ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

Spahiu: Ministri pa ministri humbi qetësinë, s’ka argumente

krewshnik

Kreshnik Spahiu, nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i cili prej kohësh është bërë promotori i një lëvizjeje qytetare që kundërshton regjistrimin mbi baza etnike dhe fetare, mendon se nisma e ndërmarrë jo prej shumë kohësh e ka arritur një sukses të sajin. Sukses që mund të përkthehet me tërheqjen dy herë të qeverisë ndaj projektit fillestar, si në afat, por edhe në ndryshimin e emërtimit të regjistrimit. Në një intervistë të dhënë për “Shqip”, z.Spahiu replikon në distancë me ministrin e Inovacionit, Genc Pollo, i cili të hënën “shkarkoi bateritë” e zemërimit ndaj të gjithë kundërshtarëve të regjistrimit etniko-fetar. Edhe pse nuk pranon t’i përgjigjet me një fjalor të ngjashëm, Spahiu me argumentet e tij rrëzon të gjithë performancën e Pollos, duke paralajmëruar edhe një kundërshtim në Gjykatën Kushtetuese një “proces antiligjor dhe antikushtetues regjistrimi”…..Pak ditë më parë, ministri përgjegjës për procesin e regjistrimit të popullsisë, Genc Pollo përmendi në Komisionin e Ligjeve fjalët sharlatan dhe ndotës, ndaj të gjithë atyre që sipas tij ngatërrojnë “censusin” me regjistrimin etnik dhe fetar të popullsisë. Indirekt u kuptua se këto cilësime u kryen kundrejt jush. Keni ndonjë përgjigje?

Zotëria në fjalë konsiderohet të jetë kryetar i Komisionit të Regjistrimit të Popullsisë dhe në bazë të ligjit ka këtë funksion, prandaj është e pëlqyeshme që të qëndrojë brenda kompetencave të veta dhe të mos jetë “sharlatan”, sepse nuk ka dhe nuk ekziston në këtë moment asnjë Komision Censusi, por vetëm një Komision Qendror Regjistrimi. Për sharjen apo ofendimin publik nuk kam asgjë personale dhe asnjë koment, përveçse kjo më tregon se argumentet e përdoruara nga ana jonë janë jo vetëm të drejta, por edhe kaq të vërteta dhe të pakundërshtueshme, saqë vetë kryetari i Komisionit Qendror të Regjistrimit, ministri pa ministri ka humbur qetësinë, përveçse etikën dhe edukatën qytetare. E vërteta është se ai nuk ka argument për të mbështetur tezën e vet dhe pretendimet për standardet europiane që kërkon të na i shesë për të vërteta. Ai parandien se teza e tij është e dobët dhe se do të dështojë, dhe ashtu si ç’ndodh rëndom kur kërkon të imponohesh pa të drejtë, kërcënon me ndëshkim, duke rritur gjobat për të “pabindurit”. Përgjigjen, z.kryetar të regjistrimit (pa)census nuk është e nevojshme t’ia jap unë, atë ia ka dhënë dhe po ia jep çdo ditë publiku, qytetarët e këtij vendi dhe nuk ka përgjigje me të mirë dhe më të drejtë se kjo.

Realisht, ç’do të thotë për ju përdorimi i termit “census” në këtë draft dhe çfarë nënkupton ky ndryshim termash?

Fjala “census” përdoret sot në vendet anglosaksone për të identifikuar procedurën dhe procesin e regjistrimit të popullsisë. Në origjinën e vet kjo fjalë me bazë latine përdorej për të numëruar skllevërit dhe plebenjtë, ndërsa sot nënkupton regjistrimin e popullsisë. Ministri i Inovacionit nuk mund të bëjë “inovacion bajat” të konceptit të regjistrimit me “census”.  Konflikti dhe rruga antikushtetuese e zgjedhur nuk i kalon problemet dhe zgjidhjet nuk mund të jepen vetëm me anë të ndryshimit të emrave. Unë e kuptoj që ata duan të tërhiqen nga ajo që kanë nisur, dhe këtë e treguan qartë duke hequr kombësinë nga certifikatat e gjendjes civile dhe vazhduan duke ndryshuar emrin nga “regjistrim” në census, por do të ishte më e ndershme  të pranonin gabimin dhe të kërkonin të falur. Ministri pa ministri nuk mund të ndryshojë emrin e ligjit për regjistrimin ashtu siç janë ndryshuar mijëra emra, mbiemra dhe kombësi të shqiptarëve.

Z. Spahiu, e theksuat edhe nga ju, por jo vetëm; ka një përpjekje për ta konsideruar Shqipërinë një vend ku gëlojnë shumë etni. Kam parasysh këtu kërkesat e Beogradit dhe Bukureshtit, por edhe pasaporto-maninë nga Sofja apo Shkupi, të cilat kanë ngritur madje dhe institute studimore për të gjetur homogjenë në Shqipëri. Gjithë kësaj performance ballkanike, si mund t’ju përgjigjet shteti i shqiptarëve?

Është në vlerësimin dhe besimin tim se shtetit shqiptar duhet të ketë një strategji gjithëpërfshirëse për çështjet e identitetit dhe integritetit kombëtar. Një strategji e tillë duhet të përfshijë të gjithë kombin dhe të konsultohet jo vetëm me shqiptarët në emigrim, por edhe me ata të cilët jetojnë në trojet e veta në shtete të tjera. E vërteta është se çështje të tilla prekin ndjenjat dhe interesat e gjithë shqiptarëve, prandaj për to duhet të ketë debat publik dhe një strategji kombëtare.

Sipas informacioneve që ju keni, kur do të merret në shqyrtim drafti që Aleanca ka paraqitur në Kuvend për këtë çështje?

Ne kemi shprehur qëndrimin tonë se iniciativa ligjvënëse popullore e mundësuar dhe e paraqitur në Kuvend nga Aleanca Kuq e Zi, për nga vet rëndësia që shpreh (vullnetin e qindra mijë zgjedhësve) dhe për faktin se është paraqitur në avancë, duhet të ishte shqyrtuar më parë ose të paktën njëkohësisht me projektligjin ‘Pollo’, për të mos përmendur këtu faktin se ndryshimet ligjvënëse të propozuara nga ana jonë kanë një përmbajtje më të rëndësishme sesa ato qeveritare.

Cilat janë rrugët ligjore që ju do të ndiqni në rast se ky draft nuk do të merret në shqyrtim? Mund të çoni çështjen në Gjykatën Kushtetuese, nisur nga fakti se 20 mijë firmat janë një procedurë ligjvënëse e parashikuar në Kushtetutë?

Ju falënderoj për këtë pyetje dhe dëshiroj të qartësoj edhe gazetarët edhe publikun se e drejta për të bërë ligje është e drejta dhe detyra kushtetuese e Kuvendit, por njëkohësisht edhe kompetencë e tij ekskluzive. Nuk mund të kundërshtohet në Gjykatën Kushtetuese fakti se Kuvendi nuk e quan të drejtë apo të arsyeshme të bëjë apo miratojë një ligj. Këto janë parimet e shtetit ligjor, këto janë themelet e demokracisë. Ajo që mund të kundërshtohet nga ana jonë është një proces antiligjor apo antikushtetues regjistrimi, por që ne po e paralajmërojmë, pasi nuk duam që regjistrimi të dështojë.

Ju jeni shprehur se 15 deputetë të Parlamentit janë pro draftit tuaj, mund të na zbuloni kush janë ata ose grupeve parlamentare që ju përkasin?

Ju garantoj me bindje të plotë se në Shqipëri regjistrimi apo censusi, siç i pëlqen ta ndërrojë emrin ministri pa ministri nuk do zhvillohet mbi baza etnike dhe fetare. Fitorja e parë e Aleancës Kuq e Zi ishte heqja e termit kombësi nga certifikatat dhe e dyta është detyrimi për të bërë makiavelizma në ndryshimin e emrit të regjistrimit popullsisë në census. Për votat e 15 deputetëve demokratë dhe socialistë, ky është një informacion publik, i cili mund të verifikohet lehtë nga votat që do jepen në Kuvend, por që unë për arsye etike dëshiroj që ta lë në ditën e seancës plenare, duke qenë ata personazhe publikë që të vendosin nëse duan apo jo të bëjnë publik qëndrimin e tyre.

Zëra brenda mazhorancës aktuale theksojnë se qëllimi i nismave të Aleancës Kuq e Zi është që në të ardhmen e afërt kjo lëvizje do të kthehet në një parti politike. A kanë bazë reale këto zëra?

Besoj që Aleanca Kuq e Zi ka përmasa disa herë më të mëdha se një parti, pasi është një lëvizje popullore. Kam theksuar dhe theksoj se, Aleanca Kuq e Zi është një lëvizje qytetare dhe në mbështetje të një kauze apo të interesave kombëtare. Përfshirja ime është pikërisht në mbështetje të kësaj nisme apo të këtyre qëllimeve. Ndryshime apo transformime të mëtejshme të saj nuk janë në dijeninë time dhe për më tepër këto janë vendime që merren nga vet kjo lëvizje. Nuk dëshiroj të krijoj përshtypjen sikur evitoj pyetjen, por asaj mund t’i përgjigjen më mirë strukturat e veta të brendshme, sesa unë që jam një bashkëpunëtor i jashtëm.

Përveç nismave të Aleancës për disa çështje kombëtare, edhe një parti si PDIU është shprehur pro tyre, dhe madje në çështjen për regjistrimin mbi baza etnike dhe fetar qëndrimi ka qenë i njëjtë. Kemi menduar të ndërmerrni ndonjë nismë të përbashkët?

Mbështetja e PDIU-së ka të bëjë me drejtësinë e çështjes tonë dhe qëndrimit që ne kemi, dhe që në fakt ka një mbështetje shumë më të gjerë duke qenë se gëzon një mbështetje popullore, por mbi të gjitha mbështetje në zemrën e çdo shqiptari. Megjithatë, për t’ju përgjigjur pyetjes tuaj, dua të them se aktualisht nuk kemi ndonjë bashkëpunim të afërt, por ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me këdo që ndan të njëjtat parime dhe që mbështet të njëjtat vlera në mbrojtje të identitetit kombëtar.

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen