ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

Skandali i radhës i doganave greke! I moshuari: Grekët më kthyen në kufi, se jam çam

SARANDE -Më kthyen në Kakavijë se në pasaportë thuhet se kam lindur në Çamëri. Nuk më lanë të shkoj me shokët e mi në Greqi. Jam i fyer dhe i indinjuar, pasi grekët tallen me ne e shteti shqiptar hesht!”. Kështu ka pohuar për “Gazeta Shqiptare”, 70- vjeçari Hasan Ademi, i kthyer dje në kufi nga policia greke, vetëm se ka lindur në Çamëri…

Xha Hasan, pse nuk ke shkuar në Selanik me kolektivin e të moshuarve të Sarandës?

– Nuk më lanë të shkoja. Më ktheu policia greke në kufi.

Cila ishte arsyeja?

– Sebep u bë pasaporta ime.

Nuk e kishe nga këto të rejat, biometriket?

– Po, nga ato e kisha, por më gjetën një kleçkë.

E kishe të dëmtuar?

– Jo, e mbaja të futur në plastmas, e s’kishte ku ta gjente shiu.

Më thuaj, kujt i thua kleçkë?

– Ata të doganës greke zbuluan që vendlindja ime ishte Filati në Çamëri dhe kjo më la pa vajtur në ekskursion e më ndau nga bashkëmoshatarët.

Për ku ishit nisur?

– Në Selanik do venim me autobus, të organizuar.

Ishit të organizuar, me kë?

– Ja, ta shpjegoj unë. Jetoj në qytetin e Sarandës këtu e 60 vjet të shkuara. Po kam mbetur vetëm dhe kam ca vite që i thashë vetmisë “tutje”. U futa në atë qendrën polivalente, si i thonë, që kanë hapur në Sarandë ata të bashkisë. Na qeverisin mirë, me kafe e ushqim dy vakte, na nxjerrin edhe nëpër qytete e nëpër shtete.

Ku ke shkuar?

– Çdo vit vemi në behar me pushime në Korfuz, këtë verë, meqë andej ka pllakosur kriza, na çuan në korrik në Maqedoni.

Ke qenë në këto vende?

– Në Korfuz po, në Maqedoni nuk munda, se u bëra sëmurë. Po Selanikun e kisha me qejf, se edhe me shëndet jam mirë. Po ma prishi pasaporta!

Si të thanë kur panë pasaportën?

– Një polic i gjatë me mustaqe më foli në greqishte ca fjalë që nuk i kuptoja një për një. Por, kuptova që kufiri ishte bërë vrimë gjilpëre këtë radhë për mua. M’i përktheu Stavri ato që thoshte polici. Çamëria ime ishte bërë pengesë, gjë që nuk më ka bërë vaki kur kam kaluar për në Korfuz. Më thanë se paraqes rrezikshmëri…

Të erdhi keq?

Më erdhi, pse ta fsheh? Për dy gjëra: Për goxha zyrtarë të një shteti që i tremben edhe hijes së të vërtetës, pa le vetë asaj.

Tjetër?

– E kisha me qejf, të thashë. Doja të isha me moshatarët në Selanik, një qytet bregdetar ashtu si Saranda, për të cilin më thanë se është edhe si kryeqytet i kulturës greke. U nisëm 41 vetë dhe kaluan të gjithë, përveç meje. Edhe atyre sikur u mbeti koka pas e u mbeti mendja tek ajo që akoma bën vaki në kufijtë që ndan dy shtetet tona.

Si u ndjeve pas kësaj?

– U ndjeva keq për sjelljen e keqe të policit grek, por edhe një herë më krenar për origjinën time çame. “Mirë të të bëhet,- i thashë vetes,- se kur dëgjoje që ndodhnin edhe nga këto gjëra në kufi me grekun, nuk i kishe besuar”. Duhej ta pësoja në lëkurën time, që ta besoja. Vuajta ca që u ktheva në shtëpinë time. Po ja ku erdha dhe i dhashë karar asaj që ndodhi, duke menduar se vërtet Çamëria është pagjumësia e grekut. Po shteti nuk duhet t’i lërë grekët të tallen me ne…

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen