ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

Shqiptarët lëngojnë, Rama e Berisha mashtrojnë!

Në ditët e fundit po gjallon debati rreth programit të PS-së, ku Rama e paraqet veten njëkohësisht si mbrojtës i interesave të 95% të popullsisë, pa harruar të shtojë se nuk është kundër 5%, por i mbron edhe ata. Po njësoj Berisha del si mbrojtës i sipërmarrësve shqiptarë pa harruar të mbrojë edhe konsumatorët. Në të njëjtën kohë të dyja palët mbrojnë edhe interesat e shqiptarëve edhe interesat e të huajve.

Me pak fjalë, të dyja palët pretendojnë se mbrojnë të gjithë, të pasur e të varfer, shqiptarë e të huaj, socialistë e demokratë, pronarë e ish-pronarë, komunistë e ish-komunistë.

Programi i PS-së, për nga mënyra si është konceptuar, përtej funksionit propagandistik vështirë se kryen ndonjë funksion tjetër, e jo rastësisht, kritikat përveçse nga jashtë i kanë ardhur edhe nga vetë brenda PS-së . Ulja e përgjithshme e taksave, që do të sjelle buxhet me të vogël ; penalizimi i sipërmarrjes nëpërmjet taksës progresive, që do të sjellë më pak investime e rrjedhimisht vende pune; ulja e TVSH për qumësht e vezë, që dëmton atë pak industri ushqimore shqiptare, praktikisht bien në kundërshtim me hapjen e 300 mijë vendeve të punës dhe mbrojtjen e prodhimit vendas.

Ku do t’i gjejë mjetet financiare për hapjen e këtyre vendeve të punës, nëqoftëse buxheti do të jetë më i vogël dhe njëkohësisht do të privohet sipërmarrësi nga mundësia e rritjes së investimeve, pra me më pak investime shtetërore e private si do të hapen vendet e punës ? E vetmja mundësi do të ishte shtimi i borxhit të brendshëm, mirëpo programi synon edhe uljen e borxhit. Edhe këtu shtrohet po njësoj pyetja, si do ta ulë borxhin me cilat mjete financiare ?

Nga ana e vet, Berisha mbrojti sidomos taksën e sheshtë, duke thënë se kështu prodhuesit kanë më tepër mjete financiare për të investuar. Mirëpo retorika e mbrojtës së prodhuesit shqiptar ka 20 vjet që buçet e në vend të fuqizimit të sipërmarrësve shqiptarë, realiteti thotë që gjithë degët strategjike janë në duart e të huajve dhe se prodhuesi në fshat, jo vetëm që nuk është i privilegjuar, por përkundrazi është thuajse i përndjekur, pasi të dhënat thonë që të ardhurat në fshat janë 2 herë me të ulëta se në qytet, po kështu eksportet tona bujqësore jane 9 herë më të ulëta se importet bujqësore.

Në fakt, taksa e sheshtë i duhet Berishës për projektin e tij famëkeq të shitjes së Shqipërisë për 1 euro, ose e thënë ndryshe Berisha pasi u shiti të huajve gjithçka që mundi, shpreson të shesë edhe gjithçka që ka mbetur, sidomos energjitikën, duke nisur nga hidrocentralet e vegjël. Kjo nevojë e Berishës lidhet drejtpërdrejt me dobësinë financiare të shtetit, si pasojë e defiçitit të madh tregtar (përveç vjedhjeve, që janë të nënkuptuara). Jo më kot, 2 vitet e fundit është folur gjerësisht për eksportet dhe investimet e huaja. Rënia e dërgesave të emigrantëve, ka shkaktuar mungesa të valutës në vend dhe e vetmja mundësi që i ka ngelur është thithja e investimeve të huaja  nëpërmjet privilegjeve të panumërta, më kryesorja taksa e sheshtë.

Investimet e huaja, që i kanë dhënë Shqipërisë së sotme fytyrën e një vendi të (neo-)kolonizuar, kryejnë funksion të dyfishtë për Berishën, nga njëra anë zgjidhin përkohësisht problemet financiare në pagesat e tregtisë së jashtme, nga ana tjetër përdoren për qëllime propagandistike në politikën e brendshme. Kur Berisha thotë se duhet të mbrojmë sipërmarrësit, kjo duhet përkthyer, të kemi mundësi t’u shesim ndonjë gjë të huajve.

Taksa e sheshtë ka vlerë për sipërmarrësin e prodhuesin shqiptar, vetëm nëse shoqërohet me politika të tjera mbrojtëse e nxitëse të prodhimit vendas, pra si pjesë e një pakete, ku duhet të përfshihen edhe taksat e larta doganore, kuotat e importit, ndihmesa e privatit nëpërmjet shoqërive të përbashkëta, shtet-privat, subvencionet e ndërmarrjeve që prodhojnë për eksport, kredi shtetërore me interesa të uleta për investimet në degë të caktuara, blerja nga ana e shtetit e të gjitha produkteve bujqësore, që fshatari nuk i shet dot etj.

Kjo paketë do t’u jepte mundësi prodhuesve shqiptare, të konkuronin bindshëm mallin e importit, biles të largonin disa të tille (krejt të zëvendësueshëm, që nga mallra ushqimore e deri tek gozhdët, pjatat e mobiljet) nga tregu shqiptar, çka do të sillte rritje të investimeve, rritje të vendeve të punës, rritje të prodhimit, me pak fjalë do të ulte defiçitin tregtar dhe do të shtonte mirëqenien në vend.

Në një kohë që dërgesat e emigrantëve po pakësohen vit pas viti është tepër e rëndësishme që Shqipëria të përqendrohet tek prodhimi vendas dhe ulja e defiçitit tregtar, përndryshe do të na duhet të shesim tek i huaji jo vetëm hidrocentralet, por edhe Kalanë e Krujës, të marrim plehrat e gjithë botës dhe pasi të na mbarojë së shituri gjithçka, nuk do të ngelet gjë tjetër, veçse t’ia rinisim sërisht me emigracionin, breza të tjerë që humbasin jashtë.

Sot, Shqipëria nuk ka nevojë për programe fantaziose e të papraktikueshme si i PS-së apo aq më pak për programin berishian të shitblerjes së Shqipërisë, por për politika të reja e të përgjegjshme, që shohin  interesin e Shqipërisë dhe shqiptarëve, duke nisur që nga prodhuesi i vogël fshatar e deri tek sipërmarresi më i madh shqiptar, duke privilegjuar shqiptarët ndaj të huajve dhe që në vend të konfliktit i pasur-i varfër, të kemi me sa është e mundur mirëkuptimin e bashkëpunimin e shtresave, çka mundësohet vetëm brenda një vizioni kombëtar, një qëllimi të përbashkët.

Nuk bëhet kurrë Shqipëria me individualizma e projekte kozmopolite, përkundrazi kështu zhbëhet e përçahet, sikundër e vërteton ky 20 vjeçar, e vetmja mënyrë është puna e sakrifica e përbashkët, për hir të mirëqenies vetjake, por edhe kombëtare, për hir të dinjitetit vetjak, por edhe kombëtar. Kapërcimi kolosal nga vendi më i varfër i Europës në atë të vendit të zhvilluar, kërkon një konceptim krejt të ri, të ndryshëm nga ç’është praktikuar në Shqipëri gjatë gjithë këtyre 100 vjetëve shtet.

Ledjan Prifti

6 KOMENTE

besian

06/11/2011

arrow

te lumte dora o ledjan..:P

Guxim Kola

07/11/2011

arrow

Ke folur dhe per mua me kete analize perfekte…

elvis mataj

08/11/2011

arrow

te lumte dora

Silva

08/11/2011

arrow

Une vetem nje koment kam per uljen e taksave. Shqiptaret kane me shume se 20 vjet qe shumica qe nuk paguan taksa dhe tani qe ka filluar tatimorja duke kerkuar TVSH mbi mallin e shitur. Te gjith bisneset e vogla (dyqanet private) ndihen shume rende.
Ulja e taksave dhe taksimi i te ardhurave ne nje menyre progresive eshte nje ide ekonomike qe eshte ndiekur ne Kanada qe ne fillimet e saj. Une jetoj ne Kanada dhe po studioj per taksat ketu dhe ideja eshte qe sa me shume te besh me shume perqindje do paguash ne shtet deri ne maksimum 45% (shume apo jo) por gjithashtu ka dhe benefitet e saja.
Ndersa kur kalon ne periudhe ekonomike te dobet si ne 2008 ministria e finances vendosi te uli taksat per te ardhurat gje qe solli me pak lek ne buxhet per me shume ne duart e njerezve dhe 80% e ketyrete ardhurave u shpenzua ne te mira dhe sherbime, gje qe kerkonte me shume prodhime apo sherbime nga bisneset dhe nga kerkesa e tepert arriti qe te rritej ose te rrinte konstante kerkesa per punetore. Nga fundi i 2009 Kanadaja nuk ra si gjith shtetet e tjera por qendroi e forte ne krahasim me to. Tani qe eshte fundi i 2011 papunesia ketu eshte konstante dhe taksat kan vajtur ne ritmin e tyre.
Ajo qe dua te them eshte 20% takse mbi shitje ose dhe taksa te larta per te ardhurat per shumicen e popullsise ne Shqiperi qe deri dje nuk paguanin fare. Mbase duke i ulur pak mund te arrijne te mbledhin dicka per buxhetin e SHQIPERISE (jo te vetin). Une kam shume shpresa se Shqiperia do ndryshoj.

julius

07/12/2011

arrow

Nuk futet Rama dhe Berisha në një thes. Dhe ne si virgjeresha i biem thesit me shqelma. Ju thoni që njëri është me qelbanik se tjetri në një kohë që Saliu është zhytur në pisllëk deri në fijen e flokut.

Halil Gjelaj

09/01/2012

arrow

Te perpiqemi te shohim zhvillimin ekonomik nga nje prizme tjeter duke anashkaluar politiken. Per te qene me reale me duhet tia beje vetes dhe gjithe shqipetareve se sa shqipetare ne jemi kur vjen ne pyetje perdorimi i asaj cka eshe e jona? Psh. a shitet birra e Pejes kudo ne Shqiperi,Maqedomi Mal te zi apo a shiten birrat Tirana e Korqa kudo si mesiper? Pergjigja eshte shkurt JO. Po PSE? Mos valle ne shqiptaret urrejme veten tone?Po skur te shitej kudo a do ti perdornin ato ne vende te birres greke, asaj malazeze, gjermane ,holandeze..Pergjigja perseri JO. Dhe ne me siguri do te gjejme njemije arsye per te mbrojtur qendrimin tone. dhe do te vazhdojme me avazin tone e te dukurit europiane apo cka do tjeter por jo shqipetare. Vellezer le te ndryshojme vetveten, le te mendojme dhe veprojme si komb sepse vetem atehere kur ne do ta perdorim pataten, domatem djathin e cdo gje qe ai vend i bekuar mund te prodhoj ne do te ndihmojme bujkun, prodhuesin dhe tregtarin. Le te shohim dhe te ngrhim zerin kur shohim se si vendi i yne shkaterrohet nga kushdo dhe kudo, le te mendojme si komb ku cdo pjese e atij vendi kur demtohet te na dhembi njesoj dhe ta mbrojme njesoj vetem atehere edhe politika cilaqdo cofte ajo do te veproje njesoj sepse edhe ajo do te jete NE.

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen