ZOTI ËSHTË I PARI, SHQIPËRIA MBI TË GJITHA

Shqiptarët në emigracion, të braktisur nga qeveria

Aleanca KuqeZi denoncon qeverinë dhe shtetin shqiptar, që dhunon dhe shkel hapur nenin 8 të Kushtetutës shqiptare, i cili e detyron atë ”TË MBROJË TË DREJTAT DHE INTERESAT E SHQIPTARËVE KUDO QË JANË EDHE JASHTË KUFIJVE”.

Aleanca KuqeZi përshëndet faktet e bëra publike nga Raportuesi i Kombeve të Bashkuara për të drejtat e emigrantëve François Crépeau, i cili ka përfunduar një vizitë faktmbledhëse në Shqipëri. Me keqardhje Aleanca KuqeZi falënderon Z.Crepeau për faktet e bëra publike prej tij në lidhje me politikat që ndjek qeveria shqiptare në drejtim të emigrantëve shqiptare jashtë kufijve të vendit të tyre, por edhe për emigrantët që kthehen pas vitesh të tëra në atdhe dhe nuk gjejnë asnjë mbështetje nga strukturat e shtetit shqiptar.

Mungesa e një strategjie prej 21 vitesh për emigrantët shqiptarë është një e metë e madhe, që e diferencon Shqipërinë në krahasim me vendet e tjera evropiane, por edhe nga fqinjët e saj të cilët prej disa dekadash hartojnë politika të veçanta për emigrantët e tyre, madje kanë ngritur dhe institucionet të posaçme për këtë kategori të shoqërisë së tyre.

Largimi i shqiptarëve nisi pas rrëzimit të sistemit totalitar dhe vendosjes së atij demokratik në vitin 1990, për të vazhduar deri në ditët e sotme, kur edhe pse lëvizin lirshëm më vendet e Bashkimit Evropian, largimi nga atdheu mbetet i vetmi shpëtim.

Edhe pas 21 vitesh largime pa fund, shqiptarët nuk e dinë ende se sa bashkëkombas të tyre janë larguar nga vendi, apo se sa të tjerë jane rikthyer pas vitesh të tëra emigrim. Ne nuk kemi asnjë informacion, asnjë regjistër, asnjë përllogaritje për numrin e saktë të shqiptarëve, që janë larguar nga vendi. Gjithashtu, ne ende nuk jemi në dijeni se sa emigrantë janë kthyer në atdhe pas vitesh të tëra emigrim.

Aleanca KuqeZi i bën thirrje qeverisë shqiptarë, që të mos keqpërdorë emigrantët dhe keqinformojë qytetarët shqiptarë, kur thotë se janë 1 milion turistë në sezonin veror, pse të gjithë ne jemi dëshmitarë të faktit se bashkëkombësit tanë dy herë në vit kthehen tek familjarët e tyre për festat e fundvitit dhe sezonin veror.

Mungesa e politikave të qeverive shqiptare kanë krijuar këtë gjendje konfuze për të gjithë ne, por mbi të gjitha për ata qytetarë shqiptarë, të cilët për plot 21 vjet, deri më sot, nuk kanë asgjë të sigurt, jo më në tokën e huaj, por as në të tyren.

Qeveria shqiptare u mobilizua në një proçes të shumëpropaganduar sic ishte proçesi i regjistrimit të popullsisë mbi baza etnike dhe fetare,  regjistrim që u mbajt në muajin tetor. Në të gjithë atë proçes, ku u harxhuan plot 14 milion euro, hartuesit e regjistrimit harruan emigrantët shqiptarë, të cilët vetëm sepse jetonin jashtë vendit, nuk u parashikuan fare në regjistrimin e popullsisë shqiptare. Aleanca KuqeZi i kujton qeverise aktuale, por edhe qeverive të kaluara se mbrojtja e të drejtave të qytetarëve është parim i mbrojtur nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërise, parim jo vetëm i anashkaluar, por i braktisur totalisht.

Aleanca KuqeZi i bën  thirrje qeverisë shqiptare dhe ministrisë së jashtme, që të vërë në lëvizje ata mijëra punonjës diplomatik, për të cilët harxhohen para pafund për makina dhe qera banesash luksoze, të kenë në vëmendje të tyre qytetarët shqiptarë, që largohen nga vendi mëmë për një jetë më të mirë dhe jo protokollet e vizitave zyrtare të drejtuesve të shtetit shqiptar.

Ne flasim sot për të drejtat e emigrantëve shqiptarë, por nga ana tjetër një e drejtë themelore i është mohuar kesaj shtrese të shoqërisë shqiptare. Prej 21 vitesh këta qytetarë shqiptarë nuk kanë mundur të shprehin vullnetin e tyre në asnjë nga proçeset zgjedhore, një tjetër e drejtë e shkruar e zeza mbi të bardhë në dokumentin themeltar të shtetit shqiptar, Kushtetutën e Republikës.

Aleanca KuqeZi i bën thirrje qeverisë shqiptare:

  1. Të hartojë një strategji afatgjatë për emigrantët shqiptarë, që rikthehen në atdhe duke i mbështetur ata me ndihmë sociale deri në integrimin e plote në shoqëri.
  2. Të hartojë një regjistër zyrtar të të dhënave mbi qytetarët e larguar në emigrim dhe ata të rikthyer në atdhe.
  3. Të garantojë të drejtat e qytetarëve shqiptarë, që jetojnë në emigrim dhe femijëve të tyre, të cilët nuk flasin më asnjë fjalë shqip.
  4. Të reformojë misionet diplomatike duke hartuar një strategji konkrete për të ndihmuar dhe mbështetur në çdo kohë dhe në çdo rast emigrantët shqiptarë.
  5. Reformë radikale në strukturat e trupit diplomatik shqiptar.
  6. Të mundësojë me çdo kusht dhe formë të drejtën e votës për emigrantët shqiptarë.

Me shpresën se faktet në fjalë nuk do të bien në vesh të shurdhër, Aleanca KuqeZi shpreh mbështetjen maksimale për emigrantët shqiptarë, që jetojnë jashtë kufijve, si edhe për ata bashkëkombas që janë rikthyer dhe përballen çdo ditë me vështirësitë e integrimit në jetën sociale, ekonomike dhe shoqërore.

 

Blerina Feimi

Përfaqësuese e Aleancës KuqeZi

2 KOMENTE

Name Azbi

15/12/2011

arrow

kam shum te flas per emigrazionin shqiptar edhe vet kam qen emigrant pre vitit 1985 se ktu tek ne ne IRJM tito kishte planin qe gjith shqiptare te shperngulen dhe te asimilohen.sa i perkrt emigrazionit te sotem qe kur shteti shqiptar esht ne demokraci un besoj se shqiptaret nuk jan te mbrojtur as pak nga shteti ka shum raste qe shumica e populit qe jeton jasht e din mir e para cfar mbrojtje kan shqiptari nga shteti i vet kur shteti italian me nje akuz banale vjen deri ne sqiperi te arreston she te con ne shtetin italian mos tregojm per shum raste te tjera te pa drejta ndaj poullit shqipar.

Bujar Cela

16/12/2011

arrow

Bravo Blerina me frymezon fjalimi yt.

Lini një përgjigje

Emri juaj: (i domosdoshëm)

Emaili juaj: (i domosdoshëm)

Përgjigja juaj:

Posto përgjigjen