premtimeve boshe që Lulzim Basha i bëri qytetarëve të Tiranës. Mashtrimi numër 1, i cili do të pasohet nga qindra të tjerë, është ndërtimi i tramit ose linjës së tramvajit që do të lidhte sipas Bashës lindjen me perëndimin dhe veriun me jugun. Ky premtim i kryetarit të Bashkisë së Tiranës do të bëhej realitet brenda një kohë rekord për t’i dhënë sipas tij qytetit të Tiranës lehtësimin e trafikut të rënduar.

Ky premtim i kryetarit të Bashkisë së Tiranës ka mbetur vetëm në posterin elektoral dhe në faqen e internetit të bashkisë së Tiranës ku përveç takimeve për mbështetje teknike me përfaqësues nga Çekia dhe Bullgari apo dhe Pekini asgjë nuk është jetëzuar nga kryetari i Bashkisë më të madhe në vend,” thuhet në deklaratën e AK.

Aktivistët e AK thonë se Lulzim Basha nuk ka vënë asnjë tullë dhe asnjë gozhdë për Tiranën kaotike “dhe ka guximin të krenohet me fushatën e biçikletave sepse nuk ka asnjë plan alternativ për transportin publik të kryeqytetit”.

Sipas AK, dosja e Lulzim Bashës do të mbajë fytyrën e mashtrimit. Ata thonë se Basha nuk mund të jetë më ndryshe nga Berisha.

“Kjo për ne dhe shumë qytetarë të Tiranë nuk është e papritur sepse dardha do të shkojë nën dardhë, pra Lulzim Basha do t’i ngjajë në premtime dhe mashtrime shtetasit Sali Berisha, njeriut që e vendosi me pahir në drejtimin e Tiranës, jo për qytetarët, por për interesat klienteliste të miqve të oborrit qeveritar.

Aleanca KuqeZi deklaron se nuk do të ndalet në denoncimin e premtimeve të pambajtura të krahut të djathtë të Sali Berishes në mënyrë që qytetarët e Tiranës të dinë se prej kujt qeverisen në nivel qendror dhe lokal. Ne e dimë që Lulzim Basha nuk ka për ta realizuar as për 425 ditë të tjera linjën e tramit sepse është i zënë me menaxhimin e kanoçeve të romëve, linjën e taksive dhe shume interesave të tij dhe miqve të tij.

Ndryshe nga ministrat e qeverisë së shtetasit Sali Berisha, të cilët tashmë kanë dosjen e krimit nën petkun mbrojtës të pushtetit, dosja e Lulzim Bashës do të mbaje fytyrën e mashtrimit.

Bashkia e Tiranës në zgjedhjet e ardhshme vendore nuk do të jetë as me kryetar blu apo të kuq, por do të ketë një patriot kuqezi si qytetar të parë të kryeqytetit.”

NJË KOMENT

Eneida Hoxha

24/09/2012

arrow

bravo kuq e zinjt!

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen