ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

Xhufi: Censusi do e kthejë Shqipërinë në Libanin e Europës

Historiani dhe politikani i mirënjohur e konsideron lojë qëndrimin fillestar të “Omonias” për regjistrimin.

Historiani i mirënjohur, Pëllumb Xhufi, është i qëndrimit se qeveria po lejon që Shqipëria t’i ngjajë Libanit, një vend ku besimet e shumta që janë shpërndarë në popullsi, po bëhen rrezik për përçarjen e tij. Në një intervistë për “Shqip”, Xhufi thekson se kërkesa që shteti shqiptar u bën qytetarëve të tij për të deklaruar besimin fetar mund të quhet edhe një sakrilegj. Nga ana tjetër, ai e shikon regjistrimin etnik si një direktivë të pastër të Athinës zyrtare për të rritur në mënyrë artificiale deri në 400 mijë numrin e minoritarëve grek në Shqipëri.

Zoti Xhufi, e shikoni të rrezikuar procesin e censusit në Shqipëri, në një kohë kur shumë grupime me interesa të ndryshme kanë bërë thirrje për refuzimin e tij?

Unë uroj që procesi të mos rrezikohet në pjesën ku ai është i drejtë dhe uroj të dështojë pikërisht në ato pikat e fundit ku kërkohet deklarimi i etnisë dhe fesë, sepse kjo është antiligjore dhe antikushtetuese. Po kështu, këto dy pika bien në kundërshtim të hapur me të gjitha marrëveshjet europiane që ka ratifikuar vendi ynë dhe për këtë arsye ato nuk qëndrojnë.

Si e shikoni faktin që organizata “Omonia” fillimisht ka deklaruar se do e bojkotonte në masë regjistrimin e popullsisë dhe banesave dhe tashmë censusi po plotësohet në masë nga anëtarët e saj?

Për sa u përket thirrjeve që kemi dëgjuar nga organizata “Omonia” ditët e fundit unë mendoj se janë pjesë e një loje. Kjo po duket fare qartazi, sepse ne po shohim se pjesëtarët e minoritetit grek po marrin pjesë në mënyrë masive në regjistrim dhe jo vetëm po regjistrojnë veten e tyre, por po regjistrojnë edhe familjarët e tyre, të cilët prej ndoshta 10-vjeçarësh nuk jetojnë në Shqipëri. Kjo është në kundërshtim me vetë censusin, sepse ai parashikon regjistrimin e pronave dhe popullsinë që “de facto” jeton brenda Shqipërisë dhe jo ata që kanë ikur në emigracion. Por me sa duket ky proces është ideuar në mënyrë të tillë që të dilet në qëndrimet e kahershme të nacionalizimit grek që identifikon popullsinë ortodokse të Shqipërisë së Jugut si një popullsi greke. Me këtë census synohet të arrihet një shifër e lartë e minoritetit grek sipas pretendimeve të palës greke që variojnë nga 300 deri në 400 mijë, për të cilin po kontribuon në mënyrë servile dhe të padenjë qeveria që po na drejton sot.

Pse mendoni se ky proces plotëson pretendimet e qarqeve greke dhe çfarë rreziqesh sjell ai për vendin tonë?

Ky regjistrim është hedhur poshtë me argumente të forta juridike, shkencore. Grupe politike dhe grupe shoqërore na kanë treguar gjatë këtyre muajve se ky regjistrim është në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar, i cili në asnjë mënyrë nuk njeh përcaktimin e kombësisë me një zgjedhje subjektive, por kërkon domosdoshmërisht që kombësia të vërtetohet me dokumente objektive. Nga ana tjetër, Konventa Kuadër e të Drejtave të Njeriut përcakton qartë që qytetarët nuk mund të detyrohen nga shteti i tyre që të deklarojnë besimin fetar, normë europiane e cila është e fiksuar dhe në Kushtetutën e Shqipërisë. Me këtë deklarim fetar shteti shqiptar po bëjnë dhe një sakrilegj, duke i detyruar qytetarët e tij të bëjnë një deklarim mbi fenë në një shtet që është laik më Kushtetutë. Dokumenti themeltar i vendit tonë lejon që çdo besimtar të ndjekë praktikat dhe ritet e besimit të tij, por ndalon në mënyrë absolute përzierjen e shtetit me çështjet e fesë dhe jua lë këtë komuniteteve fetare. Kështu që ashtu si në shumë vende demokratike dhe SHBA e ka të ndaluar me ligj regjistrimin e popullsisë sipas përkatësimit fetar edhe Shqipëria duhet të ndiqte absolutisht të njëjtën rrugë. Por ajo po vepron në linjën e kërkesave, pretendimeve dhe shantazhin nga qeveria dhe qarqet jozyrtare greke. Unë gjykoj se ky regjistrim ka një synim final, atë të Libanizimit të Shqipërisë dhe gjithsekush duhet të bëjë lidhjen me atë çfarë është Libani i sotëm dhe pse është i tillë dhe qeveria shqiptare për fat të keq është bërë instrumenti përmes të cilit kjo skemë antishqiptare të realizohet. Ky regjistrim synon vetëm të ndryshojë hartën etnike të Shqipërisë dhe të sjellë përçarje te shqiptarët për sa u përket besimeve fetare. Ndaj unë insistoj me forcë, që ky regjistrim të refuzohet tek ato dy pika të fundit ku kërkohet deklarimi i etnisë dhe i fesë.

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen