ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

Shtohen faqezinjtë, dergjen kuqezinjtë!

Nga Redan BUSHATI*Pikënisje nga mënyra se si po realizohet regjistrimi mbi baza etnike dhe fetare në vendin tonë (kundërshtuar ashpër nga Aleanca «Kuq e Zi», por edhe nga shumë shqiptarë të ndershëm). Frymëzim nga ajo pjesë e qytetarisë sonë, e cila për fatet tona kombëtare largon duart nga e «zeza» politikë. Urrejtje për ato individë që gjakun e tyre po e shesin për hiçgjë send! Mllef e neveri, më shtynë të shkruaj për faqezinjtë; respekt dhe admirim më shtynë të çmoj kuqezinjtë!

Sot, ka dy Shqipëri; njëra është ajo që zbaton direktivat dhe «detyrat» sipas interesave klanore të mbira brenda qeverisjes, të cilat diktojnë politikat e huaja të zbatimit në vendin tonë, që në shumë raste janë të dëmshme, e veçanërisht kur vijnë nga Athina zyrtare. Shqipëria tjetër është ajo e qytetarëve të ndershëm, shqiptarëve patriotë, disa gazetarëve dhe analistëve që nuk shërbejnë për interesa lejesh ndërtimi, por pozicionohen në vlerat më të arrira të kombit të tyre, pra kombit shqiptar. Sigurisht, kjo ndarje nuk është me thikë, por rezultati që do të dalin në mbarim të censusit do të nxijë të paudhët, duke i treguar ashiqare dhe nga ana tjetër do të nxjerrë ato, të cilët përkundër interesave personale kanë ato madhore kombëtare.

Rezultati që do të dalë nga regjistrimi mbi baza etnike dhe fetare në Shqipëri do të japë shifra të paqena, me shumë të pavërteta brenda. Kështu, numri i minoriteteve do të rritet artificialisht, duke sinjalizuar në të ardhmen Europën, që Shqipëria na qenka një vend multi-etnik, e kjo nuk është asgjë tjetër veçse vetëvrasje për popullin tonë. Disa shoqata greke, gjoja janë ngritur kundër censusit, duke bërë thirrje nga minoriteti i tyre për bojkotim të këtij procesi. Kjo në fakt është një fasadë me të cilën po luhet mjaft bukur. Mediatikisht populli lexon se minoriteti nuk e do zhvillimin në këtë mënyrë të këtij procesi regjistrimi dhe se minoritarët nuk janë duke u regjistruar.

Në përfundim të censusit shoqatat apo organizatat minoritare do të lehin edhe për një numër më të madh të tyre në Shqipëri, pasi sipas tyre nuk janë regjistruar të gjithë, ndërkohë që në terren pinjollët e tyre po zbatojnë politikat e regjistrimit për të gjithë minoritarët, por edhe për pseudoshqiptarët, tashmë një pjesë e tyre të regjistruar si grekë. Një lojë politike e pastër, gjoja po tërhiqemi nga procesi i regjistrimit, ndërkohë që në terren po punohet intensivisht për rritjen e numrit të tyre.Nga ky regjistrim do të kemi më pas edhe shumë probleme fetare në vendin tonë dhe ta mendosh që është pikërisht faktori politik, i cili po dëmton tolerancën fetare mes komuniteteve. Me regjistrimin si grek, ortodoksët në mos rriten shumë artificialisht do të pretendojnë se janë më shumë se kaq. Nga ana tjetër muslimanët e më pak katolikët do të mbrojnë qëndrimin se nga censusi është rritur artificialisht numri i minoritetit grek, kështu edhe i ortodoksëve, e në fakt këto janë o muslimanë o katolikë.

Dikush nga leximi i këtij shkrimi do të ngrihet b…zvjerrë duke thënë që pse komunitetet fetare në Shqipëri nuk kundërshtuan ashpër para realizimit të këtij procesi. Sigurisht, kjo kategori nuk ka parasysh faktin që kthetrat krupëndjellëse të politikës sonë janë futur kudo, në çdo skutë me klanet e veta aq sa ndërhyjnë edhe në zgjedhjet e brendshme të komuniteteve fetare, për të mos thënë që fatkeqësisht për popullin tonë një pjesë e tyre janë shërbëtor të klasës politike.Fakt… Regjistrimi në vendin tonë nga punëtorët e pajtuar nga INSTAT po realizohet nëpër kafene, duke pyetur kryepleqtë e fshatrave apo edhe të lagjeve brenda qytetit. Pasaktësia e një forme të tillë është evidente, për të mos thënë një mënyrë e turpshme e kryerjes së punës, por edhe një hamendësim rezultati.

Fakt…Regjistrimi në vendin tonë po realizohet vetëm për shqiptarët që jetojnë në Shqipëri. I madh e i vogël e di që thuajse aq sa ka shqiptarë në Shqipëri aq ka edhe në emigrim. Kështu, do të kemi një shifër shumë më të ulët se ç’ka shqiptarë në të vërtetë. Ndërkohë klanet greke janë të gatshme për «mësymje» me një shifër të tillë shqiptarësh. Fakt… Ekonomia shqiptare nga deklarimet do të dali shumëfish më e zmadhuar ose më e zvogëluar. Pse? Nëse do të kemi deklarime të vërteta në vendin tonë, ekziston një shtresë super milionerësh e miliarderësh dhe një shtresë ekstremisht e varfër, ndërsa mesatarja as që ekziston. Kështu, mesatarja për frymë do të jetë një rezultat i çuditshëm, aq sa edhe mund të vërtetojë që Shqipëria qëndron përkrah Gjermanisë nga ekonomia mbresëlënëse dhe e qëndrueshme m’u në krizën që ka përfshirë Europën.

Nga ana tjetër ekziston rreziku që nëse deklarimet bëhen të rrejshme nga popullata jonë, atëherë të kemi një mesatare edhe më poshtë se ç’është në të vërtetë. Gjithsesi, si me të parën dhe me të dytën konkluzioni është i thjeshtë, ne nuk do të marrim të vërtetën nga ky regjistrim. Fakt… Sigurisht, ky do të jetë edhe fakti më i dhimbshëm, në mos për ne, nesër për fëmijët tanë. Anketuesit edhe pse në disa raste marrin deklarime si musliman apo katolikë, tek çështja e kombësisë nga plotësimi rezultojnë grek. Anketuesit paturpësisht nga mungesa e eksperiencës, nga mënyra shkallafatçe e punës së tyre për të marrë ato lekë e për të mos e çarë me nder me thanën e për të shkuar rehat në shtëpitë e tyre apo edhe nga ndonjë direktivë e marrë në qendër nuk po kërkojnë asnjë dokument shtesë që vërteton kombësinë greke të këtyre të ashtuquajturve grekë, me besim jo ortodoks! Jo vetëm e turpshme nga mënyra se si po veprojnë shumë anketues, por kjo është mbi të gjitha antikombëtare.
Sigurisht, këto janë disa fakte nga zhvillimet e regjistrimit që po ndeshen çdo ditë dhe po zbardhen edhe në shumë ekrane televizive. Rreziku më i madh i shqiptarëve do të jetë pas censusit, pas disa kohësh. Dhe rreziku i përhershëm do të jetë dhe do të mbesin manovrat e «fqinjit» tonë jugor, i cili për interesat e tij arrin të vendosë veton për shtetin tonë sa herë që ne mund të kemi ndonjë progres drejt aspiratave tona europiane. Gjithsesi, e keqja jonë jemi vetë ne, pasi nëse nga jugu do të kishim pak më shumë atdhetarizëm rreziku nga ky regjistrim mbi baza etnike dhe fetare do të ishte shumë më i vogël. Shprehja e Faik Konicës «E keqja e shqiptarëve janë vetë shqiptarët» i vendos kombësinë greke këtyre pseudoshqiptarëve. Po them pseudoshqiptarëve dhe po e mbyll me kaq, pasi nëse do t’i vë ndonjë epitet tjetër nuk do të ndalem e do t’i shaj edhe me nënë e motra, pasi këto lloj shqiptarësh që shesin kombin e tyre nuk kanë nder familje e farë fisi.

* Autori është kryetar i Këshillit Studentor të Universitetit të Shkodër

Gazeta Sot

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen