ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

Zogaj si Berisha ?

Në një shkrim tek Shekulli, politikani e publicisti i mirënjohur Preç Zogaj u hodh në mbrojtje të regjistrimit etnik dhe fetar. Ajo që të bën përshtypje, përtej shprehjes së dëshirës katolike për një rinumërim fetar, është gjuha pothuaj qeveritare në mbrojtje të regjistrimit etnik, se shqiptarët nuk shesin e nuk blejnë kombësi, se janë krenarë etj.

Mirëpo, ky argument retorik u hodh poshtë të paktën në fshatrat e Përmetit. Frika se vllehët do të vetëdeklaroheshin në masë grekë, po ashtu u konfirmua, kështu në Korçë për herë të parë në histori na dolën edhe ‘grekë etnikë’.

Atëherë pse z. Zogaj në vend që të lexojë lajmet e fundit, flet me gjuhën e paradokohshme të Berishës e Pollos ?

Po ashtu z. Zogaj mbështet vetëdeklarimin, duke folur për modernizëm, demokraci e BE. Në fakt, Shqipëria gjendet në Ballkan dhe ka si fqinjë grekë e serbë, që nuk janë norvegjezë e suedezë, po dy etnitë zjarrvënëse të Ballkanit e më zjarrvënëset në Europë, pra mjaft ti ofrosh pak shkarpa të thata e menjëherë ke zjarrin. Ne me këtë regjistrim po u ofrojmë grekëve shkarpat e thata.

Vetëdeklarimi nuk është aspak një koncept i ri në hapësirën shqiptare dhe marrëdhëniet shqiptaro-greke, nuk ka aspak lidhje me modernizmin, demokracinë e BE-në. Kur më 1913 në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, po vendoseshin kufijtë e Shqipërisë, pala greke kërkoi që etniciteti i banorëve të përcaktohej me vetëdeklarim etno-fetar, sepse sipas tyre ‘ndërgjegja’ kombëtare është sipër përcaktorëve objektivë si gjuha dhe prejardhja. Kjo u mbështet nga Franca e Rusia, ndërsa Austro-Hungaria dhe Italia këmbëngulën që si përcaktor i etnisë të ishte gjuha amtare.

Pas shumë debateve fituan Austro-Hungaria dhe Italia, kështu që subjektiviteti i vetëdeklarimit u zëvendësua me përcaktorin objektiv të gjuhës amtare. Komisioni Ndërkombëtar i Jugut e zhvilloi punën për përcaktimin e kufijve duke marrë për bazë gjuhën amtare e jo vetëdeklarimin etno-fetar, kështu zona Korçë-Gjirokastër rezultoi me shumicë dërrmuese shqiptare e në bazë gjuhe u njohën edhe vllehët, të cilët përndryshe mund të dilnin në masë greko-ortodoksë (që për Greqinë do të thotë grek etnik).

Pra vetëdeklarimi ka qenë kërkesë e Athinës qysh më 1912-13, meqë grekët kanë shpresuar gjithnjë se vllehët dhe një pjesë e ortodokseve shqiptare, sidomos të arsimuarit në greqisht, do të vetëdeklaroheshin grekë.

Atë që grekët nuk e arritën dot 100 vjet më parë, si pasojë e kundërshtimit italo-austriak, po ua servirim sot, biles të shoqëruar me tam-tame për krenarinë e të qenit shqiptar, a thua se jetojmë në planetin Mars dhe nuk shohim realitetin, pensionet, edukimin në greqisht, nevojën për pashaportë greke etj, realitet i krijuar nga administrimi skandaloz i Shqipërisë prej klasës politike, në të cilën vetë z. Zogaj bën pjesë prej 20 vjetësh.

Këto tam-tame që i ka bërë të vetat edhe z. Zogaj, të kujtojnë ‘marifetet’ e z.Pango, ti je gocë e zgjuar, ti e ke kapur si funksionon jeta etj prandaj …. Po a ka njeri me inteligjencë mesatare e mendje të freskët që bie pre e këtyre tam-tameve ?

Z. Zogaj në fakt thotë vetëm një gjë, meqë Kisha Katolike e ka mbështetur regjistrimin, nga ky s’duhet me pasë frikë dhe duke i mveshur Aleancës Kuq e Zi, shqetësime të natyrës fetare, myslymane, e jo kombëtare, tërthorazi nxit përçarjen fetare e do ta paraqesë AK-në ashtu si Berisha, një lëvizje islamike.

Ajo çka harron si ai, si Berisha, si Kisha Katolike, është se regjistrimi etnik me vetëdeklarim u shpall antikushtetues, kështu një qytetar i Shqipërisë që mbështet këtë regjistrim është si besimtari që mohon a pështyn mbi librat e shenjtë. Se përse z. Zogaj doli në publik me këtë prurje aspak fatlume, kjo mbetet për tu parë në vazhdim, por një gjë është e sigurtë, në Shqipëri nuk ka për të ngadhnjyer asnjëlloj shqiptarizmi me ngjyrë fetare, katolike si e duan ca e ca, apo myslymane a ortodokse, sepse si tha katoliku i shquar Pashko Vasa, feja e shqiptarit nuk është katolicizmi a islami a ortodoksia, por shqiptaria.

Se ç’thonë Kishat e Xhamitë është krejt pa interes për shqiptarin me shqiptari të mirëfilltë e të shëndoshë.

Ledjan Prifti

 

 

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen